KMDLNj-ë: DYFYTYRËSIA E BE-së PËR VIZA DHE VDEKJA E NJË TË BURGOSURI NË SERBI!
Sqarim: Reagimi i KMDLNj-së të cilin nuk e ka lexuar Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha i cili kështu deklaroi në portalet Indeksonline dhe Nacionale me datë 8 janar 2023
Komisioni Evropian në raportin e fundit i ka bërë vërejtje Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi për mosvendosje të regjimit të vizave Kosovës, duke e konsideruar Kosovën njërën ndër vendet e treta që duhet t’i nënshtrohet regjimit të vizave. Realisht kjo dëshmon pohimin se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën ndonëse nuk thuhet publikisht dhe nuk i është vendosur si kriter në fakt lidhet dhe kushtëzohet me ecurinë e dialogut politik midis Kosovës dhe Serbisë.
Kosova shumë vite më parë i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave mirëpo gjithmonë është krijuar një kriter apo kërkesë shtesë për të shtyrë dhënien e pëlqimit për liberalizim të vizave e që në fakt është shantazh klasik dhe i pandershëm për të ilustruar këtë të vërtetë e kemi rastin me targa ilegale të Serbisë në Kosovë; në momentin kur qeveria e Kosovës mori vendim që këto targa të nxjerren jashtë përdorimit u hiq nga rendi i ditës, pika ku vendosej për caktimin e afatit për liberalizim të vizave. Pastaj, menjëherë pasi qeveria u tërhoq nga ky vendim nën një presion joparimor të ndërkombëtarëve u rikthye pika e rendit të ditës duke u caktuar koha kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza.
KMDLNj-ë edhe këtë e merr me rezervë duke e ndërlidhur me progresin e bisedimeve me Serbinë që nënkupton se liberalizimi i vizave do të jetë pjesë e karrotës nëse do të ketë përparime të prekshme në këto bisedime sipas kërkesës së ndërkombëtarëv. BE-e gjatë gjithë kësaj kohe padrejtësisht ua ka mohuar qytetarëve të Kosovës të drejtën e lirisë së lëvizjes si njërën ndër të drejtat elementare të njeriut duke e kushtëzuar me lëshime të natyrës politike. Duket se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Të drejtat e personave të privuar nga liria, si grup i cënueshëm garantohet me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare e që zbatimi i këtyre të drejtave mbikëqyret në mënyrë efektive nga organizatat e pavarura për të drejtat e njeriut apo mekanizamat e tjerë të pavarur siç janë Avokati i Popullit dhe Mekanizmat për Parandalimin e Trajtimit Degradues. Vdekja e një të burgosuri pavarësisht rrethanave dhe shkaktarit, gjithmonë ngre dyshime sidomos në familje por edhe në opinion.
Më 30 nëntor 2022 është raportuar në mediat norvegjeze se në rrethana të pasqaruara në Burgun e Sremka Mitrovicës në Serbi ka vdekur Artan Zymberi , shtetas norvegjez, shqiptar nga Peja, i dënuar me 3 vite burg dhe në mbajtje të dënimit mbi 1 vit. KMDLNj-ë merr vesh se pas viti të ri, i ndjeri Artan Zymberi do të transferohej në një institucion korrektues në Norvegji ku do të mbante dënimin e mbetur. Familja dhe miqtë e të ndjerit ngrejnë dyshime se ai mund të jetë vrarë.
KMDLNj rekomandon familjen e të ndjerit që pas tërheqjes së kufomës së të ndjerit Artan Zymberi të kërkojë që të bëhet përsëri obduksioni dhe ekspertizë shtesë për të hequr dilemat apo vërtetuar dyshimet e vdekjes.
Shtetasit e Kosovës që janë në vuajtje të dënimit në Serbi por edhe shqiptarët që janë shtetas të shteteve tjera ndihen të pasigurtë në Serbi andaj është domosdoshmëri që sa më parë të nënshkruhet (në kuadër të bisedimeve) Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë për transferimin e të dënuarve në vendet e origjinës në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Shërbimi për Informim i KMDLNJ-së, Prishtinë 9 janar 2023