(Luzern, 11 Mars 2012) – Duke jetuar dhe mishëruar me ngjarjet në Atdhe dhe të brengosur tejmase me rrjedhën e ngjarjeve në hapësirën gjithëshqiptare, e sidomos me veriun e Kosovës, të cilit i kërcënohet integriteti i shtetit të brishtë të Kosovës, më 11 mars 2012 u takuam një grup bashkatdhetarësh në Luzern të Zvicrës, në mesin e të cilëve ishin shumë veprimtarë të hershëm të çështjes kombëtare, ish të burgosur politikë dhe pjesëmarrës të luftës së famshme të UÇK-së. Ne u mblodhëm se nuk mund të prisnim më që institucionet shtetërore të Kosovës të dalin me qëndrimet e tyre lidhur me këto fushata denigruese kundër vlerave të luftës.
Duke parë, dëgjuar dhe lexuar kohëve të fundit rreth “aferave” dhe “skandaleve” të ndryshme, në kohën kur Kosova dhe kombi shqiptar ballafaqohet me probleme krejt tjera shumë serioze dhe jetike për të ardhmen, doemos që parashtrohen shumë pyetje, e ndër të tjera edhe këto:
– Ku duan të godasin?
– Çfarë duan të arrijnë?
– Kush fshihet pas tyre?
– Çfarë fshihet pas tyre?
– Pse pikërisht tash?
Duke u marrë me parashtrimin e pyetjeve të tilla, s’do mend se sikur shumëkush tjetër, edhe ne të poshtënënshkruarit, brengosemi thellë me prapavijat më ogurzeza që fshihen pas gjithë këtyre fushatave më se të egra e banale kundër pjesëtarëve të UÇK-së, drejtuesve të tyre, e sidomos karakterit të luftës sonë më se të ligjshme e të drejtë për çlirim kombëtar.
Nuk janë të rastit ngjarjet që prijnë njëra tjetrën, ose në të njëjtën kohë, njëra pas tjetrës, në Mal të Zi ndalohet me ligj përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar, në Maqedoni vriten shqiptarët në pikë të ditës, në Luginën e Preshevës burgosen shqiptarët dhe dënohen me gjykime absurde sikur në kohën e Millosheviqit, në veri të Kosovës barrikadohen serbët nëpër rrugët kryesore, duke penguar qarkullimin e lirë të njerëzve, ndërsa doganierët shqiptarë barten me helikopterë në pikat kufitare, në Maqedoni digjet publikisht flamuri ynë kombëtar…
Duke goditur luftëtarët e UÇK-së, e sidomos drejtuesit e saj, padronët e kësaj fushate të egër dhe denigruese duan të prekin në karakterin e ndershëm e të drejtë të luftës sonë më se të drejtë dhe legjitime të popullit tonë nën flamurin e UÇK-së. Me këtë duan ta paraqesin luftën tonë të pastër dhe të dinjitetshme, si konflikt rajonal dhe me prapavija kriminale, aq sa shkojnë deri aty se gjoja UÇK-ja është marrë me tregti organesh të serbëve të zënë robër ose të kidnapuar. Këso absurditetesh nuk do të mund të mendoheshin as nga fëmijët parashkollor, por mediat tona të mjera në nënqiellin ballkanik, kush të shitur, e kush në shërbim të hurit e të litarit, po u bien trumbetave të alarmit të “rrezikshmërisë” së kësaj ushtrie që u doli ndesh hordhive të çetnikëve serbë. Me vetëdije apo jo për pasojat e një loje të tillë sa të rrezikshme aq edhe të ndyrë, një numër gazetarësh tanë po i fryejnë zjarrit e në këtë mënyrë duke e dërguar ujin në mullirin e askujt tjetër pos të armiqve të përbetuar të kombit tonë, shovinizmit të egër serbomadh.
Për ta goditur luftën e drejtë të UÇK-së, sot goditen drejtuesit e saj veç e veç, duke i etiketuar me etiketa më denigruese, nga askush tjetër por nga vetë shqiptarët. Përmes sulmeve të tilla ndaj individëve të caktuar të luftës, duan të godasin vetë luftën, këtë faqe nga më të lavdishmet e kombit tonë që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Nuk janë të rastit këto fushata pikërisht në kohën kur Kosova po bën orvatje për njohje ndërkombëtare, nga institucionet e shtetit dhe miqtë ndërkombëtarë. Shtrohet pyetje, kujt i shërbejnë akuzat ndaj njerëzve më eminentë të çështjes kombëtare shqiptare, siç është komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, Azem Syla? Ne jemi të bindur se prapa gjithë këtyre qëndrojnë qarqe më se të errëta antishqiptare, si jashtë Kosovës, poashtu edhe brenda teritorit të saj. Mendojmë se nuk goditet rastësisht Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së. Duke goditur Komandantin qarqe të tilla duan të godasin në vlerat e luftës së pastër, të drejtë dhe legjitime të popullit tonë nën drejtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Goditen edhe për së vdekuri të rënët e kombit. Kemi krijuar bindjen se dikush është i interesuar që të shuhet çdo gjurmë e asaj lufte të famshme dhe të lavdishme të udhëhequr nga UÇK-ja, dhe jo vetëm në qarqe të huaja, por edhe brenda përbrenda spektrit politik në Kosovë dhe troje tjera shqiptare.
Ne jemi duke jetuar vetë në Zvicër dhe i njohim rrethanat shoqërore, sociale dhe politike të këtij vendi mikpritës, vend i cili bëri aq shumë për mërgimtarët tanë, për azilkërkuesit e sidomos për refugjatët e luftës së Kosovës. Ne e dimë se kur një kërkuesi të azilit politik i pranohet strehimi politik në këtë vend, që nga ai moment, një person i tillë i gëzon të gjitha të drejtat e mbrojtjes sociale së bashku me gjithë anëtarët e familjes, duke iu siguruar kushtet më elementare për jetesë. Ata të cilët nuk kanë gjetur akoma punë, ose ata të cilët për arsyera shëndetësore nuk mund të gjejnë punë në tregun e punës në Zvicër, shteti kujdeset për ekzistencën e tyre dhe integrimin e tyre social e shoqëror, duke iu siguruar të ardhura të rregullta mujore për jetesë nga buxheti i shtetit.
Nëse dikush akuzohet se ka “keqpërdorur” të ardhurat për ekzistencë, natyrisht që do reagojnë organet kompetente. Pra, kjo lëndë pastaj i kalon organeve të juridikaturës së vendit. Por, përderisa nuk ka një vendim të plotfuqishëm të gjyqit, çdo përfolje e rasteve të tilla bëhen me prapavija politike dhe qëllimkëqija. Akoma pa dhënë fjalën e vet të fundit gjyqësori që është kompetent në Zvicër, qarqet mediatike të askujt tjetër pos të Kosovës, iu ranë të gjitha borive duke sulmuar dhe duke nxitur sulme të tjera ndaj njërës nga figurat kryesore të luftës së UÇK-së, komandantit të Përgjithshëm të saj, Azem Syla. Por, ne mendojmë se nuk është qëllimi i atakimit dhe denigrimit të figurës së këtij personi, por denigrimi i vetë luftës së drejtë të UÇK-së.
Duke parë këto çfarë po bëhet e po luhet prapa perdeve të errëta në kurriz të së ardhmes së Kosovës dhe ekzistencës së vet shtetit të Kosovës, kemi ardhur në përfundim se, opinioni shqiptar po bombardohet me lajme senzacionale, duke u përpjekur që me një të rënë të goditen në mos më shumë, të paktën dy. Pas çdo lajmi senzacional qëndron qëllimi kryesor i denigrimit të çdo gjëje që ka të bëjë me vlerat e mirëfillta të luftës së drejtë të popullit tonë, e në anën tjetër për ta tërhequr vëmendjen e opinionit të brendshëm me ato që po i gatuhet Kosovës dhe popullit të saj nëpër kuloaret e qarqeve më antishqiptare në kontinent.
Pikërisht në kohën kur serbët organizojnë “referendume” për mosnjohjen e shtetit të Kosovës dhe organeve të saja shtetërore; kur serbët bllokojnë të gjitha rrugët në veri të Kosovës që nga ura e Ibrit në mes të Mitrovicës; kur serbët organizojnë zgjedhjet lokale serbe në teritorin e shtetit të Kosovës; kur bashkësia ndërkombëtare bën presion ndaj institucioneve të këtij shteti të brishtë të Kosovës për shtruarjen e zgjidhjes së çështjes së Veriut përmes një “autonomie” apo edhe më shumë; kur vriten shqiptarët rrugëve nëpër ditë me diell në Maqedoni; kur burgosen luftëtarët në Luginën e Preshevës, kur ndalohet me ligje të veçanta përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar në Mal të Zi, kur në Hagë dërgohen figurat ndër më të shquarat të luftës së Kosovës ndërsa kriminelët serbë që prenin shqiptarët me thika në fyt dhe dhunonin femrat shqiptare lëvizin shlirë jo më larg se veriu i Kosovës; …
Pra, pikërisht kur po ndodhin kaq shumë të këqija në Kosovë dhe rreth Kosovës, kur asaj po i kërcënohet rreziku si shtet sovran, ne si pjesë e pandarë e popullit nuk mund të heshtim ndaj denigrimit të figurave të luftës e përmes tyre edhe e gjithë lufta e drejtë dhe e lavdishme e Kosovës e drejtuar dhe zhvilluar nga UÇK-ja. Të mos harrojmë se në këtë luftë kanë rënë me pushkë në dorë mbi 2000 luftëtarë të UÇK-së. Nuk ka vend në botë ku janë vrarë kaq shumë prijës e komandantë lufte sa në Kosovë. Prandaj, pse sulmohen e denigrohen ata sot në kohë “paqe”?
Në emër të këtij tubimi të bashkatdhetarëve të tubuar në Luzern, për njoftimin e mediave ngarkohet Naser Tupella.
_________________________________