LIBRI “ARTI I TË DASHURUARIT” I PSIKOLOGUT ERICH FROMM

Isuf Bytyçi, Mynih 04. 10. 2022

 LIBRI “ARTI I TË DASHURUARIT” I PSIKOLOGUT ERICH FROMM

„Ai që s’di asgjë, nuk dashuron asgjë.

Ai që s’mund të bëjë asgjë, nuk kupton asgjë.

Ai që s’kupton asgjë, është i pavlefshëm.

Por ai që kupton, ai edhe dashuron, edhe vrojton, edhe shikon…

Sa më shumë njohje të jetë grumbulluar për një gjë, aq më e madhe është dashuria…

Kushdo që imagjinon se të gjitha frutat piqen në të njëjtën kohë me luleshtrydhet, nuk di asgjë për vreshtat.“ Paracelsus (1541)

I. A ËSHTË DASHURIA NJË ART?

Erich Fromm [Erih From] i takon rrethit të ngushtë të autorëve më të shquar që merren me psikogjinë e njeriut, të menduarit, sjelljet dhe dashurinë. Me një fjalë, Fromi analizon dhe i trajton hap pas hapi pothuajse të gjitha virtytet dhe veset e njeriut, në aspektin tradicional dhe atë modern.

Libri i tij „Arti i të dashuruarit“, bestseller qysh kur është botuar për herë të parë në New York në vitin 1956, është vlerësuar të jetë shkruar me pasion dhe kompetencë nga psikologu From, i bazuar në analizë të thellë dashurisë njerëzore. Që në fillim të librit bëhet pyetja nëse dashuria është art apo ndjenjë?

II. TEORIA E DASHURISË

Deri sa Frojdi shkruan se dashuria është ndjenjë, Fromi shkruan dhe shpjegon se dashuria është art që kërkon njohuri dhe përpjekje për ta zotëruar dhe, se ajo është e dedikuar që të jetë pjesë e jetës njerëzore! Kurse dashuria si ndjenjë, është e pasukseshme dhe afatshkurtër.

Sipas Fromit kemi:

Dashuri Vëllazërore,

Dashuri Amnore,

Dashuri Erotike,

Dashuri ndaj Vetës,

Dashuri ndaj Zotit.

Kur shkruan autori rreth artit të të dashuruarit, përmend teorinë dhe praktikën e dashurisë. Dashuria është art, që do përvojë teorike dhe praktike, shkruan ai! Arti i të dashuruarit, nuk mësohet aq leht, por do angazhim dhe kulturë! Secili art që mësohet, do disiplinë, durim dhe përqëndrim, sipas Fromit! Përndryshe, do të dështojmë. Problemi i dashurisë është, se ajo nuk është gjë e thjeshtë, por një qëllim që duhet të dijmë se në ç’mënyrë të dashurojmë! Shumë njerëz mendojnë se si të na duan tjerët, duke harruar se qendra e dashurisë, ne jemi dhe se ne duhet të japim në radhë të parë dashuri pa kushte e, pastaj të presim që të marrim dashuri dhe të na duan, tjerët! Pra, dashuria është një marrëdhënie, që në të njëjtën kohë, japim edhe marrim.

Erich From: “S’ka deklaratë më krenare, të cilën mund ta bëjë njeriu, se sa kur thotë: Gjithmonë do të veproj, në harmoni me ndërgjegjën time.“

III. DASHURIA DHE SHPËRBËRJA E SAJ NË SHOQËRINË BASHKËKOHORE EUROPIANE

Të flasësh për dashurinë në shoqërinë e sotme, duhet të analizojmë për zhvillimin dhe pjekurinë e shoqërisë, shkruan Fromi. Dashuria është një dhunti e karaktereve të formuar dhe të zhvilluar, kurse aftësia për të dashuruar varet nga karaktere të mesme njerëzore. Të flasësh në lidhje me dashurinë në ditët e sotme, duhet të dimë mirë për ngritjen e shkallës shoqërore të vendeve perëndimore në lidhje me dashurinë Vëllazërore, Amnore dhe atë Erotike, shkruan Fromi! Rol kyç luan liria politike, e cila krijon kushte për raporte tregtare të mallrave dhe forcën punuese. Fromi, si psikolog me ide socialiste, kuptohet se i sheh me një sy kritik zhvillimet në Europën perëndimore, me sistem kapitalist; „Qindramijë aksionerë zotërojnë ndërmarrjen: një burokraci drejtuese që paguhet mirë, por që nuk e ka pronë ndërmarrjen, e drejton atë.“ (Fq. 93)

Në shoqërinë tonë moderne, sipas Fromit, njerëzit ndikohen nga zhillimet politike dhe se me çdo kusht përpiqen të integrohen në shoqëri dhe duan që të jenë apo të duken të ngjashëm apo të njëjtë me shumicën në të menduar, ndjenja dhe sjellje! Ata kanë frikë të jenë ndryshe, prandaj ndikohen leht dhe janë të prirë për t’u komanduar e udhëhequr nga tjerët! Këta, janë turma dhe për këtë arsye, autori nuk nguron t‘i quaj; „Robë të kohës“.

“Njeriu modern… i mirushqyer, i veshur shik, i kënaqur seksualisht, por pa identitet, pa ndo një mik, përveç kontaktit më sipërfaqësor me njerëzit …“ (Fq. 95)

Që do të thotë se ne jemi mendues që presim përherë, shpresojmë dhe në fund ngelemi të zhgënjyer! Prandaj, gjithë këta faktorë dhe këto kushte ndikojnë, që shumëherë të ketë martesa, të cilat bëhen sa për ta futur kokën ndër kulm dhe për interesa të ngushta apo sa për ndjenja, që si pasojë vjen deri te dështimi i tyre! Ai burrë e ajo grua që janë martuar dhe jetojnë të bashkuar për interesa të ngushta, mbeten të huaj për gjithë jetën dhe në vazhdimësi janë të pakënaqur, të zemëruar dhe asnjëherë nuk arrijnë te një marrëdhënie e sinqertë dhe e mirëfilltë! Në vazhdimësi ka pakënaqësi e konflikte që në të shumtën e rasteve ndahen ose qëndrojnë të bashkuar për hir të fëmijëve apo tjera shkaqe, deri në vdekje! Aty s’ka respekt, tolerancë e dashuri! Me një fjalë, s’ka dashuri pa harmoni.

Dashuria Vëllazërore

Dashuria Vëllazërore është pa kushte. „Ky është lloji i dashurisë për të cilën BIBLA bën fjalë kur thotë: duaje të afërmin tënd si vetën.“ (Fq. 58)

Kjo do të thotë sipas autorit, që ta duam dhe ta ndihmojmë vëllaun, por jo vetëm vëllaun! Ne duhet t’i duam të gjithë të afërmit dhe t’i ndihmojmë! Por, jo vetëm vëllezërit e të afërmit! Të gjithë njerëzit që i kemi përreth, duhet t’i ndihmojmë, pa përjashtim, brenda mundësive që i kemi dhe t’u japim kurajo e dashuri, sepse nuk janë përherë të njëjtit në vështirësi e kriza dhe të paaftë për t‘i përballuar, ato.

Dashuria amnore

Dashuria Amnore është ndryshe nga këto tjerat. Madje, kjo dallon edhe nga dashuria e babait! Nëna, që nga mbajtja në bark e deri në pavarësimin e tij të plotë, e do pa kushte fëmijën, pa marrë parasysh se a është i bukur apo i shëmtuar, i shëndoshë apo i sëmurë, i shkathtë apo i ngathtë! Kurse, babai, shumë herë është i dashur për fëmijën, vetëm kur ai ka anë pozitive dhe është i aftë e i shkathtë, ndërsa kur ka anë negative e ngecje ai nuk e do, e kritikon dhe e dënon! Pra, dashuria e nënës është aq ndikuese dhe ankthi i saj, shumëherë ndikon te fëmija dhe e përcjell deri në vdekje, atë.

“Dashuria amnore bëhet një detyrë e vështirë, që kërkon mirësi, aftësi për të dhënë gjithçka dhe për të mos kërkuar asgjë, përveç lumturisë së fëmijës së shtrenjtë.” (Fq. 62)

Dashuria Erotike

Dashuria Erotike, ndryshon nga ajo vëllazërore dhe amnore! Derisa, Dashuria Vëllazërore është dashuri në mes të barabartëve; dashuri për vëllezër, fëmijë, të afërt dhe miq, ajo Amnore është dashuri për të pafuqishmin, për fëmijën, i cili nuk mund të mbijetojë dhe nuk mund të rritet pa praninë dhe ndihmën e nënës. Ndërsa, Dashuria Erotike është krejtë tjetër lloj dashurie! Kjo është dashuri univesale, shkrirje e dy partnerëve në një! Ajo është marrëdhënie, apo më mirë të themi ashtu si e mendon Fromi; dhënie-marrie! Që do të thotë se sikur burri ashtu edhe gruaja, sëpari japin dashuri dhe ndjenja dashurie e, pastaj i marrin, ato.

Hapi i parë i dashurisë erotike është kontakti, simpatia! Dy persona të panjohur shkrihen në njësh dhe kalojnë në intimitet, gjë që hiqen të gjitha barrierat në mes tyre! Kalimi në intimitet i dy personave, bëhet nëpërmjet të kontaktit seksual. Pra, kur është dashuri e sinqertë, pa paragjykime e pa interesa të ngushta, ajo shpëton pa kaluar në perversitet e banalitet! Ata persona që kanë dashuri të sinqertë, edhe kur kanë pengesa, i kalojnë barrierat dhe vështirësitë me kujdes, pa zemërim e urrejtje. Ndërsa, ata persona që kanë dashuri vetëm në shtrat, apo në bazë të interesave të ngushta, doemos që janë të destinuar të kalojnë në zemërim e urretjtje me njëri-tjetrin! Kjo lidhje dashurie është një iluzion dhe, në atë dashuri ku prioritare është dëshira seksuale apo interesi material e pozita, aty mund të udhëheqin emocionet dhe shumë shpejt mund të vijë deri te konflikti dhe, prishja e marrëdhënieve është e pashmangshme, te këta persona.

Dashuria Erotike është një hap para martesës, që ne kemi dy lloje të mëdha martesash; ato tradicionale dhe moderne! Derisa në dashuri dhe martesa tradicionale ka shkuesi dhe ndërmjetësim, ato moderne europiane bëhen krejtësisht në mënyrë spontane dhe emocionale.

Dashuria ndaj Vetes

Zakonisht, njerëzit narcisoidë bijnë në dashuri me vetën e tyre dhe janë tepër egoistë, injorues, mendjemëdhenjë dhe nënçmues, që si në aspektin religjioz edhe në atë etik, është egoizëm dhe mëkat. „Ideja e shprehur në shkrimet Biblike: Duaje të afërmin tënd si vetën!“ (Fq. 69)

Egoisti është i prirur të kujdeset vetëm për interesat dhe qëllimet e tij dhe, për askë tjetër! Ai s’ka respekt për dinjitetin dhe integritetin e tjerëve.

“Është e vërtetë se egoistët janë të paaftë për t’i dashuruar të tjerët, por ata nuk janë të aftë as për ta dashuruar vetën e tyre.” (Fq. 71)

Ne mendojmë se egoisti e do vetëm vetën e tij! Ai, jo që nuk e do vetëvetën, por e urren vetën e tij, që si pasojë e pakënaqësisë me vetëvetën, vjen urrejtja edhe për të tjerët! Për shkak të sjelljes egoiste të tij vijnë mossukseset, dështimet dhe pakënaqësitë për jetën dhe rrethin ku jeton, ai! Të gjitha këto pasoja lidhen ngushtë; me shtypjen, depresionin, neurozën, lodhjen, urrejtjen, paaftësinë për punë e tj! Kurse, përvoja më e mirë është që t’u japim fëmijëve; dashurinë, gëzimin dhe lumturinë.

Dashuria për Zotin

Një pjesë e madhe e njerëzimit në rruzullin tokësor e gjejnë mbështetjën në Dashurinë për Zotin. Dashuria për Zotin është ikje nga ndarja, drejt bashkimit, sipas Fromit! Dashuria për babain, është pothuajse e njëjtë me atë për Zotin, sepse derisa e ka fëmija babain, gjen siguri dhe mbështetje tek ai dhe kur nuk e ka atë, kërkon mbrojtje nga Zoti! Sikurse babai, që e lavdëron dhe i dhuron fëmijës për të arritura e rezultate të larta dhe e dënon atë për gabime e mosarritje, poashtu, thuhet se edhe nga Zoti ndodhë e njëjta! Sikurse në besimin monoteist, ashtu edhe në besimin në shumë zota, është i njëjtë përcaktimi dhe dashuria për ta! Pra, simbas predikuesve religjiozë, Zoti është i plotfuqishëm, i drejtë dhe pa gabime! Sipas parimit religjioz, figura e Zotit simbolizon; dashurinë, të vërtetën dhe drejtësinë! Shumë me rëndësi është, që sipas urdhërit të Zotit, „të menduarit drejt“, por edhe „të vepruarit drejt“ dhe se qëllimi i vërtetë fetar nuk është „besim i drejtë“, por „veprim i drejtë“. Se a zbatohet ky parim dhe sa? Këtu është tjetër gjë! Për të ardhur deri tek e vërteta e një mendimi, kjo na çon në dogmë dhe në shkencë, që me ndershmëri intelektuale na çon deri te mendimi shkencor. Të gjitha pikëpamjet për dashurinë ndaj prindërve dhe ndaj Zotit, lidhen ngushtë me fuqinë mbrojtëse të nënës, babait dhe në fund të Zotit, në mënyrë që të ketë mbështetje diku, njeriu: „Zoti provohej si një nënë gjithëmbrojtëse apo baba ndëshkues-shpërblyes.“ (Fq. 91)

PRAKTIKA E DASHURISË

Pas analizës që bën në aspektin teorik autori, në librin, „Arti i të dashuruarit“, shqyrton edhe aspektin praktik të dashurisë.

Pra, sipas Fromit, dashuria është art që nuk e zotëron secili dhe, secili nga ne është në gjendje të dashurojë në mënyrën e tij dhe, se arti i të dashuruarit s’ka rregulla të caktuara, të cilat mund t’i mësojmë dhe t’i zbatojmë! Faktorët janë të shumtë dhe kushtet e ndryshme, që ndikojnë në kualitetin e dashurisë dhe rol me rëndësi të madhe luan edukata familjare, karakteri dhe zhvillimet në shoqëri.

Disiplina

Fromi shkruan se për të qenë një dashnor i suksesshëm, njeriu duhet që sëpari të ketë; Disiplinë, Durim dhe Përqëndrim. Por, unë do ta kisha shtuar edhe Kulturën, që ndoshta do t’ishte mirë që numër një të përmendej kultura, e cila luan rol tejet të rëndësishëm në edukatë, sjellje dhe zhvillim karakteresh.

„Unë kurrë nuk do ta bëj një punë të mirë, nëse nuk e kryej në një mënyrë të disiplinuar.“ (Fq. 115-116)

As edhe një vepër të mirë artistike apo të rëndomtë, nuk mund ta bëjmë pa qenë të disiplinuar! Mirëpo, pa qenë i civilizua dhe i kulturuar individi, vështirë se mund të jetë i disiplinuar! As disiplina nuk mund të sjellë suksese pa durim e përqëndrim.

Vullneti

Edhe vullneti është një nga vetitë, që rol të madh luan në ndërtimin e një vepre të mirë! Nëse s’kemi vullnet e dashuri për ta krijuar një vepër të bukur apo madhështore, natyrisht se nuk do të kemi sukses dhe rezultati do të jetë i ultë! Ndërsa, kur e marrim seriozisht për ta krijuar apo ndërtuar një vepër me vullnet e dashuri, ajo do të shkëlqejë nga suksesi.

Durimi

Nëse nuk e ka durimin autori i një vepre, ajo do të dalë e thjeshtë dhe e pasuksesshme! Prandaj, duhet të ketë durim secili, në mënyrë që të ketë sukses për ta arritur qëllimin e tij krijues e artistik! Të gjitha këto virtyte janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën dhe në harmoni, që të ketë sukses autori i një vepre.

Përqëndrimi

Përqëndrimi është një nga vetitë, apo virtytet e njeriut, sikur që janë edhe disiplina e durimi. Poashtu edhe përqëndrimi është një veti e njerëzve të qytetëruar, që pa te, nuk arrihet të kijohet një vepër e bukur! Por, as përqëndrimi nuk mund të funksionojë me sukses dhe nuk arrin rezultate, pa disiplinë, durim e vullnet.

Përtacia

Përtacia, është ves i individit dhe shoqërisë njerëzore, që mund ta quajmë themel i të gjitha të këqiave! Për t’i arritur qëllimet dhe kërkesat e tyre, sëpari e humbin ndërgjegjen, fillojnë të mashtrojnë e të gënjejnë, që si pasojë i humbin të gjitha për shkak të përtacisë që kanë! Këta tipa njerëzish janë sharlatanë, hipokritë dhe egoistë! Shkaktar kryesor i veseve të këtyre tipeve karakteresh vjen deri te humbja e miqve, e pasurisë dhe më në fund mund të vijë deri te shthurja e familjës!

Prandaj, që të jetë njeriu i vyer dhe jo përtac, duhet që në mëngjes ta bëjë orën me zile dhe të ngrihet në kohë të caktuar, të meditojë, të lexojë, të dëgjojë muzikë, të shetisë, të kënaqet por jo jashtë mase, të shohë filma, të shkojë në kinema, të takohet me njerëz e të bëjë humor, të mos e teprojë me aktivitete të lira dhe të mos hajë e të mos pijë tepër, e tjera rregulla, të cilat i dimë e i praktikojmë në jetën e përditshme! Hap i parë që të jemi të rëndësishëm e të suksesshëm në shoqëri dhe familje, duhet të mësohemi të qëndrojmë të vetmuar, herë pas here, pa lexuar asgjë! Të meditojmë.

Në takime e komunikim me njerëz të ndryshëm duhet të jemi të kujdesshëm, sepse ata kur flasin, sidomos:

“…për çështjet e politikës ose të fesë dhe megjithatë të jetë bisedë banale; kjo ndodh kur dy persona flasin me klishe, kur zemrat e tyre nuk e ndiejnë atë që thonë.“ (Fq. 121)

Sa më shpejt duhet të largohemi nga këta tipa karakteresh banalë, sepse këta janë me vese, helmues, depresivë dhe toksikë, për shkak të komunikimit banal që bëjnë! Sa më shpejt të largohemi nga persona të shqetësuar, të mërzitur, iritues e neurotikë dhe t’u afrohemi njerëzve të lumtur e të hareshëm, që kanë humor dhe që mund të flasim për libra, filma e, pse jo edhe për planete, dete e lule?

“Zotësia për të menduar objektivisht është arsye; qëndrimi emocional prapa arsyes, poshtërimi.“ (Fq. 127)

Besimi, Arsyeja, Guximi dhe Fuqia

Shumë me rëndësi është praktika e besimit, kurajos dhe veprimit, që më së miri përcaktohet parimi i ndershmërisë dhe si rezultat i saj vjen dashuria, pa interesa të ngushta, por dashuri e sinqertë, njerëzore. Askush, në këtë jetë, s’ka fuqi të ketë dashuri, shëndet e sukses, pa besim, arsye dhe guxim. Pra, edhe një herë na bën me dije Fromi se dashuria duhet të jetë prioritare në jetën njerëzore:

“Nëse është e vërtetë të tregoj, që dashuria është përgjigjia më e arsyeshme dhe më e kënaqshme e ekzistencës njerëzore, atëherë çdo shoqëri që përjashton zhvillimin e dashurisë, duhet për një afat të gjatë të vdesë nga kontradikta e saj me nevojat bazë të natyrës njerëzore. …të flasësh për dashurinë, nuk është, predikim‘ …, por nevoja më themelore e qenies njerëzore.“ (Fq. 140)

Pa dashuri njerëzore s’ka shëndet e, pa dashuri edhe shëndet s’ka sukses! Shumëherë njerëzit mendojnë, veprojnë dhe luftojnë që të kenë suksese, duke harruar dashurinë e shëndetin që janë prioritare e vendimtare në jetën tonë, njerëzore.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura