Tetovë, 10. 11. 2015: E dashur Inva Mula – Nuk ka si mos gëzohet një qytet që vizitohet nga zëri yt magjik, nga interpretimi spektakular, nga madhështia e një artisteje me të cilën krenohet kombi shqiptar. Paralajmërimi i Komunës së Tetovës që programi “Tetova feston Nëntorin” do përmbyllet me 30 Nëntor 2015 me një koncert tuajin do duhej të ishte lajmi më i mirë për një qytet si Tetova, por një Tetovë që për momentin qëndron në majat më të larta për sa i përket ndotjes së ajrit s’ka shumë hapësirë për gëzim nga raste si ky, sepse mushkëritë i kemi të mbushura plotë helm, zemrat plot mllef nga helmimi që po na bëhet, sytë i kemi të mbushur me lotë tek po shohim vuajtjet e fëmijëve tanë që s’marrin dot frymë dhe mbi të gjitha, veshët i kemi të zënë duke dëgjuar patriotizmat e atyre që dje na premtuan qytet më të pastër në vend, dhe sot jemi qytet më i ndotur në botë.
E dashur Inva,
në emër të nënave tona që vuajnë tek shohin dhimbjen e fëmijëve, në emër të fëmijëve tanë që çdo ditë më shumë ju përkeqësohet shëndeti nga ajri i ndotur, në emër të grave e motrave tona që s’ia dalin dot të bëhen nënë si pasojë e aborteve gjithnjë në rritje që shkaktohen nga ndotja e ajrit, në emër të atyre 7500 çifteve sterile të këtij qyteti që ka marrë rrugën e vdekjes, në emër të gjithë atyre që s’do kenë mundësinë t’ju ndjekin sepse janë shtrirë reparteve të onkologjisë – ju lutemi që TË BOJKOTONI KËTË ORGANIZIM që ka për qëllim të lajë e të mbulojë dështimet e autoriteteve përmes emrave të mëdhenj të artit tonë.
Sado që dëshira për të të dëgjuar zërin në Tetovë është shumë e madhe, akoma më e madhe është brenga që shëndeti i juaj mund të jetë në rrezik në këtë qytet të helmuar, zëri juaj që është pasuri kombëtare e jona rrezikon të dëmtohet, por edhe është irrituese të mendohet se të zgjedhurit tanë po përdorin artistë të kalibrit tuaj për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga problemet shumë të mëdha të Tetovës, që kërkojnë angazhim serioz dhe konkret, tek një kulturë që s’meritojmë ta kultivojmë. Jo në këto kushte.
Me shpresë që do kemi sukses të shpëtojmë të gjallë nga kjo situatë dhe t’ju presim në qytetin tonë, si na ka hije – jo me maska në fytyrë, shpresojmë që TË BOJKOTONI KËTË ORGANIZIM DHE TË ANULONI KONCERTIN TUAJ NË TETOVË.
Me shumë respekt,
Lëvizja “Nëna dhe Fëmija” & Lëvizja Qytetare “Eco Guerilla”
Tetovë, 10 Nëntor 2015,
Kontakti: [email protected]