580 vjet më parë (02.03.1444 – 02.03.2024)
KUVENDI ARBËROR I LEZHËS (2 MARS 1444)
Nga Sheradin Berisha
580 vjet më parë, në Katedralen e Kishës së Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet dhe memoriali i Gjergj Kastriot – Skënderbeut, u mbajt Kuvendi i Lezhës dhe u krijua Besëlidhja Arbërore (shqiptare) e Lezhës, si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, gjatë periudhës së mesjetës.
Ishte 2 marsi i vitit 1444, kur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, (menjëherë pas kthimit në Krujë – në nëntor 1443), për herë të parë në historinë e mesjetës shqiptare mblodhi në një Kuvend të gjitha principatat arbërore, me qëllim të Bashkimit, për përballimin e sulmeve pushtuese osmane në tokat tona.
Kryengritja e përgjithshme e vitit 1443, (që mori përmasa çliruese me kthimin e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot – Skëndereut në Krujë – më 28 Nëntor 1443), dhe ngritja e Flamurit tonë Kombëtar në këtë qytet, ishin fitoret më të mëdha historike që duheshin mbrojtur me çdo çmim.
Zhvillimet e deriatëhershme luftarake – në arealin e Arbërit dhe më gjerë në Ballkan, ishin treguesit e qartë se, Perandorisë Osmane (fuqisë më të madhe ushtarake të kohës), nuk mund t`i bëhej ballë pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg feudesh të pavarura dhe pa krijuar një bazë të fortë organizative e të qëndrueshme, e cila do të bashkërendonte fuqinë mendore – njerëzore, ushtarake e ekonomike të vendit.
Për zgjidhjen e këtyre pengesave, si hap të parë e të rëndësishëm Gjergj Kastrioti – Skënderbeu mori nismën për mbajtjen e një kuvendi gjithëpërfshirës, ku do të merrnin pjesë krerët e principatave të pavarura që sundonin gjithandej vendit tonë. Për këtë qëllim, ai fillimisht zhvilloi takime vetjake, si rrjedhojë e të cilave u vendos që të mbahej në Lezhë një Kuvend i Besëlidhjes.
Lezha kishte një pozicion gjeografik shumë të favorshëm për mbajtjen e Kuvendit, për faktin sepse ajo ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të Kuvendit, dhe për më tepër ishte e veçuar nga zotërimet e tjera të Venedikut si dhe kishte lidhje të ngushta ekonomike me viset e çliruara arbërore, veçanërisht me ato të Kastriotëve. Prandaj, jo rastësisht Kuvendi i Besëlidhjes u mbajt në qytetin e Lezhës – më 2 mars 1444 në Katedralen e Shën Kollit, ku sot gjendet dhe memoriali i Gjergj Kastriot – Skënderbeut.
Në këtë Kuvend morën pjesë: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andre Topia (bashkë me dy djemtë, Kominin e Muzakën dhe të nipin Tanushin), Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Pjetër Spani (bashkë me katër djemtë, Aleksin, Bozhidarin, Vruon dhe Mirkon), Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu (dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje), Zahari Gropa, Lekë Dushmani bashkë me Pjetrin e fisnikë të tjerë fqinjë me ta, Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi bashkë me bijtë e tij, Gjergjin e Gjonin) etj.
Pikërisht, realizimi i bashkimit të të gjithë princërve arbërorë (shqiptarë), në një kuvend të përbashkët nga ana e Skënderbeut, përbënte idenë më madhore historike të tij, dhe ky Unitet si i tillë ishte shembull i veçantë se, si bëhet bashkimi i principatave të vogla e të copëtuar feudale, gjë që nuk ishte realizuar as në vendet më të mëdha të Evropës. (Sa për ilustrim: Gjermania u bashkua gjatë shekullit të XIX në kohën e Bismarkut, ashtu sikurse edhe Italia është bashkuar në shekullin e XIX në kohën e Garibaldit)
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Kuvend, mbajti fjalën kryesore dhe aty u ndalë veçanërsisht në domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit politik të të gjitha princërve dhe fisnikëve tjerë arberorë (shqiptarë). Në vijim, pjesëmarrësit diskutuan format e bashkëpunimit dhe rrugët për realizimin e bashkimit politik të tyre, në themel të të cilit vunë institucionin më të rëndësishëm kombëtar, atë të BESËS.
Ata, me këtë rast institucionalizuan Kuvendin si forumin më të lartë vendimmarrës të princërve-fisnikëve arbërorë – shqiptarë, dhe ky Kuvend sublimoj formën e një besëlidhjeje politike, ndërmjet drejtuesve të zotërimeve të lira dhe fisnikëve të tjerë të vendit, që u njoh me emrin Besëlidhja Shqiptare e Lezhës.
Në Kuvend, u vendos krijimi i ushtrisë së përbashkët dhe për udhëheqës të Besëlidhjes dhe Komandant të Përgjithshëm të ushtrisë arbërore, unanimisht u zgjodh Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Që prej këtij bashkimi udhëheqësi ynë legjendar rriti rezistencën e ushtrisë së tij dhe për 25 vjet rresht drejtoi luftën çlirimtare kundër sundimit osman.
Si përfundim. Kuvendi i Lezhës dhe shembulli heroik i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ishin dhe mbetën burim frymëzimi për të gjithë brezat e ardhshëm.