Pashtriku.org, 11. 12. 2014 – Shumë i respektuari, Nderi i Kombit, Adem Demaçi, i nderuari zoti Ministër Makolli, motra dhe vëllezër, të nderuar bashkatdhetarë, për mua si ish bashkëpunëtor i Radios “Zëri i Kosovës” në Kopenhagë është një nder i veçantë që t’u drejtohem me një fjalë rasti në këtë mbrëmje, në të cilën po i shënojmë festat e Nëntorit dhe 25 vjetorin e veprimtarisë së Radios „Zërit i Kosovës“. Muaji nëntor është një muaj kalendarik i vitit, një muaj i zakonshëm që nuk i sjell kujtëdoqoftë diçka të veçantë në kujtesën e tij po nuk qe shqiptar, por, për ne shqiptarët 28 nëntori nuk është një ditë e tillë, një ditë krejtësisht e rendomtë, sepse ky muaj sikur të jetë krijuar për shqiptarët. Nuk ka popull në botë që në historinë e tij t’i lidhë brenda një dite të vetme të të njëjtit muaj siç është dita e 28 e nëntorit, kaq shumë ngjarje.
Kjo ditë në vete ngërthen katër nga ngjarjet ndër më kulminantet e historisë së popullit shqiptar duke filluar nga mesjeta, kur heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu e kthye në Krujë dhe e ngriti flamurin kuq e zi si simbol të lirisë dhe pavarësisë, për të ardhur pastaj pas rreth 350 kryngritjesh dhe luftërash ngritja tjetër e radhës e Flamurit Kuq e Zi në Vlorën heroike ku edhe u shpall pavarësia e shtetit shqiptar, që për fat të keq asnjëherë nuk u shtri në gjithë hapësirën gjeografike shqiptare. Një tjetër 28 nëntor është ai i vitit 1955, i cili në jetë e solli njeriun me të cilin do të identifikohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj që Kosovës së robëruar ia solli Lirinë dhe pavarësinë, Adem Jasharin, komandantin Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dhe nëntori tjetër, i cili përjetësisht në historinë e popullit shqiptar u shënua me shkronja të arta është ai i vitit 1997, kur komandanti legjendar Adem Jashari, nuk e festoi ditëlindjen e vet, por popullit shqiptar ia dërgoi pas një betejë të ashpër me ushtrinë serbe tre ushtarë që t’i tregoj se Ushtria Çlirimtare e Kossovës nuk është dorë e zgjatur e pushtuesve dhe ushtri faksesh, por në të janë djemtë më të mirë të popullit shqiptar, të cilët atdheut do ia sjellin lirinë.
Bashkatdhetarë të nderuar, vëllezër dhe motra,
në ditë gëzimesh e festash gjithnjë, pos që duhet t’i kujtojmë aktorët e atyre ngjarjeve dhe të gjithë heronjtë e dëshmorët e kombit me shumë respekt, duhet të flasim edhe për sukseset që ne, pasardhësit e tyre, bashkëkohanikët e bashkëveprimtarët e tyre i shënojmë dhe pikërisht për këtë e kemi zgjedhur e mbrëmjen e sontme, në kuadër të festave të nëntorit, ta shënojmë edhe 25 vjetorin e punës së Rados „Zëri i Kosovës“, e cila aq sa mundi ua dha vendin e merituar luftërave dhe përpjekjeve të popullit tonë për liri dhe pavarësi.
Radio „Zëri i Kosovës“ është një nga radiot lokale të para të themeluara në diasporë e cila emisionin e parë e transmetoi me 20 gusht të vitit 1989, në kohën kur regjimi pushtues serb dhunën ndaj shqiptarëve kishte filluar ta ngris në shkallë gjenocidi dhe Kosovë e viset shqiptare në ish Jugosllavi t’i mbështillte me terr informativ. Kjo ndodhte në kohën kur grevat e minatorëve dhe protestat gjithandej Kosovës kishin bashkuar shqiptarët jo vetëm në Kosovë e trojet tjera shqiptare në ish Jugosllavi, por gjithandej ku ata gjendeshin. Themelimi i kësaj rodioje ishte një përgjigje e qëlluar ndaj atij terri informativ që e mbështillte Kosovën dhe propagandës gebelsiane që regjimi pushtues jugosllav e shpërndante kudo nëpër botë. Kjo u arrit falë përpjekjës së bashkësisë shqiptare në Kopenhagë dhe bashkëpunimit të tij me Komitetin Danez për Kosovën, i cili sonte këtu përfaqësohet nga ish kryetarja Mina Skafte Jensen, i cili komitet ka bërë shumë në afirmimin e çështjes shqiptare në Danimarkë, dhe të cilit si ekipi i Radios „Zëri i Kosovës“ ashtu edhe komuniteti shqiptar i Danimarkës, dhe të gjithë shqiptarët përjetësisht i janë mirënjohës.
Radio “Zëri i Kosovës” programin e vetë së pari e ka filluar me një gjysmë ore në javë, por në ndërkohë, falë angazhimit të ekipit redaksional dhe mirëkuptimit nga autoritetet, programi erdhi gjithnjë duke u zgjëruar nga ajo gjysmë ore në një orë, pastaj në dy, tri, katër dhe falë angazhimit maksimal të kolegëve Ixhet Lutfiut e Adnan Halitit tani ka arritur në 36 orë program në javë dhe nga viti 2002 të zgjërohet edhe me transmetim televiziv si TV Zëri i Kosovës, i cili transmeton Kanalin Kombëtar Danez TV2 Regjional një orë program në javë, por nëse kthehemi vetëm për pak prapa në kohën e para 25 vjetëve përpjekja për të emituar program në gjuhën shqipe në një radio prestigjioze siç është kjo daneze, dukej si një ndërmarrje mes ëndrrës dhe realitetit, midis të pamundshmës dhe aspiratës, sepse askush nga ne nuk kishte përvojë në një diçka të tillë, por ja që falë angazhimit dhe vullnetit ia dolem dhe kjo tingëllon si puna e pikës së ujit që e shpuan edhe gurin, jo nga forca, por nga këmbëngulësia.
Me zgjërimin e programit zgjëroheshin e rriteshin edhe nevojat sidomos për ndihmën profesionale dhe teknike, e cila në radhë të parë na erdhi nga Musli dhe Shpëtime Fida, të cilët kishin punuar në Radio Kosova në Malmo dhe Hajdin Abazi, i cili për radion tonë i bënte analizat javore të gjendjes politike në Kosovë dhe trojet tjera etnike pa përjashtim, si dhe i ipte jehonë qëndresës kombëtare për liri dhe pavarësi, për çka sot shfrytëzojmë nga rasti që në këtë 25 vjetor të veprimtarisë së Radios Zëri i Kosovës t’i falenderojmë. Poashtu me zgjërimin e programit dhe me mbështetjen e bashkatdhetarëve, ne shumë shpejt arritem të gjejmë edhe korenspondentë përmes të cilëve u krijuan urat që na mbanin të lidhur me zhvillimet në atdhe për çka kishim aq shumë nevojë. Padyshim se këta korenspondentë nga atdheu, prej të cilëve sonte në mesin tonë janë Shaban Arifaj, Mehmet Latifi dhe Ibish Neziri, e bënin më të freskët, më të dëgjueshme, më interesant programin tonë.
Me shumë kënaqësi në mesin tonë sonte do t’i kishim edhe Ismet Rashitin nga Zvicra, Antigona Qenën nga Norvegjia, Daim Ilazin e Shaip Emërllahun nga Tetova, Shemsedin Pretenin nga Prishtina, Asllan Bajramin nga Tirana, Sabri Kiçmarin nga Gjermania, tani ambasador i Republikës së Kosovës në Australi e shumë të tjerë, por në mungesë të tyre ne i falenderojmë në emër të redaksisë dhe dëgjuesve përzemërsisht për kontributin e dhënë për këtë radio.
Për ta mbajtur në jetë për 25 vjetë radhazi këtë radio, për ta sjellur deri në ditën e sontme kur edhe po e shënojmë jubeleun e 25 të saj dhe për ta zgjëruar programin nga një gjysmë ore në 36 orë, nuk ka mjaftuar vetëm vullneti i anëtarëve të redaksisë, i cili ka punuar krejtësisht në baza vullnetare, por është dashur edhe ndihma materiale, e cila falë solidaritetit të bashkatdhetarëve edhe nuk ka munguar. Unë nuk do ta lë pa e përmendur një rast krejt të vogël, por që në kohën kur ka ndodhur, e ka patur peshën e vetë të madhe. Në kohën kur kjo redaksi fillon nga puna, njëri ndër themeluesit dhe kryeredaktori i parë, Ibrahim Xhemajli ishte azilkërkues me të ardhura minimale për ekzistencë. Një ditë Adem Zeneli shkon ta vizitoj Ibrahimin dhe ia jep 1200 korona daneze. Ibrahimi don të ia shkruaj vërtetimin për pagesën, ndërkaq ai i thotë: „Jo, këto nuk janë për radion. Këto janë për ty . Blej ca rroba se e shoh se ke nevojë!“ dhe raste të ndihmës së bashkatdhetarëve ka mjaft, të cilat raste ilustrojnë gjendjen dhe kushtet anëtarëve të redaksisë dhe përkushtimin e tyre për punë në radio.
Për të mos u zgjatur shumë me këto raste, ndonëse lista e sukseseve të kësaj radioje është mjaft e gjatë, unë po i përmendi dy tri raste, të cilat kanë luajtur një rol mjaft të rëndësishëm.
***
Një advokat serb i quajtur Panteliq ishte me ndikim politik në institucionet daneze, i cili aq sa kishte të bënte me fatin e azilkërkuesve shqiptarë në Danimarkë, po aq kishte të bënte edhe me dezinformimin dhe shtrëmbërimin e të vërtetës shqiptare te danezët. Zbulimi i veprimtarisë së këtij advokati që ishte skandal i llojit të vet, bëri që të filloj shuarja e ndikimit negativ serb dhe fillimi i ndikimit pozitiv i shqiptarëve në politikbërjen daneze lidhur me çështjën e Kosovës.
***
Radio Zëri i Kosovës është radioja e parë që bëri intervistë me një luftëtar nga vija e parë e luftës në Kosovë, i cili u paraqit me emër e mbiemër. Ai ishte Sami Lushtaku. Kur kryeredaktori Ibrahim Xhemajli i propozoj që të paraqitej me ndonjë pseudonim, ai tha: Unë jam Sami Lushtaku. Jam në front dhe sapo u ktheva nga një luftim që patem. Kjo i hoq dilemat edhe më tepër sepse paraqitja me emër e mbiemër i hiqte dyshimet se kush ishin luftëtarët e lirisë.
***
Një rast i tretë është gjetja e një inxhizimi të një kënge të kënduar nga artisti me famë botërore, Aleksandër Moisiu. Për ta gjetur këtë kishte ndihmuar një studim i gazetarit e publicistit të madh gjerman, mikut të madh të shqiptarëve, i cili këtë javë ndërroj jetë, Viktor Majer. Ai kishte shkruar se Moisiu kishte patur të dashur daneze zonjën Vilberg. Redaksia e Radios Zëri i Kosovës i ra në gjurmë, por Sonja Vilberg tani më nuk jetonte, mirëpo redaksia e gjeti djalin e saj dhe ai Redaksisë së Radios Zëri i Kosovës ia dhuroj inxhizimin.
***
Poashtu si sukses të kësaj radioje me të drejtë e llogarisim edhe mbajtjen e mikrofonit të hapur për bashkatdhetarët, të cilët në një pjesë të mirë të emisionit kanë mundur të inkuadrohen dhe ta japin mendimin e vet, vërejtjet e veta dhe t’i paraqesin dëshirat e veta pa cenzurë gjë që ka bërë që kjo radio të jetë e të gjithëve, dhe fare në fund të nderuar pjesëmarrës të këtij jubileu, duhet theksuar se Radi Zëri i Kosovës në Kopenhagë duke qenë produkt i vullnetit të mirë të bashkatdhetarëve, ka luajtur rol të rëndësishëm sidomos në krijimin e urave lidhëse midis tyre dhe atdheut, ka mbajtur gjallë dhe ka ushqyer shpirtërisht dashurinë për atdheun, ka ndikuar në bashkimin e bashkatdhetarëve rreth luftërave çlirimtare që u zhvilluan në trojet shqiptare fundshekullin e kaluar dhe në fillim të këtij shekulli si dhe ka kontribuar dhe vazhdon e do të vazhddojë të kontribuojë në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar te shqiptarët në Danimarkë.
Sado që të flasim sonte për çerekshekullin e veprimtarisë së Radio Zërit të Kosoves, është e pamundur të thuhet dhe përshkruhet tërë ajo punë për 25 vitet e kaluara të këtij mediumi, prandaj po e përfundoj këtu me shpresën se kjo do të plotësohet me një program dokumentar të mirëfilltë kushtuar Radio dhe televizionit Zëri i Kosovës, e pse jo edhe me një monografi.
Ibish Neziri – Kopenhagë, 30 nëntor 2014