Kumanovë, 08. 10. 2014: Jetën e dua më shumë se vdekjen, por lirinë e dua më shumë se jetën, – kishte thënë Beqir Sadiku pak para se të vritej për të mos vdekur kurrë në betejën e Haraçinës. Nuk ka njeri që e do luftën, përpos atyre që e nisin një luftë, duke pasur për qëllim larjen e pasurisë së paligjshme, larjen e disa llogarive mes njerëzve dhe pasurimin e shpejt në një kohë rrëmujë. Megjithëkëtë, lufta është edhe imponim. Të vret, të burgos, nuk të integron nëpër institucione shtetërore, të varfëron dhe të dëbon prej vendlindjes. Në këtë gjendje vështirë është që njeriu gjatë kohë të rri duarkryq. Lëre që koha do të kalojë duke bërë jetë miu, por dukshëm do të vihet në pikëpyetje ardhmëria e brezit të ri. Fundja meqë koha mund të ikën në cilësinë e një bredharakut të rryer, të paktën të mendohet për fëmijtë. Meqë kërkesat që në kohë paqeje përmes mekanizmit politik nuk kanë ndërmend të merren parasysh prej pushtetit keqbërës, atëherë mjeti i fundit do të jetë sokëllima e armëve, ndoshta pak ia çel veshët. Mirë apo keq, në vitin 2001 gjendja ishte e padurueshme, edhe pse pas këtij viti pamë se të padurueshëm do të bëheshin pikërisht ata që dikur shiheshin dhe pandeheshin si shpëtimtar dhe asgjësues të këtij padurimi. Ndërsa për fat jo të mirë, sikur u harrua se nuk ra Beqir Sadiku dhe të gjithë të rënët që frytet e tyre t’i vjelin ata që në kohë lufte rreziteshin dhe sot krenohen teksa bëjnë “selfie” pranë përmendoreve dhe të atillë që studiojnë jashtë shtetit duke (mos)kryer njëherësh edhe funksionin e deputetit.
Mirë do të ishte që politikisht të zgjidhej çështja jonë, duke mos i përdorur mjetet tjera politike. Karl von Clauswitz në teoritë e tij mbi luftën thotë se lufta është vazhdimësi e politikës me anë të mjeteve tjera. Ndërkaq në vendin tonë ata që ishin atë kohë në politikë nuk e nisën luftën, madje as që e përkrahën këtë nismë, por dikush tjetër që nuk kishte lidhje me politikën, që pak më vonë për hir të politikës do të trajtësohej në një njeri krejtësisht të ndryshëm. Sidoqoftë, lufta u nis me një qëllim tjetër, ku pala tjetër mbronte me kryeneçësi rregullin ekzistues në shtet, mirëpo u bë ajo që asnjëra palë nuk e kishte menduar. Lufta nisi për ndarje, mbrojtësit e shtetit ishin kundër kësaj ndarje, ndërkaq mbaroi për të drejta. E rëndësishme, duhej të bëhej ajo që udhëheqësit e urdhëronin, pavarësisht se na pëlqeu apo nuk na pëlqu mënyra dhe arsyeja e përfundimit të luftës.
Dorëzimi i armëve që ndodhi në vitin 2001 në Maqedoni, njëherësh ishte edhe dorëzim i të drejtave të shqiptarëve që gjer atë kohë mungonin. Shqiptarët teoritikisht u bën me të drejtë të barabarta, sepse nënshkruajtën një marrëveshje që parashikonte këto të drejta, të drejta këto që ishin shkruar dhe lexuar me ndjesi të hollë, ku në ditët në vijim pritej jetësimi juridik dhe zyrtar i tyre. Kushtetuta që llogaritej si e paprekshme prej palës maqedonase, filloi të preket, pikërisht aty ku me dekada të tëra nuk ishin prekur dhe përfshirë të drejtat juridike të shqiptarëve. Mes tjerash, atë kohë shihej një gëzim, sepse përpos që përfundoi një betejë luftarake e vështirë, nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në qytetin e Ohrit, njëherësh qe një pranim zyrtar nga ana e politikanëve maqedonas i lëshimit pe zyrtarisht. Fituan edhe ata që me dekada të tëra nuk kishin mundur të ktheheshin në vendlindje, madje shpejt gjendja mori trajtë të atillë, ku policia që dikur e kërkonte me afsh këtë suitë për ta arrestuar, po ajo atë kohë i ruante. Këso rastesh dhe trajtësimesh, edhe më tepër zmadhonin fitoren që reflektohej në pasqyrën shqiptare. Sakaq, shqiptarët filluan t’i shkelin me këmbë institucionet shtetërore që dikur vetëm kalimthi prej dritarëve të makinave mund t’i shihnin. Filloi të merr jetë zbatimi i disa pikave të Marrëveshjes së Ohrit. Filloi të ndryshon vetë karakteri, fizionomia dhe natyra e këtij shteti. Kështu ishte derisa ngrohtësia e kolltukut nuk kishte filluar t’i ftohë gjakrat e atyre që posa i kishin ndërruar petkat.
Megjithatë, duhet theksuar faktin se aq shumë kishin vuajtur shqiptarët për ndryshime, saqë nuk ishte në gjendje thuajse askush ta sheh anën tjetër. Atë anë që dikush mbushte ca vrima, mirëpo në anën tjetër një dorë e feshtë i hapte disa të tjera, por në një vend tjetër, ku asokohe nuk shkilej gjithaq prej njerëzve. Shpura e luftës që atë kohë kishte veshur petkun e politikanit, filloi të bashkëpunon edhe me ata që në kohë luftërash rreziteshin buzë detit, njerëz që ishin të aftë ta zhvillonin betejën luftarake jashtë mejdanit të luftës dhe betejën e paqes duke u krekosur me të arriturat e luftës. Filluan t’i shijojnë të mirat e pushtetit, të mira këto që mund të të bënin njeri të keq, të atillë që do të harronte mbrojtësin e ditëve të vështira, kurse në anën tjetër pahetueshëm hapnin një derë të ngjarjeve të këqija mu në ditët e mira. Ajo nuk vërehej, aq shumë u ishin trashur dhe fryer barqet sa nuk shihnin përtej hundëve të tyre. Paralelisht me këtë ndryshim të atij kursi, filloi të pakësohej zbatimi i pikave të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo marrëveshje kishte afat zbatimi të caktuar deri në vitin 2004. Kaloi edhe ky afat, por nuk kaloi në shportë kjo marrëveshje. Them kështu, sepse produkti që kryen më funksionin e vet, nuk ka nevojë tutje të mbahet në tavolinë, ngjashëm si një çokollatë e cila pasi të hahet dhe të shijohet, letra e saj natyrisht hudhet në shportë. Ajo nuk u hodh në shportë, por vetë shporta tutje do të bëhet mjeti më i mirë i kërkesave të shqiptarëve. Normalisht, më në fund dikujt ju kujtua se nëse dëshiron që shqiptarët t’i privosh si komb, jepi të mira si individ, ata do ta harrojnë bashkësinë dhe shoqërinë që përfaqësojnë. Frikësohem shumë, kur kujtoj faktin se MO-ja ishte ajo që e ndali luftën, kur dihet tani mirëfilli se ajo që e ndali luftën shumë pak duket. Nëse diga është ajo që e ndalon vërshimin e ujit, atëherë prishja e digës do të ishte një fatkeqësi e madhe.
Fatkeqësia përsëritej dhe jo vetëm kaq
Kryengritja shqiptare kundër pushtetit maqedonas ujitej dhe mbështetej në padrejtësitë shumëdimensionale që rridhnin prej pushtetit. Populli shqiptar u ngrit kundër pushtetit të Maqedonisë dhe jo kundër popullit maqedonas, edhe pse tërthorazi një pjesë e këtij populli i përkrahte përmes votës së tyre politikat e pushtetit keqbërës. Lufta vetëm sa përshkallëzohej, sepse kryeneçësia maqedonase nuk dëshironte fare t’i merrte parasysh kërkesat e natyrshme të shqiptarëve. Asaj i vinte vështirë ta kuptonte faktin se shqiptarët nuk do të durojnë më që të jenë të dorës së dytë dhe të tretë.
Normalisht, pas disa muajve luftë të drejtpërdrejt mes popullit shqiptar dhe pushtetit të Maqedonisë, luftën e ndali Marrëveshja e Ohrit e arritur në Ohër prej palës maqedonase dhe asaj shqiptare. Kurse fatkeqësisht, tymnajat e pas vitit 2001 rrodhën si shkak i mos zbatimit të kësaj marrëveshje. Më konkretisht, tymnajat e dredhura rrodhën për shkak të pandalshmërisë së fyerjeve, vrasjeve dhe burgimit të përjetshëm ndaj shqiptarëve të pafajshëm. Kësodore, mbi 100 ushtarë të UÇK-së janë duke u dergjur nëpër burgjet e Maqedonisë, kuptohet duke i akuzuar për vepra tjera penale, por duke i mbajtur nën hijen e inatit të luftës së 2001-shit. Edhe veprat penale për të cilat kjo kategori dergjet nëpër burgje, kanë të bëjnë me pamundësinë dhe mosdashjen e integrimit të kësaj kategorie në sistemin shtetëror. Ata kishin luftuar, ndërsa ideali për të cilin kishin luftuar nuk dukej askund në horizont, ndaj edhe me padashjen e tyre disa prej kësaj shpure kërkonin peshq edhe nëpër ujëra të turbullt, për ta siguruar kështu ekzistencën materiale për vete dhe për familjet e tyre.
Një vargmal rastesh solli në kujtesën e shqiptarëve atmosferën e para vitit 2001, siç ishte rasti i Bit Pazarit, Ladorishtës, Tetovës, Gostivarit. Kësisoj, rasti i Vaksincës, ku mbeti i vrarë një shqiptar që ishte komandant i policisë, një qytetar shqiptar, si dhe u plagos rëndë një ish ushtar i ushtrisëshqiptare, pjesëmarrës në tri luftërat shqiptare, që fatkeqësisht pas mjekimit në Kosovë, prej vetë autoriteteve kosovare, ju dorëzua autoriteteve maqedonase, i cili u dënua me burgim të përjetshëm. Rasti i Sopotit është një rastë tjetër i montuar politik me qëllim burgosjen e shqiptarëve duke pasur për qëllim edhe dëbimin e tyre nga trojet e veta. Në vitin 2003 në fshatin Sopot një xhip i NATO-s duke kaluar nëpër fshatin Sopot për të shkuar në fshatin Sushevë hasi në një minë ku humbën jetën dy ushtarë të NATO-s dhe një përkthyes. Me nxitim, gjykata mori vendim që për këtë rast të fajsohen 13 banorë vendas, ku pas pak këta sopotas u dënuan me 156 vjetë burg. Ngjashëm ndodhi edhe me një gazetër nga Kumanova, i cili qe dënuar me 7 vjet burg për vepra penale terrorizëm, që lidheshin me dy shpërthime në Kumanovë dhe një tjetër në vijën hekurudhore ndërkombëtare Shkup-Beograd, që kalon afër fshatit Vaksincë. Rasti i Brodecit që u vranë gjashtë shqiptar, disa u plagosën, disa të tjerë u burgosën, si dhe shumë qytetar u rrahën prej policisë. Rasti i projekti Shkupi 2014, qëështëtashmënjë vrasje ekonomike, shuma e të cilit mbërriti në 500 milion euro, mjete këto të financuara prej buxhetit të shtetit, që mbushet edhe prej shqiptarëve, madje më së shumti prej mërgimtarëve shqiptare. Rasti i vrasjes së Harun Aliut së bashku me tre shokët e tij, që lëre së u vranë në formën mëçnjerëzore, por edhe u quajtën terroristë, edhe pse shihej se ky rast qe një skenar i qartë prej atyre që juridikisht duhet të na ruajnë prej rasteve të këtilla. Rasti i enciklopedisëqë ishte tejet fyese dhe shpifëse për shqiptarët. Rasti i rrahjes së nxënësve shqiptar nëpër autobusë të qytetit, si dhe mos gjetja e aktorëve tëkëtij krimi. Si dhe në fund (dhëntë Zoti të jetë ky rasti i fundit) rasti “Monstra” që për një vrasje të pesë maqedonasëve në afërsi të liqenit të Smillkovës u akuzuan pa asnjë provë juridike gjashtë shqiptarë që pas dy vjetëve do të dënohen me burgim të përjetshëm. Këto dhe disa raste të tjera të cilët u shoqëruan me vrasje, rrahje deri në gjakosje dhe me burgosje të përjetshme, fashitën shpresën e shqiptarëve se partia shqiptar në pushtet, BDI së bashku me partinë nacioanliste maqedonase VMRO-DPMNE, do të mund të bënin ndonjë punëtë mirë, që do t’i bindnin shqiptarët se ia vlen të jetohet dhe të punohet për këtë sistem dhe nën hijen e kësaj mendësie “gjallëruese”, aq më keq, kur dihet se treni për në NATO iku në fund të shtatorit.
Një realitet, edhe pse është i paraqitur në mënyrë satirike
Në Maqedoni, nuk e di se përse shpesh herë njerëzit e ngatërrojnë prokurorinë publike me shtëpinë publike? Në Maqedoni, shqiptimi i dënimit jepet para arrestimit, kurse arrestimi bëhet vetëm sa për ta mbushur qelinë e burgut. Në Maqedoni, të flasësh për drejtësinë institucionale, të marrin për njëri që flet gjepura dhe gjëra të kota. Në Maqedoni, secili njeri është i fajshëm, përderisa nuk dëshmohet fakti se njihesh mirë me ndonjë njeri të pushtetit. Në Maqedoni, vetëm ke të drejtë të dëshirosh që ky shtet të mendojë për mirëqenien e të gjithëve. Në Maqedoni, patjetër duhet të dënohesh për dy arsye; për ta mbushur buxhetin e shtetit dhe për mos t’i lënë të vrarit pa vrasës të emërtuar. Pak rëndësi ka se kush janë vrasësit e vërtetë. Me rëndësi është që dikujt t’i mvishet vrasja. Në Maqedoni, vetëm si shtatore ke vlerë, përndryshe si njeri i gjallë je i vdekur. Në Maqedoni, kemi kryqëzim dhe kishëzim të truallit të huaj, kurse disa shqiptar të cilët kokë më kokë bashkëpunojnë me maqedonasit dhe me sllavët, thonë se vendi po rrezikohet prej radikalizmit islam. Në Maqedoni, policia nuk të ruan, por të rruan. Në Maqedoni, edhe kur je i varfër, duhet të ndihesh si i pasur, përndryshe do ta hidhërosh shumë qeverinë, hidhërim ky që pastaj duhet të zbrazet dikund. Në Maqedoni, përkundër të këqijave prej dorës së pushtetarëve, sërish populli i nderon ata dhe nuk ia var shumë atyre që punojnë dhe e thonë të drejtën. Në Maqedoni, ftohesh në iftar vetëm pse ke pushtet dhe jo pse ke agjërim. Në Maqedoni, komuna lavdërohet me investimet kapitale, mirëpo populli harron t’i thotë faleminderit mërgatës shqiptare, ngase ata merren me investime kapitale dhe jo kapitale në vendin tonë. Në Maqedoni, korrupsioni është paraja më e konvertueshme. Në Maqedoni, thyerja e premtimin prej anës së politikanëve është më e lehtë se thyerja e një qelqi të thjeshtë dhe të hollë. Me pak fjalë, në Maqedoni netët dhe ditën janë shtatzëna që lindin çdo përçudni!
Shtegu
Tomas Xhefersoni thoshte: “Kur qeveria ka frikë nga qyetarët, do të thotë se kemi demokraci. Kur qytetarët kanë frikë nga qeveria, kjo është diktaturë”! Ndërsa secili qytetar pohon se qytetarët kanë frikë nga qeveria. Ani pse guxojnë tani të protestojnë. Kjo ështësi rezultat i thyerjes së asaj frikë, ndaj edhe është e vrullshme dhe e pandalshme, sepse vetëm pas kulmit të frikës mund të kemi vërshime të harlisura të pakënaqësive. Natyrisht, nuk do të ketë qetësi dhe zhvillim normal, derisa të mos shkarkohen njerëzit që e sollën këtë gjendje të keqe, këtë atmosferë të frikshme. Ata tërë ditën mund t’i vargojnë sukseset e tyre, madje ta bindin edhe pasqyrën përpara tyre se janë njerëz të drejtë e të ndershëm, por ja që populli këtë nuk po mbërrin ta kupton, ata sërish janë të dështuar dhe përgjegjës për këtë vorbull ngjarjesh. Ata përmes fjalëve të mira, gjoja duke vërë në spikamë mashtrimet e disa protestuesve dhe shumë të pakënaqurve të tjerë, duke thënë se janë pre e mashtrimeve, nuk do të mund që tutje t’i zbrapsin shqiptarët prej kërkesave të tyre ngulmuese. Çdo fjalë e bukur e tyre do të jetë një shëmti e radhës. Ata vetëm mund të humbin kohë, ose duan të përfitojnë në kohë, por shqiptarët do të vazhdojnë njëzëri t’i thonë këtyre të tejngopurve se turpi është i tyre, por atdheu i njerëzve të ndershëm.