KALAJA PELLAZGE E ZGËRDHESHIT

KALAJA PELLAZGE E ZGËRDHESHIT

Nga Besnik Imeraj, Vlorë 28. 09. 2022

Fortifikimi i lashtë i Zgërdheshit, i trajtuar dhe menduar si Albanopolisi antik i Ptolemeut, nuk evidentohet nga arkeologët si një fortifikim pellazgjik, ndërkohë që mjaft të dhëna, trakte muresh, blloqe gurësh, sidomos ato që ndodhen në akropolin e tij me ndërtime shumë të lashta, etj, dashje pa dashje, e evidentojnë atë si të tillë. Ndjekim përshkrimet, që arkeologët tanë i kanë bërë këtij fortifikimi prehistorik, të shoqëruar edhe me foto të trakteve të mureve pellazgjike të tyre.

Fortifikimi prehistorik i Zgërdheshit, që ndodhet pranë fshatit Zgërdhesh, në rrethin e Krujës, nga mjaft autorë identifikohet si Albanopolisi i lashtësisë. Në të mirë të këtij pohimi arkeologu Selim Islami parashtron: “Hanit i takon merita të ketë hedhur mendimin se te rrënojat e Zgërdheshit duhet të kërkohet Albanopolosi i vjetër…Fakti që në zonën midis Matit dhe Shkumbinit në të cilën Ptolemeu (III 12,20) vendos Albanopolisin si qytet më të shënuar, nuk njohim një qëndër tjetër më të madhe antike se sa Zgërdheshi, e bën këtë hipotezë që të qëndrojë ende e fortë.” [1] 

Një e dhënë tjetër në të mirë të kësaj teze, e sjellë nga Selim Islami, është edhe fakti, që nga mbetjet arkeologjike prej qeramike të gjetura aty, identifikohet një vulë me gërmën “A”, e cila të bën të mendosh se bëhet fjalë për emrin e qytetit, Albanopolis, ku ndodhej kjo punishte.                

Për hershmërinë e disa  fortifikimeve në territoret e taulantëve, parthinëve dhe enkelejve Neritan Ceka pohon: Zgërdheshi në këtë periudhë banohej vetëm në pjesën e sipërme (Akropoli) rreth 1,6 ha. Në Zgërdhesh fortifikimi protoqytetar zinte pjesën më të lartë të kodrës me një planimetri në formë trapezi që përsëritet nga akropoli i periudhës qytetare. Sipërfaqja prej 1,3 ha zotërohet nga një majë dhe zbret me pjerrësi më të përshtatshme për banim në drejtim të perëndimit…Teknika e ndërtimit të mureve karakterizohet nga përdorimi i blloqeve pak të punuara por me prirje nga vendosja në rradhë horizontale…[2] 

_____

Albanopolis, aty ku rrjedh emri shqiptar

Të dhëna interesante, më herët se arkeologët e tjerë, na jep Jovan Adami për disa nga kalatë e moçme: “Në fshatin Zgërdhesh duken mure të një kalaje të moçme…Gurët janë shumë të mëdhenj…një gur i qoshes së një kulle është 1.93 x 0.80 x 0.60 metra dhe tjetri 4.61 x 0.84 x 0.45 metra. Pjesa e murit midis dy qosheve formohet prej gurësh të papunuar…Një kullë tjetër, prej tri rradhëve që duken sipër tokës, gurët janë 2.20 m, 2.50 të gjatë dhe 0.80 m të trashë…tek një kulle tjetër muri me dy faqe është 3 m i gjërë me gurë të punuar dhe të puthitur me kllapa…Muret me gurë të papunuar të Zgërdheshit u ngjasin mjaft mureve ilire të Gajtanit, Të Marshenjit dhe të Kakaçit…Disa nga muret e palatuara ngjasojnë me muret e kalasë së Persqopit…Nga një statujë e gjetur dhe një kollonë jonike, mund të mendojmë se këtu ka qënë një tempull…”[3]  

Ndërsa Neritan Ceka, në përforcim të asaj që Jovan Adami mendon për ekzistencën e një tempulli në Zgërdhesh, tregon: “…një sima e shek.III e punuar nga ndonjë mjeshtër vendas vjen sigurisht nga ndonjë monument shoqëror, ashtu si një shtat mermeri i perëndeshës Artemis dëshmon për ekzistencën e një faltoreje të kësaj perëndeshe të nderuar në mënyrë të veçantë nga parthinët e prapatokës së Dyrrahut.” [4]

Në vitin 1969 arkeologu Selim Islami ka udhëhequr një ekspeditë arkeologjike në Zgërdhesh. Në referatin e rezultateve të kësaj ekspedite, paraqitur në Kuvendin e I të Studimeve Ilire në vitin 1972,  dalin disa të dhëna me mjaft interes në të mirë të tezës tonë, se ky fortifikim në fillimet e ndërtimit të tij, kryesisht në akropol, ka qënë një fortifikim i bërë nga pellazgët. Ndjekim parashtresat e S.Islamit:

“…Gjurmët më të hershme të ndërtimit i ndeshim në akropol…këto mure janë ndërtuar me blloqe të papunuar…ose paksa të punuar…Te porta jugore blloqet janë të papunuar, me forma të parregullta dhe ndonjëherë masive…Nga kjo pikëpamje tipologjike këto mure të kujtojnë  Gajtanin, Dorëzin dhe Lisin…materiali i shtresës së parë, do të mund të datohet si i periudhës së parë të hekurit…Prania e kësaj shtrese, që i referohet një vendbanimi të hershëm në këtë qëndër, nuk mund të mos e çojë mendimin tonë tek muret e hershme që i ndeshim në akropol. Këto mure që nga pikëpamja tipologjike na kujtojnë Gajtanin…Në një kodër të vogël, nga ana jugore, jashtë mureve rrethuese, që gjendet përtej përroit të Lanës…duken gjurmët e një godine, ka shumë të ngjarë të një tempulli…” [5]

Selim Islami tregon se kalaja e Zgërdheshit nga fundi i shek. të IV të e.s. i humbi funksionet e veta si fortifikim, dhe bashkë me të edhe qyteti humbi rëndësinë e tij, si rrjedhojë popullsia e tij u zhvendos në kalanë e Krujës, si vend më i sigurtë. Jemi në periudhën e dyndjeve barbare, ku Zgërdheshi duhet të ketë qënë objektivi i parë i tyre. Ndërkohë që kalaja e Krujës, sipas arkeologut Damian Komata, i ka fillesat e saj si vendbanim në shek e IV dhe të III p.e.s. Pra fortifikimi i Krujës ka ekzistuar si i tillë në kohën që u rrënua Zgërdheshi.     

Besnik Imeraj

(marrë nga libri “Origjina e shqiptarëve në katakombet e historisë botërore”)

____________

AKROPOLI PELLAZG I LISIT


[1] Selim Islami, “Qyteti ilir i Zgërdheshit”, Kuvendi i Parë i Studimeve Ilire, 15-21 shtator 1972, ILIRIA Nr.2-1972, f. 208

[2] Neritan Ceka, “Lindja e jetës qytetare tek Ilirët e Jugut”, ILIRIA Nr.2 – 1983, f. 161-164

[3] Jovan Adami, “Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri”, Bot.“8 NËNTORI”-1983, f. 136-140,146,154.

[4] Neritan Ceka “Ilirët deri tek shqiptarët”, Bot.MIGJENI, Tiranë-2014, f. 165-166

[5] Selim Islami, “Qyteti ilir i Zgërdheshit”, Kuvendi i Parë i Studimeve Ilire, 15-21 shtator 1972, ILIRIA Nr.2-1972, f. 199-200, 204

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura