KEMAJL SHAQIRI, USHTATRAKU QË E „TRADHTOI“ FARK-un: DUA TË FLAS TË VËRTETËN (3)

Ekskluzive për gazetën „24 Orë“, janar 2005

Intervistë me ushtarakun Kemajl Shaqiri, tani epror i TMK-së

KEMAJL SHAQIRI, USHTATRAKU QË E „TRADHTOI“ FARK-un: DUA TË FLAS TË VËRTETËN (3)

Intervistën e zhvilloi: Feim TAHIRSYLAJ

FARK-u që ekzistonte vetëm në kompjuter

Pohimet se kinse eprorët ish-armatës kanë qenë të privuar të marrin pjesë në luftë nga ana e UÇK-së nuk janë aspak të vërteta. Unë e dëshmoj këtë, sepse vetë kam qenë ushtarak. Kanë folur edhe për mua çdokund se si kinse Kemjalin e kanë arrestuar, Kemajli është maltretuar. Një e pavërtetë kjo grandioze, shumë e madhe a! Pra, janë të pavërteta ato. Ndikimi i atyre që s’kanë dashur ta çojnë luftën përpara, ta avancojnë, ka qenë elementi kyç i pengesave. Është arsyetim i pabazuar ai se kinse UÇK-ja nuk po na lejon, nuk po na pranon. Ato ishin vetëm arsyetime qesharake të kolegëve të mi. Mjerisht, por kështu ka qenë

“24 Orë”: Domethënë gjatë gjithë asaj kohe është shënuar vetëm një ballafaqim me armikun. Çka bënin atëherë eprorët dhe ushtarët në Prapaqan, kur gjithandej Zonës Ramush Haradinaj me ushtarët e tij përballej gati çdo ditë me forcat serbe?

Shaqiri: Gjatë asaj kohe në kazermën e Prapaqanit, e cila ka pasë kushte optimale për jetë dhe për aktivitete, janë zhvilluar përgatitjet për operacione luftarake në rast nevoje nëse kërkohet për t’u kyçur drejtpërdrejt në front në Rrafshin e Dukagjinit, përkatësisht nëpër njësi të rrafshit të Dukagjinit.

“24 Orë”: Z. Shaqiri a mund të quhet ky një komoditet i tepërt në rrethana lufte, madje kur ke parasysh se atë kazermë në Prapaqan nuk e ndanin më shumë se dy kilometra nga vijat e para të zjarrit me armikun. Mos ishte e gabuar strategjia e zhvillimit të aktiviteteve që bëhen në kushte paqe, përballë frontit të luftës. Si i vlerësoni ju këto si ushtarak?

Shaqiri: Ashtu edhe është. Ato përgatitje u kanë takuar disa përgatitjeve apo formës përgatitore në kushtet e paqes. Sepse, sa unë isha në atë kohë, drejtpërdrejt në operacione luftarake, përveç në Loxhë nuk kanë marrë pjesë ata ushtarë të kazermës së Prapaqanit. Dhe, është e vërtetë se ka ekzistuar një komoditet në atë kazermë, mu sikur të ishin rrethanat e paqes. Por, dua të them se janë bërë përgatitjet për operacionet luftarake, e tani se sa kanë qenë ato efikase dhe se sa janë përdorur ato trupa në operacione luftarake dhe sa është dëshmuar efektshmëria e tyre, këtë nuk mund ta di pas largimit tim nga aty.

“24 Orë”: Nga grupi i juaj i oficerëve duket se më të përkushtuarit për ndihmë atdheut keni qenë ju, pastaj Rrustem Berisha, Musë Gjakova, Sefedin Kuçi, Fadil Hadërgjonaj?

Shaqiri: E vërtetë është. Të gjithë eprorët që u përmendën e kanë pasë me të vërtetë hakikat, apo kanë qenë të përkushtuar që sa më mirë të përgatitemi, organizohemi së bashku me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po them kushtimisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se ne kemi qenë një ushtri. E, pse nuk ka ardhur deri të harmonizimi i vijës komanduese për momentin, unë besoj se kjo nuk ka ndikuar te këta eprorë që i përmenda. Sepse, ne e kemi pasur luftën ideal dhe kemi parë e jemi bindur se duhet luftuar për çlirimin e Kosovës nga armiku shekullor. Prandaj, ne edhe kemi vepruar kështu.

“24 Orë”: A keni dëgjuar se këta eprorë kanë pasur pengesa nga ndokush i UÇK-së?

Shaqiri: E them me plot përgjegjësi se pengesa në asnjë formë nuk ka pasë. Nëse dikush e quan pengesë atë kërkesën se duhet të përgatitesh dhe të marrësh pjesë drejtpërdrejtë në operacionet luftarake, në front, kjo për mua nuk është pengesë. Ato ishin përpjekje për ta unifikuar tërë potencialin tonë ushtarak, që në mënyrë unike të komandohen dhe të drejtohen operacionet ashtu siç duhet në luftë. Unë këto asessi nuk i marrë si pengesa, por përkundrazi si përpjekje për të na ndihmuar ne që ishim për herë të parë në atë terren të cilin edhe nuk e kemi njohur. Pra, as që mund të bëhet fjalë për pengesa.

“24 Orë”- Mirëpo, disa nga njerëzit e FARK-ut vazhdimisht janë ankuar se si ata kanë qenë të privuar të marrin pjesë në luftë nga ana e UÇK-së. Sa janë të qëndrueshme këto pohime?

Shaqiri: Këto pohime nuk janë aspak të vërteta. Unë e dëshmojë këtë, sepse vetë kam qenë ushtarak. Kanë folur edhe për mua çdokund se se kinse Kemjali është arrestuar, Kemajli është maltretuar… Një e pavërtetë kjo grandioze, shumë e madhe a! Pra, janë të pavërteta ato. Çdo ushtarak yni që me ndërgjegje dhe obligim kombëtar do të kishte dashur të kyçet në UÇK ishte mirëpritur. Ai kishte me dhënë obligimin e vet për ta ndihmuar ushtrinë e vet, pra Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtar i së cilës edhe ai ka mund të jetë. Por arsyet e ndryshme, përçarjet politike, ndikimi i atyre që s’kanë dashur ta çojnë luftën përpara, ta avancojnë, ka qenë elementi kyç i pengesave. Është arsyetim i pabazuar ai se kinse UÇK-ja nuk po na lejon, nuk po na pranon. Mua me pranojë, me mirëpriti si është më mirë dhe po kështu do t’i pranonte dhe do t’i mirëpriste edhe të gjithë të tjerët. Por, ato ishin vetëm arsyetime qesharake të kolegëve të mi. Mjerisht, por kështu ka qenë.

“24 Orë”: Përveç me qendrën në Tiranë, komanda e Prapaqanit a ka mbajtur kontakte edhe me Prishtinën. Pyes për kohën sa ti ke qenë atje?

Shaqiri: Mua ma merr mendja se me ata telefona satelitor që i kemi patur, komanda e Prapaqanit në krye me Tahirin ka pasë komunikime edhe me Pejë, edhe me Prishtinë. Me kujtohet një profesor i mbrotjes, tani emrin ia kam harruar, që ka ardhur nga Prishtina dhe është kyçur në radhët tona. Mirëpo, ai erdhi me njëfarë bindje se unë tash jam këtu në forcat e armatosura të ministrisë së mbrotjes. T’u them të drejtën në Tiranë janë përmendur ato farë forca të armatosura, por unë nuk i kam parë ato fare. Në kompjuter është shkruar Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) dhe dikush ka menduar që duhet ashtu. Por, tek unë ajo nuk ka quar peshë, sepse doja të luftoja dhe nuk kam menduar në forca çfarë do jenë dhe si do quhen ato. Realiteti ishte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte formuar qysh herët, mirëpo si njësi i kam parë ato në Dukagjin për herë të parë. I Kam parë pozicionet, i kam parë ushtarët, i kam parë komandantët, i kam parë disa oficerë që kanë ardhur me javë e me muaj para meje si Naim Maloku, Sali Veseli, Kadri Kastrati, Agim Çelaj. Dhe, më ka brengosur ajo pse ata para meje e unë jo. Mirëpo, unë shkova me disa shokë nga Zagrebi dhe me ta edhe kam hy brenda në Kosovë. Edhe nga Sllovenia Ismet Ibishi, Rrustem Berisha, Sefedin Kuçi, Musa Gjakova, Fadil Hadërgjonaj, të cilin nuk e kam njohur, por e kam njoftur në Tiranë, Agim Ramadani e shumë të tjerë jemi futur në Dukagjin. Unë s’kam qenë faktor që kam mundur të vendos në emër të grupit të oficerëve, sepse po të isha faktor gjërat do të kishin vajtur krejt ndryshe. Sepse, vetëm një ishte objektivi: Çlirimin e Kosovës. Por, problemet kanë qenë të asaj natyre që dikush ka menduar ndryshe, ka folur ndryshe, ka vepruar ndryshe!

