MASAKRA NË ÇAMËRI NË DRITËN E DOKUMENTEVE DHE DËSHMIVE TË REJA (FOTO – VIDEO)

Pashtriku.org, 27. 06. 2014 – “Masakra në Çamëri” një libër me përmbledhje dokumentesh i përgatitur nga Kastriot Dervishi, botoi Shtëpia botuese “55”. Ky libër sjell dëshmi të të mbijetuarve dhe dokumente arkivore mbi masakrën çame në vitet 1944 -1945. Duke shfrytëzuar arkivat e Ministrisë së Brendshme, të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Arkivit Qendror të Shtetit, autori Kastriot Dervishi na jep një përmbledhje prej 235 faqesh, të atyre materialeve, që na e japin qartazi se çfarë ka ndodhur në Çamëri. Ndonëse autori ofron informacion të përgjithshëm mbi krahinën e Çamërisë, pretendimet greke dhe fillimet e përndjekjeve në këtë krahinë, në faqet e këtij libri flitet kryesisht për ngjarjet e viteve 1944 – ’45. Ishin vitet kur kulmoi përndjekja ndaj popullsisë çame, me qindra vrasje dhe shpërnguljen me dhunë të popullsisë. Autori anashkalon çdo lloj komenti në lidhje me këto materiale, duke e lënë lexuesin të dalë vetë në përfundim.


Spastrimi etnik në Ҫamëri!!!

Për të futur lexuesin në një rrjedhë normale të leximit, libri hapet me disa informacione enciklopedike rreth Çamërisë, të marra nga Fondi nr.200 (Instituti i Studimeve Shqiptare) i Arkivit Qendror të Shtetit. Në të ofrohet një informacion mbi vendndodhjen gjeografike, etimologjinë e emrit Çamëri dhe ngjarjet më kryesore që lidhen me këtë krahinë, që nga islamizimi, sundimi nga Ali Pashë Tepelena, përfshirja në pretendimet e “Megalo Idesë”, mbetja jashtë kufirit shqiptar, etj. më tej vijojnë pjesë studimesh nga autorë të ndryshëm për Çamërinë, duke përfshirë këtu pjesë nga Enciklopedia e Sami Frashërit, apo mendime të Lord Bajronit.
E më tej vijojnë dokumente nga arkivat shqiptare që dëshmojnë për masakrat në Çamëri, duke nisur me vrasjet e para në qytetin e Paramithisë në 27 qershor 1944, për të vijuar me Filatin në muajin gusht e për të vijuar me kalvarin e emigrimit drejt Shqipërisë, ku shumë të mbijetuar vdiqën gjatë rrugës nga uria, të ftohtët e sëmundjet. “Sot populli çam paraqet një numër prej afro 18 mijë vetë. Pra një e pesta humbi nga masakrimet dhe vdekjet që u ndoqën në emigrim”, – shkruhet në dokumentet e Ministrisë së Brendshme. Me t’u vendosur në Shqipëri, e cila e sapodalë nga Lufta Antifashiste po kalonte një periudhë të vështirë ekonomike, përfaqësues të popullsisë çame nisën njëra pas tjetrës memorandume e letra drejtuar organizmave të huaja, si Konferencës së Ministrave të Jashtëm Aleatë në Londër, Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Sekretarit të Shtetit në Uashington DC, etj, ku kërkojnë riatdhesimin sa më të shpejtë, shpërblimin për humbjet, gëzimin e të gjitha të drejtave demokratike, si dhe gjykimin dhe dënimin e të gjithë përgjegjësve të kësaj ngjarjeje të dhimbshme. Por nuk mungojnë edhe raportet e pushtetit popullor shqiptar mbi gjendjen e popullsisë çame, që me gjithë fatkeqësinë e kësaj të fundit, nuk e shihnin dot jashtë ngjyrimeve politike. “Përsa i takon gjendjes politike mund të themi se ndër ta është bërë fare pak punë politike. Ata kanë kuptuar deri diku vijën e drejtë të Frontit tonë Popullor, por nuk janë në gjendje të rezistojnë para korrupsionit që mund të bien nga njëri çast në tjetrin. Koshienca revolucionare i mungon krejt. Janë shumë të shtypur.

Tani në kohët e fundit klika e vjetër tradhtare ka lëshuar një shumicë parullash si p.sh: “Kur s’na mban dot Shqipëria le të na dërgojë në Turqi…” porsa i takon ngjarjeve të brendshme politike ata thonë, që çdo gjë është në interes të popullit, por neve nuk po shikojmë gjë. Simpatizojnë shumë Turqinë dhe e quajnë si një fuqi të madhe, ndërsa për bashkimin Sovjetik nuk kanë ndonjë simpati. Flasin mirë sidomos për amerikanët”. Kjo është një pjesë nga raportimet e kohës. Ndërsa në një procesverbal të mbledhjes së Byrosë Politike të PPSH-së në 25 mars të 1949 flitet për pastrimin e popullsisë çame nga elementi reaksionar. Në fjalën e vet Mehmet Shehu thotë se nuk e kanë nën kontroll masën çame dhe se është e nevojshme dërgimi mes tyre i njerëzve të partisë. “Këtu kuptohet se sa larg është partia jonë nga këto masa. E rëndësishme është të veprohet me këta armiq të reaksionit, pastaj të shihet cilët janë ata elementë anëtarë partie, që i kanë trajtuar kështu të dërguarit tanë. Këta të përjashtohen nga partia dhe të dërgohen në kamp”, – thotë Shehu. Më tej, gati gjysma e librit ofron dëshmi rrëqethëse të së mbijetuarve, që kanë parë me sytë e tyre t’u vriten të afërmit. Dëshmi për vrasje masive nëpër xhami, brenda shtëpive dhe përdhunime të grave dhe vajzave. Libri ofron statistika të së vrarëve, grabitjeve, dëmeve, si dhe lista e të gjithë fshatrave në krahinën çame, sipas përbërjes etnike.
Më poshtë do të japim disa prej dëshmive të dokumentuara – botuar në këtë libër:
Dëshmi të të mbijetuarve
Në shtatorin e 1944 çetat zerviste të komanduara nga kolonel Kranja, etj., rrethuan nga të gjitha anët Spatarin. Të premten pas dreke në orën 11:00 allaturka zervistët hynë në katund. Në mëngjesin e ditës tjetër grumbulluan të gjithë popullin tej xhamia e fshatit, nga ana tjetër ushtarët filluan të grabisin e të çnderojnë gratë, vajzat e plakat. P.C 50 vjeçe mbasi e çnderuan dhe i morën paratë, i prenë flokët, veshët, e vranë në bahçen e saj, tek guri i Muçes. Në shtëpinë time qe familja e Sako Banushit nga Skopiana. Mbasi çnderuan gratë, i shpuan me thikë dhe në fund i vranë. Burrat që i kishin mbledhur në xhami, i shpunë në shtëpinë e Kocanit në Filat, ku i vranë në një gropë në fushën e Filatit…
Dervish Sulo nga Spatari
* * *
Më 18 shtator 1944 ikëm nga Filati dhe vajtëm në katundin Spatar, atje erdhën ushtarë zervista dhe më morën burrin pas tre ditë bashkë me gra të tjera shkuam në Filat për të parë burrat të cilët ndodheshin në burg . Në këtë kohë na vënë edhe neve burg ku na lanë një natë. Tjetrën ditë na morën dhe na shpunë në ikotrofie dhe burrat na i vranë në fushë të Filatit. Midis të tjerëve ishte edhe burri i jem Barjam Azemi vjet 48 edhe kunati tim Lahe Halil Azem. Në burgun tonë të grave zervistat zgjidhnin gratë që u pëlqenin dhe i ç’nderonin. Për këtë vrasje dhe ç’nderime kaq ç’njerëzore kërkojmë nga ai komision që të shkojë në vend dhe të hetojë përsa sipër.
Shabane Azemi – Delvinë më 26 shkurt 1947

* * *
Ushtarët zervista hynë në Paramithi më 28 qershor 1944 të Martën dhe të mërkurën, ushtari zervist Kiço Koma nga Paramithia mori burrin tim Velinë, vjeç 68 dhe ma theri me thikë. Të enjten ushtarët zervista erdhën të merrnin vajzën time Shuquranën por e shpëtova se ju dhashë të gjitha paratë që kisha afro tridhjetë miliona dhrahmi një unazë floriri dy gjysma lirash dhe një palë vathë floriri si edhe sende të tjera të çmuara. Zervisti Dhimo Pasko me djalin e tij Sotir Pasko nga Paramithija më morën djalin tim Abedinin vjeç 19 dhe ma vranë brenda në shtëpi. Një tufë lesh bashkë me lëkurën e kokës së tij e mbaj akoma në xhep për kujtim. Ushtarët zervista rrahën për vdekje djalin tim të vogël Prenjën para syve të mi dhe mbasi unë doja ta mbroja më rrahën barbarisht dhe mua. Kërkoj që komisioni të shkojë në vend për të hetuar rreth këtyre ngjarjeve të tmerrshme.
Fatime Prenjo – Delvinë më 26 shkurt 1947
* * *
Ne çamët e vendosur në Nënprefekturën e Sarandës të persekutuar nga repartet ushtarake të Napolon Zervës në qershor e shtator të vitit 1944 e shkurt mars të vitit 1945 mbasi lamë në Çamërinë tonë eshtrat e 100 vëllezërve motrave, baballarëve, nanave dhe çilimiqëve tanë, mbasi na u grabit e tërë pasuria tonë mbasi motrat dhe vajzat tona pësuan ç’nderimet më ç’njerëzore, emigruam në Shqipëri ku gjetëm përkrahjen më vëllazërore nga populli shqiptar. Vuajtjet tona nuk përshkruhen. Nenuk e meritonim këtë trajtim, sepse edhe ne u radhitëm krahas popujve përparimtarë antifashist për zhdukjen e murtajës naziste. Ne i dhamë kauzës së përbashkët të kombeve të bashkuara repartet tona partizane dhe dëshmorët tanë. Kërkojmë që komisioni për shqyrtimin e kaq pësimeve tona të shkojë në Çamërinë tonë për të konstatuar së afërmi tragjedinë e popullatës çame. Atje do të diktohen vendet ekzakte të masakrave barbare, atje do të vihet ekzaktësisht gishti ujkut fashist atje do të dalin në dritë kockat e viktimave, atje do të duket begatia e Çamërisë sonë larë me djersën tonë dhe shkatërrimet përfundimtare të vatrave tona nga njerëzit e autorizuar të barbarëve zervista.
Komisioni: Ismail Halili, Dine Mani, Ferik Meço, Idriz Bajram, Mehlika Meti –
Delvinë më 27 shkurt 1947

* * *
Unë Melika Met Sali nga Filati i Çamërisë njoftoj se në shtator të 1944 kur hynë ushtarët e Zervës në Filat, na mblodhën të gjithë neve shqiptarët duke na ndarë gra e çiliminj veç ku përbëheshin prej 500 vetash dhe burrat veç, na burgosën në ikotrofio të Filatit ku nga uria vdiëq mëse 70 gra e çiliminj sepse racioni bukës që na jepesh ishte vetëm 50 gram në ditë. Këtu pashë me sytë e mi të torturoheshin pa mëshirë shumë gra nga zervistat dhe midis të tjerave gruan e Sherfi Sulejmanit 50 vjeçare e cila vdiq nga druri si dhe nanën e Hate Hallunit nga Filati. Mua më rrahën personalisht me kamxhik. E shoqja e Xhelo Rexhos nga Dovani u burgos me 7 fëmijë nën 12 vjeç dhe këtu i vdiqën 6 fëmijë një e quajtur Merushe nga Dovani u burgos me 3 çiliminj dhe doli vetëm. 50 ditë na mbajtën në ikotrofio dhe pastaj na përcollën për në Koske pasi na morën të gjitha plaçkat që kishim me vete. Në Koskë, ushtarë të Zerves ç’nderuan 10 gra, nuse dhe vajza nga konaku ku isha vetë. Nga këto e shoqja e Xhelo Galbaqit së bashku me mbesën dhe të reja të tjera nga Varfanji e Lopësi. Kërkoj që komisioni të shkojë në krahinat e Çamërisë dhe të hetojë rreth sa thash më sipër.
Melika Met Sali – Sarandë më 27 shkurt 1947
* * *
Unë Idriz Bajrami nga Karbunari Çamërisë vërtetoj se në shtator të 1944 trupat e Zervës të komanduara nga kolonel Kamara dhe nënkolonel Kranja hynë në fshatin tonë dhe vranë nanën time Luftie Bajrami vjeç 60 me 5 gra të tjera Mehani Isufi së bashku me nusen e djalit Saja (Gjylsim Vehipin) Kadrije Hamdinë dhe nanën e Simo Dodit nga Paramithia. Me këtë rast ushtarët zervista vranë 39 persona në fshatin tonë gra pleq dhe fëmijë, ndër të cilët Osman Pasha, Neime Rexhepi, Kadrie Metushime 3 vajzat dhe të vjehrrën Mine Jahja, Zeqir Duli, Hajrije Xhemo dhe të bijën Mate, Fatime Xhaferin me dy të bijat, Dul Mellija, Shaqire Abedini, Sherif Feimi, Ramadan Jasini, Haxhi Aliago, Isa Omer, Hamide Husnija, Hajredin Mane, Haneme Tahire, Hasije Alush, Zubo Shpata e të tjerë të ndjekur nga trupat e Zervës dhe që strehoheshin në Karbunarë. Janë vrarë 6 veta në Kardhiq: Xhafer Lushi së bashkume gruan dhe me djalin Tafil Isai, Hadër Bazi dhe Lako Kasemi. Për këto krime të shëmtuara të kryera ndër fshatare të pafajshëm kërkoj që komisioni të shkojë në vende të Çamërisë për të hetuar të vërtetën mbi barbarizmat e pa mëshirshme të kësaj ushtrie.
Idriz Bajrami – Sarandë më 27 shkurt 1947

***
Nji pasqyrë nga tragjedija e Çamërisë
Ç’na thotë nji imam nga qarku i Filatit – Ngjarjet e 1943-1945

Ishte ditë e hanë. Ndodheshim në sallën e Kryesisë së Komunitetit Musliman. Aty na erdhi nji hoxhë prej Çamrije, i quejtun Uzejr Dauti. Kishte qenë imam në nji nga katundet e Filatit. Kishte ardhur për të kërkuar punë dhe Kryesija e Komunitetit, pa humbë kohë, mori masat e duhura për me i bâ nji vend që kështu t’i pakësojë vuejtjen që kishte pësue.
E pyetëm mandej se ç’e kishte shtye me e lanë vendin e vet dhe me ardhë në Shqipëri të lirë? – Na u përgjegj me buzë të dredhur dhe me sy të përlotur mbi gjithë ato masakra që kishte parë me syt e tijpërtej kufirit disa kohë më parë kundër popullatës së pafajshme myslimane shqipëtare. Ësht për të theksuar se edhe tiparët e fytyrës së tij tregonin kjartë vuejtjet dhe terrorin që kishte shijuar nga monarko-fashistët Grekë. Ai i shprehte hollësisht episodat aqë sa na la të habitur e të tmeruar dhe na bëri sikur me e pá me sytë t’onë tragjedinë e kobëshme që kishte ndodhë në ato vende:
NË PARAMITHIË
“Një dite kriminelët Grekë Monarko-Fashistë e Kuislingë mblodhën gjithë meshkujt myslimanë 15 vjeçë e lartë në Shkollë të Paramithisë. Shkuan mandej të kërkojnë Myftinë e vendit, Hasan Efendinë për t’a bashkuar me të tjerët dhe e morën. Por kur duelën jashtë në vend që t’a shpinin në Shkollë, e vranë te dera e shtëpisë tue e çpuar me thika. E shoqja, me të ndëgjuar zhurmën, duel tue uluritë, por edhe kjo pësoi të njajtin fat. Së fundi duel e bija, tue qarë e tue bërtitë për të jatin e për të amën, por edhe këtë e shtrinë barbarisht për dhé. Këta janë klikat reaksionare greke të Megalidhesë, të cilat as kanë zënë as do të zënë mënd kurrë me gjith grushtet që kanë ngrënë kohë mbas kohe nga fqinjët e tyre më të mbëdhenj. Politika e tyre shoveniste ka qenë gjithmonë kundër elementit mysliman shqipëtar të Çamërisë deri sa tashti në kohët e fundit një pjesë të atij elementi e çfarosën fare dhe pjesën tjetër e përzunë prej vatravet të tyre.”

Imami i sipër përmendur vazhdon gjithënji tue dashtë me dhanë shpjegime më të gjëra:
“Para se t’i mblidhnin myslimanët shqipëtarë në Shkollë, nxorrën një tellall, i cili lajmëronte se e tërë popullata myslimane duhet të mblidhet medoemos në até vend. Ata vunë edhe një tellall tjetër i cili do të thërriste tue porositë grekët e vendit që të mos mshefin asnji mysliman se për ndryshe do të pushkatohet çdo njeri që bën një vepër të tillë. Urdhëri ishte kategorik. Mbasi e kryen mbledhjen j’a filluan bastisjes, plaçkitjes dhe kontrollit në çdo shtëpi. Hynin e dilnin grumbuj grumbuj nëpër shtëpira myslimane. S’lanë asnjë burrë mysliman pa zënë, me përjashtim të çilimijve e të grave. Më në fund j’a filluan thertores: disa i pushkatuen dhe të tjerët i therën me thika e me bajoneta. Fëmijët e gratë mbenë për një-a-dy muaj në Paramithië. Këtyre j’u epesh vetëm 50 gram bukë në ditë për çdo frymë. Më në fund i nxorrën jashtë Çamërisë tue i sjellë në Shqipërië. Monarko-Fashistët e kuislingët i vunë mandej zjarrin shtëpijave e faltoreve myslimane të qytetit dhe të katundeve.”
Kështu e shpjegon hoxha Thertoren e Paramithisë, tashti këthehet të na shpjegojë edhe mbi até të Filatit, e cila âsht edhe më fryksuese e tmerruese:
NË FILAT
“Një muaj mbas thertores së Paramithisë (vijon hoxha), filloi Thertorja e Filatit. Kur bisha Gjermane tërhiqej për në Gumenicë dhe prej këndej për në Filat e Konispol, një bishë tjetër monarko-Fashiste e kuislinge greke, pjellë e mësimeve të ndyra të Gestapo-s, po i vërsulej myslimanëve shqipëtarë, të cilët këtë herë, po i mbulonte kobi më i zi. Grekët e sipër përmendur përdorën edhe këtu sistemin e çfarosjes si në Paramithië. I mblodhën burrat myslimanë që të gjithë dhe i shpunë në Shtëpinë e Koçanit. Dy orë mbas akshamit i nxorrën prej andej dhe i shpunë te ura e Filatit, ku i pushkatuanë. Grave dhe fëmijëve, që i kishin mbledhë në shkollë të vendit, j’u caktuen 50 gramë bukë në ditë si atyre të Paramithisë. Pak më vonë i përzunë fare tue i nxjerrë jashtë kufirit për në Konispol.”
“Mbas një mueji në Filat hyri Eami ( Forcat e armatosura komuniste greke) dhe nxorri një komunikatë me të cilën lajmëronte që kush të dëshironte nga familjet e ikura mund të këthehet në Filat se nuk e gjen gjë. Me të marrë vesht këtë lajm, shumë familje u-këthyenë në Filat, në Spatar, në Kalibaq e në Vërselë. Por ushtërija e Eam-it nuk qëndroi shumë aty, ajo mbas pak ditësh shkoi në Janinë, tue lënë vetëm disa roje në Filat. Mbas këtij largimi të Eam-it u-futën në qytet Zervistët , të cilët lajmëruan popullsin myslimane të mblidhet në Mejdanllik të pusevet të Filatit. Asqerët burracakë të Zervës e rrethuan popullatën e pa mbrojtje të mbledhur n’até vend, e grabitën dhe e xhveshën si mos ma keq: i hoqën teshat, i morën yshqimet e kafshët e gjithçka kishin me vehte. Ata j’u hoqën grave pa pikë turpi edhe shamitë e këpucët tue i lënë kështu zbathur e xhveshur në një gjendje të vajtuarshme.”
“Disa tregëtarë grekë të Filatit i proponuan Zervës që t’j’a u dorëzonte atyre këta myslimanë Shqipëtarë për t’i shoqëruar deri sa t’i nxirrnin jasht kufirit. Por Zervistët e refuzuan kët proponim tue thënë se do t’i shpijshin vetë deri në kufi. Këtu fillon edhe një thertore tjetër që të bën me t’u-ngjethë mishi: Jashtë Filatit, në Vanër, Zervistët me shokë kishin zënë pusi në tre-a-katër vënde në të dy anët e një rruge të ngushtë tue lënë një distancë sa me kalue vetëm një person e jo dy për një herë. Myslimanët shqipëtarë filluen me kalue si kalojnë dhentë në shtrungë. Gjithë burrat u-kositën në sy të familjeve të tyre prej shpatës tradhëtare dhe se nuk shpëtuen veçse gratë e çilimijtë. Mbas kësaj vepre mizore, i vunë zjarrin xhamisë së famëshme të Filatit dhe shtëpive myslimane.”

Kështu e mbaroi fjalën e tij hoxha, të cilit memzi i kujtoheshin nga tmerri ngjarjet tragjike mbi shpinën e një populli krejt të pafajshëm.
Po. Kështu e zbatuen Grekët e Megalidhesë, Grekët Imperjalistë, planin e tyre çnjerëzor dhe tani në Çamërië nuk ekziston asnjë frymë frymë myslimani shqipëtar. Bijt e Shqipes kishin pasë fatin e zi të vuejnë në até vend prej sistemeve të një qeverimi nga më barbarët dhe më të egërit që ka eksistuar në kët shekull vetëm e vetëm pse ishin të Fesë Myslimane. Herë u çfarosën me mënyrat më terroristike, herë u përzunë prej vatravet të tyre dhe herë të tjera u këmbyen me Grekërit e Anadollit nën pretencën se ishin tyrq! Kjo luftë me metodë që j’u bëhej myslimanëve të atyre vendevet s’ka qenë tjetër veç luftës fetare sistematike që kanë ndjekur dhe që ndjekin edhe sot e kësaj dite regjimet greke antipopullore në Gadishullin Ballkanik.
Po a u-ndal me kaqë agresioni grek kundër kundër shqipëtarëvet? Jo. Grekët shovinistë të Megalidhesë s’janë ngopur ende. Ata kanë zënë t’i bien një avazi tjetër tashti në kohët e fundit. Ata kërkojnë të zbatojnë një fazë tjetër të politikës së tyre të vjetër. Ata, me planet djallëzore që ngrehin, aspirojnë për të shkëputur pjesë të tjera nga Shqipërija. Duan të ashtu quajturin Vorio-Epir i cili, si dihet, përbëhet prej krahinavet thjesht shqiptare. Këto krahina që ata i quajnë Vorio-Epir janë Korça e Gjirokastra, bijt heronj të të cilavet, pa dallim feje, ishin të parët në luftën gjigante që u-bë për të rifituar lirin e grabitur prej okupatorëvet Fashistë e Nazistë. Korça e Gjirokastra janë pra djepi i Shqipërisë e Shqiptarizmës, burimi ku shpërtheu e rrufeshme lufta e së drejtës kundër së shtrembtës.
Marrë nga Kultura Islame, maj-gusht 1945, fq. 73-75.

Vrasësit e çamëve në krye me kriminelin Zerva!

Disa të dhëna mbi masakrat në Çamëri 1944-1945
Më 27 qershor 1944 masakrimi i qytetit të Paramithisë. Mëngjesin e së martës, 500 zervistë hynë në qytet duke premtuar qetësi, paqe dhe dashuri, por pas dreke filloi masakra. Popullsia që shpëtoi largohet për në Filat dhe Konispol. (të masakruar në Paramithi, Margëllëç e katunde 800 burra, 230 gra e fëmijë, Pargë 130 burra) Në gusht 1944, masakra në qytetin e Filatit dhe katundet. Popullsia largohet përfundimisht në shtator 1944, pas ngjarjeve të tmerrshme. (të masakruar në Filat e katunde 198 burra, 61 gra e fëmijë) Shkurt 1945, një pjesë e popullsisë çame kthehet pas marrjes së zonës nën kontroll nga ELAS-i. Më 13 shkurt 1945 bëhet marrëveshja e Varkizës midis EAM-it dhe qeverisë së Plastiras. ELAS-i në bazë të marrëveshjes dorëzon armët. Në mars 1945- krahina e Filatit bie në duar të organeve të gjeneral Plastiras (Ushtria Kombëtare Greke). Këto organe bëjnë masakrimin e tretë. (të masakruar në Filat e katunde 142 burra, 59 gra e fëmijë) Të humbur burra, gra e fëmijë 230.
(Masakra në Çamëri, Kastriot Dervishi, 55, Tiranë, fq. 75, 104.)

………………………………………….

HISTORIA E ҪAMËRISË (1-2)

…………………………………………

(Përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura