LULËZIM ETEMAJ: LOJA ME STATUSIN E VETERANIT, DENIGRON SERIOZISHT EMRIN DHE LAVDINË E UÇK-së

Zvicër, 15. 06. 2015 – Duke qenë se që nga fillimi i procesit të verifikimit dhe njohjes së statusit të Veteranit të UÇK-së kisha rezerva, nuk kam aplikuar fare. Si pikëmbështetje rezervat e mia kishin bindjen se aplikimi ishte plotësisht i panevojshmëm, meqenëse ende ekzistojnë dokumente të mjaftueshme për strukturën ku isha i organizuar së bashku me të tjerë. Dhe pritja ishte që të gjithë pjesëtarëve të asaj strukture t’u njihej statusi i veteranit. Struktura ishte Redaksia e “Zërit të Kosovës”, gazetë e themeluesës së UÇK-së, Lëvizjes Popullore të Kosovës, ku kam kryer detyrën e zëvendëskryeredaktorit, prej ku, krahash tjerash, u janë shpërndarë mediave botërore që nga komunikata dhe deklarata e parë e UÇK-së deri në atë të fundit; ku është punuar stema e UÇK-së, autorit të së cilës, kryeredaktorit Adnan Asllani, i është refuzuar statusi i veteranit. Dhe këtë ia kam komunikuar edhe njërit prej anëtarëve të Komisionit Verifikues, pothuajse para 2 muajve, kur kam shprehur interesimin dhe njëkohësisht edhe mospajtimin tim rreth mungesës së emrit të Jashar Salihut, gjeneralit dhe diplomatit të papërsëritshëm të UÇK-së, si dhe veprimtarit e luftëtarit të paepur të Kosovës, Xhavit Hoxha, në listën e veteranëve të SHP të UÇK-së.
Nuk kam aplikuar anipse prej fillimit si referencë për verifikim të përmbushjes së kritereve të parapara me ligj, kam mundur të jap së paku 4 emra të anëtarëve të SHP të UÇK-së. Dhe këtë mund ta bëjë edhe tani e tutje, në çdo kohë. Porse nuk e kam ndërmend të aplikoj. E bëjë këtë jo pse nuk ndjejë respekt të thellë ndaj meritorëve dhe vetë statusit të Veteranit të Luftës të UÇK-së, porse, tashmë edhe për faktin shtesë, që bazuar në listat e publikuara dhe në përmasen e kontestimit të tyre, publik dhe privat, e çmoj si të deformuar dhe të pandreqshëm të gjithë procesin. Deri tek një konkludim i tillë më kanë bërë të vie listat e gjertanishme, sado që quhen të përkohshme, të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së, veteranit, pjesëtarit të UÇK-së apo të internuarit të UÇK-së, përkatësisht emrat e atyre që janë në këto lista si dhe emrat e atyre që mungojnë në këto lista. Kuptohet, flas këtu në radhë të parë për persona me të cilët njihemi edhe personalisht, si para ashtu dhe pas daljës në skenë të UÇK-së. Dhe, kuptohet, në këtë rast fjalën e kam edhe për emrat e veteranëve të Fondit të Luftës “Vendlindja Thërret”, i publikuar së fundmi, ku, krahas meritorëve, plotësisht të merituarve, statusi u është njohur edhe një numri të madh të personave që edhe sot e kësaj dite mund të kenë të ruajtur bindjen se UÇK ishte krijesë e Serbisë, siç e kishte quajtur lideri i tyre, kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, pavarësisht faktit se u bën anëtarë të Fondit, mbase edhe me kartelë, në çaste finale, kur krejt Kosova thoshte jemi UÇK. Thoshte e nuk vepronte si UÇK. Ose një pjesë edhe vepronte anti UÇK.

Tregim me vete janë edhe ata “veteranë” të klasit të lartë, të cilët, edhe përkundër mundësive që kishin, ose nuk kanë përmbushur asnjë aksion të Fondit “Vendlindja Thërret” ose kanë dhënë aq sa mund t’i jepej një lypsari që ka shtrirë dorën në ndonjë rrugë a shesh të Prishtinës, Preshevës, Tetovës, Shkupit a Tiranës. Po flas gjithnjë duke u bazuar, veç informacioneve tjera nga zyra e Fondit dhe afria që kishte ajo me Redaksinë e “Zërit të Kosovës”, edhe në një listë që më ka mbetur në arkivin personal nga periudha kur kam qenë kryetar i Këshillit të Rrethit, listë në të cilën evidentohej përmbushja e obligimeve materiale ndaj UÇK-së të anëtarëve të themeluesës së saj, Lëvizjës Popullore të Kosovës (LPK).
Në këtë rast, veprim të jashtëligjshëm kanë bërë aplikuesit e tillë për statusin e veteranit. Jashtëligjshëm ka vepruar edhe Komisioni Verifikues, duke mos verifikuar vërtetësinë e shënimeve të paraqitura nga aplikuesit, por duke ua njohur statusin. Në kundërshtim me ligjin, në këtë rast, kanë vepruar gjithashtu edhe personat tjerë të kyçur në këtë proces.
Prandaj do të mbetem lobues i fuqishëm i amandamentimit të këtij ligji. I heqjes së këtij statusi personave të pamerituar dhe i përgjegjësisë ligjore ndaj shkelësve të ligjit. Dhe kjo do të ndodhi patjetër. Jo sot, por nesër. Çdo respekt për çlirimtarët, të rënët dhe të gjallët, luftën dhe përpjekjet e tyre mbinjerëzore, ata dhe familjet e tyre meritojnë përkujdesjen e veçantë të shtetit. Porse shteti i Kosovës, taksapaguesit e Kosovës, nuk ua kanë borxh vjeljen veteranëve të shpifur. Askush nuk ka të drejtë t’i detyroj ata për të paguar nesër “haraç” në emër të çlirimit, lirisë, pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, që u paskëshin ardhur edhe nga veteranët e shpifur. E këta të fundit, po të ishin më të ndërgjegjshëm, do të duhej që vet të kërkonin për t’u tërhequr nga listat e veteranëve dhe të bënin luftën njerëzore për të jetuar dinjitetshëm me djersën e tyre të ballit e jo si parazitë mbi kurrizin e të tjerëve; qytetarëve e buxhetit të shtetit.
Procesi i verifikimit të statusit të Veteranit të Luftës së UÇK-së, tashmë nuk është më vetëm një proces i lënduar, i cili mund të përmirësohet dhe shpëtohet me evitimin e parregullësive. Konsideroj se përmasa e tyre tashmë e ka shndërruar atë në proces të dështuar. Në proces që po denigron seriozisht emrin dhe lavdinë e UÇK-së. Madje edhe më shumës se sa proceset gjyqësore të padrejta që janë mbajtur deri tani kundër pjesëtarëve të saj, brenda apo jashtë Kosovës. E, këtë të drejtë s’e ka askush. Me asnjë ligj. Me asnjë mandat.
Bërës dhe aprovues të Ligjit, veteranë të UÇK-së, të të gjitha kategorive, kujtoni ju lutem faktin që ky ligj, me gjithë respektin që meritojnë, i njeh statusin e veteranit të UÇK-së një anëtari të Fondit “Vendlindja Thërret” në fund të botës, por nuk ua njeh statusin e dëshmorit prijatarëve të qëndresës dhe luftës së armatosur të Kosovës, të rënë ballë për ballë me forcat shtypëse të popullit shqiptar, Nuhi Berisha e Rexhep Mala, Ali Ajeti, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Tahir Lush Berisha etj.
Është çasti final kur duhet reaguar Komisioni për Verifikimin e Statusit të Veteranit të UÇK-së, duke i hapur rrugën Kuvendit të Kosovës për amandamentimin e Ligjit për Veteranët e Luftës të UÇK-së, gjë që do ta nxirrte procesin e tanishëm nga çorrsokaku ku e kanë futur, duke krijuar parakushtet e domosdoshme ligjore për një proces të ardhshëm të ri, i cili në rrethana më të balancuara politike dhe sociale do ta lartësonte meritueshëm veteranin e luftës së UÇK-së, përkatësisht emrin dhe lavdinë e vetë UÇK-së, luftën, sakrificën dhe përpjekjen vendimtare që çuan në çlirimin, lirinë dhe pavarësimin e Kosovës.
Bërja sehir dhe mosangazhimi në Kuvendin e Kosovës i partive opozitare për t’i hapur perspektiva të reja ligjore procesit për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së, veteranit, pjesëtarit të UÇK-së apo të internuarit të UÇK-së, nuk mund të amnistohet me adresime mediale. Fundi, Ligji Nr. 04/L -261, thelbi i gjithë problemit, është produkt edhe i angazhimit të tyre. I votës së tyre për të dhënë para një viti.

***
ISUF SHERIFI: KOMISION, JU KENI VRARË VLERAT E VËRTETA TË LUFTËS ҪLIRIMTARE
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=4162

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura