ISMAIL ARSLLANI: BETIMI I TETOVARËVE NË ORGANIZATËN ILEGALE “BESA”, MË 1936

Tetovë, 16 nëntor 2018: Është kjo një kujtesë për brezat e tashëm, që ka të bëjë me një akt patriotik kombëtar të rinisë shqiptare në Tetovë, në përvjetorin e ngritjes së Flamurit shqiptar, më 28 nëntor të vitit 1912 nga Ismail Qemali në Vlorë.
Në shënimet e Shefqet Sulejmanit, nga të parët mësues në Tetovë, i cili vuri në dispozicion “Ditarin” e tij në dorëshkrim autorit të këtyre rreshtave, ndër të tjera, na sjellë të dokumentuar një veprim kombëtar, për atë se si rinia shqiptare jepte betimin “për jetë a vdekje”, gjatë aktit të anëtarësimit në organizatën ilegale kombëtare “Besa” në Tetovë, në vitin 1936, disa vite para Luftës së Dytë Botërore, kur Tetova ishte nën juridiksionin e Banovinës së Vardarit të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene.
Në verën e vitit 1936, kur nga një grup atdhetarësh patriotë sapo ishte formuar në Tetovë në mënyrë ilegale organizata kombëtare “Besa”, ishin bërë edhe përgatitjet për anëtarësim sa më masiv të popullatës në Tetovë e rrethinë, në radhë të parë të rinisë përparimtare shqiptare, e cila ishte e gatshme për të hyrë në beteja të rënda për çështjet kombëtare, për çka ishte përgatitur edhe teksti i “Betimit” të anëtarësimit në këtë organizatë, që duhej të bëhej pikërisht më 28 Nëntor 1936, në 24-vjetorin e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar nga Ismail Qemali në Vlorë, më 28 Nëntor 1912.

Anëtarë të organizatës ilegale “Besa” në Tetovë, më 1936
Ky tekst i betimit për anëtarësim në organizatën ilegale kombëtare “Besa” ka pasur këtë përmbajtje:
“Betohem përpara Zotit, përpara popullit tim shqiptar, me nderin tim, me nderin e familjes sime, se do të punoj për çlirimin e vendit tonë kundër okupatorit jugosllav, do t’u bindem urdhrave të organizatës sime ”BESA”. Në rast nevoje, do të jap edhe jetën. Tradhtia në organizatën “BESA” dënohet me vdekje. Deklaroj se e pranoj”.
Në fund të këtij teksti të betimit, figuronte data 28 Nëntor 1936, qyteti – Tetovë, dhe nënshkrimi i kryetarit të organizatës ilegale kombëtare “Besa”, Selim Shehapi-Luma.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura