LABËRIA NË LUFTËN E VLORËS

EPOPEJA E NJËZETËS: 5 qershor-3 shtator 1920; 104 vjet më parë …

LABËRIA NË LUFTËN E VLORËS

Nga Prof.dr.Albert HABAZAJ

Hyrje

Lufta Kombëtare e Vlorës është trajtuar gjerësisht nga historiografia shqiptare, ndërkohë ka ngjallur shumë interes edhe nga studiues të huaj gjatë një shekulli. Vlora për Shqipërinë është si New Yorku (Nju Jorku) për Amerikën, sikurse thonë se Nju Jorku është Vlora e Shqiptarëve të Amerikës, ku shqiptarët e atjeshëm ngrenë ngrenë flamurin kombëtar kuqezi. Vlora është parë nga të huajt si pozicioni më i rëndësishëm strategjik në Adriatik. Vetëm 49 milje nga Italia, ajo shikohej si një port i shkëlqyer dhe në se fortifikohej mund të kontrollonte hyrjen në Detin Adriatik. Sikurse gjithë Shqipëria, ende e brishtë në pavarësinë e saj, edhe “Gjibraltari i Adriatikut” po kërcënohej seriozisht. Dritëro Agolli në poemën “Nënë Shqipëri” shkruan: “Një copë, një copë!/ Një çikë, një çikë!”/ Ulërinin ujqit mes zhegut, kallkanit;/ Dilnin nga shpella si në legjendat e vjetra/ Veshur me mburoja kalorësie/ Fshehur kokë e turi në helmeta,/ Zbutur me frak diplomacie,/ Zgjatnin këmbën si në përrallën e Dhisë e kecave:/ “Tuk-tuk!/ Hape!/ Jam unë”!”[1]  

Nga historia dimë se Lufta e Parë Botërore (qershor 1914 – nëntor 1918), që përfshiu gjashtë kontinentet e banuara të lëmshit tokësor, ishte kryesisht e përqëndruar me dy blloqet: Blloku i Antantës ku bënin pjesë Britania, Franca dhe Rusia dhe Blloku Tripalësh (Forcat Qendrore), ku bënin pjesë Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia. Në këtë kuadër, Traktati i fshehtë i Londrës (26 prill 1915) ishte marrëveshje e fshehtë e përfunduar midis fuqive të Antantës dhe qeverisë italiane për të plotësuar pretendimet e imperializmit italian në Shqipëri dhe lakmitë ekspansioniste të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Ndër 16 nenet e këtij traktati famëkeq, 3 prej tyre (neni, 5, 6 dhe 7) kishin të bënin me fshirjen e shtetit shqiptar nga harta e Europës. Sipas nenit 6, “Italia do të marrë sovranitet të plotë mbi Vlorën, Ishullin e Sazanit dhe territoret përreth, në një largësi të tillë që të sigurojë mbrojtjen e këtyre pikave”[2]. Më 25 dhjetor 1914 Vlora u pushtua prej ushtrisë italiane, e cila dalëngadalë zaptoi tërë rrethinat e Vlorës dhe krahinat e Labërisë e më gjerë. Kujtojmë që, megjithëse ndërhyrja e Willsonit e kishte penguar përkohësisht ndarjen e Shqipërinë nga Fuqitë e Mëdha, presidenti amerikan nuk i kishte zgjidhur problemet se çfarë duhej bërë me Shqipërinë. Të mëdhenjtë kontinentit plak e shikonin Shqipërinë si mjet shkëmbimi, por, si duket, nuk ishte më e dobishme si e tillë. Studiuesi Robert Larry Woodall shkruan “Përballë indiferentizmit të Fuqive të Mëdha, shqiptarët u detyruan të mbroheshin vetë kundër ushtrive të huaja”[3]. Viti 1920 u shfaq si tallaz drejt lirisë, në mbrojte të pavarësisë së rrezikuar dhe sovranitetit të nëpërkëmbur të shtetit shqiptar. “Në qershor, shqiptarët filluan t’i sulmonin trupat italiane të përqëndruara në Vlorë. Politika italiane po fundosej” [4]

  1. Labëria dhe  Vlora si simbolikë e Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920

Historia na tregon, sipas kriterit kronologjik, kur fillon lufta dhe kur mbaron si kohë; se Lufta Kombëtare e Vlorës nisi dhe u zhvillua me tre faza, konkretisht:

Faza e parë (5-10 qershor) nisi në bazë të vendimit të Kuvendit të Barçallasë dhe urdhërit të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, me sulmet e forcave vullnetare, në orën 20:00 kundër garnizoneve italiane, të përqëndruara jashtë qytetit të Vlorës në rrugën Drashovicë – Tepelenë dhe Llogora – Himarë, ku trupat kombëtare çliruan Kotën, Drashovicën, Llogoranë dhe Matohasanaj, me përjashtim të Tepelenës që ra pak ditë më vonë.

Faza  e dytë (11-20 qershor) nisi me sulmin mbi forcat italiane brenda qytetit të Vlorës, ku luftimet u zhvilluan shumë të ashpra e tepër të përgjakshme në hapësirat e Qafës së Koçiut, të Vreshtave të Mëdha e të Kalasë së Kaninës.

Faza e tretë – 23 korrik, nis me çlirimin e Tepelenës më 21 qershor dhe sulmin e përgjithshëm natën në qytetin e Vlorës më 22 korrik.

Mendojmë se edhe ky skelet informativ na e jep qartas hapësirën dhe kohën e zhvillimit të ngajrjeve kryesore luftarake për çlirimin e Vlorës dhe të krahinave të pushtuara të Labërisë në tre muajt e sfidave të mëdha.

Në Kuvendin e Barçallasë në mal të Dukatit, më 29 maj, krahina e Vlorës, e bashkuar, me përjashtim të disa çifligarëve, dha kushtrimin për luftë, duke përfaqësuar më së miri këtë lidhje e bashkim të domosdoshëm. “Kuvendi i Barçallasë dhe Mbledhja e Beunit, më 2 qershor, me organizmat e ndryshme, që u krijuan atje, që nga komisioni i të 12-ve e deri te komandantët e çetave, përfaqsojnë organizmin ushtarak dhe piolitik të luftës së armatosur.”[5]

Siç kuptohet, për Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920, Labëria dhe Vlora, me ngjarjet, bëmat e personazhet, në këndvështrimin e hapësirës dhe kohës, zë rolin kryesor në këtë epope të përmasave termopiliane, duke u bërë kështu simbolika e kësaj lufte çlirimtare. Krahinës së Vlorës i ra pesha e fazës së parë të luftimeve, ajo që shtrihet deri më 11 qershor, kurse peshën tjetër, atë deri më 2 gusht 1920, e ndanë,  si mund të thuhet, bashkë me krahinat e tjera. Faqja e Barçallasë, Rrapi i Gurrave në mal të Beunit, (që shpirti i kësaj lufte, mësuesi atdhetar Halim Xhelo e quajti Rrapi i Burrave), Kota, Gjormi, Llogoraja, Tepelena, Jonufra, Drashovica, Qafa e Koçiut e Kanina janë simbolet toponimike me vlera historike kombëtare. Sa herë përmendim këtëo emërvende, kujtojmë ngjarjet dhe personat relalë që heroizmi i shpirtit të tyre liridashës i shndërroi në personazhe historikë të përmasave legjendare.

Pas Kongresit të Lushnjës, për të drejtuar lëvizjen kombëtare, më 10 mars 1920 u krijua brenda më Vlorë, ashtu si më 1919, një komitet i fshehtë me emrin “Mbrojtja Kombëtare”, i kryesuar nga prefekti i Vlorës Osman Haxhiu, bir i shquar i Armenit dhe Labërisë, figurë e rëndësishme e historisë së  re shqiptare. Qazim Koculi dhe deputeti tjetër Spiro Jorgo Koleka nga Vunoi u ngarkuan të kryenin funksionet e përfaqësuesit të komitetit pranë qeverisë së Tiranës. Kryeministri Sulejman Delvina e aprovoi programin e komitetit. Sikurse Sulejman Delvina me patriotët e KKL dhe me qeverinë e Tiranës, sidomos Komiteti “Mbrojta Kombëtare” i Luftës së Vlorës, apo “12 Komisionë”, siç flitej në popull, së bashku me komandantët e LV major Ahmet Lepenica e kapiten Qazim Koculi dhe me Halim Xhelon, sekretarin e Komitetit, zemërzjarrtin e ditur për Atdhe, mendojmë se, në këtë 104 vjetor nderimi të Epopesë së Madhe, i bëjnë më shumë dritë Historisë së re popullit shqiptar, sepse qenë pikërisht ata, që udhëhoqën e drejtuan të organizuar e me plan luftimi trimat e Labërisë dhe të krahinave të tjera shqiptare që e rrokullisën në det të turpëruar Perandorinë e Re Romake.

Emrat e anëtarëve të Komitetit të Mbrojtjesë Kombëtare dolën nga paria fisnike dhe atdhetare e qytetit dhe fshatrave të Labërisë së Vlorës. Ata janë “emblema e Luftës së Vlorës” dhe përderisa LV është faqe lavdie në historinë e Shqipërisë edhe ata janë portrete me dritë nderimi e lavdie në përmendoren e historisë kombëtare. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” e Luftës së Vlorës (1920), me anëtarë: Osman Haxhiun, Duro Shaskën, Ali Beqirin, Alem Mehmetin, Qazim Kokoshin, Beqir Sulo Agalliun, Hamit Selmanin, Hysni Shehun, Myqerem Hamzarain, Murat Miftarin, Sali Bedinin, Hazbi Canon e kanë merituar denjësisht Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për ndihmesën e çmuar në organizimin dhe drejtimin e Luftës së Vlorës të vitit 1920 dhe mbrojtjen e lirisë e të Pavarësisë së Atdheut, duke u shndërruar në shembull frymëzimi për brezat pasues të Shqipërisë.” Binomi i shkëlqyeshëm i LV me Osman Haxhiun e Halim Xhelon na kujton binomin atdhetar të Lidhjes së Prizrenit me Ymer Prizrenin e Abdyl Frashërin.

  • Halim Xhelo për rolin e Labërisë në Luftën e Vlorës

Ishte pikërisht Lufta e Vlorës ajo që tronditi botën mbarë, ishte pikërisht kjo epope lavdimadhe që gremisi në det perandorinë, “një ushtri 40 miljonë”, siç thotë kënga, e cila, ndër kriteret specifike ka dhe parimin e zbukurimit.

Për këtë realitet të madhërishëm, Abdyl Frashëri i Njëzetës, i zjarrti Halim Xhelo, shkruante në shtypin e kohës, me një shpirt të dehur nga atdhetaria, me një penë të ngjyer në fisnikëri: “Pra, në pati Greqia e moçme një Spartë e një Thermopile, Shqipëria e Re ka një Labëri dhe Qafën e Koçiut[6]. Lufta e Vlorës është një nga epopetë më të lavdishme të shqiptarëve dhe Vlora u kthye në “Termopilet” e Shqipërisë. Sikurse Vlora me qytetin dhe fshatrat e Labërisë: Sevasterin, Vajzën, Bratin, Vranishtin, Shkozën, Tërbaçin, Smokthinën, Kallaratin, Lepenicën, Gumenicën, Dukatin, Çeprratin, Tragjasin, Vezhdanishtin, Gërnecin, Trevllazërin, Peshkëpinë, Armenin, Gorishtin, Mavrovën, Mallkeqin, Lapardhanë, Amonicën, Treblovën, Velçën, Rexhepajn, Bolenën, Dushkarakun, Kropishtin, Gjormin e Oshtimën, si dhe Tepelena me Salarinë, Gusmarin, Dhëmblanin, Bënçën, Progonatin e Nivicën, edhe, krahas krahinave të tjera shqiptare, u shqua Mallakastra, Skrapari e Berati u ndodh në krah të fqinjvë labë të pushtuar nga ushtria imperialiste italiane dhe e lanë me gjakun e bijve të tyre fitoren e e bujshme të 3 Shtatorit, që sipas Gani Iljaz Habazajt, korrespondentit nga frronti i luftës i gazetës “Drita” të Veli Harshovës, Gjirokastër, në Luftën e Vlorës u vranë mbi 130 luftëtarë, që përkujtohen si shehitë/ dëshmorë të lirisë[7]. Kur në brigjet e Vlorës dhe të Kaninës binin dëshmorë për liri, dhe në fushat e Koplikut, në Shkodër, në Malet e Dibrës luftonin vëllezërit tanë të Veriut kundra sllavit po për këtë qëllim, që të shpëtonin atdheun nga sulmet e tij. Halim Xhelo shkruan: “Viti 1920 është viti më i shënuar në Përlindjen tonë, se pas Kastriotit është e para herë që shqiptarët të bashkuar nën Dyngjyrashin [do të thotë flamuri kombëtar kuqezi, shën im: A.H.], luftuan krah për krah kundër të huajve”[8].

Gjithë ata heronj me apo pa dekorata, me luftën e tyre, me gjakun, me ndihmat e dhëna materialisht apo me mendje, duke evidentuar kulturën morale, kulturën shpirtërore dhe kulturën materiale të një komuniteti vital, falën jetën a kapitalin dhe bënë histori, por pa guxim s’ka lavdi.

Ata dhanë forcën, guximin, trimërinë, dëftuan virtytet e larta, trashëguar nga të parët, ndezën shpirtin atdhetar dhe dashurinë për vatrën e tyre, për zjarrin e tyre, për oxhakun e tyre, për gurin e sinorit lokal e kombëtar, për varret e të parëve, që të mos lëndohen, derdhën pika gjaku a falën gjithë gjakun e tyre, për këtë dhè, lënë amanet nga paraardhësit brez pas brezi.

  • Traditat dhe parimet e humanizmit në luftë

Meqënëse kontributi i Labërisë në Luftën e Vlorës është i shqueshëm dhe nga studiuesit është një temë e rrahur, dëshirojmë të ndalojmë pak tek kultura shpirtërore, virtytet fisnike, e drejta dokesore, traditat dhe parimet e humanizmit të banorëve labë në këtë epope. Sikurse në çdo luftë të mëparshme, edhe në Luftën e Vlorës, labët dhe tërë shqiptarët shkuan vullnetarisht, e prisnin me dëshirë betejën dhe përpiqeshin kush të dilte i pari në breg. Vullnetarizmi ushtarak vinte nga tradiuta e të parëve, për t’u dalë zot trojeve të pushtuara në rrjedhat e historisë. “Labëria është dovlet/ çdo shtëpi nxjerr dyfek” Në Luftën e Vlorës, vullnetarët e Labërisë, të organizuar në çeta, përbënin dhe një bashkim vëllazëror. Ata rreshtoheshin në çetë të veshur me rroba shajaku, vinin shami të zezë lidhur mbi feste si simbol i kryengritësit të Labërisë, xhamadan të qëndisur, tirq dhe sherqe e dyfek në sup.

Sulmi, beteja për labin ishte akti më shpërthyes, vendimtar, ku nuk peshohej jeta, aty përmes flakës e tymit përleshej trup me trup, nuk frikësohej kur rreth tij luftëtarët binin, rrëzoheshin të vrarë e të plagosur nga breshëritë e plumbave dhe përmes kufomave, në fushën e zjarrtë, ai hidhej në sulm për fitor, për jetë a vdekje. Tipologjia epike e këtij akti trimëror është Selam Musa Salaria. Jo vetëm për Labërinë, yje në gjerdanin e lavdisë janë Dule Dalani, Sali Vranishti, Zigur Lelo, Kanan Maze, Selman Hyseni, Hodo Zeqiri, Muhamet Maze Merko, Rrapo Çelo Beqiraj, Azem Sulo, Sino Micoli, Metush Gjika etj.

Labi nëpër beteja ruante dhe parimet e humanizmit në luftë. Ruante një traditë me vlera, që ishte normë e së drejtës dokesore.  Labi nuk luftonte kundër grave, fëmijve dhe të mundurve, robërve të luftës, që ishin të përqëndruar në thellësi të fshatrave të Labërsisë së Vlorës. Sado të ashpër të tregoheshin gjatë luftimit, fitimtarët e Gjormit, Kotës, Llogorasë, të Drashovicës e Tepelenës nuk hakmerreshin mbi të mundurit. Robërit e luftës nuk u nënshtroheshin ndëshkimeve e gjymtimeve trupore. Çmohej trimëria e fisnikëria, qoftë edhe e kundërstarit. Morali i krahinës së Labërisë, sikurse i gjithë popullit shqiptar dënonte ashpër paburrërinë dhe tradhëtinë. “Tradhëtar” ishte sharja më e rëndë, ndërsa burrëria labe nuk e pranonte thyerjen edhe për të mundurit.

Në marrëdhënie me të huajt, labi ka manifestuar trimëri e kulturë dhe në paqe ka qenë miqësor. Në konfilkte është shquar për dituri dhe iniciativë.

Në luftën e Vlorës u zunë rreth 1500 robër ushtarë e oficerë italianë, që ruheshin në fshatin Shkozë. Disa oficerë shanin e ofendonin çdo ditë rojet shqiptare, duke  quajtur “brekëgrisur”, “Këmbëzbathur”, e ca më keq i shanin dhe nga nëna!

Kishte roje që ishin gati t’i vrisnin, sepse të huajt shanin dhe flamurin, po urdhëri ishte “Asnjë incident me robërit, sepse labi nuk e ka zakon të luftojë me të mundurit”[9] Italainët i provokonin rojet shqiptarë duke hedhur rroba e këpucë, orë dore dhe lekë, po asnjëri nuk i merrte a vullnetarët roje, për të mos ulur prestigjin e luftëtarit.

Dhe kështu, më 3 shtator 1920, të pritur me gëzim të papërshkrueshëm nga mijëra qytetarë e fshatarë, luftëtarët patriotë me flamurin kombëtar në krye, hynë në Vlorën e çliruar dhe të bashkuar me atdheun e pavarur. Ndërsa poeti nacional i Italisë G. D’Anuncio (G. D’Annunzio) shkruante: “Është turp për Italinë që një tufë barinjsh të Labërisë hodhi ushtrinë italiane në det”[10], duke e cilësuar tërheqjen nga Vlora si “plagë e ligë”[11], ndërkohë për çlirimtarët shqiptarë dhe për mbarë kombin tonë ishte kurorë lavdie, nderi e dinjiteti.

Autori i këtij shkrimi është edhe autor i monografisë shkencore: Lufta Kombëtare e Vlorës: Historia në Epikën Historike.


[1] ) AGOLLI, Dritëro: “Nënë Shqipëri” poemë, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1976, f. 63.

[2] ) ËOODALL, Robert Larry: “Problemi shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, 1919-1920”, Tiranë, AIIS, 2017, f. 15.

[3] ) WOODALL, Robert Larry: Vep. e cit. f. 195.

[4] ) WOODALL, Robert Larry: Po aty, f. 202.

[5]) ÇAMI, Muin: “Lufta e Vlorës-luftë e lavdishme popullore”, shih: “Studime historike”, Tiranë, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Historisë, viti XXXIV (XVII), Nr.4/ 1980, f. 121.

[6]) XHELO, Halim, “Vlora më 1920 [Përgatitjet e Luftës së Vlorës dhe goditjet kundër pushtuesve italianë.]”, gaz. “Politika”, Vlorë, 3 shtator 1924,  nr. 25, f. 1, 3.

[7] ) HABAZAJ, Gani, Iljaz: “Lufta e Vlorës në kujtimete e mia”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1995, f. 48-51.

[8] ) XHELO, Halim, “Vlora më 1920…”, vep e cit., f. 97.

[9] ) HYSENAJ, Bardho: “Histori e Labërisë”, Tiranë, Redona, 2011, f.  516.

[10] ) HYSENAJ, Bardho: Vep. e cit., f. 492.

[11] ) “L’idea Nazionale”, Roma, 10 gusht 1920

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura