LAVDIM HAMIDI&ENIS VELIU: GOODBYE KOSOVA! (FOTO+VIDEO)

Pashtriku.org, 11. 07. 2014 – Një vit më parë, më 08. 07. 2014 gazetarët e të përditshmes “Zëri” Lavdim Hamidi dhe Enis Veliu kanë publikuar një hulumtim me titull “Goodbye Kosova!”, që ka të bëj me largimin shqiptarëve nga Kosova për shkak të varfërisë dhe papunësisë së madhe. Kryepersonazh i këtij hulumtimi është një grua nga fshati Krelan i Gjakovës e cila së bashku me 3 fëmijët e saj të vegjël, vetëm 2 javë pas varrosjes së burrit që kishte vdekur nga pickimi i rriqnave, me një autobus përplot gra e fëmijë ia mësynë Europës përmes rrugëve ilegale nëpër Serbi, Hungari…. Edhe pas një viti gjendja nuk ka ndryshuar për të mirë, dhe mijëra shqiptarë vazhdojnë t’i braktisin shtëpitë e tyre në kërkim të një jete më të dinjitetshme. Për 5 vite nga Republika e Kosovës mbi 70 mijë kosovare kërkuan azil në shtete të ndryshme të BE-së!!

Në vijim lexoni të plotë këtë hulumtim:

– GOODBYE KOSOVA! –

(Lavdim Hamidi & Enis Veliu – Publikuar: 08.07.2013 – 07:21)

E shtunë. Është ora 10:00 e mbrëmjes, ndërsa Stacioni i Autobusëve në Prishtinë është stërmbushur me udhëtarë, sikur të ishte mesi i ditës.
Dy autobusë të kompanisë “Erhan”, e cila mban linjën e rregullt Prizren-Prishtinë-Beograd, nuk kishte vend për të gjithë ata udhëtarë që ia kishin mësyrë të shkojnë drejt kryeqytetit serb, të cilët kishin ndarë mendjen, që të dalin ilegalisht në Evropë.
Së pari u bëhej vendi grave më fëmijë dhe të moshuarve, ndërsa shumë të rinj rreth të tridhjetave qëndronin në këmbë.
Një autobusi tjetër, që e kishte të njëjtin destinacion, i kishin mbetur edhe pak vende të lira për pasagjerë dhe posa arrin një grua me tre fëmijë, shoferi i mbyll dyert e autobusit dhe u thotë se nuk ka më vende të lira.
Fatmire D., 38 vjeç, kishte marrë me vete 3 fëmijë, më të voglin 1 dhe më të madhin 7 vjeç, ndërsa vetë tregon se është në muajin e tetë të shtatzënisë.
Fiks dy javë më parë, nga dita që po niset me 3 fëmijë për të shkuar ilegalisht te vëllezërit në Gjermani, ajo e kishte varrosur bashkëshortin, Isa Hereqin, nga fshati Krelan i Gjakovës, i cili vdiq në Klinikën Infektive në Prishtinë, si pasojë e pickimit nga rriqrat.
Bashkëshorti (Isa) kishte qenë burri i vetëm në familje, ndërsa vëllai i bashkëshortit nuk jeton në Kosovë dhe jetesa e Fatmirës në shtëpi u bë e pamundur, pa askënd që i siguron të ardhura për të mbajtur fëmijët e saj.
Burri më vdiq nga rriqrat, e mbylla shtëpinë
E detyruara duke mos pasur nga të ia mbajë, pa punë dhe asnjë të afërm që iu siguron bukën e gojës, vëllezërit e saj kishin vendosur që ta marrin me gjithë fëmijë në Gjermani dhe më pas ta dërgojnë në një shtet të Evropës, ku do të mund t’ia paraqitnin kërkesën për azil.
“Sonte e mbyllëm shtëpinë, e cila po na mbushej me fëmijë. Para dy javëve e kam varrosur burrin, i cili vdiq nga pickimi i rriqrave dhe u bë i pamundur qëndrimi në shtëpi. Ne nuk kemi të ardhura financiare dhe nuk kam si t’i rris fëmijët”, thotë ajo, duke shtuar se nuk mund të qëndrojë edhe më tutje në një shtet ku ende qytetarët vdesin nga rriqrat, ndërsa qeveritarët sillen me vetura luksoze.

“Kur burri im vdiq si pasojë e një pakujdesi institucional, nuk dëshiroj që unë me fëmijë ta kemi një fat të tillë, pasi që jetojmë në një vendbanim ku rriqrat po marrin jetët e qytetarëve”, shprehet ajo, derisa për dritare i shikon disa familjarë që kishin dalë për ta përcjellë në stacion.
Fatmirja nuk ishte e vetmja grua me fëmijë të vegjël në këta autobusë, e cila ia kishte mësyrë të ikë ilegalisht në Evropë.
Edhe disa familjarë të tjerë me fëmijë kishin marrë të njëjtën rrugë, shumica prej tyre ankoheshin për gjendjen e rëndë sociale në Kosovë.
Shoferi i autobusit tregon se shumica e pasagjerëve udhëtojnë me të deri në Beograd, për të cilin udhëtim paguajnë nga 15 euro dhe më pas vazhdojnë deri në Suboticë, në kufi me Hungarinë.
Prej Beogradit deri në Suboticë transportuesit serbë të autobusëve ua marrin edhe nga 15 euro dhe më pas e kalojnë ilegalisht kufirin Serbi-Hungari.
Çdo ditë 5 autobusë për në Beograd!
Një punonjës i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, i cili nuk preferon të flasë me emër, thotë se çdo ditë nga Prishtina për në Beograd nga 5 autobusë nisen.
Një autobus niset gjatë ditës, ndërsa katër të tjerë në mbrëmje. Ai sqaron se numri i pasagjerëve për në Beograd është rritur dukshëm sidomos gjatë dy muajve të fundit. “Çdo natë mesatarisht ka 200 veta nisen vetëm prej stacionit të autobusëve të Prishtinës për në Beograd”, tregon ai, duke shtuar se shumica e pasagjerëve janë të rinj dhe familjarë me fëmijë.
“Para dy muajve kanë qenë vetëm katër autobusë për në Beograd dhe as gjysma nuk mbusheshin me pasagjerë. Ndërsa tashmë janë 5 dhe të gjithë janë të mbushur”.
Punonjësi i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë bën të ditur se ka dëgjuar nga disa pasagjerë se autoritetet policore serbe në kufi me Hungarinë nuk po i kthejnë mbrapsht, por madje po ua tregojnë rrugën se si të dalin në shtetin kufitar, pasi që po ua marrin nga një shumë të vogël të të hollave, përkatësisht nga 50-100 euro për të rritur.
Jozyrtarisht mësohet se mbi 4000 kosovarë janë paraqitur vetëm gjatë dy muajve të fundit në Qendrat e Azilit në Hungari, Francë dhe në vendet tjera.
Por, ka edhe shumë të tjerë që po qëndrojnë ilegalisht te familjarët e tyre në vendet e ndryshme të Evropës.
Gazeta “Zëri” për këtë çështje ka provuar të marrë përgjigje nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, por këta të fundit kanë thënë se për këtë çështje kompetente është Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.
Ministrja Vlora Çitaku dhe zëvendësi i saj, Gëzim Kasapolli, gjatë gjithë ditës së diel e kanë mbajtur telefoninë të mbyllur dhe kontakti me ta ka qenë i pamundur.
Emigrimi në rritje
Shkodran Manaj, ushtrues i detyrës së Drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), thotë për “Zërin” se Ministra ka informacione se emigrimi është duke u rritur dita-ditës.
Ai thotë se qytetarët e Kosovës përmes Serbisë po kalojnë në Hungari, ku më pastaj prej atje po deportohen nëpër shtete të ndryshme të Evropës.
Manaj thotë se për këtë problem kohët e fundit kanë pasur disa takime me Ambasadën Hungareze në Kosovë.
“Ne për këtë çështje me Ambasadën Hungareze kemi pasur dhe kemi takime të vazhdueshme. Ambasada na ka ofruar të dhëna se numri i atyre që zihen duke kaluar ilegalisht kufirin është në rritje thuajse çdo ditë”, tha ai.
Manaj thotë se MPB-ja ka kërkuar nga Ambasada Hungareze, por edhe ambasadat tjera që qytetarët që tentojnë të kalojnë ilegalisht nga ky shtet nëpër shtete tjera t’i kthejnë menjëherë në vendin tonë.
Mirëpo, edhe për ta bërë një gjë të tillë Manaj thotë se Hungaria përballet me probleme serioze. “Qytetarët e Kosovës përmes rrugëve ilegale depërtojnë në Hungari. Me herët kur ata janë zënë në këtë shtet përmes rrugëve ajrore janë sjellë në Kosovë. Por, tash në mungesë të një linjë ajrore, kthimi në Kosovës është bërë dukshëm më i vështirë, pasi që Serbia nuk lejon që qytetarët e Kosovës të kalojnë transit nga ky shtet për të ardhur në Kosovë”, tha ai.
Sipas ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, migrimi ilegal i sjell probleme Kosovës edhe gjatë negociatave për liberalizim të vizave.
Po e rrezikojmë liberalizimin e vizave
Elton Tota, Profesor i Drejtës Evropiane, thotë se një fluks i tillë masiv i emigrimit të popullsisë me qëllim të fitimit të azilit në vendet e BE-së është tregues i shkallës së varfërisë dhe papunësisë në Kosovë.
Po ashtu, sipas tij, një fluks i tillë do ta dëmtojë tej mase dhe do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në procesin e liberalizimit të vizave.
“Këtu duhet të kemi parasysh se si rezultat i një fluksi të tillë masiv të azilkërkuesve nga Maqedonia dhe Serbia, Parlamenti Evropian para pak kohësh iu dha këtyre vendeve një sinjal të qartë duke votuar pro mundësisë që BE-ja për një periudhë të caktuar të mundë edhe të rikthejë në fuqi regjimin e vizave. Kjo do të thotë se mjafton të iniciohet një procedurë e tillë nga Komisioni dhe patjetër që një votim në Këshill mendoj që do ishte formalitet”, tha ai.
Sipas tij, në rastin e Kosovës duke parë situatën aktuale akoma pa u liberalizuar vizat, BE-ja tashmë ka marrë përgjigjen e asaj se çfarë mund të ndodhë po të bëhej liberalizimi, kështu që do ta vlerësojë me shumë seriozitet një proces të tillë, duke ia vështirësuar edhe më shumë punën e Qeverisë së Kosovës në këtë drejtim.
Muhamet Mustafa, deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se situata në Kosovë po përsëritet si ajo që ishte në vitet e ’90, kur qytetarët e Kosovës të vetmen shpresë për të krijuar ekzistencë për veti dhe familjet e tyre e kishin Evropën.
Sipas tij, deri më tash Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asgjë për hapje të vendeve të reja të punës e që do ta ndalonin migrimin ilegal.
“Këto zgjidhje që tash po i bëjnë qytetarët e vendit tonë janë shumë të rënda dhe me shumë pasoja, dhe kjo është për brengosje. Deri më tash Qeveria jonë nuk ka treguar asnjë angazhim institucional për t’u marrë më këtë problem, për t’i evituar këto situata që janë më shumë pasoja të rënda për ta dhe për shtetin e Kosovës”, tha Mustafa për “Zërin”.
Mustafa pohon se situata edhe më tutje do të mbetet e njëjtë nëse Qeveria nuk krijon ndonjë perspektivë për hapje të vendeve të reja pune. Sipas tij, pjesa dërmuese e qytetarëve që tentojnë të migrojnë ilegalisht janë në gjendje të mjerueshme financiare, ndërkaq një numër shumë i vogël i tyre, sipas tij, mund të jenë aventurierë.
Profesor Mustafa thotë se migrimi ilegal Kosovës i sjell edhe një goditje të rëndë në aspektin e liberalizimit të vizave.
Evropë pritna!
Përfaqësuesit e partive opozitare thonë se ikjen e qytetarëve e vlerësojnë si pasojë të krizës së rëndë financiare.
Dardan Sejdiu, nga Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se Kosovën e ka kapluar papunësia dhe krimi i organizuar dhe, sipas tij, pjesa dërrmuese e qytetarëve si shpresë e shohin e Evropën.
Sejdiu thotë se gjendja socio-ekonomike në vend është tepër e rëndë, pasi që, sipas tij, individët brenda Qeverisë po krijojnë të hyra vetëm për vete, ndërkaq pjesa më e madhe e qytetarëve kosovarë kanë probleme për sigurimin e ushqimit për veti dhe për familjet e tyre.
“Gjendja sidomos tre muajit e fundit është shumë alarmante. Qytetarëve u ka humbur shpresa për këtë vend, dhe ata po kërkojnë shpresë në ndonjë nga shtetet e BE-së, apo edhe më larg. Kampet me qytetarë të Kosovës në Hungari janë bërë më zi se ato që kanë qenë gjatë luftës në Maqedoni”, tha Sejdiu. Sipas tij, Qeveria aktuale nuk ka vizion dhe nuk ofron asgjë për qytetarët e saj.
Ramadani: Qeveria ka thelluar krizën
Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thotë se migrimi ilegal i qytetarëve të Kosovës reflekton dy dështime të kësaj Qeverie.
Sipas tij, së pari, kjo Qeveri ka thelluar krizën në Kosovë, duke rritur varfërinë dhe duke i hequr mundësitë për jetë më të mirë. Dhe, së dyti, nuk ka bërë hapat e nevojshëm për të plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave, duke degraduar edhe veprimet e mëhershme.
“Migrimi ilegal dëmton mundësinë për liberalizimin e vizave, por për të ndalur këtë migrim ilegal duhet të ketë qeverisje të mirë sidomos në sundimin e ligjit dhe zhvillim ekonomik”, tha ai.

…………………………………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura