LIDHJET ILIRO – SHQIPTARE ME PELLAZGËT (FOTO+VIDEO)

Pashtriku.org, 21. 05. 2016: Në librin “Shqiptarët – Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme …” të autorit francez, Edwin Zhak argumentohet lidhja që ekziston ndërmjet gjuhës shqipe dhe asaj pellazge. Gjë të cilën, fatkeqësisht, studjuesit shqiptarë, njerëzit e gjuhësisë, me tituj dhe grada, nuk e pranojnë madje ironizojnë kur autorë të tjerë nxjerrin këtë fakt tashmë të studjuar dhe i konkluduar nga shumë burime. Se cili është qëndrimi i gjuhëtarëve shqiptarë, mjafton të shikoje reagimin e zotit Mancaku në emisionin Top-Show, për katragjyshët e shqiptarëve. Ai kundërshtoi zotin Aref Mathieu (Arif Mati), autorin franko-shqiptar që ka bërë një libër për prejardhjen e shqiptarëve, për konkluzionet e tij për lidhjen shqiptaro-pellazge, që autori e ka nxjerrë pas një studimi 30 vjeçar, por që historianët e lashtësisë e kanë thënë me kohë dhe mjafton vullneti dhe dëshira për t’i lexuar dhe interpretuar drejt faktet e thëna për të kuptuar historinë reale. Zoti Mancaku kundërshton faktin se kuptimi i fjalës Athina është i lidhur me shqipen dhe studjues të huaj i japin kuptim at-thëna etj.
Sipas studjuesve shqiptarë janë tabu studimet e deritanishme të bëra për historinë dhe gjuhësinë shqiptare nga studjues të izoluar dhe çdo tezë e hedhur ndryshe bën reaksion. Duket që shqipen e shikojnë të influencuar nga latinishtja dhe që kuptohet greqishtja është më e vjetër dhe gjuha e Homerit është ajo greke. Këtyre studjuesve nuk u ka rënë fare në vesh fakti se vetë emri i Homerit spjegohet nga shqipja, apo që studjues të ndryshëm dhe vetë babai i historisë Herodoti e konsideron Homerin si pellazg që unifikoi gjuhën dhe kulturën pellazge. Se interesimi i tij për pellazgët vjen nga fakti se ai vetë ishte i tillë. Se Homeri i këndon një periudhe kur grekët as që ishin në Ballkan. Por të gjitha këto janë të huaja për studiuesit shqiptarë. Lexoni autorin francez që t’u vijë turp për studiuesit shqiptarë.

“Shqiptarët, historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme” i autorit francez Edwin Jacques (në shqip Edvin Zhak), Sh. B. Kartë e Pendë, Tiranë, 1998. Titulli në origjinal është: Edwin E. Jacques, The Albanians: An Ethnic History from Prehistoric Times to the Present, McFarland & Company, Inc., Publishers, Jefferson, North Carolina, 1995.
PELLAZGËT
Termi i vjetër „Pellazgë“ vazhdon të mbetet më i mistershëm se kurrë, pasi studiuesit e kanë ende të vështirë të gjejnë kuptimin e tij të saktë. Për këtë arsye, shumë gjuhëtarë të njohur preferojnë ta zëvendësojnë atë me termin „parahelen“, kur flasin për gjuhën e popullit që ishte më i hershëm se grekët në Ballkan. Megjithatë, Herodoti dhe Straboni kanë lënë dorëshkrime të shumta rreth pellazgëve. Po kështu edhe Tuqididi, Dionisi i Halikarnasit, Plini Plak, Hesiodi, Homeri, Eskili, Sofokliu, Europidi, Virgjili e shumë të tjerë. Duke qenë se jetuan shumë më afër asaj periudhe të historisë njerëzore, dëshmia e tyre për pellazgët duhet të ketë më shumë peshë. Pellazgët erdhën në Ballkan në kohët parahistorike para ilirëve dhe quhen nga Korkuti „paleoindoevropianë“. Ata ishin pararendës të ilirëve, që më pas u bënë pararendës të shqiptarëve. Sipas shkrimtarëve të hershëm, pellazgët banonin të shpërndarë në rajonin Ballkano-Egjeas, duke përfshirë këtu të gjithë Ballkanin, bregdetin Egje të Azisë së Vogël dhe Kretën. Gjuha e tyre pellazge cilësohej si „barbare“, d.m.th. jogreke. Studimet gjuhësore tregojnë se ky popull la gjurmët e tij në Ballkan nëpërmjet terminologjisë paragreke të emrave të njerëzve, vendeve dhe hyjnive – emra, që nuk kanë asnjë lidhje me greqishten, por që mund të shpjegohen nëpërmjet ilirishtes dhe shqipes.
Lidhjet e shqiptarëve me pellazgët
Studiuesi i rin i kohës sonë, që i përcaktoi shqiptarët e sotëm si pasardhës të pellazgëve, ishte Johan fon Han, i cili i vazhdoi kërkimet e veta historike e gjuhësore gjatë 40 vjetëve që shërbeu si konsull i Austrisë në Janinë. Poeti dhe studiuesi arbëresh në Itali, Jeronim De Rada, mbrojti të njëjtën tezë, duke provuar se toponimet pellazge mund të shpjegohen vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe. Më 1879, një vit pasi Kongresi i Berlinit mohoi legjitimitetin e Shqipërisë, Pashko Vasa e mbështeti këtë argument, duke botuar në Paris dhe në Berlin, në gjuhën ringe e shqipe, veprën e tij të njohur “E vërteta për Shqipërinë dhe Shqiptarët”. Ai vuri në dukje se, kur njerëzit janë të detyruar të shpërngulen, ata i emërtojnë vendet e reja sipas atyre të vjetrave, të cilat u duhej t’i braktisnin. Kështu, emri i lashtë i Maqedonisë ishte Emathia (shqip: e madhja) dhe pellazgët, të detyruar të shpërngulen në drejtim të trevave të sotme shqiptare, e emërtuan krahinën malore Matia ose Mat. Virgjili pohon se heronjtë e mundur të Trojës bënë të njëjtën gjë kur u shpërngulën në Butrint; po kështu edhe arbëreshët kur mbërritën në Italinë e Jugut. Studiuesi J.Thomopullos radhiti një numër emërtimesh të tilla dhe, veç kësaj, tregoi se si fjalët etruske kishin të njëjtën rrënjë me përgjegjëset e tyre në shqip.
Një tjetër studiues modern, Spiro Konda, vuri në dukje shembuj nga Odiseja e Homerit, ku emrat e maleve janë kompozita të përbëra nga një emër shqiptar me prejardhje nga banorët vendas pellazgë dhe nga përgjegjësi i tij në gjuhën e banorëve grekë, që erdhën në vend të tyre. Kështu, mund të përmendim kompozitën Gyropetra, të përbërë nga fjala shqipe gur dhe ajo greke petra, e cila do të thotë gjithashtu „gur’. Po kështu, ndeshet edhe fjala Megallopetras Gyres, një kombinim i „gur i madh“ në greqisht dhe „gur“ në shqip. Veç kësaj, ka shumë variante të fjalës shqipe mal dhe përgjegjëses së saj greke oros, si p.sh., Maleiaon oros. Duke vënë në dukje përhapjen e gjerë të gjuhës dhe të popullit pellazg, ai vërejti një kompozitë të ngjashme edhe në emërtimin e malit Maliegy, afër Budapestit, ku mal është në gjuhën shqipe dhe egy është përgjegjësi i tij në hungarisht. Një tjetër studiues, Xhaxhiu, ka vënë në dukje, gjithashtu, variantet e shumta të fjalës shqipe pyll, të gjetura në ishullin pellazg të Lesbos dhe në Epir. Ai është shprehur si më poshtë: „Fakti që pellazgët, të sulmuar nga farefisi i tyre grek, u detyruan të tërhiqeshin nga ultësirat për në pyje dhe në male, shpjegon përdorimin e gjerë të emrave të vendeve, që kanë rrënjët shqipe pyll, mal dhe gur.“
Studiuesit vënë në dukje se gjuhët e vdekura zakonisht lënë gjurmë nëpërmjet emërtimeve të lumenjve, të maleve dhe të dukurive të tjera të qëndrueshme të natyrës, ashtu siç ka ndodhur me emërtimet e indianëve të Amerikës. Një emërtim i tillë është Larisa, fjala pellazge për „kala“, që përdorej gjerësisht në botën e lashtë për të shënuar një qytet të fortifikuar. Kjo fjalë, që ndeshet ende nëpër harta, vërteton përhapjen e gjerë të popullsisë pellazge. Atlasi i Botës Klasike i Sheperdit paraqet njëmbëdhjetë qytete apo vendbanime me emrin „Larisa“. Një Larisë e tillë ndodhet në Asiri, në bregun e lumit Tiger, dhe shumë të tjera në Azinë e Vogël. Njëra prej tyre, që ndodhet afër Trojës, përmendet nga Homeri si shtëpia e „pellazgëve të ashpër nga fushat e pasura, pjellore të Larisës“. Qytetet e Ballkanit, që mbanin një emër të tillë, ishin: njëri në lumin Peneus, në viset e Argosit pellazg, në Thesalinë Qëndrore; një Larisa Kremaste, në pjesën jugore të Akeia-Ftiotis, dhe një tjetër, që sot quhet Tekos, pranë lumit Larisos, i cili derdhet në Detin Jon, poshtë kepit veriperëndimor të Gjirit të Korintit, në Elia të Akeas. Kjo mund të na ndihmojë të vlerësojmë pohimin e rëndësishëm të albanologut Otto Blau, se mbishkrimet e lashta mbi pllakat e gurit, të zbuluara në Kretë e Lemnos më 1897-99 dhe për një kohë të gjatë të padeshifrueshme, mund të deshifrohen nëpërmjet gjuhës shqipe.
Veç këtyre që thamë më lart, del edhe problemi i gjuhës së mistershme të etruskëve të lashtë në Italinë Qëndrore. Për një kohë të gjatë mendohej se ajo nuk ka patur asnjë lidhje me gjuhë të tjera të njohura. Megjithatë, vitet e fundit, një studiues italian, Filipo Koareli, në shkrimet e tij rreth Qyteteve Etruske të Italisë, deklaroi se gjuha misterioze e etruskëve ishte ngushtësisht „e lidhur me gjuhën parahelene të Lemnosit“. Lemnosi është një ishull pellazg në perëndim të Trojës pellazge. Studiuesja bashkëkohëse me origjinë shqiptare, Nermin Vlora Falaski, është autore e një studimi të dytë rreth qytetërimit evro-mesdhetar, të titulluar Gjuha Etruske, një gjuhë e gjallë. Duke shfrytëzuar veprat e studiuesve të tjerë, që nga lashtësia deri në ditët e sotme, dhe duke analizuar epigrafet e shumta etruske, ajo arriti në përfundimin se etruskët ishin pasardhës të drejtpërdrejtë të pellazgëve, që populluan pjesën më të madhe të trevave mesdhetare. Teksti prej 176 faqesh, në italisht dhe anglisht, është ilustruar me 49 fotografi me ngjyra dhe 53 riprodhime origjinale të mbishkrimeve etruske. Gjithashtu, jepet edhe një transkriptim me shkronja latine i çdo fjale etruske, përgjegjëset e saj në italisht, anglisht e shqip, si edhe një pasqyrë e alfabeteve përkatëse. Teza e saj mjaft bindëse pretendon se këto mbishkrime etruske mund të interpretohen vetëm nëpërmjet idiomës pellazgo-ilire, të ruajtur në gjuhën shqipe. Studiuesit shqiptarë mund të mos jenë shumë objektivë, por fakti është se, pas studimit të epitafeve mbi varret, kolonat dhe qeramikën etruske, të gjetura në Peruxhia e gjetkë në Toskanë, ata mund ta krahasonin këtë gjuhë vetëm me dialektin toskë të shqipes. Edhe vetë emërtimi italian për këtë trevë etruske është Toskana, vendi i Toskëve, emër ky identik me atë të shqiptarëve të jugut. Megjithatë, kjo çështje u takon specialistëve. Sidoqoftë, mund të thuhet se, padyshim, këtu nuk bëhet fjalë për një koincidencë të rastit. Hulumtimi i fjalorit karakteristik të këtij populli parahelen bëri që studiuesi francez Luis Benlov të arrinte të njëjtin përfundim në librin e tij La Grèce avant les Grecs (Greqia para grekëve), të botuar në Paris më 1877. Ai vërejti se „shumë emra vendesh, malesh, lumenjsh e figurash legjendare, të cilat nuk mund të shpjegohen nga etimologjia e fjalëve greke, mund të shpjegohen fare mirë nëpërmjet një gjuhe jogreke. Deri më sot vetëm një gjuhë është e aftë të hedhë dritë mbi këto emra: kjo është gjuha shqipe. Prandaj autori i këtij punimi është i detyruar të mbështesë tezën se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të popullsisë, e cila jetonte para ardhjes së grekëve në trevat përgjatë Adriatikut e deri në Halis“ (x,xi). Halis ishte një lumë në lindje të Azisë së Vogël.
Verifikimi i alfabetit pellazg
Shkrimi I një gjuhe të folur përbën një histori mjaft interesante. Alfabeti pellazg, me sa duket, ka ardhur te ne nëpërmjet fenikasve. Pasi, ashtu siç e perfeksionuan zejtarët fenikas zejtarinë egjiptiane, në atë masë sa mbreti Solomon i thirri për të ndërtuar tempullin e tij në Jerusalem, po në atë mënyrë fenikasit zëvendësuan hieroglifet e ndërlikuara egjiptiane me alfabetin e parë, në të cilin çdo tingull shprehej me anë të një simboli të thjeshtë. Madje, edhe mallrat e tyre më të çmuara prej metali, qelqi e fildishi nuk ishin aq të rëndësishme sa ky sistem shkrimi, që u përhap nga tregtarët e tyre anembanë pellgut të Mesdheut. Shumë nga popujt që huazuan simbolet fenikase, i modifikuan ato në mënyrë që të shprehnin tinguj të ndryshëm të gjuhës së tyre. Në të vërtetë është pohuar se „çdo alfabet i botës së qytetëruar e ka prejardhjen nga alfabeti fenikas“. Karakteret apo simbolet pellazge nuk kanë mbijetuar në dorëshkrime, por ato janë gjetur në mbishkrime mbi gur, qeramikë e, më vonë, në monedha. Alfabetet e ndryshme, gradualisht, u bënë shenja dalluese të kulturave apo qytetet-shteteve të ndryshme. Për rrjedhojë, kur kolonitë greke e rrethuan pellgun mesdhetar e, madje, kaluan edhe përtej tij, secila prej tyre përdorte shkrimin karakteristik të shtetit nga e kishte prejardhjen. Kështu, p.sh., shkrimi kalkidik, i përdorur në Kumae dhe Neapolis, në Kampinia të Italisë së Jugut, ishte ai i qytetit të origjinës, Kalkis, në ishullin grek të Eubeas. Shkrimi dorik, i gjetur në Korkyrë (Korfuz) dhe Sirakuzë, ishte nga qyteti i origjinës, Korinti. Mirëpo, këto alfabete të ndryshme shpeshherë shtonin ose humbisnin simbole gjatë përshtatjes së tyre me dialektet vendase. Edhe alfabeti etrusk nuk u zbulua nga mbishkrimet nëpër vazo, të importuara nga Athina e Korinti dhe të gjetura në varret etruske, por nga ato në varret e monumentet e tyre prej guri. Këto mbishkrime, sipas autoriteteve shkencore, përcaktojnë origjinën e alfabetit etrusk nga Kalkisi i Eubeas. Tabelat krahasuese dëshmojnë për origjinën e njëjtë të alfabetit etrusk dhe të katër alfabeteve të tjera italike: latin, faliskan, umbrian dhe oskan. Nga krahasimi i ngjashmërive dhe i ndryshimeve të këtyre katër alfabeteve, Isak Tejlor pati mundësi të rindërtonte alfabetin amë, të përdorur nga kolonët e parë në Itali, dhe e cilësoi atë si „pellazg“. Alfabeti pellazg i rindërtuar është krahasuar me atë etrusk dhe katër të tjerët në të njëjtën tabelë. Veç kësaj, monedhat e prera në Kalkis përmbajnë shkronja, nga të cilat mund të rindërtohet edhe alfabeti i tyre. Tejlori pohon se një krahasim midis dy rindërtimeve përcakton përfundimisht se alfabeti pellazg i Italisë e kishte prejardhjen nga alfabeti primitiv i Kalkisit. Ky përfundim mbështetet, gjithashtu, nga fakti se monedhat e hershme etruske ndoqën standartet e peshës dhe format numizmatike të monedhave eubease, kur mbishkrimet përdornin të njëjtin alfabet. Nga ky studim krahasues i disa alfabeteve të lashtë shohim se grekët dhe romakët i bazuan alfabetet e tyre në atë fenikas dhe, veç kësaj, përfitojmë alfabetin pellazg të rindërtuar. Gjithashtu, përcaktojmë origjinën pellazge të popullsisë etruske në Itali, gjë që mbështet shkencërisht pohimet e Tuqididit, Dionisit, Virgjilit e të tjerëve.
Fjalori dhe gjuha pellazge
A.J. Van Windekens, profesor në Universitetin e Luvenit, në Belgjikë, ka shkruar rreth një gjuhe të lashtë indoevropiane, të cilën e quan pellazge. Ai nguli këmbë se shumë fjalë në greqishte mund të shpjegohen si të prejardhura nga një gjuhë parahelene, të cilën e quajti pellazge. Struktura morfologjike e emrave të përveçëm dhe e toponimeve përkon me një gjuhë paragreke. Ata që u vendosën të parët në pellgun e Egjeut, para ardhjes së grekëve, i quan „proto-indoevropianë“. Pjesa e parë e punimit të tij përfshin studimin fonetik të zanoreve dhe të bashkëtingëlloreve pellazge. Pjesa e dytë merret me formimin e emrave, në mënyrë të veçantë me prapashtesimin, emrat e përveçëm dhe toponimet. Emrin e perëndeshës Athina, për shembull, e shpjegon si të prejardhur nga fjala at (baba), e gjetur në shqipe e në gjuhë të tjera indoevropiane, por me një prapashtesë femërore, që e bën atë nënë. Van Vindekens vërejti se toponimet pellazge gjenden të përhapura nga Azia e Vogël e deri në Itali, por veçanërisht në Iliri dhe në Greqinë e sotme. Këto emra vendesh ndeshen në Greqi më me shumicë se në çdo vend tjetër, kurse emrat pellazgë të njerëzve dhe të hyjnive gjenden vetëm në greqishte. Kjo e bëri Van Vindekensin të besonte se popullsia më e dendur, që fliste gjuhën pellazge, ndodhej në Greqi. Më tej, ai shtoi se gjuha ilire ishte zhdukur, duke lënë pas vetëm disa emra të përveçëm, të cilët gjenden në dorëshkrimet greke e latine. Sikur gjuha ilire të ishte ruajtur si greqishtja, ai besonte se numri i emrave të përveçëm dhe i fjalëve të tjera do të dëshmonin se popullsia pellazge në Iliri do të kishte po atë dendësi të madhe si në Greqi. Grekët, ilirët dhe italianët gjetën në brigjet mesdhetare një gjuhë, nga e cila huazuan një numër të madh fjalësh që shënonin sende të njohura e të panjohura. Ata e asimiluan qytetërimin pellazg, duke e pasqyruar këtë në fjalorin e huazuar. Janë identifikuar shumë fjalë pellazge, që përdoren për të shënuar kafshë të tilla si: gomar, derr, pëllumb, salamandër e hardhucë, si edhe fjalë të tjera që shënojnë bimë, minerale, vegla muzikore, lojëra, lundrim, tregti, ndërtim, artin e luftës, gjueti, familje, shoqëri e besim. Prania e kaq shumë huazimeve dëshmon se grekët, ilirët dhe italianët as e zhdukën dhe as e dëbuan menjëherë popullsinë pellazge, të cilën e gjetën në ato treva. Pushtuesit duhet të kenë bashkëjetuar me vite të tëra me pellazgët, duke huazuar, kështu, një pjesë të mirë të fjalorit të tyre. Van Vindekens arriti në përfundimin se grekët, ilirët dhe italianët nuk mund të kenë qenë indoevropianët e parë, që u vendosën në Evropën Jugore dhe në Azinë e Vogël. Ata janë paraprirë nga pellazgët. Ndonëse nuk e datoi ardhjen e pellazgëve, ai ishte i sigurt se ata u vendosën në gadishull para ardhjes së fiseve helene të Jonëve, aty midis viteve 2000 e 1600 p.e.s. Vetëm atëherë kur pakica jone u përforcua me ardhjen e eolëve dhe akejve, rreth vitit 1500 p.e.s., si edhe me dorët luftëtarë, rreth vitit 1000 p.e.s., ata ishin në gjendje të nënshtronin pellazgët e të zëvendësonin qytetërimin e tyre. Autori është i bindur se pellazgët u larguan nga djepi i tyre indoevropian në të njëjtën kohë me hititët, shpërngulja e të cilëve sigurisht që i paraprin asaj të grekëve.
Origjina indoevropiane e gjuhëve pellazge, ilire dhe shqipe
Familjet e gjuhëve
Studiuesit e gjuhësisë vënë në dukje se gjuhët moderne nuk janë të izoluara, por I takojnë një familjeje të veçantë gjuhësh simotra, disave prej të cilave mund t’u gjendet edhe gjuha amë e përbashkët. Duke shkuar sa më thellë në këtë proces rindërtimi historik, del e qartë se shumë prej këtyre gjuhëve amë e kanë prejardhjen nga një gjuhë e pashkruar, edhe më e lashtë, të cilën studiuesit e quajnë „indoevropiane“. Një diagramë skematike, që pasqyron marrëdhëniet midis gjuhëve të ndryshme indoevropiane, tregon, për shembull, se gjuhët marathi, urdu, hindu dhe bengali bëjnë pjesë në familjen sanskrite, ndonëse vetë kjo e fundit tani ka dalë jashtë përdorimit. Por sanskritishtja ishte pjesëtare e familjes indike dhe, së bashku me iranishten, formonin grupin indo-iranian, i cili, nga ana e tij, e kishte prejardhjen nga një bazë indoevropiane. Çuditërisht, ky diagram tregon se ndër 47 gjuhë moderne me bazë indoevropiane vetëm dy prej tyre, shqipja dhe armenishtja, kanë një prejardhje të drejtpërdrejtë nga indoevropianishtja, pa ndonjë prind të ndërmjetëm gjuhësor. Aspektet teknike të kësaj çështjeje u takojnë specialistëve. Mirëpo duket i pakundërshtueshëm fakti që shqipja është një nga gjuhët më të vjetra indoevropiane dhe shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër indoevropianë
Karakteristikat e familjes indoevropiane
Gjuhët indoevropiane, pra, përbëjnë një familje gjuhësh, disa të gjalla e disa të vdekura, të cilat kanë lidhje farefisnie me njëra-tjetrën dhe paraqesin ngjashmëri midis tyre. Gjuhët indoevropiane kanë disa shkallë ngjashmërie në fjalorin e tyre, në sistemin fonetik e në strukturën gramatikore, sigurisht me ndryshimet përkatëse si rezultat i evolucionit shekullor. Strukturat e tyre gramatikore, për shembull, karakterizohet nga sistemi i gjinisë, i numrit dhe i rasave për emrat, përemrat e mbiemrat, si edhe nga sistemi i zgjedhimit për foljet. Fondi indoevropian ka kontribuar, gjithashtu, për fjalorin e pasur të gjuhëve simotra, duke përfshirë edhe shqipen. Fatkeqësisht, ky fond nuk arriti të merrte kurrë trajtën e një gjuhe të shkruar. Por specialistët e gjuhësisë nuk e kanë ndërprerë punën e tyre të madhe hulumtuese. Ata janë të bindur se, duke krahasuar një fjalë në disa gjuhë simotra, shpesh mund të arrihet te një rrënjë e përbashkët. Prapashtesat dhe mbaresat e ndryshme, që i shtohen rrënjës, dëshmojnë se këto gjuhë simotra kanë një sistem të zhvilluar lakimi apo zgjedhimi, ashtu si greqishtja e vjetër dhe latinishtja, ose edhe shqipja e sotme. Në këtë mënyrë, studiuesit kanë zbuluar me qindra fjalë të parme, të cilat mendojnë se e kanë origjinën në një gjuhë të përbashkët. Disa prej këtyre fjalëve në shqipe janë: ditë, natë, dimër, i lehtë, i thellë, punë, zemër, ujk, ujë, i rëndë, jam, kam, bie, ha, pi e shumë të tjera. Ky fond i trashëguar arrin në më shumë se 2000 fjalë të parme, që nuk janë pak po të kemi parasysh se prej tyre janë formuar fjalë të tjera të përbëra, si p.sh., nga „punë“ kemi: punëtor, punonjës, punim, punishte, mbipunë, punëtori, punëdore, ditë-punë e shumë të tjera. Për shkak se fjalë të tilla të parme gjenden në gjuhët e folura nga Evropa Veriore gjer në Indi, atëherë gjuha e përbashkët hipotetike është quajtur indoevropiane.

Zbulimi i vendit të origjinës
Ku e ka burimin fondi indoevropian? Zbulimi gradual i këtij fjalori indoevropian u ka dhënë dorë shkencëtarëve të rindërtojnë mënyrën indoevropiane të jetës dhe të përfytyrojnë mjedisin e tyre. Ekzistenca e një rrënje të përbashkët për fjalët fushë, kalë, shtëpi dhe mjaltë etj., dëshmon për njohjen e objekteve të tilla jo vetëm nga përdoruesit e sotëm të këtyre gjuhëve, por edhe nga ata të kohës parahistorike indoevropiane. Në të kundërt, mungesa e një rrënje të përbashkët për disa fjalë të përshkrimit të mjedisit mund të jetë me domethënie të madhe. Indoevropianishtja duket se ka një rrënjë të përbashkët për fjalë të tilla si: borë, ujk dhe lis; ndërkohë, një rrënjë e tillë mungon për fjalët det, ishull, për pemët e kafshët tropikale si, palma, arra e kokosit, tigri e deveja. Kjo i bëri studiuesit që, logjikisht, ta përcaktonin qendrën ose bazën indoevropiane përreth maleve të Kaukazit apo Uraleve. Megjithatë, mungesa e dorëshkrimeve e bën të vështirë një përcaktim më të saktë e më dogmatik.

Përcaktimi i kohës së shpërbërjes
Kur filloi gjuha amë indoevropiane të degëzohej e të shpërbëhej në gjuhë të tjera të vjetra të mëvonshme, prej të cilave do të zhvilloheshin gjuhët e sotme simotra? Pranohet përgjithësisht se gjuha ka tendencën e ndryshimit me kalimin e shekujve. Për shembull, gjuha angleze e katër shekujve më parë, e përdorur në dramat e Shekspirit, tani është arkaike, por ende e kuptueshme; kurse anglishtja e vjetër e 12 shekujve më parë, që ndeshim te Beovulfi, është fare e pakuptueshme. Njohja e ritmit të këtyre ndryshimeve gjuhësore e pajis studiuesin me një mjet matës të përafërt, me anë të të cilit ai mund të përcaktojë kohën që duhet për kalimin nga një gjuhë në një tjetër. Gjuhët më të vjetra indoevropiane të shkruara, të dëshmuara rreth vitit 1400 p.e.s., ishin hititishtja, sanskritishtja, gjuha mikenase dhe greqishtja. Këto gjuhë tashmë kishin ndryshuar shumë nga njëra-tjetra. Gjuhëtarët llogaritin se duhet të jetë dashur nga 2000 deri në 3500 vjet që një gjuhë amë të merrte forma të ndryshme. Kjo do të thotë se indoevropianët, si folës të një gjuhe të përbashkët, datohen rreth vitit 4000 ose 5000 p.e.s. Shihet qartë se gjuhësia hedh edhe dritë edhe hije në kërkimin tonë për origjinën parahistorike të popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij. Prandaj, në këtë pikë, edhe ne po ua lëmë specialistëve që të merren me misterin e kësaj çështjeje. Por duhet theksuar se bashkëpërkimi i përgjithshëm i mendimeve shkencore është se populli shqiptar dhe gjuha shqipe janë pasardhësit modernë më të afërt të ilirëve, pellazgëve dhe fillesave indoevropiane. Kjo e bën edhe më të qartë arsyen përse ky popull i vjetër është mbajtur i patundur pas gjuhës dhe kulturës së tij të lashtë. Ndonëse atdheu i tyre është pushtuar shpesh nga grekët, romakët, sllavët e turqit dhe ndonëse ata shpesh kanë përdorur gjuhëra tregtie, të importuara gjetkë, njerëzit, që sot njihen si shqiptarë, kanë ruajtur me vendosmëri e sukses gjuhën, zakonet, traditat dhe identitetin e tyre të lashtë, pellazg e ilir.

(Shkpëtur nga Libri i Edwin Jacques – Shqiptarët – Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme“, faqe 43 – 50. / Përgatiti editori i pashtrikut Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura