Prishtinë, 10. 02. 2014 – (Reagim i KMDLNj-së) – Më 10 shkurt 2007 protestat paqësore të organizuara nga Lëvizja “Vetëvendosje”! u shtypën në mënyrë të dhunshme nga Policia e UNMIK-ut me ç’rast policët e kontingjentit rumun të kësaj policie ekzekutuan nga afërsia protestuesit Arben Xheladini dhe Mon Balaj ndërkaq plagosën rëndë dhe lehtë afërsisht 100 protestues paqësorë.
KMDLNj ka monitoruar ato protesta dhe ka bërë përpjekje që të ndërmjetësojë te udhëheqësit e atëhershëm të Shërbimit Policor të Kosovës që të mos lejohet përdorimi i dhunës.
KMDLNj në kohën kur është kryer ky krim i pashembullt ka kërkuar hetime dhe përgjegjësi për ata që planifikuan e kryen apo nuk e penguan krimin. Përgjegjësia e vetme ka qenë dorëheqja e shefit të atëhershëm të Policisë së UNMIK-ut, Stiven Kurtis si dhe dorëheqja e ish ministrit për Punë të Brendshme, z. Fatmir Rexhepi.
KMDLNj edhe atëherë por edhe tani e bënë përgjegjës kryesor për këtë krim z. Stiven Shuk, ish zëvendës administrator i UNMIK-ut i cili ka koordinuar dhe urdhëruar shtypjen e protestës me dhunë.
KMDLNj përkujton se nga përgjegjësia politike, morale dhe mbase edhe penale nuk mund të përjashtohen as një pjesë e udhëheqësisë së atëhershme të Kosovës dhe një pjesë e mediave elektronike dhe të shkruara që u bënë mbështetës të krimit që u bë nga Policia e UNMIK-ut duke informuar në mënyrë tendencioze dhe të shtrembëruar.
………………………….
Më 10 shkurt 2007 …
KMDLNj konsideron se ky krim nuk mund të harrohet duke e mbyllur rastin prandaj kërkon vendosjen e drejtësisë duke kërkuar përgjegjësi penale për të gjithë ata që ishin të përfshirë në këtë krim ndaj protestuesve paqësorë. Imuniteti nuk është arsye e as argument që të mos kërkohet ndëshkim për ata që e kryen krimin ndërsa kalimi i kohës gjithashtu nuk është argument që ky krim të lihet si rast “ad acta”.
KMDLNj kërkon që viktimat e këtij krimi, Arben Xheladini dhe Mon Balaj të pranohen si viktima politike, të rehabilitohen dhe ta fitojnë statusin e merituar ndërsa familjet e tyre të fitojnë të drejtën që e gëzojnë familjet e viktimave civile të luftës. Edhe të plagosurit duhet të kompensohen moralisht dhe materialisht, në përputhje me ligjin.
KMDLNj kërkon nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të ngrejnë zërin në mbështetje të kërkesës së KMDLNj-së duke kërkuar drejtësi për Arben Xheladinin e Mon Balajn të ekzekutuar nga Policia e UNMIK-ut më 10 shkurt 2007 si dhe përgjegjësi për ata që e kryen krimin, e urdhëruan, nuk e penguan apo kontribuuan për këtë krim! Aktorët e këtij krimi janë gjallë lehtë mund të sillen para organeve të drejtësisë dhe ndaj tyre nuk duhet të demonstrohet mëshirë. Nëse zbatimi i ligjit dhe drejtësisë është standard mbi të cilin ndërtohen të gjitha vlerat e një shoqërie demokratike në Kosovë me mosndëshkimin e këtij krimi po bëhet e kundërta; krimi po bëhet standard dhe vlerë e një oportunizmi politik , vendor dhe ndërkombëtar! Ku e drejta për jetë si e drejtë elementare e njeriut po dhunohet skajshmërish përmes mosndëshkimit të krimit.
Behxhet Sh. Shala, 10 shkurt 2014
Nr. i Prot: 77/2014
================
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
KALLËZIM PENAL KUNDËR VRASËSVE TË PROTESTUESVE PAQËSOR,
MË 10 SHKURT 2007
Avokati Tomë Gashi, në bazë të nenit 198 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, në cilësinë e përfaqësuesit juridik të familjes së të ndjerit Mon Balaj nga Podujeva dhe familjes së të dëmtuarit Zenel Zeneli nga fshati Pornicë e Poshtme – Prishtinë, më 02. 03. 2007 ka bërë kallëzim penal kundër: Stephen Curtis, ish’komisioner i policisë së UNMIK’ut, kundër komandantëve të njësive policore të UNMIK’ut, komandantëve të njësive speciale të Policisë së UNMIK-ut, kontingjenti rumun, polak dhe ukrainas, kundër komandantëve të njësive të tjera speciale, si dhe kundër Policëve që identifikohen me përgjegjësi penale për të shtënat me armë mbi protestuesit paqësor, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje! më 10. 02 .2007 në Prishtinë. Ky Kallëzim penal, (me pëlqimin e avokatit Gashi), është publikuar më 26 prill 2010, në portalin e vjetër të pashtriku.org, dhe me rastin e 7 vjetorit të Protestës së 10 shkurtit 2007, e botojmë sërish për lexuesit tanë.
(***)
LEXONI KALLËZIMIN PENAL (FOTO &VIDEO)
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=63&shkrimi=1269