Në Gjenevë, mes heshtjeje dhe lotësh, iu dha lamtumira e fundit të riut Astrit Abdullahi
Në varrezat Saint Georges të Gjenevës, familjarë, shokë dhe miq i dhanë lamtumirën, mes lotësh dhe dhembjeje të papërshkrueshme, të riut Astrit Abdullahi.
Prindërit e tij Enveri dhe Zahidja të përndjekur nga pushteti i atëhershëm i Jugosllavisë, komuniste u detyruan të migrojnë në Gjenevë të Zvicrës, në fillim të viteve 1980.

Ata krahas përpjekjeve për t’u integruar sa më shpejt në shoqërinë zvicerane punuan pandërprerë për çlirimin dhe mëvetësinë e Kosovës nga zgjedha serbe.
Si Enveri ashtu edhe Zahidja ishin cilësuar nga regjimi komunist i asaj kohe si armiq të përbetuar të Jugosllavisë . Deri në çlirimin definitiv të Kosovës, ata ishin të privuar nga e drejta për ta vizituar Atdheun e tyre.
Nga ky dënim absurd dhe çnjerëzor u goditën edhe dy fëmijët e tyre të lindur në Gjenevë, Albani dhe Astriti.
Enveri dhe Zahidja, jo vetëm në Gjenevë por kudo në vendet e Perëndimit, njihen si çift që mori pjesë në të gjitha demonstratat dhe manifestimet në mbështetje të çështjes shqiptare.
Madje, Zahidja u doli në ndihmë të gjithë mërgimtarëve tanë që ende nuk kishin arritur nivelin e nevojshëm të komunikimit në gjuhën frënge.
Në arkivat e shoqatave dhe klubeve shqiptare në Gjenevë dhe qytete të tjera të Zvicrës, kudo figuron emri i tyre, i lidhur me kontributet e dhëna jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha trojet shqiptare nën pushtimin serbo-sllav.
Dashurinë për vendlindjen dhe të afërmit e tyre e kultivuan edhe tek të dy djemtë e tyre Albani dhe Astriti.
Të gjithë të pranishmit në ceremoninë e varrimit, përveç shtrëngimit të duarve në shenjë ngushëllimi, nuk mundën të nxirrnin nga gojët e tyre asnjë fjalë, ngaqë lotët dhe dhembja i kishin pllakosur thellë.
Astritit, të gjithë i kemi borxh lutjet që shpirti i tij të prehet në paqe, sepse padrejtësisht regjimi gjakatar i Serbisë ia mohoi atij dhe të vëllait, Albanit, të drejtën për t’i shijuar bukurit e vendlindjes, vetëm pse prindërit e tyre, Enveri dhe Zahidja, luftuan me ngulm për shkëputjen e Kosovës nga Serbia.
ARIF EJUPI