KOMUNIKIMI NJERËZOR BAZË PËR NJË SHOQËRI TË SHËNDETSHME
Nga Zana Tako, Tiranë më 4 maj 2024
Komunikimi është ura që lidh njerëzit me njeri-tjetrin. Kjo urë mund të shëmbet nëse nuk dimë ta mirëmbajmë dhe të kujdesemi për të, por mund të qëndrojë e fortë dhe shpërblyese, nëse kujdesemi duke patur parasysh nevojën që kemi për ekzistencën e saj.
Marrëdhënia njerëzore kalon nëpër faza të ndryshme të jetës, duke na surprizuar me efektet e saj. Por asnjëherë nuk duhet të harrojmë, se ajo çka na bën njerëzorë dhe të vlefshëm për njeri-tjetrin, është koncepti për dashurinë. Nuk është dashuria ajo që shëmb ura, por i ndërton ato dhe i bën rezistente ndaj kohës.
Sjellja e njeriut është tinzare dhe zemërake, por është edhe lajkatare ose e plogësht, është edhe impulsive por edhe korrekte, është edhe paqendjellëse por edhe e rrëmbyer, njëlloj me rrebeshin e shiut.
Që të përcaktosh sjelljen e një personi duhet ta dëgjosh atë, si argumenton, si analizon, si komenton, si e përdor tonin e zërit, si e artikulon fjalën, e nëpërmjet kësaj pamje, çdo njeri kupton se cilin ka përballë, duke përcaktuar edhe vlerën e tij.
Nëse flet me ton të lartë nuk ndihesh i sigurt kur përcjell mendimin. Kur shpreh një mendim është mençuria ajo që formulon shprehjen, duke e shoqëruar e duke i dhënë edhe tonin përkatës mendimit. Njeriu është qënie që prodhon debat, por që ta drejtosh atë duhet të jesh i pajisur me disa veti që karakterizojnë njeriun e vlerave, si përshembull sinqeriteti, (karakteristikë e vlerave të çmuara), dinjiteti, i cili lufton antivlerën njerëzore nëpërmjet të cilave mbështetesh e nuk lëkundesh.
Gjuha që përdorim në jetën e përditshme është si një stinë që ka edhe ditë me diell por edhe ditë me shi. Gjuha përcjell edhe fjalën, ndaj themi: “e ka gjuhën brisk, ose, ka një gjuhë që”….. etj.
Lëndohemi nga fjalët por edhe krenohemi nga fjalët e mira. Gjithçka që përdorim në komunikim njerëzor, lë gjurmë dhe shije. Gjurma fshihet por edhe jo në kohë. Edhe shija, të ëmbëlson ose të hidhëron, e nëse themi se koha shëron, është ndërgjegja ajo që qëndron si portë shpirti, duke lejuar të hyjë ose jo falja, e cila shpall fitoren e dashurisë njerëzore mbi dhimbjen dhe lëndimin.
Komunikimi njerëzor është edhe problematikë njerëzore, sepse nga komunikimi varet edhe marrëdhënia njerëzore e cila njeh uljet dhe ngritjet sipas ndjenjave.
Jetojmë në një kohë ku shoqëria po prodhon krizë komunikimi. Kjo krizë po manifeston edhe mënyrën se si po e ushqejmë shpirtin, e shpirti i njeriut nuk mbahet me hua. Huazojmë sjellje dhe fjalë, mendime dhe ndjenja të cilat nuk i përshtaten gjithkujt.
E vetmja vlerë njerëzore që i shkon për shtat çdo krijese dhe që nuk e shëmton atë është dashuria, e cila as nuk vjetërohet dhe as nuk e shëmton njeriun, por i dhuron freski dhe bukuri në çdo stinë të jetës. Ndaj e vetmja shkollë ku duhet të mësojmë si të sillemi, si të edukojmë duke e përcjellë çdo ditë në komunimin tonë njerëzor është dashuria, e cila dhurohet dhe merret falas nga të gjithë!
__________
FJALA E LIRË DHE MANIPULIMI I SAJ