Edmonton, Alberta (Kanada), 9 dhjetor 2017: Ky shkrim bazohet në dy koncepte, të cilat identifikohen me dy realitete social-kulturore pothuajse diametralisht të kundërta. Koncepti i parë është “Shekspirologjia” së bashku me derivatin “Shekspirologë” dhe koncepti i dytë është “Gjithologjia” së bashku me derivatin e saj “Gjithologë”. Koncepti “Shekspirologji” nënkupton një fushë të sub-specializuar studimi të letërsisë, pra e studion shkrimtarin e madh anglez Shekspirin në të gjitha aspektet e mundshme. Këtë koncept do ta përdorim edhe me një kuptim simbolik-metaforik, që nënkupton studimet e specializuara dhe sub-specializuara në të gjitha fushat, të cilat janë karakteristike për botën e zhvilluar. Derivati i këtij koncepti nënkupton personat, që studiojnë, ligjërojnë Shekspirin, por edhe personat specialistë dhe sub-specialistë në fusha të ndryshme të dijes dhe shkencës. Koncepti “Gjithologji” dhe derivati i tij “Gjithologë” është krijuar rishtas nga nevoja e njerëzve tanë për të ironizuar, prandaj është me konotacion negativ. Derisa koncepti i parë është krahu pozitiv i krahasimit kontrastiv, koncepti i dytë dhe derivati i tij është antonimi i tij.
***
Duke lexuar librin “Narrativa shekspiriane” (“Shakespearean Narrative”) të Shekspirologut Rawdon Wilson (botuar nga Associated University Preses, Inc., Cranbury,Nj. USA; London England and Mississauga, Ontario Canada, 1995) u njoha me përpjekjen e këtij studiuesi për të na njohur me strategjitë narrative të Shekspirit, të cilat asnjëherë më parë nuk ishin zbatuar në një thellësi të tillë dhe për të shqyrtuar aplikueshmërinë e teorisë bashkëkohore narrative dhe transformimit inovativ të rregullave tradicionale narrative. Ky studiues i kushton një vëmendje të veçantë mënyrës se si Shekspiri i ka krijuar entitetet fiktive siç janë karakteret dhe hapësirat në të cilat veprojnë ato. Gjithashtu argumenton se Shekspiri ka përcaktuar saktësisht rregullat narrative në harmoni me mundësinë e krijimit të funksioneve të shumëfishta. Ky autor bën një varg analizash për të dëshmuar se Shekspiri ka qenë hulumtues i jashtëzakonshëm i teknikave të narracionit gjatë aktit të krijimit.
Bota e zhvilluar ka krijuar studiues me specializime dhe sub-specializime, kontributi i të cilëve në fushat gjegjëse të dijes është relevant. Bota shqiptare e veçanërisht Kosova, me gjithë pengesat e shumta të krijuara nga politika antishqiptare, arriti të krijonte një elitë intelektuale, e cila, kur më shumë e kur më pak, dha kontribut të rëndësishëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës si pjesë integrale e çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan. Sulmet e politikës serbe pas demonstratave të vitit 1981 filluan në inteligjencien shqiptare e sidomos në elitën e saj. Pasojat e kësaj politike i vuan sot Kosova, e cila nuk arriti të zëvendësojë vendet e lëna bosh (pas diferencimit apo vrasjes) nga intelektualët e shquar si Gazmend Zajmi, Ali Hadri, Ukshin Hoti, Jusuf Gërvalla, Enver Hadri, Fehmi Agani e të tjerë, që në një formë apo tjetër ia lanë lamtumirën kësaj bote.
Politika e udhëhequr pas luftës në Kosovë, siç dështoi në shumë sfera të jetës, dështoi edhe në lëmin e arsimit në të gjitha nivelet. Njerëz me diploma universiteti apo grada shkencore të blera apo falsifikuara janë instaluar në çdo institucion dhe në çdo pore të jetës. Kjo shtresë e njerëzve që janë mbi ligjin dhe shërbëtorët e tyre në mediat e instrumentalizuara politikisht janë shndërruar në njerëz të gjithëdijshëm, në gjithologë, pra në njerëz që dinë gjithçka e nuk dinë asgjë. Kjo shtresë e të ashtuquajturve intelektualë nuk imponohet me forcën e argumenteve, që zakonisht mundëson të qenët intelektual i specializuar apo i sub-specializuar siç ndodhë në botën e zhvilluar, ku respektimi i ligjeve nuk ka alternativë, por imponohen me argumentin e forcës së pushtetit të privatizuar.
Gjithologët tanë kanë dëshirë të bëjnë debate publike dhe mundohen t’i ri definojnë definicionet e fjalëve më të rëndësishme për ta: intelektual, shtet, sovranitet, ligj, gjykatë, liri etj., duke i zbrazur ato nga përmbajtja e vërtetë. Mendoj se është detyrë e intelektualëve të specializuar dhe sub-specializuar të mos heshtin para dhunuesve të fjalëve, sepse dihet se gjithçka fillon te gjuha, te shprehja apo te definimi i qartë dhe i saktë i fjalëve. Në këtë kontekst do të sjellë një shembull. Një ditë një publicist relativisht i njohur, në një shkrim të tij, e kishte aktualizuar çështjen se është apo nuk është X Y politikani intelektual. Nuk vonuan dhe u paraqiten gjithologët tanë me apo pa diploma dhe i paraqitën definicionet e tyre për fjalën intelektual, të cilat ishin pasqyra më e mirë për ta parë fytyrën e shëmtuar të realitetit kosovar sot.
Në një kontekst të tillë, nuk më mbeti gjë tjetër, pos të shikoj se si e kanë definuar sub-specialistët e Oksfordit (Oxford Dictionaries), të Kembrigjit (Cambridge Dictionary) dhe Vikipedisë fjalën “Intelektual”.
Fjala “intelektual” sipas fjalorit të parë mund të jetë emër, por edhe mbiemër dhe vjen nga fjala “intelekt” (emër) që do të thotë: Aftësi për të menduar dhe për të kuptuar objektivisht, posaçërisht për çështjet abstrakte; forca mendore e një personi, mençuria. Pas këtij shpjegimi definicioni i fjalës “intelektual” mund të nënkuptohet dhe është: Një njeri që ka një intelekt shumë të zhvilluar. Origjina e këtyre dy fjalëve është nga latinishtja “intellectualis” dhe “intellectus” që do të thotë “kuptueshmëri”.
Sipas fjalorit të dytë fjala apo emri “intelektual” do të thotë: Njeri i aftë për të kuptuar idetë e komplikuara. Njeri shumë i shkolluar, interesat e të cilit janë studimi dhe veprimtaritë, të cilat kërkojnë të menduar të thellë, angazhim të madh mendor. Prej këndej është krijuar edhe folja “intelektualizoj”, që do të thotë: Të mendosh apo të diskutosh për subjekt apo temë të caktuar në detaje dhe në mënyrë intelektuale pa inkuadruar emocionet apo ndjesitë.
Definicionin e fjalës “intelektual” Wikipedia e shpjegon në kontekstin social: Intelektuali është një person, i cili angazhohet në mendimin e hulumtimin kritik dhe reflektimin për shoqërinë duke propozuar zgjidhje për problemet normative. Disa e fitojnë autoritetin nga të qenët intelektualë publik sepse vijnë nga bota e kulturës. Intelektualët marrin pjesë në politikë për të mbrojtur çështje konkrete dhe një sistem të caktuar vlerash.
***
Në fund mund të konstatojmë se duke u bazuar në definimin e shekspirologëve apo sub-specialistëve tjerë, të cilët mund të quhen intelektualë në plotëkuptimin e fjalës në njërën anë dhe gjithologëve në anën tjetër, të cilët janë gjysmanalfabetë, ne kemi bërë ballafaqimin e dy kategorive antinomike. Kosovës dhe botës shqiptare i duhet kategoria e parë ajo e sub-specialistëve apo intelektualëve të vërtetë sipas definicioneve të mësipërme për ta çliruar nga mendësia arrogante e kategorisë së dytë apo e gjithologëve.
Postime të Lidhura
SHERADIN BERISHA: HASHIM THAҪI, DUKE PRANUAR PAKON E AHTISAARIT KA DËMTUAR UNITETIN TERRITORIAL TË KOSOVËS, SEPSE KA PRANUAR NDARJEN E KOSOVËS NË DY ETNITETE!
(Pashtriku.org, 01. 03. 2013) – Në këto momente po mbahet mbledhje e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, me…
T’I THEMI JO ZAJEDNICËS – DONTESKUT TË SERBISË!
Ç’është kjo çmendi ndër shqiptari? T’I THEMI JO ZAJEDNICËS – DONTESKUT TË SERBISË! Marrëveshjet e 19 prillit 2013…
AVDYL GËRVALLA: PËRKUJTOJAU DONIKË!
Gjenevë, 11. 04. 2014 – Zoti të bekoftë Donikë! Paq faqen e bardhë!… Nga ai Vend i Bekuar…
BEJTULLAH KRASNIQI: SUICIDI POLITIK I BALI KATRAVELLËS ME SHPATË PREJ SHAVARI!
Prizren, 16. 06. 2014 – Sivjet mbushen 25 vjet nga themelimi i LDK-së. Është e ditur se këtë…