(Pashtriku.org, 20. 05. 2012) – Për të burgosurit shqiptarë në Burgun e Dubravës, pasiguria nuk përfundoi me llahtarinë e ditëve 19-24 majit 1999. Ajo do t’i përcjellë gjatë degdisjeve të tyre nëpër kazamatet serbe në Serbi e Vojvodinë edhe gjatë tri vjetëve në vazhdim. Pas asaj masakre të tmerrshme, që kishte ndodhur gjatë atyre pesë ditëve në Burgun e Dubravës, më 24 maj 1999, rreth orës 700, në Dubravë arritën tetë autobusë dhe tre kamionë për t`i transferuar të burgosurit në Burgun e Lypjanit. Në autobusë u ngarkuan të burgosurit që kishin shpëtuar pa u dëmtuar fizikisht dhe ata me plagë më të lehta, kurse me kamionët do të transferohen të burgosurit e plagosur rëndë, të palëvizshmit.
Veprimtarët e shquar Nait Hasani (i plagosur lehtë), Bislim Zogaj, Asllan Selimi dhe Dylber Beka, i bartën të plagosurit nga salla e sportit, i vendosën në kamionë dhe vetë u vendosën në kamionin e fundit. Ishte përvojë e tmerrshme vendosja e 106 të plagosurve të palëvizshëm në një hapësirë aq të vogël (vetëm në tre kamionë). Rrugëtimi ishte mjaft i gjatë, rreth 4 orë, dhe shumë i mundimshëm, veçanërisht për të plagosurit. Ky ishte një krim serb në vijimësi ndaj të burgosurve shqiptarë.
Në oborrin e Burgut të Lypjanit kordoni i gardianëve dhe i paramilitarëve të uniformuar ishte përgatitur paraprakisht për të ushtruar dhunë fizike ndaj pengjeve shqiptare. Këta gardianë i udhëhoqi drejtori i burgut të Prishtinës – Lypjanit, oficeri Luba Qimburoviq, në uniformë ushtarake. Të burgosurit fillimisht i rreshtuan në oborr. I nisën për në dhomat e pavijoneve 2, 3 dhe 4, duke i rrahur me shufra gome, shqelma dhe grushte. Njësoj do të veprohet edhe me trimat që bartnin të plagosurit një nga një, me batanije, për në pavijonin nr.1, duke mos i kursyer as të plagosurit e shtrirë mbi batanije. Kjo dhunë fizike çnjerëzore u bë shkak për vdekjen e tre të plagosurve, po atë ditë, më 24 maj 1999, në Burgun e Lypjanit. Vdekjen e këtyre tre të plagosurve të burgosurve shqiptarë ua dëshmoi i burgosuri Momçilo Stojkoviq, i cili ua shpërndante bukën të burgosurve. Këtë emër e përmendi për nevoja të hetuesisë së krimit.
BURGU I LIPJANIT
_________________________________________
Këtu duhet të përmendet fakti se të plagosurit në pavijonin 1 i vendosën nga 15 deri në 30 veta në një dhomë, kurse të tjerët në pavijonin 2, 3 dhe 4, nga 30-32 veta në një dhomë me sipërfaqe përafërsisht 5×5 metra. Kushtet jetësore në këtë burg tashti ishin shumë të rënda. Të plagosurit, më 24 maj 1999, nuk i vizitoi asnjë ekip mjekësor. Të nesërmen, më 25 maj, një ekip mjekësh u bëri “vizitë” të plagosurve. Disave ua kuruan plagët në dhomë, kurse disa me plagë shumë rënda i dërguan në spitalin e Prishtinës. Këta edhe tashti, me rastin e transportimit në Spitalin e Prishtinës, përjetuan tortura mizore nga gardianët dhe personeli mjekësor.
Të konstatojmë edhe këto fakte: Kurimi mjekësor në Spitalin e Prishtinës nuk ishte në shkallën profesionale mbi Betimin e Hipokratit. Dëshmi për këtë është përvoja e një të plagosuri, të cilit “duhej” t’ia amputonin krahun e plagosur. Duke e futur në operacion, kirurgu vërejti se i plagosuri në parallërë i kishte të tetovuara inicialet JNA (Jugoslavenska Narodna Armija) dhe kjo u bë fat që të mos ia amputonin krahun. Rasti tjetër ishte edhe më fatal. Një i plagosur në Masakrën e Dubravës i kishte të dëmtuar shputën e këmbës dhe penisin. Atë do ta pyesin: “Dëshiron ta amputojmë shputën apo penisin…”!??
Kirurgët serbë, me këtë rast, u treguan “zemërgjerë” dhe ia amputuan vetëm shputën e këmbës.
Pas intervenimit kirurgjik, të plagosurit ende të pashëruar mirë, i kthenin në Burgun e Lypjanit. Jeta e të burgosurve në këtë burg ishte shumë e vështirë. Në dhomat e burgut nuk kishte WC as ujë për pije.
Për këto nevoja, të mbyllurit duhej të thirrnin gardianët, e kjo sillte pasoja, pasi ata zakonisht ushtronin dhunë. Të theksohet edhe ky fakt: gjatë shtatëmbëdhjetë ditëve, nga 24 maji deri më 10 qershor 1999, sa të burgosurit i mbajtën në Burgun e Lypjanit, asnjëherë nuk u krijuan rrethana për pastrim dhe ndërrim të rrobave. Dhe, presioni më i rendë ishte mungesa e ushqimit. “Buka” shtrohej dy herë në ditë, por në sasi simbolike: nga një të katërtën e bukës dhe një gjysmë gote gjellë të ligë për katër vetë.
Pas marrëveshjes së Kumanovës, pikërisht më 9 qershor 1999, rreth orës 22, sa kishin rënë në gjumë, në pavijone shkoi gardiani Avda Shutakoviq dhe i urdhëroi të burgosurit të ngriheshin, se do t’i transferonin gjetkë dhe u sugjeroi: “Të mos provonin diçka të keqe…!” Të burgosurve ua lidhën duart me litar dhe ashtu, me duar të lidhura, i mbajtën deri të nesërmen, më 10 qershor 1999, kur i nisën me autobusë për në burgjet e Serbisë, kryesisht në Nish, Pozharevc, Mitrovicë të Sremit dhe në Burgun Qendror të Beogradit. Në nisje e sipër nga Lypjani, gardiani Avda i urdhëroi gardianët përcjellës: “Nëse vetëm kokën e ngrit dikush, qëllojeni në ballë, pa asnjë paralajmërim…!”
BURGU I NISHIT!
_________________________________________
Rrugëtimi ishte i gjatë dhe i tmerrshëm, veçanërisht për të plagosurit me varrë të infektuara. Në burgje e Serbisë, të burgosurit shqiptarë do të priten me tortura nga gardianët, kurse në spitalin e Burgut Qendror të Beogradit të plagosurit shqiptarë, përpos nga gardianët, do të torturohen edhe nga personeli mjekësor dhe nga të burgosurit serbë. Për këtu të mjaftohemi vetëm me këtë konstatim: Më së keqi e pësoi i burgosuri Bedri Kukalaj, të cilit ia verbuan syrin, përjetësisht.
Në Burgun e Nishit u dërguan mbi 400 të burgosur në kushtet mizore për ekzistencë. Në një dhomë sistemuan deri në 30 vetë, kurse ushqimi ishte shumë i pakët dhe i dobët. Racioni tri herë në ditë nga një të gjashtën pjesë të bukës, dhe nga një gjysmë pjate gjellë (vetëm lëng) për dy vetë dhe një lugë për t’u shërbyer të dytë. Shpeshhere, shumë të burgosur humbnin vetëdijen në mungesë të ushqimit.
Kjo mynxyrë e ushqimit zgjati afro pesë muaj, derisa nisi lejimi i vizitave familjare. Kontaktet e para me familjarët ishin tmerr. Të burgosurit ishin asht dhe lëkurë. Ndihmë mjekësore adekuate nuk ekzistonte. Në raste shumë të veçanta të sëmurit i dërgonin në ambulancën e burgut, por gjatë rrugës i torturonin të burgosurit serbë.
Të burgosurit shqiptarë në Mitrovicën e Sremit, përveç që kishin kaluar nëpër të gjitha mynxyrat e përmendura më sipër, ishin të detyruar të punonin edhe punë të rënda fizike, ndonëse ishin të uritur. E njëjta gjendje mbretëroi edhe në Burgun e Pozharevcit. Këtu, për të burgosurit shqiptarë “përkujdeseshin” ish-gardianët e Burgut të Dubravës.
Të burgosurit shqiptarë degdiseshin nga një burg në një burg tjetër, sepse edhe vetë ndërrimi i burgut për të burgosurit ishte një torture sui generis. Në nëntorin e vitit 2000 të burgosurit ordinerë serbë i dogjën burgjet në Nish, në Pozharevc dhe në Mitrovicë të Sremit, kryesisht pavijonet ku ishin të vendosur të burgosurit shqiptarë. Pas këtyre djegieve të burgjeve, të burgosurit shqiptarë, përsëri, do të degdisen nëpër burgje më të vogla anë e mbanë Serbisë. Jeta në ato burgje ishte e rëndë. Në ambient shumë të ngushtë vendosej numër enorm i të burgosurve shqiptarë.
Gjatë gjithë periudhës rreth trevjeçare pas Masakrës së Dubravës, të burgosurit shqiptarë përjetuan edhe shumë e shumë vuajtje e tortura të tjera fizike e psikike që nuk mund të merren me mendje të shëndoshë.
Pushtuesi serb nuk ngopej me kaq. Edhe pas trysnisë së faktorit ndërkombëtar për lirimin e të burgosurve shqiptarë, lirimi do të realizohet në mënyrë selektive dhe një periudhë kohore të gjatë, në mënyrë që pushtuesi serb të përfitonte sa më shumë nga faktori ndërkombëtar. Kjo ishte edhe një nga torturat dhe padrejtësitë e mëdha që iu bënë të burgosurve shqiptarë – pengje të luftës.
Duke përfunduar, duhet të konstatojmë një fakt, fenomen njerëzor. Të masakruarit, të vrarët ose të plagosurit, dhe të martirizuarit në Burgun e Dubravës dhe gjetkë në burgjet serbe, në përgjithësi, patën qëndrim të dinjitetshëm. Veçanërisht të burgosurit politikë. Asnjëri nga këta nuk u thye, asnjëri nuk iu shit pushtuesit serb për interesa personale. Më në fund, ata të burgosur politikë që mbijetuan tmerrin, para gjatë dhe pas Dubravës, do të lirohen të papërkulur dhe krenarë, vlerë e madhe morale e kombit.
– Kumtesë e lexuar në Sesionin shkencor, ‘Masakra në Burgun e Dubravës 19 – 24 maj 1999’, e mbajtur më 23 maj 2004.