***

Në luftë shkohet me një mendje, jo me dy!

Komandanti i atëhershëm i Zonës Operative të Dukagjinit, gjeneral Ramush Haradinaj, me sinqeritetin më të lartë, të gjitha opcionet i ka hedhur në tavolinë. Madje, unë vetë kam qenë prezent në një takim në fshatin Llukë të Deçanit, kur ai na tha:” Zotërinj eprorë, unë nuk kam kundër Bukoshit asgjë, unë nuk kam kundër asaj qeverie asgjë, dhe nuk jam duke luftuar kundër asaj qeverie, por, ju lutem ,ju jeni oficerë dhe të shpërndahemi nëpër njësi, dy- tre, sa jemi, dhe ta çojmë luftën përpara”. Ka qenë shumë i sinqertë Ramushi. Por, nga ana tjetër, ndikimi dhe presioni i njerëzve të atëhershëm në kreun e ish – Ministrisë së Mbrojtjes ka qenë aq i madh, saqë eprorët nuk kanë mundur ta përballojnë. Eprorët kanë rënë pre e ndikimit të mjeteve financiare, pastaj e premtimeve të atij armatimit me të cilin do të duhej të pajiseshim, e që s’është realizuar asnjëherë. Premtime grandioze, premtime të hatashme janë dhënë e asnjëherë ato nuk janë përmbushur. T’u them të drejtën, ato gjëra më kanë nervozuar aq shumë, saqë më bënë që edhe të largohem plot dëshpërim nga Dukagjini dhe të shkoj në Drenicë 

“24 Orë”: A mendoni se realiteti në terren dhe urdhrat që u vinin nga kreu i ministrisë së atëhershme, si të themi, binin ndesh apo përjashtonin njëri-tjetrin. Kur pyes për këtë, gjithnjë kam parasysh efektet negative që u reflektuan në Dukagjin?

Shaqiri: Kur shkohet në luftë, shkohet me një qëllim. Me dy qellime, me dy mendje nuk shkohet. O të luftosh faqebardhë, o të tërhiqesh dhe të thuash se nuk jam në gjendje të luftojë dhe të mbetesh burrë, a?. Çfarë ka ndodhur aty pas ardhjes sime në Drenicë, nuk e di. Po të flas për këtë, i bie se unë vetëm kam dëgjuar nga të tjerët. Mirëpo, jo të gjithë eprorët e grupit me të cilët kemi hyrë bashkë janë angazhuar hakikat për çlirimin apo për mbrojtjen e Dukagjinit. Këtë mund ta them me përgjegjësi. Mosmarrëveshjet e kanë bërë të veten, mirëpo komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, gjeneral Ramush Haradinaj, me sinqeritetin më të lartë, të gjitha, të gjitha, të gjitha opcionet i ka hedhur në tavolinë. Madje, unë vetë kam qenë prezent në një takim në fshatin Llukë të Deçanit, kur ai na tha:” Zotërinj eprorë, unë nuk kam kundër Bukoshit asgjë, unë nuk kam kundër asaj qeverie asgjë, edhe nuk jam duke luftuar kundër asaj qeverie, por, ju lutem, ju jeni oficerë dhe të shpërndahemi nëpër njësi, dy- tre sa jemi, dhe ta çojmë luftën përpara”. Këtë e ka thënë komandant Ramushi, e kam dëgjuar se kam qenë i ulur aty nga mesi. Ka qenë shumë i sinqertë Ramushi. Por, nga ana tjetër, ndikimi dhe presioni i njerëzve të atëhershëm në kreun e ish- ministrisë së mbrojtjes, ka qenë aq i madh, saqë eprorët nuk kanë mundur ta përballojnë. Eprorët kanë rënë pre e ndikimit të mjeteve financiare, pastaj e premtimeve të atij armatimit me të cilin do duhej të pajiseshim e që s’është realizuar asnjëherë. Premtime grandioze, premtime të hatashme janë dhënë e asnjëherë ato nuk janë përmbushur. T’u them të drejtën, ato gjëra me kanë nervozuar aq shumë, saqë më bënë që edhe të largohem plot dëshpërim nga Dukagjini dhe të shkoj në Drenicë. Aty jam bashkangjitur në Zonën Operative të Drenicës dhe iu kam bindur urdhrave të gjeneral Sylejman Selimit, një ushtarak në kuptimin e plotë të fjalës.

Njerëzit e krahut të komanduar dhe të dirigjuar nga qeveria në ekzil e Bukoshit, kanë qenë të financuar dhe s’kanë hequr keq për asgjë. Unë nuk dua tani të kritikoj, por dua të them të vërtetën. Eprori, ushtaraku, profesionisti kur futet në front më prapa nuk shiqon, më prapa nuk analizon, por ai duhet t’u bindet urdhrave të atij komandanti lokal apo rajonal aty. Ajo nuk ka ndodhur në Dukagjin. Në rastin konkret, nuk u janë bindur urdhrave të komandant Ramushit, i cili po udhëhiqte, po komandonte, po drejtonte zonën në luftë. Kjo është esenca e gabimit që unë e kam parë, e që mëpastaj edhe u pagua shtrenjtë.

“24 Orë”: Njerëzit edhe sot i kanë të fiksuara skenat e shtatorit `98 të dorëzimit të armëve në Dukagjin, hyrjen “spektakulare” të forcave serbe dhe ikjen e Zemës e të “ushtarëve të ministrisë” pa asnjë rezistencë nga terrenet, për të cilat thoshin se janë nën përgjegjësinë e tyre mbrojtëse, çfarë mund të thuani për këtë?

Shaqiri: Derisa kam qenë aty, unë e kam parë se ai nuk ishte i përgatitur për shkak të ndikimit të të ashtuquajturës ministri e mbrojtjes që të aktivizohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tahiri haptazi është deklaruar: ”Unë punoj dhe veproj sipas direktivave të Tiranës (ministrisë së Bukoshit në Tiranë)”. Për mua aty ka qenë gabimi fatal i Tahir Zemës. Tahir Zema është dashur të inkuadrohet në baza të mirëfillta, të sinqerta dhe serioze te komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, i cili ia ka ofruar të gjitha mundësitë: me armatim, me ushqim, me veshmbathje. Pra, të gjitha ato që ai ka patur mundësi t’i ofrojë në atë kohë në Rrafshin e Dukagjinit. Sepse, po të mbrohej Dukagjini, mbrohej edhe Drenica. Po e them si ushtarak: Dukagjini mbrohet në Drenicë, Drenica mbrohet në Dukagjin.

“24 Orë”: Si e shpjegoni ju këtë qëndrim kaq të ngurtë të qeverisë së Bukoshit dhe a dyshoni në lojërat që ndoshta i luheshin vetë kreut të ministrisë, z.Ahmet Krasniqi ?

Shaqiri: Ka qenë një neglizhencë edhe e të ndjerit Ahmet Krasniqi. Thjeshtë, të them ushtarakisht, një paaftësi e tij organizative. Lufta nuk organizohet në formë të tillë. Lufta do sakrifica, lufta do gjak, dhe pastaj vjen liria. Për mendimin tim, unë personalisht si Kemajl nga ish-kryeministri në ekzil kam qenë i mashtruar. Dhe një ditë do t’ia them, a!

Më 5 apo më 6 mars (1998), në momentin kur jam kthyer në Zagreb, e kam ftuar nëpërmjet telefonit dhe i kam thënë: ”Z. kryeministër, s’e unë e njihja, e shihni ç’ndodhi në Drenicë me Adem Jasharin, me familjen Jashari, e shihni se vriten e masakrohen njerëzit, digjen shtëpitë tona atje? Ç’bëjmë ne”? Bukoshi më tha: ”Në mënyrë individuale le të shkojë kush të dojë të futet në luftë atje”. Komunikimi apo fjala ime e fundit ka qenë: ”Kështu nuk jemi marrë vesh”! E kam lëshuar receptorin dhe prej atij momenti as nuk jam parë, as nuk jam dëgjuar kurrë më me zotëriun, sepse kam qenë i zhgënjyer me atë që ka thënë. Dhe, unë për këtë kam ardhur me Rrustem Berishën e me disa eprorë që kemi qenë shokë nga Zagrebi, me aeroplan nga aeroporti i Sllovenisë në Rinas. Kemi qëndruar tri ditë në Tiranë, nga aty kemi shkuar në Tropojë, ku kemi bërë përgatitjet dhe kemi hy. Në atë moment mua s’me ka interesuar asgjë, vetëm çuarjen përpara të luftës në Kosovë, dhe çka unë si Kemajl, si ushtarak, mund të bëj për ta ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“24 Orë”: Përmendet premtimet për armatimin e sofistikuar. Ju si ushtarak profesionist sa u keni besuar premtimeve nga lart se “te xhamia në Isniq do t’ju sjellin armatimin me helikopter”, kur dihej se çfarë mbrojtje kundërajrore kishin forcat serbe?

Shaqiri: T’u them të vërtetën, çdo herë kam qenë i rezervuar ndaj atyre premtimeve dhe deklaratave të tyre. Ato deklarata kanë qenë qesharake, të paktën. Pas dhjetë ditë qëndrimi në Prapaqan, thjeshtë humba besimin se ajo do të ndodhë. Lufta nuk shkon me rrena, jeta nuk shkon me rrena. Nuk shkon asgjë me dallavere. Ushtarakut, eprorit, ushtarit, popullit duhet t’i thuhet e vërteta. E vërteta ishte e idhtë, sepse nuk u realizua ajo që ata i premtuan. Dhe, ne mbetëm të arnohemi disi me një armatim çkado, e armatimi i premtuar nuk arriti kurrë. U zhgënjeva në një mënyrë dhe vetes i thashë: Po pse unë nuk dalë në Drenicë, atje ku edhe e kam objektivin të shkoj dhe të ndihmoj atë popullatë e atë ushtri atje, e cila është e formuar. Me këto bindje të mia, dhe unë u gjenda në Drenicë. Them dhe një herë, me vjen keq që nuk jam lajmëruar se po shkoj në Drenicë. Kur kam ardhur në Drenicë, veç ka qenë situata krejt tjetër. Problemet, përçarjet, abuzimet e luftës në ZOD, për të cilat fola, i kanë pasur rrënjët dikund më larg sesa në Dukagjin.

***

“24 Orë”: Një goditje tjetër që iu shkaktua luftës së popullit tonë the se ishte edhe mospërgjigjja e pjesës më të madhe të oficerëve shqiptarë, sa do të kenë ndikuar premtimet e palogjikshme dhe joserioze si këto për armatimin që ata t’i shmangen pjesëmarrjes në luftë?

Shaqiri: Eprorët shqiptarë që kanë punuar në ish-armatën jugosllave është dashur ta kuptojnë se lufta do gjak, lufta do sakrifica. Prej 720 eprorëve, sa di unë që i ka patur Kosova, një numër shumë i vogël ka marrë pjesë në luftë. Shkaqet le t’i shpjegojnë ata vetë. Por, sikur t’i përgjigjeshin thirrjes së UÇK-së i gjithë efektivi i oficerëve dhe ata të shpërndaheshin nëpër zona, çdo zonë ka mundur të ketë deri në njëqind oficerë. Po të radhiteshin ata në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe të sistemoheshin nëpër njësi, sigurisht që puna dhe lufta do të avancohej dhe do të ecte edhe shumë më mirë. Por, me premtime, me abuzime të ndryshme, me arsyetime të palogjikshme, ata iu shmangën pjesëmarrjes në luftë. Unë i kuptoj disa eprorë të cilët kanë pasur probleme me dokumentacionin. Mirëpo, e keqja është se nuk ka qenë gatishmëria e të gjithëve ashtu siç jemi marrë vesh t’i bashkëngjitemi luftës në Kosovë. Ajo nuk është realizuar asnjëherë.

“24 Orë”: Sipas teje, cilat kanë qenë arsyet kryesore?

Shaqiri: Arsyeja e parë është se shumica e oficerëve tanë kanë dëgjuar sugjerimet e asaj të ashtuquajturës vijë institucionale në stilin: ne jemi të institucionit, ne dëgjojmë me fanatizëm institucionin, madje edhe jemi të vërbër pas urdhrave të institucionit, e kështu me radhë. Mirëpo, shumë prej tyre edhe u zhgënjyen, u ftohën, dhe në njëfarë mënyre e braktisën edhe Tiranën, dhe u kthyen në vendet e Perëndimit, atje ku kanë qenë. Kurse një pjesë, të themi “më ekstremë”, që nuk iu kanë frikësuar luftës, e kanë njohur luftën se çka është lufta dhe çka duhet bërë në luftë, ata u futën në Kosovë. Por, prapëseprapë ndikimi, edhe një herë po e përsëris, ndikimi i qendrës në Tiranë ka qenë shumë i madh tek ata që kanë qenë si të them labilë, a të shkoj a të mos shkoj, pastaj çfarë do të ndodhë me neve, si do të na pranojnë etj. Pastaj, ishte përhapur edhe propaganda se kinse oficerët po i lidhin, po i vrasin, po i maltretojnë. Unë ju them me përgjegjësi se mua më kanë pranuar shumë mirë në Drenicë, po edhe në Dukagjin, por sidomos në Likoc, në Shtabin e Zonës Operative të Drenicës, saqë unë atë borxh as UÇK-së, e as popullit tërë jetën nuk mund t’ua kthej. Me kanë pritur sikurse një pejgamer. Shumë shpejt e kam kuptuar situatën, momentin se çka duhet vepruar, dhe jam futur në operacione, kam dhënë pjesën e kontributit tim, për çka unë nuk dëshiroj të flas. Le të flasin të tjerët që kanë qenë prezent, që e dinë kontributim tim që kam dhënë për atdheut. Mbi të gjitha, udhërrëfyes për mua ka qenë se duhet ta kryej obligimin në luftë kundër serbit për atdheun tim, për liri. Ky ka qenë frymëzimi im, ideali im, dhe unë kam dashur të jam këtu. Sepse, edhe Kemajl Shaqiri ka mundur të jetë atje në Zagreb e të mos kthehet kurrë, të jetojë një jetë dhe s’ka problem, siç thonë a! Mirëpo, unë nuk kam mundur t’i gjej vetes qetësi atje, kam lënë të gjitha dhe jam inkuadruar në luftë. Askush nuk e ka ditur a shpëton apo nuk shpëton. Lufta është e rrezikshme. Aty gjërat e pamundshme bëhen të mundshme, të mundshmet bëhen të pamundshme. Dhe, po them edhe një herë, kam ardhur të jap pjesën e kontributit tim,dhe sot jam, fatbardhësit, aty ku duhet të jem.

VIJON …

……………………

Ekskluzive për gazetën „24 Orë“, janar 2005

Intervistë me ushtarakun Kemajl Shaqiri, tani epror i TMK-së

KEMAJL SHAQIRI, USHTATRAKU QË E „TRADHTOI“ FARK-un: DUA TË FLAS TË VËRTETËN (4)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura