Wiesendangen (Zvicër), 22. 02. 2017: … “Raporti i Komisionit për matjen e territorit të Kosovës ka konstatuar se Kosova nuk humb territor me marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi!”…
Caktimi i saktë i pikave kufitare të Republikën së Kosovës me fqinjët, para së gjithash është obligim i një shteti që mëton integrimet Evropiane dhe më tej drejt NATO-së dhe OKB-së e kështu me radhë. Është obligim i Institucioneve tona për të shënuar saktë pikat kufitare me fqinjët tanë, pa i dëmtuar as tokat e tyre dhe as tokat tona. Kjo dhe vetëm kjo pastaj është fqinjësi e qëndrueshme dhe pa pretendime territoriale ndaj njëri-tjetrit. Gëzon fakti që Republika e Malit të Zi dhe Republika e Kosova nuk kanë pretendime të tilla ndaj njëra tjetrës, andaj shtrohet pyetja: pse kërkohet me kaq ngulm të falën tokat tona?, është shumë i qëndrueshëm fakti se Kosova ka nevoje për mbështetje nga fqinjët tanë, por jo edhe me kushtëzimin e faljes se tokave tona, gjoja në emër të lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë, pra përfitim vizash, apo më mirë të themi përfitim të shëtitjeve të qytetarëve tanë nëpër Evropë e gjetiu pa pasur të drejt pune dhe qëndrimi e rregullimi letrash e qëndrimi atje.
Ky do të ishte edhe obligim legjitim i Qeverisë dhe Institucioneve tona: qytetarët tanë t’i punësoj, të ju siguroj një jetë më të mirë, ti mbroj me ligj para diskriminimit, nepotizmit dhe korrupsionit të paparë dhe dëgjuar ndonjë herë.
Në asnjë rrethanë nuk qëndron fakti, edhe njëherë në asnjë rrethanë se Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është kusht për liberalizimin e vizave. Jo, ky është vetëm një mashtrim i radhës, është një rutinë e ripërsëritur që sa herë nga kori i kukuvajkave që bëjnë vezë në strofullin e Qeverisë sonë, natyrisht pa fajin e tyre, përderisa sovrani i ka legalizuar veprimet e tyre me votën e vet!, madje edhe për të falur tokat tona gjithandej nga Mali i Zi, Maqedonia e Serbia dhe krejt në fund sipërfaqja e Kosovës do të mbetet me 7 mijë kilometra katror! Pastaj këta prapë për mes një komisioni tjetër do të thonë se: Kosova nuk ka humbur asgjë, ngase sipas matjeve të fundit Kosova kishte kaq kilometra. Njëjtë sikur thoshin dikur, kur u suprimua me dhunë Kushtetuta e Kosovës nga pushtuesi Serb, dhe paria vasale e atëhershme thoshin se Kosova nuk po humb asgjë!
Kosova ka interes parësor në forcimin e sovranitetit dhe integritetit të shtetit tonë në rrugëtimin e saj drejt integrimeve euroatlantike. Ne duhet të ecim përpara në këtë forcim të sovranitetit tonë dhe shënimit të kufirit, por gjithnjë duke qenë vigjilent që tokat tona të mos cenohen dhe të mos epen peshqesh e për lesh- pa pardon! Kosovën dhe popullin shqiptarë në përgjithësi, nuk e nderon falja dhe copëtimi i tokave tona, por mbrojtja dhe ruajtja e tyre po aq sa kemi edhe obligim të ruajmë fqinjësinë e mirë me të gjithë ata që na respektojnë e na ruajnë edhe ne si shtet fqinjë. Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj askujt dhe nuk duhet të lejoj një gjë të tillë as ndaj territorit të vet. Komisioni i lartpërmendur nuk ka bërë ma shumë se atë që i ka rekomanduar Qeveria e Kosovës, pra që të deklarohet se Kosova nuk po humb territor, jo, në fakt Kosova po falë territor nga se ka më bollëk (Posi!).
Mehmet BISLIMI – Wiesendangen, 21.02.2017