Në 24 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë
„MARRËVESHJA E RAMBUJESË“ NUK DUHET TË NËNSHKRUHET! DËSHMI ARKIVORE – DEKLARATË E LPK’së DEGA J.V
Nga Sheradin Berisha
Më 18 mars 1999 në qendrën Kleber të Parisit, delegacioni i Kosovës nënshkroi njëanshëm Marrëveshjen e Rambujesë, të negociuar gjatë bisedimeve (06 – 23. 02. 1999), me shtetet e Grupit të Kontaktit që kryesohej nga SHBA’ja. Marrëveshjen e nënshkroi shefi i delegacionit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili njëkohësisht kryesonte grupin e përfaqësuesve të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës (UҪK’së) në këtë konferencë si, shef i Drejtorisë Dolitike të SHP të UҪK’së. Dihet mirëfilli se, kundër marrëveshjes së Rambujesë ishte Zyra e UҪK’së në Prishtinë, në krye me Adem Demaçin, por, opinioni i gjerë publik nuk e dinë mirëfilli se, kundër nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ishte edhe Lëvizja Popullore e Kosovës, Dega j.v, si themeluese dhe financuese e UҪK’së! Në arkivin tim ruaj një deklaratë të KP të LPK, dega j.v, me titull: “MARREVESHJA NUK DUHET TË NËNSHKRUHET”, të përgatitur nga Kryetari i LPK’së, d.j.v., Bedri Islami.
Në mbledhjen e mbajtur më 6 mars 1999 (12 ditë para nënshkrimit të marrëveshjes nga Hashim Thaçi), Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Dega jashtë vendit (KP i LPK-së, Dega J.V), pasi ka analizuar dhe diskutuar me përgjegjësi të lartë Dokumentin e Rambujesë: “Marrëveshja e përkohshme për paqe dhe vetadministrim në Kosovë”, në mënyrë unanime, ka vendosur të deklarojë, “se kjo marrëveshje nuk duhet të nënshkruhet, pasi në Dokumentin e paraqitur nuk realizohet asnjëra prej aspiratave të popullit tonë.”
Përmes kësaj deklarate KP i LPK’së, Dega j.v, i “obligon të gjithë anëtarët e këtij forumi drejtues, të cilët kanë tashmë detyra të rëndësishme në radhët e UҪK’së që të përcaktohen qartë në mbështetje të kësaj deklarate dhe të qëndrimit politik të Organizatës.” dhe se, “asnjëri prej anëtarëve të saj, në çfarëdo strukturash të jetë, nuk është i autorizuar të nënshkruajë për autonominë e Kosovës”. Gjithashtu “Ajo u bën thirrje të gjithë anëtarëve të saj, të cilët janë në radhët e UҪK’së apo në territoret e tjera të Kosovës që të përmbushin vendimin e Organizatës.”.
Më poshtë lexoni deklaratën e KP të LPK, Dega jashtë vendit:
DEKLARATË E LËVIZJES POPULLORE TË KOSOVËS – DEGA JASHTË VENDIT
MARREVESHJA NUK DUHET TË NËNSHKRUHET
– Lëvizja Popullore e Kosovës deklaron se asnjëri prej anëtarëve të saj, në çfardo strukturash të jetë, nuk është i autorizuar të nënshkruajë për autonominë e Kosovës.
– Obligohen të gjithë anëtarët të cilët kanë tashmë detyra të rëndësishme në radhët e UҪK’së që të përcaktohen qartë në mbështetje të kësaj deklarate dhe të qëndrimit politik të Organizatës.
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Dega jashtë vendit, në mbledhjen e tij të datës 6 mars 1999, analizoi dhe diskutoi me ndjenjë të lartë përgjegjësie Dokumentin “Marrëveshja e përkohshme për paqe dhe vetadministrim në Kosovë”, paraqitur në Takimin e Rambujesë.
Duke e shikuar në tërësi Dokumentin e paraqitur, lidhur ngusht me të sotmen dhe me aspiratat e popullit shqiptar në Kosovë, me përcaktimin e tij për Pavarësi dhe prosperitet, dhe me të gjitha zhvillimet e tjera të mundshme, Këshilli i Përgjithshëm i LPK’së, duke u mbështetur edhe në mendimin e këshillave popullorë, në mënyrë unanime, vendosi të deklarojë, se kjo marrëveshje nuk duhet të nënshkruhet, pasi në Dokumentin e paraqitur nuk realizohet asnjëra prej aspiratave të popullit tonë.
Lëvizja Popullore e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, krijuese e Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës, deklaron qartë se askush nuk mund të paragjykojë të ardhmen e Ushtrisë Ҫlirimtare – e cila ka qenë dhe mbetet shpresa e vetme reale për Pavarësinë e Kosovës.
Lëvizja Popullore e Kosovës, deklarohet kundër nënshkrimit të “Marrëveshjes së përkohshme për paqe dhe vetadministrim në Kosovë”, sepse:
– Populli shqiptar është përcaktuar me referendum për Pavarësinë e Kosovës. Ky përcaktim historik nuk është në Dokument. Pa një përcaktim të tillë, pa të drejtën e vetëvendosjes së popullit tonë për të ardhmen e tij, nuk mund të nënshkruhet asnjë lloj Dokumenti. Nënshkruesit e tij do të mbartin përgjegjësi historike.
– Lëvizja Popullore e Kosovës, nuk pranon që të nënshkruhet një Dokument ku është përcaktuar ruajtja e integritetit të mbetjes jugosllave – sepse kjo do të ishte pranim i një shkalle të ulët autonomie, mbetje nën Serbi, dhe sepse ajo, LPK, ka luftuar e do të luftojë për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës.
– Lëvizja Popullore e Kosovës është dhe do të mbetet për fuqizimin, strukturimin dhe modernizimin e Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës. Ajo përcaktohet prerë se është kundër çdo lloj paramendimi për shpërndarjen e saj, për transformimin në parti apo shoqatë politike. Ajo dënon çdo tentativë për nënshkrimin e çdo marrëveshje për çarmatosjen e Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës. Ajo është krijuar jo për të kapitulluar, por për të mbrojtur popullin e saj nga vrasjet, mizoritë dhe dhuna serbe.
– Lëvizja Popullore e Kosovës është për një Konferencë të re për Kosovën, në të cilën pa paragjykime dhe mbi bazën e të drejtës historike të popullit për të jetuar i lirë dhe i pavarur – të merren vendime historike për të ardhmen e Kosovës.
– Lëvizja Popullore e Kosovës deklaron se asnjëri prej anëtarëve të saj, në çfarëdo strukturash të jetë, nuk është i autorizuar të nënshkruajë për autonominë e Kosovës.
– Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Dega jashtë vendit, obligon të gjithë anëtarët e këtij forumi drejtues, të cilët kanë tashmë detyra të rëndësishme në radhët e UҪK’së që të përcaktohen qartë në mbështetje të kësaj deklarate dhe të qëndrimit politik të Organizatës.
Ajo u bën thirrje të gjithë anëtarëve të saj, të cilët janë në radhët e UҪK’së apo në territoret e tjera të Kosovës që të përmbushin vendimin e Organizatës.
Këshilli i Përgjithshëm i LPK’së,
Dega jashtë vendit
Kryetari: Bedri ISLAMI
© Pashtriku.org, 29. 03. 2016
________________
Shtojcë:
Më 18 mars 1999, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan dy marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës e nënshkroi marrëveshjen e ofruar nga ndërmjetësit ndërkombëtarë në Rambuje, ndërsa delegacioni serb e nënshkroi vetëm projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë, por jo edhe marrëveshjen që përfshinë edhe pjesën ushtarake!
***
Paris, 18 mars 1999: Akti i nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë nga Delegacioni i Kosovës dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë…
***
MARRËVESHJA E PËRKOHSHME PËR PAQE DHE VETËQEVERISJE NË KOSOVË / RAMBUJE – FRANCË / 23 SHKURT 1999
https://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2019/01/Dokumenti_i_Rambujese1494293807.pdf
Rambuje eshte nje krim!