Prishtinë, 05. 07. 2013 – Reeker tha sot se Vetëvendosja janë palaço me sjellje nihiliste të papranueshme në shekullin XXI në Evropë … Reeker tha se kushdo që është kundër marrëveshjes me Serbinë, është kundër Amerikës… Kurse, marrëveshjen me Serbinë guxojnë ta mohojnë vetëm armiqtë e Amerikës…Edhe në Partinë Republikane gjen senator amerikan që është kundër marrëveshjes me Serbinë, dhe kjo nuk i bën senatorët republikan anti-amerikan… I dashuri Reeker, na e bëri me dije që kryeministri nuk ka pasur alternativë tjetër përveç ta pranoj marrëveshjen. E amnistoi!
Reeker tha sot se Vetëvendosja janë palaço me sjellje nihiliste të papranueshme në shekullin XXI në Evropë. Pra, Niçe që ishte nihilist është i papranueshëm në shekullin e sotit të Gjermanisë. Nuk është keq me qenë palaço. Se palaço ka qenë Baster Keaton, për palaço amerikanët e marrin edhe Charlie Chaplinin. Palaçot janë njerëz. Pa qenë njeri s’mund të jesh palaço. Pra, palaçot janë performues komik që i karakterizon veshja bizare, kapelat e mëdha, këpucët gjigante, dhe maskat me hundë të kuqe e të madhe.
Palaçot e kalërojnë zebrën, elefantin, gomarin, s’lënë kënd që s’e kalërojnë. Vetëvendosja janë palaço të dëshpëruar, sepse nuk e kalërojnë askend. Në mungesë të zebrave, elefantëve e gomarëve në Kosovë, ata kur po futen në kuvend si palaço civil, askush nuk po qesh me performancën e tyre. Ata nuk dinë të varen e të kacavaren nëpër abazhure të kuvendit dhe nuk po ecin me maja të gishtave nëpër litar, e as nuk po kërcejnë nga tavani në dysheme dhe kur po kërcejnë nga dyshemeja nuk po e prekin dot tavanin.
– Thanks Philip Reeker! –
Reeker e ka pasur parasysh karakterin e tipit të dytë të palaçove, që janë palaçot e gëzuar (auguste), anarkistët që me performancat e tyre, veshur me kostume bizare, qeverinë e disponojnë, e bëjnë me qesh. Reeker tha se kushdo që është kundër marrëveshjes me Serbinë, është kundër Amerikës.
Se marrëveshja është vlerë e pamohueshme, fetish që s’duhet të relativizohet, se lëre ti që të mohohet, se marrëveshja është edhe më e rëndësishme se Bibla për Reeker-in, se Biblen guxoi Martin Lutheri që ta protestoj e ta ta redaktojë.
Kurse, marrëveshjen me Serbinë guxojnë ta mohojnë vetëm armiqtë e Amerikës. Mbasi që Kosova nuk e ka një Martin Luther.
Palaçot nuk janë për përbuzje. Dashuria e tyre është e sofistikuar dhe gjithmonë përfundon me një fund të gëzuar. Palaçot janë si peshqit e Emir Kusturicës në ‘Arizona dream’, që nuk mendojnë sepse i dinë të gjitha. Dhe që e rrezikojnë jetën e tyre për t’i bërë të tjerët të qeshin.
Palaçot duken kriminel të Kuvendit të Kosovës, kurse kriminelët e vërtetë të Kuvendit po duken si të dashurit e Zotit dhe të Amerikës.
Ama, përkohësisht, si Gadafi që dukej një kriminel i lumtur në tendën e hapur në oborrin e Donald Trump-it, gjatë vizitës së tij në State Departament.
Edhe të dua ty, i dashur Reeker, edhe në të njejtën kohë jam kundër marrëveshjes. Pa qenë palaço nuk e kupton si ndjehem unë e si ndjehemi ne që dashurinë ndaj teje nuk e kushtëzojmë me marrëveshjen e Hashim Thaçit me Serbinë.
Edhe në Partinë Republikane gjen senator amerikan që është kundër marrëveshjes me Serbinë, dhe kjo nuk i bën senatorët republikan anti-amerikan.
Të ishte dashuria kaq e thjesht, siç thotë i dashuri im Reeker, ”o me mua, o kundër meje’, qielli do të ishte i kuq.
Palaçot janë këtu për t’ju bërë të qeshni.
E pse s’po qeshni pra? Karakteret e palaçove janë: polic, bukëpjekës, kasap.
Kur na shihni me fytyrë të maskuar me të bardhë, dhe të veshur këmbë e kokë me të bardha dijeni që jemi ne palaçot e dëshpëruar.
Qani për ne.
E nëse na shihni të gëzuar, të veshur me këpuca gjigante, me kostume të çuditshme e shumëngjyrshe, qeshni me ne, kënaquni.
Palaçot nuk e lëndojnë një damë ambasadore, përkundrazi puna e palaçove është t’ia kthejnë buzëqeshjen ambasadores.
Për shkak se akrobacionet fizike performohen me zor, palaçot në fund e rrezikojnë vetëm jetën e tyre.
I dashuri Reeker, na e bëri me dije që kryeministri nuk ka pasur alternativë tjetër përveç ta pranoj marrëveshjen.
E amnistoi.