LIRIM KRASNIQI: DY PLLAMË LETËR NGA UNIVERSITETI I PRISHTINËS

Prizren, 08. 2014 – Entuziazmi i një të sapodiplomuari në Universitetin e Prishtinës të shtyn ndoshta edhe pavullnetshëm të mendosh për këtë institucion. Një qytetar që nuk ka kontakt të drejtëpërdrejtë me bartësin kryesorë të arsimit të lartë në vend, e shikon dhe e mirëpret pothuajse çdo diplomë të dalë nga Universiteti, e aq më shumë kur sheh gëzimin e një të riu për përfundimin e ciklit të parë të studimeve Universitare.
Sikur shumë prindërve u shuhet për një moment ajo nostalgjia e viteve të socializmit komunist, kur ata ndoshta nuk ishin prej atyre fëmijëve që ndiqnin me kujdes nivelet e shkollimit, kur pak prej tyre dërgoheshin në fakultet për të mbaruar studimet, dhe pasi t’i kishin përfunduar ato, “dilnin” në rrogë, pra në qëllimin fillestar të arsimimit të tyre, që shpesh e plotësonin me një punë shteti. Ata të cilët e kishin provuar ndjesinë e të qenit student në kohën e komunizmit, e të cilët sot me shumicë vazhdojnë të ushtrojnë një punë shteti, pasi që janë të “privilegjuar” nga “ngritja akademike”, që i bënë të jenë ose që i bëjmë ne të ndihen në një nivel më të emancipuar shoqërorë.
Pak a shumë të njejtën gjë ua dëshirojnë edhe fëmijëve të tyre sot, një diplomë universiteti edhe pse ndoshta me qëllime fillestare më të larta (pak më shumë se një punë shteti).
Mirëpo arsyeja e “vlerësimit” të Universitetit për këta prindër ndoshta është se një diplomë në të kaluarën kishte qenë më sfiduese, jo pse kishin bërë alamet studimesh, por të paktën kishin lexuar dhe absorbuar diçka nga leximi, për të mos thënë studimi. Edhe pse dyshoj që shumë nga ta sot duan që fëmijët e tyre të studiojnë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës! E kur kjo është logjika e një shumice të arsimuarish në kohën e socializmit, perceptimi i prindërve të tjerë që maksimalisht kanë të kryer një shkollë të mesme, për universitetin është në superlative, dhe diploma shumë e dëshiruar.

Mirëpo le ti lëmë ata, prindërit e studentëve të sotëm të Universitetit të Prishtinës, le të kthehemi tek ne që ishim dhe jemi brenda këtij institucioni në këto vitet e pasluftës. Pa marrë parasysh se a i përkasin prindërit tanë të njejtit nivel shkollimi apo jo, ne që e provuam ndjenjën e të qenit student në UP, kemi shumë të përbashkëta. Pothuajse të gjithë e filluam me një lloj entuziazmi dhe dëshire të sinqertë, “studimin” në UP. Mirëpo ky entuziazëm i shprehur në ditët e para të, të qenit student filloi të venitej me kalimin e ditëve. Përjashto deri diku studentët e Mjeksisë që në rrethana ndoshta edhe më të pafavorshme studimi morën një lloj feedback-u relativisht të mirë nga Profesorët e tyre “Doktorë”.
Dëshira e gjysmës së atyre që nisen për të studiuar zbehet qysh në vitin e parë të studimeve, nga profesorë të paqenë, nga pedagogë me fjalor të rrugës dhe nga mësimdhënës jo të rregullt, që edhe kur “frekuentojnë” hapësirat e Universitetit Publik, e bëjnë për hir të rrogës së tyre, dhe jo për shkak të profesionit dhe përkushtimit ndaj tij. Ata shpesh sillen si padronë, status të cilin ua jep sistemi, e që përmes së cilit, Universitetin e ka shndërruar në objekt pazaresh politike, ndërsa studentët subjekt eksperimentimi rekrutësh të rinj servilë, me qëllim të propagandimit politik (Organizatat studentore).
Kur fillon “studimin” e skriptave, kur në lëndë historie ndëgjon të bëmat e profesorit ndër vite, kur deputeti profesor të shpjegon cili është programi më i mirë politik, kur “Doktori” i ekonomisë të kushtëzon kalimin e provimit me blerje të librit të tij, kur “eksperti” i të drejtës të thotë se vajzat e përdala dhe mendjelehta janë viktima potenciale të trafikimit, kur Profesori i Gazetarisë të linqon dhe të fyen në baza racore nësë bëhesh pjesë e ndonjë organizimi qytetar, dhe kur në fund ti “duhet” të mohosh vetëveten për hir të një note, aty merr fund misioni i të studiuarit, aty merr fund roli i studentit, si qenia më e emancipuar politike në një shoqëri. Ndoshta problemi është tek ti përsëri, sepse ke pritur që imagjinata të mishërohet në realitet.
Mirëpo tensioni vjen e shtohet në fund të “studimeve”. Iluzioni i diplomimit, si një proces ku ti kapërcen nje stad të zhvillimit intelektual dhe të fut në mesin e të “diturve”, përcjell shumicën e studentëve në UP.
Papritshmëria për të kaluar këtë nivel vjen e rritet në vitin e fundit, dhe këtu qëndron absurdi i madh. Pas disa viteve lexim skriptash e dëgjim tekesh pseudo-profesorësh, studenti i UP-së përgatit tezën e diplomimit, një punim që në rrethana normale do të duhej të nxjerrte një konkludim shkencor të bazuar në fakte, i cili do të mund të përdorej edhe si referencë shkencore në të ardhmen dhe do t’i shërbente të vërtetës, ky punim diplome sot është aq voluminozë, sa që më të shtrenjta dhe me vlerë janë letrat dhe kopertinat e tij, sesa vetë përmbajtja “shkencore”!
Ajo që mbetet e pakuptueshme në këtë mes është pikërisht kjo logjika e diplomimit, si një moment i kapërcimit të një niveli shoqëror, kur ti “bëhesh” i aftë pas disa nënshkrimesh të profesorëve, pas një gëzimi të madh kur të urojnë të gjithë, pas disa fotografimesh që të marrin llajka në rrjetet sociale, si dhe pas një fotografimi me “kopertinë diplome” në dorë, bashkangjitur me një buzëqeshje fallco të pofesorit (mentorit) tënd që nuk të ndihmoi të bësh shkencë, përkundrazi..!
Pse duhet t’i gëzohemi një momenti të tillë? A mos u aftësuam për të bërë një punë më profesionalizëm për këto vite “studimi”? Pse duhet që ti gëzohemi një cope letre që na bën zyrtarisht të papunë? Pse duhet të mendoj sot, se me një letër dy pllamëshe të quajtur diplomë, jam më i mençur se dje? …!
A nuk është arsimimi proces që zgjatë gjithë jetën…?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura