ISMAIL KADARE: KOMBI SHQIPTAR NË PRAG TË MIJËVJEҪARIT TË TRETË – Sprovë –

Pashtriku.org, 2. 12. 2ß016: (Miti i katastrofës) – Popujt, ashtu si qëniet njerëzore, kanë dëshirë të kujtojnë fatkeqësitë e kaluara. Me kalimin e viteve, shpesh qëllon që këto fatkeqësi të skajuara në ndërgjegjen e tyre, ndryshojnë trajtë, rrallë herë zbehen ose harrohen, së shumti zmadhohen ose nxihen më fort. Në ndryshim me qënien njerëzore, që e ka jetën të shkurtër, jetëgjatsia e kombeve krijon kushte për tjetërsimin e fatkeqësive, të cilat disa herë shndërrohen në mite të vërteta. Në këto mite mbështetet shpesh kujtesa historike, prej tyre ushqehen letërsia dhe artet ose krijohen psikoza fataliste që ngjyrojnë për një kohë të gjatë atë që quhet shpirtësi e një populli. Ndërkaq, kaq raste që prej këtyre miteve ushqehen propagandat shoveniste e doktrinat hakmarrëse kundër popujve të tjerë.
Një nga mitet tipike që gjendet në historinë e shumë popujve është ai i katastrofës së dikurshmë. Është një thyerje ose një humbje e dhimshme ose disa gjëma të njëpasnjëshme, kujtimi i të cilave nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi, shërben për fisnikërimin e një populli, kur selitët në një kah të mbarë. Për fat të keq, koha ka treguar se mund të shërbejë edhe për të kundërtën: për ta egërsuar një popull kundër të tjerëve.
Fatkeqësitë e kaluara të popullit shqipetar, pushtimi osman në shekullin XV, copëtimi i Shqipërisë në fillim të shekullit XX dhe izolimi i saj nga bota, për faj të diktaturës komuniste në gjysmën e dytë të këtij shekulli, nuk krijuan të shqipetarët as doktrina shfarosëse, as urrejtje kundër të tjerëve dhe kjo është një cilësi e admirueshme e tij. Nderimi dhe mbrojtja e tjetrit, e atij që është i ardhur, i huaj, mik ose bujtës, një mendësi që vjen qysh nga kohërat antike, ka qenë një nga gurët themelore të qytetrimit shqipetarë.

Që ky nderim nuk është një shpikje poetësh e as një cilësi e elitës shqipetare, u rivërtetua gjatë Luftës së Dytë Botërorë. Dhjetra – mijëra ushtarë italianë të mbetur në Shqipëri nën mëshirën e popullsisë së armatosur shqipetare, pas kapitullimit të Italisë, nuk u prekën aspak prej kësaj popullsie, përkundrazi u morën në mbrojtje prej saj. Nga ana tjetër, është një fakt i njohur tashmë se Shqipëria ishte një nga vëndet e rralla në botë, në mos i vetmi, ku asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.
Diktatura komuniste me politikën e saj veçuese u përpoq ta armiqësonte popullin shqipetar me të gjithë botën, kryesisht me Europën Perëndimore, por nuk ia doli dot. Pas rënies së komunizmit, populli shqipetar dëshmoi ndaj të huajve europianë dhe amerikanë po atë ndjenjë miqësore të dikurshme.
Kjo tolerancë e gjerë e këtij populli, e shoqëruar me tolerancën fetare, gjithashtu të vërtetuar gjatë shekujve, nuk u vu në dukje e nuk u çmua asnjëherë sa duhet. E ishte e nevojshme, për të mos thënë e detyrueshme, të çmohej, sepse kishim të bënim me një shëmbull të shkëlqyer ballkanik, në kohën që gadishulli i madh u përfshi tej e mbanë nga furtunat shoveniste, nga intoleranca e urrejtja etnike e nga krimet e rënda të ushqyera prej saj.
Për t’u kthyer te miti i katastrofës, ky mit te shqipetarët, ndërsa nuk shkaktoi acarimin kundër të tjerëve, mori, për fat të keq, një zhvillim të papritur: revoltim kundër vetvetes. (f9-11)
(…)
Më gjerësisht lexoni në formatin PDF:
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Ismail%20Kadare%20Kombi%20Shqiptar.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura