ISMAIL ARSLLANI: SEID MUSAI, MËSUESI DHE VEPRIMTARI I ORGANIZATËS ILEGALE – NDSH

Tetpvë, 9 shkurt 2019: Seid Musai, është njëri ndër të parët shqiptarë në trevën e Tetovës, i cili rroku ditarin që nga viti 1945, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, për të arsimuar masa të gjera popullore. Brenda 40 vjetësh, sa punoi deri në pensionim, nxori dhjetëra gjenerata, me mbi 20 mijë nxënës të niveleve të ndryshme të shkollimit. Pos angazhimit të tij në veprimtari arsimore, ishte edhe patriot i shquar për çështje kombëtare, sidomos në ngritjen arsimore të popullatës analfabete, për çka kishte rënë në sy të pushtetarëve komunistë për veprimtarinë e tij të devotshme, ndaj dhe ishte dënuar nga regjimi i atëhershëm, që sapo kishte dalë nga lufta.
Në bazë të dokumenteve të aktakuzës së ngritur nga regjimi i sapo formuar komunist maqedonas kundër anëtarëve të organizatave ilegale që vepronin në atë kohë, shihet që Seid Musai menjëherë ishte bërë anëtar i organizatës ilegale kombëtare “Liria”, duke u angazhuar me sistemin e “treshit” nëpërmjet shokut të tij, Ismail Saidi, i cili gjatë qershorit të vitit 1946 ishte anëtarësuar në këtë organizatë me sugjerim të Sadudin Gjurës dhe Sheref Kazazit. Si anëtarë aktivë, ata kishin mbajtur disa mbledhje të fshehta në shtëpinë e Kazazit, por edhe në atë të Saidit. Ky i dyti, më vonë, nën ndikimin e Xhevahir Vejselit /Shaqirit/, ishte kyçur në organizatën Nacionale Demokratike Shqiptare (NDSH), pasi që kishte mësuar për ekzistimin, detyrat dhe qëllimet e kësaj organizate.

Seid Musai

Ismail Saidi, duke qenë në grupin e Nexhbedin Besimit dhe Jonuz Ballës, me të cilët kishte mbajtur disa mbledhje të fshehta dhe ku kishte marrë për sipër që ta zgjeronte organizatën, do t’i bashkëngjitë në veprimtari ilegale edhe personat Seid Musai dhe Mesut Musai nga Tetova, me të cilët kishte qenë në kontakt të përhershëm. Ata të dy ishin bërë anëtarë të organizatës ilegale NDSH, nëpërmjet grupit të Nexhbedin Besimit dhe Jonuz Ballës, të cilët e kishin angazhuar Ismail Saidin. Udhëheqësi i “treshit”, Ismail Saidi, ka folur për luftën që i pret dhe për të cilën duhet të jenë të përgatitur në momentin e rrëzimit të pushtetit që ishte instaluar nga komunistët, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në mënyrë që ta marrin pushtetin dhe të krijojnë “Shqipërinë e madhe”.
Më vonë, të gjithë këta ishin zbuluar për veprimtarinë e tyre ilegale nga shërbimet sekrete të UDB-së dhe kishin dalë para gjykatave maqedonase, të cilat do të shqiptojnë dënime me burg në kohëzgjatje të ndryshme.
Mësuesi i popullit, Seid Musai, ishte burgosur nga komunistët dhe kishte vuajtur dënimin me gjashtë muaj burg. Edhe pas vuajtjes së dënimit, për nevojat e politikës ditore, ai vazhdimisht ka qenë në sy të regjimit të atëhershëm, i cili kishte bërë trysni të paparë mbi personalitetin e tij, i cili gëzonte autoritet te populli, duke penguar me metoda të ndryshme punën e tij pedagogjike, shpesh duke e dënuar dhe duke e transferuar prej shkollave të qytetit, në ato të fshatit.
Seid Musai e kishte ushtruar profesionin e tij me një përkushtim të madh, sepse ishte përkushtuar me gjithë shpirt për arsimimin e masave në gjuhën shqipe. Shkollimin fillor /në gjuhën serbe/ e kishte kryer te “daskalli” i quajtur Bilbil, sikundër edhe Medresenë e “Mbretit Aleksandër” në Shkup, ku pos në gjuhën serbe, kishin mësuar edhe për fenë islame dhe shkrim-leximin arab.
Në atë kohë, pjesa dërrmuese e popullit nuk i lejonte fëmijët që të shkojnë në shkollë, për shkak se shkollat e atëhershme kanë pasur uniforma, ndërsa në kompletin e uniformave ka qenë edhe kapela e quajtur “shajkaçë”, që ka qenë refuzuese për popullatën myslimane. Meqë kishte mbetur herët pa babë, si foshnje një vjeçe, Seid Musai për t’i vazhduar mësimet në medrese, ku duhej ta mbante shajkaçën, do të konsultohet me hoxhallarë dhe farefis. Hoxha i njohur tetovar, Ali Efendiu, i cili kishte marrë mësimet e larta fetare në Stamboll, kishte dhënën leje që të shkonte për shkollim në medrese, edhe pse atje mbahej kapela që nuk ishte në traditën myslimane.
Hoxha ishte përgjigjur në mënyrë lakonike: “Nëse je i mirë me zemër, nuk të prish një “shajkaçë”. Por, nëse je shpirtkeq, nuk të ndihmojnë as njëqind shalle të hoxhës”. Hoxha i kishte thënë që të shkonte të regjistrohet në medrese dhe të mos hamendet se do të gabonte.
Në medrese ishin angazhuar profesorë të shquar të asaj kohe, si nga vendi ashtu edhe nga jashtë, në mesin e të cilëve kishte edhe nga Shqipëria. Gjatë shkollimit në këtë medrese mbretërore, Seidi nga Tetova ishte në mesin e nxënësve më të mirë.
Në Tetovë ishin ato vite kur nuk kishte shumë njerëz të shkolluar. Mund të përmendej Shaip Kamberi, i cili kishte kryer drejtësinë në Beograd, ndërsa gjimnazin e kishin kryer edhe disa të tjerë, në mesin e të cilëve ishte Nexhbedin Besimi, Zyrap Haxhihasani, Ahmet Hasani, Abdullah Sulejmani etj.
Në vitin 1941, pas okupimit nga fashizmi, në Prishtinë ishte hapur një shkollë e mesme në gjuhën shqipe, që ishte e vetmja në atë kohë në mbarë rajon. Në këtë shkollë, me 350 nxënës, kishin ardhur të mësojnë edhe nga viset e tjera, si nga Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia. Nxënësit nga Maqedoni, që të shkonin deri në Prishtinë, duhej të kalonin territoret që ishin okupuar nga Bullgaria, andaj ata që t’i shmangeshin këtij rreziku, merrnin rrugën nëpër malet e Sharrit, për të kaluar nëpër Shqipëri dhe për të dalë në Kosovë. Këtë rrugë e kalonin në këmbë, sepse nuk kishte mjete transportuese. Një udhëtim të tillë gjatë dimrit, Seid Musai e kishte kaluar në këmbë. Për fat, një pjesë të rrugës prej Tirane deri në Prishtinë, e kishte kaluar me kamion. Kjo shkollë ishte e organizuar me konvikt. Ishte kjo kohë kur disa nxënës të kësaj shkolle, për shkak të veprimtarisë së tyre ilegale, filluan të burgosen.
Në vitin 1945, Seid Musai pasi që e kishte kryer shkollën e mesme në Prishtinë, me kthimin e tij në Tetovë, regjimi komunist që sapo kishte dalë nga lufta do ta mbyll bashkë me shumë të rinj të tjerë shqiptarë në ndërtesën e quajtur “Sokollana” në Tetovë, përbri Gjykatës themelore, objekt i cili u rrënua në vitin 2006. Për këtë burgosje, mësuesi tetovar kishte kujtime të pashlyeshme, për shkak të vuajtjeve të rënda. Në atë objekt ishin mbyllur aq shumë njerëz, saqë nuk kishin pasur ku të shtrihen natën, por kanë fjetur në supet e njëri-tjetrit.
Të gjithë të burgosurit në atë objekt ishin mobilizuar me dhunë nga një brigadë maqedonase dhe ishin dërguar në drejtim të Prizrenit, prej nga do të marshonin për në Tivar. Shumica e shqiptarëve të mobilizuar me dhunë nuk kishin armë dhe nuk kishin veshmbathje, ndërsa ata komandoheshin nga eprorët maqedonas. Gjatë marshimit pa pushim, shumë prej tyre rrugës ishin sëmurë. Edhe Seid Musai, i cili nuk kishte veshmbathje të duhur, nga marshimi i gjatë dhe i pandërprerë, i kishte përgjakur këmbët. Kur kishin arritur në Prizren, kishte kërkuar nga një komision sanitar që të lirohej nga marshimi i mëtejmë. Kjo kërkesë ishte pranuar, kështu që Seidi lirohet nga marshuta e mëtejme, duke mbetur në Prizren. Atëherë i kujtohen shokët nga shkollimi që i kishte nga ky qytet, të cilët kishin marrë disa poste me rëndësi në administratën e re. Në saje të tyre, ai ishte angazhuar në Inspektoratin e arsimit të Prizrenit, ku kishte punuar bashkë me Mehmet Gjevorin, i cili e kishte hartuar abetaren e parë shqipe. Aty kishte kryer edhe disa kurse pedagogjike dhe pastaj ishte emëruar kryeshef i arsimit në Skenderaj.
Këtu nuk kishte mbetur gjatë kohë, sepse ishte djalë i vetëm i familjes dhe duhej të kujdesej për nënën që e kishte lënë në Tetovë. Pas kthimit në vendlindje, Seid Musai do të lajmërohet te organet kompetente të arsimit në Tetovë, të cilat e kishin caktuar të punojë në një shkollë të vjetër të qytetit. Aty kishte mbajtur kurse shkollore për të rritur, ku në mesin e shumë kursistëve të tjerë ishte edhe një grup prej 60 hoxhallarësh. Me qëllim që t’i arsimonte hoxhallarët, atij i duhej një përgatitje e posaçme, edhe pse vetë kishte prejardhje prej një familjeje fetarësh. Babai Abdullah ef. Musai ka qenë hoxhë i shkolluar në Turqi dhe ka qenë njohës i mirë i gjuhës persishte dhe të sheriatit islam. Në mungesë të juristëve, ai kishte punuar në zgjidhjen e kontesteve pronësore-juridike të qytetarëve. Seid Musai i kishte dhënë shumë rëndësi punës me hoxhallarë, sepse disa prej tyre kishin bindjen se “shkolla laike i nxjerr nga feja” dhe ndalonin fëmijët që të mos shkojnë në shkollë.
Prej vitit 1946 dhe më vonë, gjatë punës në arsim, ai ishte përkushtuar punës me nxënës, si dhe me angazhimin e tyre në aktivitete të lira, nëpërmjet përgatitjes së pjesëve dramatike, me tematikë për analfabetizmin dhe luftimin e kësaj dukurie nga forcat progresive, për një emancipim të plotë të gjeneratave të reja. Për këtë qëllim, Seid Musai vetë i shkruante pjesët e dramave dhe vetë e bënte regjinë. Një nga dramat e tij që kanë pasur sukses të shkëlqyer, duke u përsëritur në skenë shumë herë dhe shumë vite me radhë, ishte edhe drama “Nesër do të jetë vonë”, që ishte shfaqur para prindërve dhe nxënësve në Tetovë. Më vonë kishte vërë në skenë edhe dramën e tij “Prindërit e mashtruar” dhe komedinë “Aliu mëson frëngjisht” etj.
Në një kohë të rëndë politike, kujtohet Seid Musai (2005), në vitet e 50-ta, si njeri që angazhohej për çështje kombëtare dhe për ngritjen e ndjenjës kombëtare të popullatës, duke kundërshtuar përhapjen e shkollave turke dhe shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Gjithnjë nën mbikëqyrjen e regjimit, do të dënohet nga Inspektorati i arsimit me një transferim nga Tetova për në fshatin Tearcë, ku po ashtu do të vazhdojë me aktivitetet jashtë procesit mësimor. Pas vuajtjes së dënimit në Tearcë, inspektorati do ta kthejë në shkollën fillore “Liria” të Tetovës, ku edhe do të pensionohet pas plot 40 vjet pune në fushën e arsimit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura