LIRI, TË KËRKUAM NDËR SHEKUJ – PAVARËSIA
Nga Xhelal Zejneli, Shkup – 13 Korrik 2021
Kosova dhe vise të tjera shqiptare, me ndihmën e Rusisë, u pushtuan nga Serbia në vitin 1912. Gjatë tërë qindvjeçarit XX, në forma të ndryshme, shqiptarët luftuan për liri.
Simbol i qëndresë shqiptare ishte Adem Demaçi (1936-2018). Në prag të shpërbërjes së krijesës artificiale – Jugosllavisë së Versajës dhe të AVNOJ-it (KAÇKJ-së) – rrugën e lirisë e vazhdoi faktori politik në krye me Ibrahim Rugovën (1944-2006).
Me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, synimet e shqiptarëve për liri, pavarësi dhe demokraci u intensifikuan, ndaj në vitin 1998, lufta kundër kolonialistëve serbë, me në krye komandantin legjendar Adem Jasharin (1955-1998), u shtri në mbarë Kosovën. Lufta çlirimtare e shqiptarëve u mbështet nga tërë kombi shqiptar në Ballkan, përfshi dhe shqiptarët në diasporë – në ShBA, në Evropë dhe gjetkë.
Luftën e shqiptarëve për liri, pavarësi dhe demokraci e mbështetën edhe qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli. Shqiptarët u mbështetën edhe nga Fuqitë e Mëdha historike të kontinentit.
Lufta shqiptare për liri u mbështet edhe nga figura të shquara të politikës amerikane – nga analistë politikë, nga kongresistë amerikanë, si Tom Lantosh (Thomas Peter Lantos, i lindur Tamas Peter Lantos, Budapest, Hungari, 1928 – Bethesda, Maryland, ShBA, 21008), Elliët Engel (Eliot Lance Engel, 1947-), etj., nga senatorë të Senatit amerikan, nga Departamenti i Shtetit me në krye sekretaren e Departamentit të Shtetit Medlin Ollbrajt (Madeleine Jana Korbel Albright, Praga, Çeki, 1937-). Rol të rëndësishëm për asgjësimin dhe për dëbimin e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe luajti edhe gjenerali Uesli Kllark (Wesley Clark, 1946-). Në krye të detyrës ishte edhe politikani spanjoll Havier Solana (Javier Solana, 1942-).
Më 1999, pas një shekulli lufte për liri, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me ndërhyrjen ushtarake të ShBA-së dhe të aleatëve të tjerë të Aleancës Veri-Atlantike – e çliroi Kosovën.
Presidenti Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946-), duke marrë vendimin për ndërhyrje ushtarake kundër pushtuesve serbë, bëri të mundur mbrojtjen e popullit shqiptar nga politika e gjenocidit, të zbatuar nga Beogradi. Amerika solli në gadishull demokracinë dhe drejtësinë.
Në vitin 2007, presidenti amerikan Xhorxh Bush (George Walker Bush, 1946-) vizitoi Shqipërinë dhe paralajmëroi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, gjë që u realizua në vitin 2008. Pavarësia e Kosovës deri më sot është njohur nga 117 vende të botës. Kosova është shtet në të cilin liritë dhe të drejtat e pakicave respektohen sipas standardeve evropiane më të larta.
Me çlirimin e Kosovës nga Serbia mori fund ideologjia dhe politika e Ilija Garashaninit (1812-1974), e Vlladan Gjorgjeviqit (1844-1930), e Jovan Cvijiqit (1865-1927), e Vasa Çubrilloviqit (1897-1990), e Nikolla Pashiqit (1845-1926), e karagjorgjeviqëve, e Aleksandëar Rankoviqit (1909-1983), e radikalëve serbë, e Sllobodan Milllosheviqit (1941-2006), e Dobrica Qosiqit (1921-2014) dhe e akademikëve të tjerë, hartues të “Memorandumit” (janar 1986).
Shqiptarët sot janë populli më proamerikan në botë. Të tillë do të jenë deri në jetë të jetëve. Shqiptarët janë popull evropian dhe properëndimor. Vende mike të shqiptarëve janë ShBA-ja, Gjermania, Austria, Italia, Britania e Madhe etj. I tërë kombi shqiptar aspiron integrimin në NATO dhe në BE.
Sot shqiptarët ndjekin një politikë paqeruajtëse dhe stabilizuese në rajon. Janë faktor paqeje dhe stabiliteti.
Serbia sot, si gjithmonë gjatë historisë, me ndihmën e Rusisë së Vlladimir Putinit (1952-), është gjeneratore e krizës në rajon. Derisa shqiptarët synojnë paqen dhe stabilitetin në gadishull, ajo punon për militarizimin e vet. Rrjedhimisht edhe të rajonit. Forca e Sigurisë e Kosovës sa më parë duhet të shndërrohet në ushtri të rregullt, të mbështetur nga ShBA-ja.
Sot e tutje, shqiptarët duhet t’ua bëjnë me dije miqve dhe mbarë botës se posedojnë aftësi për të ndërtuar shtet ligjor. Shtetin mund ta çojnë para shtetarët prej formati, që kanë integritet dhe ideal.
Hero kombëtar i shqiptarëve është Gjergj Kastrioti. Periudhë e lavdishme e historisë së popullit shqiptar është ajo e luftërave të Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane. Shqiptarët krenohen me rilindësit dhe me periudhën e Rilindjes Kombëtare. Data të lavdishme të popullit shqiptar në qindvjeçarin XX janë Vlora e pavarësisë (1912) dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës (2008). Shqiptarët ia dhanë njerëzimit laureaten e çmimit “Nobel” – të Shenjtën Nënë Terezë (1910-1997). Shqiptarët ia dhanë botës së artit Ismail Kadarenë (1936-), të përkthyer në 45 gjuhë të botës.
Çështja shqiptare nuk është çështje ideologjike, as çështje fetare. Çështja shqiptare është kauzë kombëtare e bazuar në ideologjinë e rilindësve. Shqiptarët janë ndër popujt e rrallë të rruzullit ku mbizotëron harmonia ndërfetare.
Kongresi i Berlinit (1878) dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) lanë jashtë Shqipërisë më tepër se gjysmën e trojeve etnike historike shqiptare. Kjo është dhimbje e përhershme për të gjithë shqiptarët në gadishull dhe kudo në mbarë botën.
Shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në botë, në mos i vetmi, që është i ndarë në gjashtë pjesë, si: Shqipëri, Kosovë, Kosovë lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), Maqedoni veriperëndimore, viset shqiptare në Mal të Zi dhe Çamëri. Bashkimi i kombit shqiptar në një shtet të vetëm, është ideal, aspiratë dhe synim – historikisht i drejtë – i çdo shqiptari në rruzullin tokësor. Shqiptarët kanë të njëjtën prejardhje – ilire, flasin një gjuhë, kanë një flamur e një histori dhe janë një komb.
* * *
Shqiptarët – në shkallë kombi – duhet të përcaktojnë strategjinë kombëtare të zhvillimit:
-ekonomia e Shqipërisë duhet të jetë kompatibile me atë të Kosovës;
– duhet të rritet shkëmbimi i mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës;
– zhvillimi ekonomik i Shqipërisë do të bënte të mundur rritjen e eksportit të Shqipërisë në tregun e Kosovës, duke i respektuar rregullat e konkurrencës tregtare;
– rritja e importit të Kosovës nga Shqipëria do ta zvogëlonte importin nga Serbia dhe nga Maqedonia;
– zhvillimi ekonomik i Kosovës do të mundësonte rritjen e eksportit të Kosovës për tregun e Shqipërisë, duke i respektuar parimet e ekonomisë tregut;
– do të kishte qenë mirë që Shqipëria dhe Kosova të kenë monedhë të përbashkët;
– ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës duhet të ketë lehtësime doganore apo edhe suprimim doganor. Kosova importon nga Serbia mallra në vlerë prej 450 milionë euro në vit, ndërkaq eksporti i Kosovës në Serbi arrin një shumë prej 48 milionë eurosh. Importi i Kosovës nga Shqipëria është tri herë më i vogël se importi nga Serbia dhe arrin 150 milionë euro në vit. Kjo flet qartas për kapacitetet ekonomike të vogla të Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe për dështimin e politikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, për të integruar ekonomitë e tyre. Rruga e kombit bën të mundur rritjen e këmbimit ekonomik brenda botës shqiptare.
Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë strategji të përbashkët edhe në lëmenj të tjerë, e sidomos në fushën e turizmit apo të energjetikës. Të gjithë shqiptarët në rajon duhet të bashkëpunojnë në lëmin e arsimit dhe aty ku është e mundur, t’i harmonizojnë plan-programet mësimore. Tirana dhe Prishtina duhet t’i harmonizojnë dhe t’i bashkërendojnë veprimet edhe në lëmin e politikës së jashtme dhe duhet të ndërtojnë politikë të përbashkët në planin e sigurisë. Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë për një perspektivë të përbashkët.
Masat e sipërthëna nuk janë në kolizion me asnjë konventë ndërkombëtare. Brukseli u sugjeron vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kërkon prej tyre të krijojnë treg ekonomik të përbashkët. Atëherë krijimi i një tregu të përbashkët midis Shqipërisë dhe Kosovës do të ishte në frymën e sugjerimeve dhe të orientimeve të BE-së.