ILJASA SALIHU: PO TË VDISTE AVNI AVDIU, UNË DO TË QAJA VETËM PREJ TURPIT

Kumanovë, 18. 02. 2015 – (Si pianisti ashtu edhe pijaneci duart mund t’i mbajnë në piano, por njëri krijon melodi të këndshme dhe tjetri zhurmë shurdhuese. Megjithëkëtë, për nga pamja e duarve edhe njëri edhe tjetri shihen si të njëjtë!) – Po të vdisje ti i dashur mik dhe vëlla, ndoshta do të shkruanim më dhimbshëm. Me një kujdes të mprehtë, do t’i nxirrni fjalët më të mëdha që i kemi të strukur në sirtarin e fjalorit tonë që peshojnë një ton. Këto fjalë i ruajmë për gjëra të mëdha dhe tejet të ndjeshme, paçka se kjo mund të jetë hipokrizi. Do të na vinte keq se iku një shkencëtar, shkrimtar, bashkëshort i shkëlqyeshëm, vëlla burrë, familjar zemërbutë, besimtar punëmirë dhe një shok njeri. Shoqëria do të ngelte jetime, jo pse paskësh ikur një jetim, por ngaqë një jetim paskësh turpëruar thellë shumë syresh që rronin të kënaqur në mesin e prindërve, por të cilët silleshin sikur të mos kishin fare prindër. Libri do të mbetej pa një lexues besnik dhe kryeneç. Letra e bardhë do të trajtësohej në një nuse me fustan të bardhë, por e cila qysh në ditët e para të martesës kishte mbetur vejushë. Po të vdisje ti i nderuar Avni, në ditën e varrimit do të qanim me dënese. Dikush do t’i thoshte nja dy-tri fjalë pranë shtëpisë suaj të re, ndërtuesit e së cilës qenë disa varrmihës të thyer në moshë. Ah, iku Avniu dhe mbetën të bëmat e tij, të bëma këto që mes tjerash po na turpërojnë! Kaq e paska pasur të shkruar. Jetëgjatësia e shkrimit të tij kaq paska qenë e shkruar. Si nuk ia paskemi ditur vlerën derisa ishte gjallë? Megjithëkëtë, ai nuk kthehet më. Kë ta këshillojmë për punë të ndryshme? Kë ta pyesim për detin e përshkuar prej dallgëve të harbuara? Ai nuk kthehet më! Atë e mori Ai që nuk ka fillim dhe nuk ka mbarim. Avniu ndërroi jetë, për të cilën dikur kishte ëndërruar syhapur dhe me mendje të çelur, ndaj edhe i kishte përveshur me kohë llërat e njerëzisë që sa më burrë të kthehej për tek Ai që vlerëson dhe shpërblen burrërinë e njëmend të njerëzve. Gjithsesi, ndërrimin nuk e kishte pasur vetëm ëndërr. Ai kishte pasur frikë t’i komentojë ëndrrat, por nuk i kishte lëvizur fare qerpiku i syrit që t’i komentojë zhgjëndrrat, për të cilat edhe kishte vuajtur shumë.

– DR. AVNI AVDIU – 

Dale ore, mos të ngutemi e mos të rrëshqasim në pellgun e mbushur me emocione. Avni Avdiu është gjallë, mbase qenka i tillë. Urra, përpara djema! Ngadalë more djalë, mos fluturo me presh pas shpine. Nëse ai qenka gjallë, atëherë i bie që ne të jemi të vdekur! Nuk mund të jetë Avniu gjallë, po ashtu edhe ne gjallë. Nuk mund të jetë në të njëjtin oborr edhe errësirë edhe ditë. Është e pamundur të jenë të gjalla universitetet, kurse Avniu në anën tjetër të jetë gjallë si anëtar besnik në Entin e Punësimit. Mbase as nuk do të kishte kuptim të ishte i punësuar në këtë ent e lëre më të jetë i evidentuar si i papunë! Është e pamundur të ketë vlerë ndonjë shpërblim vjetor për personalitet të vitit në prani të Avniut. Aq më keq, të mos duket fare në kësi lloj mjedisesh ku shpërblehen njerëzit për vepra të caktuara. Unë nuk mund të besoj në njëmendësinë e ndonjë instituti hulumtues shkencor, kur shoh se Avniu ende regjistrohet si i papunë në Entin e Punësimit në Maqedoni. Gjendja e tij e mjerë dëshmon gjendjen tonë të nderë. Nëse ai ende është i papunë dhe i paftuar nëpër emisione të ndryshme televizive, ku debatohet për ngjarjet e rëndësishme në shoqëri e në shtet, atëherë nuk e di se përse të gjithë analistët dhe të ftuarit tjerë po më duken thjesht si kufoma, të cilët i kishte zënë vdekja ende pa u penduar mirë për disa të bëma të zeza!
Natyrisht, ai kishte guxuar të guxojë. Avniu kishte guxuar të thotë: “Habitem se si ka mundësi që politikanët tanë përskaj shumë detyrimeve dhe punëzënies së ngjeshur të kenë kohë njëkohësisht të magjistrohen e të doktorohen. Ku ke parë ti që njerëzit t’ia fillojnë shkollimit vetëm pasi të bëhen politikan. Keni kujdes; them shkollimit dhe nuk them leximit dhe studimit”! Kjo fjali për ata qe një bombë më e fortë se gjitha bombat e Zaevit. Me gjasë, ata kishin nuhatur mirë se prania e Avniut në mesin e tyre do të thoshte vdekje e parakohshme për ata. Ata nuk mund ta honepsnin dot Avniun. Për mendimin tim kishin të drejtë. Nuk janë të barabartë ata që emrin ende nuk dinë ta shkruajnë mirë me atë që shkroi me emër dhe jo për emër. Nuk mund të jenë të barabartë ata që fund e krye ende nuk i kanë lexuar pesë libra me atë që numrit pesë ia ka shtuar edhe nja tre zero. Pastaj, Avniu kishte turpëruar edhe shumë profesorë universitar, të cilëve nëna parti ia kishte dhënë diplomat dhe në fund si shenjë mirënjohjeje ia kishte ofruar titullin profesorë universitar, të cilët para se gjithash duhej ta gdhendnin dendur heshtjen dhe ta tjerrin leshin për në veshë, ngaqë i pari i partisë i kishte mësuar se heshtja është flori, sidomos kur të bëhet fjalë për parti dhe kritikat ndaj të bëmave të tyre të zeza nuk duhet varur veshin, ndaj leshi në veshë qe i patjetërsueshëm. Tre fakultete me notë mesatare 10.0, dy magjistratura dhe dy doktoratura, mirëpo sërish dhe fatkeqësisht i papunë! O Zot më jep durim përballë kësaj katrahure të harlisur! Desh harrova, ai para se gjithash është njeri i ndershëm. Në bagazhin e jetës së tij nuk regjistrohet asnjë skandal, asnjë aferë pandershmërie a të krimit ekonomik. Ai është edhe një fetar i përnjëmend, prandaj edhe është halë në sytë e atyre që ende zemra i rreh enverçe.
Për në fund të këtij udhëtimi që fundi nuk i shihet fare. Avni, ku ta di, ndoshta është edhe faji yt! Aq shumë ke lexuar dhe aq shumë ke investuar në njerëzinë tuaj, saqë vështirë është të hysh nëpër dhomat ku pijanecët hiqen si pianist dhe pianistët mallkojnë prindërit e pijanecëve. Sidoqoftë, unë të qava për së gjalli, sepse po të vdisje, unë nuk do të kisha faqe për lot dhe as sy për skuqjeje!
****
NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG
DR.AVNI AVDIU NGA KUMANOVA – KA TË KRYER 3 FAKULTETE, 2 MAGJISTRATURA, NJË DOKTORATURË, PO PUNON NË PËRFUNDIMIN E DOKTORATURËS SË DYTË NË TIRANË DHE PËR ҪUDI ËSHTË I PAPUNË!!!!

Më 16 shkurt 2015, në Fakultetin Filozofik në Shkup, Mr.Avni Avdiu mbrojti me sukses temën e doktoraturës “Nocioni i së majtës dhe të djathtës te partitë politike shqiptare në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë prej vitit 1990 deri më 2010″, dhe mori titullin Doktor i shkencave të filozofisë politike, ndërsa mentor i tij ishte filozofi i njohur – Akademik Ferid Muhiç. Avni Avdiu ka të kryera 3 Fakultete, 2 Magjistratura, dhe tashmë 1 doktoraturë, ndërsa është në përfundim të doktoraturës së dytë në Tiranë. Dhe për çudi në entin e punësimit në Kumanovë, ai evidentohet si i pa punë!!! /sh.b/

__________________
TV HANA – Emisioni BONTON – Tema: Teknologjia dhe Rrjetet Sociale, Musafir Avni Avdiu
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura