MAKFIRE( MAҪEDONCI) CANOLLI: ‘MYRVETJA’ – HIDAJETJA, VAJZA HEROINË E ILEGALES 1981

(USA, 12. 02. 2013) – Ishte viti 1981, “Pranvera e madhe” e demonstratave të para! Pas disa javësh, ndoshta jo edhe shumë, familjes sonë ju shtua edhe një anëtare e re! Ishte një vajzë me flokë të gjata e të zeza, kishte shtatë të gjatë e sy të bukur! Ishte në mos gabofsha muaji Prill apo Maj i vitit 1981. Isha në moshën 11 vjeçare dhe kur u ktheva nga shkolla, atë vajzë e gjeta në mesin e anëtarëve të familjes sonë. Pasi që nuk e njihja dhe nuk e kisha takuar asnjëherë me parë, isha e bindur, se, nuk është ndonjë e afërme e jona. U bëra kureshtare ta dija se kush ishte? Si quhej? Nëna me përqafoi dhe me tha – Kjo është një motër e jotja, quhet “Myrvete” dhe nëse të pyet ndokush nga Dajt se – Kush është ajo vajzë që po qëndron në shtëpinë e juaj? Ti duhet t’ju thuash, se, – Ajo është “mbesë e hallës e ardhur nga fshati”! Ndërsa, nëse të pyet ndokush nga të afërmit e babait apo edhe fqinjët, u thuaj – Është ” vajza e kushërirës se nënës, e ardhur nga fshati”! Nëna me tha, të lutem ke kujdes dhe mos më pyet asgjë më shumë dhe nëse vëren diçka rrethë shtëpisë, apo edhe ndonjë makinë të policisë të vishë me vrap dhe të na njoftosh dhe mos më pyet asgjë më shumë!
E përqafova motrën “Myrvete” dhe fillova të shoqërohem me të.
Ajo me pyeste, se, si po kaloj me mësimet në shkollë, cila lënd më pëlqen më së shumti etj. Edhe unë përpiqesha të di me shumë rreth saj, po më duhej të bëja kujdes në pyetjet e mija, se, edhe pse isha në moshë të re, e kuptova se diçka nuk ishte në “rregull”!
Me interesonte ta dija, se pse duhej të përgjigjesha ashtu siç më porositi nëna, pse ajo qëndronte në shtëpinë tonë, nga kush kishte frikë, e shume pyetje që me vinin vërdallë në mendjen time! Po ta pyesja se, pse ke ardhur në shtëpinë tonë? Më vinte turp dhe ndihesha në siklet, se e dija se, ajo pyetje nuk duhej t’i bëhej një mysafiri!

Hidajete Osmani – Bytyqi, Myrvetja e ilegales 1981.

…………………………………

Me pëlqeu ajo vajzë shumë dhe fillova qysh ditën e parë ta doja vërtetë si motrën time. Ajo na mësonte poezi të ndryshme si mua ashtu edhe dy djemve e vëllait të madh, pra nipave të mi.
Si sot më kujtohet një poezi e saj, ku fillonte:
Jam i vogël asgjë s’di
veç dy fjalë për Shqipëri,
për Flamurin kuq e zi
për Enverin dhe Parti!
Shpesh herë na tregonte edhe ndonjë përrallë apo edhe ndonjë barsolete. Ditët kalonin dhe “Myrvetja” bëhej edhe më e dashur për të gjithë ne. Më ndihmonte rrethë detyrave të shtëpisë dhe një ditë i thash.
– Si i din Ti të gjitha, pasi je vajzë nga fshati, a ke qenë Ti në shkollë?
– Ajo buzëqeshi, më përqafoi fort dhe me tha – Po edhe unë kam qenë në shkollë dhe kur e kam përfunduar shkollimin, kam punuar si “mësuese”!
Sa çudi, sot e asaj ditë nuk e di vërtetë a ka qenë “mësuese” ndonjëherë, apo vetëm më tha ashtu! Sido që të jetë, ajo vërtetë kishte qenë vajzë e talentuar dhe unë si fëmijë e kuptoja se ajo ishte vajzë e zgjuar!
Një natë në mbrëmje, kur vetëm filloi të errësohet, mund të ketë qenë muaji gusht i vitit 1981 në shtëpi erdhi Adem Prapashtica, vëllai i Abdullah Prapashticës, që ishin të vëllamzuar me vëllain tim Rexhën dhe që ne fëmijët e thërrisnim daja Duk!
Biseduan me vëllanë Rexhepin në oborrë dhe e thirrën edhe “Myrvetin” dhe biseda e tyre zgjati nja 20 apo 30 min! Ademi dukej shumë i shqetësuar dhe i vëreja se edhe “Myrveti” edhe Rexha u shqetësuan dhe diskutonin me zë të ulët dhe unë sillesha gjoja se po luaj, mirëpo nuk mund të ju afrohesha aq afër dhe kështu nuk mund të dëgjoja asgjë nga ajo bisedë!
“Myrveti” hyri brenda në shtëpi, veshi një palë pantallona të meshkujve, një xhaketë të meshkujve dhe e vuri një kapelë në kokë, pasi flokët e gjata i lidhi. E ktheu jakën e xhaketës sipëri rreth qafe. Me një fjalë u maskua aq bukur, sa vërtetë nuk mund ta njihje se nuk është “djalë”!
U përqafua me prindërit e m’i, me nusen e vëllait, me vëllezërit e tjerë, nipat e vegjël dhe që të gjithë qanin! Fillova edhe unë të qaj dhe i lutesha në shpirtë, rri e mos ik, ku do të shkosh, pse nuk po rrinë me ne, kush të ka hidhëruar??
Ajo me përqafoi fort, më puthi në faqe e më tha:
– Jo shpirt është koha të largohem, mos harro, të dua shumë! U ndamë me lot në sy të gjithë dhe ata ikën! Më vonë, dikur shumë vonë vëlla Rexha erdhi në shtëpi dhe prindërit të shqetësuar e pyetën, a ishte çdo gjë në rregull? A u vendos “Myrveti” dhe si kaluat rrugës! Ishte diku ora mbas 12 e natës dhe mua akoma nuk më zinte gjumi. Më silleshin në mendje ditët që i kaluam së bashku me “Myrveten”, se sa bosh më dukej dhoma pa praninë e saj, sa më mungonte zëri i saj, buzeqeshja e saj, dashuria e saj! Isha kureshtare të dija, pse iku, ku shkoi, pse ishin të shqetësuar, pse u maskua ashtu ajo?!
Çfarë po ndodhte, pse më tha është koha të largohem?
Pyetje këto që më mundonin në shpirtë dhe mezi i kuptova, më vonë!
Nuk shkoi shume kohë, që u largua “Myrvetja” nga familja jonë dhe pikërisht me 20 Mars 1982 u burgosën vëllezërit e mi (*). Mbas disa ditësh e kuptova, se, edhe një vajzë e cila quhej Hydajete, qenka burgosur dhe nëna ime qante për të dhe lutej për te.
E pyeta – Nënë kush është ajo vajzë, që ti po qanë për te?
Ajo me tha – Të kujtohet “Myrveti”?
Thash – Po si jo!
Më tha – Ajo është sot në burg!
Thash, po ti the Hydajetja qenka burgosur!
Nëna me përqafoi e me tha – “Myrvetja” quhej Hidajete, po ne e thërrisnim ashtu të humbnim gjurmë, po ja moj nënë, përsëri e paskan zënë! Fillova të qaja edhe unë dhe vërtetë u ndjeva e thyer në shpirtë…!
Kaloi një kohë dhe e kuptova, se, “Myrvetja” siç e quanim ne, apo Hidajete e kishte edhe babën në burgjet serbe! Mbas dajës në Liri, babai i saj erdhi në vizitë te ne dhe e falënderoi babanë tim, për gjithë sakrificën që kishte treguar familja jonë, gjatë qëndrimit të vajzës së tij “Ilegale”, në shtëpinë tonë!
Më kurrë nuk kam pasur rastin ta takoj “Myrveten” dhe ta përqafoj për së afërmi! Kam dëgjuar se është martuar, në Has të Prizrenit dhe sa e vërtetë është kjo nuk e di. Por, kudo qoftë, uroj të jetë mirë me shëndet dhe i dëshirojë jetë të gjatë e të lumtur dhe i lumtë asaj burrëreshe, që ishte krah për krah me burrat në vijën e rezistencës dhe që qëndroi si trimëreshë! Kjo, pra, ishte vajza heroinë apo motra që nuk e takova më kurrë! Trimëresha që kaloi rininë e saj, në burgjet serbe së bashku me babain dhe shume motra e vëllezër të tjerë, vetëm pse ishin shqiptarë dhe kërkonin të drejtat e tyre!!!

……………..

(*) SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, nga data 07 gjer më 12 shkurt 1983 u mbajt procesi gjyqësor kundër 23 pjesëtarëve të PKMLSHJ’së. Tri ditë më vonë, më 15 Shkurt, Trupi Gjykues i përbërë nga gjyqtarët: Mentor Qoku – kryetar, Verosllava Dimiq – gjyqtare, Dojqin Maksimoviq, Ilaz Aliu dhe Emin Azemi, gjyqtarë porot si dhe Atifete Krasniqi – procesmbajtëse, shpalli aktgjykimin P-K.nr. 167/82, dhe në “Emër të popullit” këta intelektualë u dënuan prej 1- 14 vjet burgim.

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Shkurt 1983:
Rexhep Maqedonci – gjatë gjykimit të pjestarëve të PKMLSHJ’së

………………………

Zyrafete Kryeziu-Manaj- Konsiderat për njerëzit e veprave

E nderuara zonja Sabile,

të përgëzoj për punën e mirë dhe të mbarë që bëni. Njerëz si ju i duhen truallit tonë arbëror andaj të përgëzoj. Për të shkruar për Hidajete Osmanin-Zanën e brenda mureve të burgut të Mitrovicës, duhet të kesh guximin dhe memorjen e mpreht. Ajo nuk nguroi të ligjeronte më gjuhën e tokës dhe të fliste për historin e truallit të përgjakur, pa llogaritur çmimin për të. Pa dyshim, kohën duhet uitur me kujtesën tonë, që historia të jetë e freskët për brezat që do vin. Këtyre gjeneratave i duhet një penë e mreht si e zonjës Sabile, për të nxjerr në dritë personalitete siç është Zana. Unë pata fatin e mirë që të njifem me të, pikërisht aty ku mundoheshin të na ndanin, të na izolonin dhe të na persekutonin. Vet puna dhe vepra e saj, ekzalton personalitetin e saj në çdo kohë. Ajo dhe familja e saj gëzon respekt, por shteti ynë duhet të gjej mënyrën, dhe kohë që njerëzit e tillë t’u jap mirënjohjen e merituar.
Nga larg ju përqafoj me shumë respekt Zyrafete Kryeziu-Manaj

*   *   *
LEXONI SHKRIMIN:
PROF.DR.SABILE KEQMEZI-BASHA:

NJË PROCES I PAZAKONTË GJYQËSOR PËR VEPRIMTAREN HIDAJETE OSMANIN
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=1263

…………………………………………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura