Pashtriku, 1 gusht 2019:
3.9 “Këngët e lirisë”
Ashtu si dikur rilindësit shqiptarë, veprimtarë të radhëve ilegale ndienin nevojë të shprehnin atdhedashurinë e tyre edhe nëpërmjet këngës e letërsisë artistike. Që më 1974 te “Zëri i Kosovës” nisi botimi i poezive dhe prozës së shkurtër nga vetë veprimtarët e GRK. Kjo lloj letërsie e krijuar nga ilegalët e Lëvizjes, do trajtim më vete. E veçanta e saj karakteristike është se shpërthente nga shpirti revolucionar e patriotik i vetë militantëve të organizuar, të cilët po përgatiteshin që një ditë këto këngë të buçisnin bashkë me krismat e pushkëve të lirisë, ashtu si e bëri Adem Jashari më vonë, sepse siç thoshte Fan Noli, “Këngën e lirisë…asnjë saze s’e lot përveç dyfeqeve”. Në këto këngë lexuesi do të gjejë plot tone dhe frymë të romantizmit të Rilindjes Shqiptare, sepse “Sa më i nënshtruar është një popull, aq më romantike janë poezitë e tij” (Born).
Është i njohur roli i këngës te shqiptarët, jo vetëm si një histori e pashkruar dhe e përcjellë brez pas brezi, por edhe si mjet edukues, frymëzues e mobilizues i radhëve të pambarim të luftëtarëve të lirisë. “Këngët e lirisë”, pikërisht këtë synim dhe këtë mision kishin.
Në shtypin klandestin të kohës për këtë letërsi thuhej: “Shkrimtarët revizionistë janë altoparlantë të thjeshtë të klikës në fuqi, shërbëtorë në duar të saj; ndërsa frazeologjia marksiste-leniniste që përdorin ata ndonjëherë, s’është asgjë tjetër pos përpjekje për maskimin e karakterit të vërtetë të kësaj letërsie…
Letërsia artistike që zhvillon Grupi ynë nuk ka asgjë të përbashkët dhe është parimisht kundër letërsisë dekadente që kultivohet në Kosovë dhe Jugosllavi…
Letërsia jonë duhet të jetë letërsi militante dhe në vete të gërshetojë të gjitha karakteristikat e letërsisë revolucionare. Ajo të jetë shprehje e idealeve të larta sikur është edhe lufta jonë.
Letërsia jonë duhet të qëndrojë lart në ngritjen emocionale të lexuesit. Me fuqinë e fjalës artistike shkrimet tona duhet të mësojnë, edukojnë dhe mobilizojnë lexuesin. Ato duhet të ndihmojnë ngritjen e ndërgjegjes klasore dhe kombëtare të njerëzve tanë të mbjellin dhe të forcojnë tek ata ndjenjën patriotike dhe internacionaliste, të jenë kushtrim lufte për popullin tonë trim. Letërsia jonë duhet të mbështetet në traditën tonë popullore dhe njëkohësisht të jetë e re, novatore në formë dhe përmbajtje, ashtu si duhet ta ruajë karakterin e saj kombëtar dhe njëkohësisht të shfrytëzojë anët pozitive përparimtare të letërsisë botërore”.
Në vazhdim të botimit të “Zëri i Kosovës” dhe më vonë të “Pararoja”-s u publikuan poezi të tjera, disa nga të cilat janë ruajtur te “GRK: “Materiale”, Prishtinë, 1978.
Më 1980 pa dritën edhe përmbledhja “Këngët e Lirisë”, si botim i veçantë i “Liria”-s, në të cilën radhiteshin poezitë e shkruara nga veprimtarët e Organizatës, që edhe më vonë u vlerësuan lart nga kritika letrare.
Përmbajtja e kësaj përmbledhjeje dukej si më poshtë:
Nr Autori Titulli
1 Hydajet Hyseni
Parathënie
2 Hydajet Hyseni
Lirisë
3 Berat Luzha
Kosovë, Kosovë…
4 Mehmet Hajrizi
Ne punëtorët dhe fshatarët
5 Gani Sylaj
Lufta jonë
6 Jahir Hajrizi
Arbëri e vogël
7 Hydajet Hyseni
Deri kur?
8 Hydajet Hyseni
Lumja ti moj Shqipëri
9 Hydajet Hyseni
Të ngritemi vëllezër
10 Ismail Syla
Ne bijtë tuaj, baballarë
11 Hydajet Hyseni
Po ngrihet në Kosovë
12 Hydajet Hyseni
Pishtarëve të lirisë
13 Hydajet Hyseni
Letra e të burgosurit
14 Ismail Syla
Në jetën time
15 Saime Isufi
Motrave Kosovare
16 Hydajet Hyseni
Flamuj të kuq e të gjallë
17 Hydajet Hyseni
Rini e Kosovës
18 Kështjella e Lirisë
19 Ismail Syla
Shqipëria
20 Hydajet Hyseni
Rrënjët
21 Hydajet Hyseni
Që ti Kosovë
22 Hydajet Hyseni
Në ty shoku im i barrikadave
23 Hydajet Hyseni
Ne dhe ju
24 Të ngritemi
25 Hydajet Hyseni
Edhe në qeli
26 Për tokën arbërore
27 Hydajet Hyseni
Kosovë
28 Ismail Syla
Rini
29 Hydajet Hyseni
I pavdekshëm si komunizmi
30 Ismail Syla
Sa herë lulëkuqe maji çelë
31 Dielli im
32 Hydajet Hyseni
Besnik i përjetshëm
33 Hydajet Hyseni
Zjarri i komunizmit
34 Hydajet Hyseni
Plumbi i tokës sonë
35 Hydajet Hyseni
Natë
36 Për shokët
37 Hydajet Hyseni
Ne
38 Ismail Syla
Thonë atë ditë
39 Hydajet Hyseni
Në mes shqiponjash, shqiponjë e rrallë
40 Saime Isufi
Do të ngritemi
41 Hydajet Hyseni
Shqiponja
42 Rini!
43 Të pamposhtur në histori
44 Hydajet Hyseni
Në perëndim
45 Dielli që nuk shuhej
46 Hydajet Hyseni
Lulëzoi fusha, lulëzoi mali
47 Ismail Syla
Për ju baballarë
48 Hydajet Hyseni
Në ty Kosovë
49 Ismail Syla
Rinia ime
50 Hydajet Hyseni
Një vogëlushe
51 Ferid Qallaku Kosovës
52 Hydajet Hyseni
Përpara
53 Hydajet Hyseni
Sonte
54 Hydajet Hyseni
Zagari
55 Hydajet Hyseni
Këngë në duet
56 Hydajet Hyseni
Tradhtari
57 Berat Luzha
Urata e lypësit
58 Hydajet Hyseni
“Patriotët”
59 Hydajet Hyseni
Më ngadalë lumë zotëria
60 Hydajet Hyseni
Ushtarëve të huaj në tokën tonë
61 Ismail Syla
Para bustit të dëshmorit
62 Hydajet Hyseni
Përshëndetje nëntorit
63 Shoku im
64 Hydajet Hyseni
Prite, prite Azem Galicën
65 Këndo rapsod
66 Hydajet Hyseni
Prore bashkë në barrikada
67 Berat Luzha ?
Letër nënës
68 Hydajet Hyseni
Dëgjoni
69 Hydajet Hyseni
Amanet i brezave
70 Hydajet Hyseni
Qan Kosova për zogjtë e saj
71 Hydajet Hyseni
Shqipëri
72 Hydajet Hyseni
Një botë lind, një perëndon
73 Hydajet Hyseni
Pushka amanet
Në parathënien e këtij botimi, veç tjerash shkruan: “Populli shqiptar në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, luftoi në shekuj me heroizëm të rrallë për lirinë e shtrenjtë. Për lirinë ai skuqi me gjakun e bijave dhe bijve të tij më të mirë çdo pëllëmbë të tokës së tij. Për lirinë këndoi në shekuj zemra e tij e zhuritur…
Për lirinë këndoi e luftoi populli ynë trim e patriot, por armiqtë e shumtë e të egër dhe tradhtarët e poshtër bënë që ky popull martir të mos gëzonte kurrë lirinë e ëndërruar në shekuj.
E copëtuan të huajt atdheun tonë të dashur, e ndanë nga nëna Shqipëri Kosovën dhe viset e tjera shqiptare, e vranë, e prenë dhe e dogjën popullin tonë të robëruar, e rrahën, e burgosën dhe e përzunë atë nga vatrat e tij, por kurrë nuk mundën t’ia shuajnë zjarrin e madh të lirisë që i ndizej në gji.
Shpërtheu ky zjarr në përpjekjet dhe luftërat e tij të pandërprera, shpërtheu në vargjet e vjershëtorëve, shpërtheu edhe përmes zërit të rapsodit dhe telave të lahutës e çiftelisë…Lufta dhe kënga, për shqiptarin kanë qenë gjithmonë të pandara. Me këngë ai nisej në luftë, më këngë e bënte luftën dhe po me këngë ai kthehej nga lufta. Jehona e këngëve të tij të zjarrta që u ngrohte zemrat luftëtarëve të lirisë, u kallte tmerrin armiqve, jo më pak se krismat e pushkëve çlirimtare. Prandaj, armiqtë janë munduar gjithmonë jo vetëm t’ia marrin armët por edhe t’ia mbyllin gojën popullit tonë, t’ia ndalonin edhe këngët e tij të zjarrta, që e çonin atë peshë dhe e përgatisnin për luftërat e reja që e prisnin….
Vargjet që botohen në këtë përmbledhje janë vetëm një pjesë e vogël e asaj që shkruan e këndon zemra e zhuritur e popullit tonë të robëruar. Ata janë shkruar prej disa autorëve të rinj të Kosovës dhe u dedikohen masave të gjera të popullit, punëtorëve, fshatarëve, nxënësve, studentëve etj.. Këngët e lirisë janë shkruar për popullin dhe qëllimi ynë është që t’i pëlqejnë popullit, ta frymëzojnë atë, ta mobilizojnë dhe t’i shërbejnë sadopak në luftën e tij të madhe.
Ne dëshirojmë gjithashtu që botimi i kësaj përmbledhje të shërbejë edhe si nxitje për letrarët, artistët dhe këngëtarët patriotë e revolucionarë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi që të gjejnë rrugën dhe format e përshtatshme për të kaluar pengesat e shumta që u kanë vënë përpara armiqtë dhe tradhtarët dhe për ta vënë krijimtarinë e tyre me të vërtetë në shërbim të popullit dhe luftës së tij për lirinë…”
3.10 Raporte zyrtare me Shqipërinë
Hyrja e literaturës së shumtë nga Shqipëria në Kosovë, zhvillimi i marrëdhënieve kulturore, shkencore, arsimore e tregtare, fuqizimi i valëve të Radiotelevizionit Shqiptar, liberalizimi sado-kudo i kritereve të kalimit të kufirit midis shqiptarëve, bënë kthesë shumë të rëndësishme në emancipimin e shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe në ngritjen e ndërgjegjes së tyre kombëtare.
Në plan politik e diplomatik Shqipëria i mbante të acaruara marrëdhëniet me Jugosllavinë, për shkak të çështjes së Kosovës, por edhe të çështjeve ideologjike. Kjo gjendje e marrëdhënieve e mbante të mprehtë kritikën e udhëheqjes shqiptare kundër asaj jugosllave, që Lëvizjes në Kosovë i shkonte për shtat, sepse orientohej në luftën kundër pushtuesit dhe gjente mbështetjen e Tiranës në këtë luftë.
Në vitet shtatëdhjetë, Shqipëria kishte rol të veçantë dhe shumë të rëndësishëm në ngritjen e Lëvizjes, në ndërgjegjësimin e masave dhe në avancimin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës, ndonëse edhe vetë ishte në gjendje të rëndë izolimi.
Organizata që nga themelimi synonte të vinte lidhje zyrtare me Shqipërinë. Në fillim të viteve shtatëdhjetë janë bërë disa takime njoftuese në ambasadat e Shqipërisë, madje edhe me vajtje në Tiranë, por zyrtarisht takimet e Organizatës me Tiranën u mbajtën më vonë.
Një kontakt në emër të Grupit realizohet vetëm diku në vitin 1976, kur kishte shkuar në Ambasadën e Shqipërisë në Paris Mehmet Hajrizi, duke i njoftuar diplomatët e saj për ekzistencën e Organizatës. Një takim tjetër ai kishte pasur më 1978 me Sadik Ibron, të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Shqipërisë në Sofje të Bullgarisë, me ç’rast i kishte shkruar edhe një letër udhëheqjes së lartë të Shqipërisë. Në të midis tjerash thuhej: “Populli ynë në Kosovë, i robëruar, i shtypur e i shfrytëzuar egërsisht nga revizionistët jugosllavë dhe nga një grusht tradhtarësh të vendit, kurrë nuk është pajtuar me sunduesit e tij. Ne kosovarët jo vetëm e kemi ruajtur individualitetin e dinjitetin kombëtar, por edhe traditën luftarake të popullit tonë. Luftën nuk e kemi pushuar dhe nuk do ta pushojmë gjer në fitoren e plotë. Grupi Marksist-Leninist i Kosovës është krijuar për t’iu përgjigjur aspiratave të popullit tonë të robëruar. Ai mbledh bijtë dhe bijat më të mira të Kosovës, të cilët nuk kursejnë asgjë për lirinë e popullit tonë”. Një takim tjetër me diplomatin shqiptar, Simon Qirizi, Mehmet Hajrizi dhe Gani Sylaj patën në Ambasadën Shqiptare në Vjenë të Austrisë, më 16 gusht 1978. Takimi nuk ishte shumë vëllazëror, por edhe aty (si me zor) u la një letër, nga e cila citojmë: “Dashurinë tonë për Shqipërinë, ne komunistët e Kosovës e kemi dashuri ndaj Atdheut tonë të pandashëm, pjesë e të cilit është edhe Kosova. Mbrojtjen e Shqipërisë socialiste e konsiderojmë detyrë të lartë nderi dhe të shenjtë. Ne do të luftojmë deri në fund për çlirimin e Kosovës, por edhe për mbrojtjen e Shqipërisë socialiste. Ne do të veprojmë vazhdimisht e pa u lodhur në frymëzimin, edukimin, mobilizimin e organizimin e klasës punëtore të shtypur e të shfrytëzuar në Kosovë, fshatarësisë sonë të varfër, inteligjencës patriotike dhe revolucionare, rinisë e grave trimëresha, në luftë për çlirim kombëtar e shoqëror dhe për bashkim me Shqipërinë socialiste. Por, në rast të ndonjë sulmi eventual agresiv ushtarak mbi Shqipërinë, nga do që të vijë ai, Grupi ynë do të marrë të gjitha masat për organizimin e forcave nga masat popullore që të sulen si dikur Isa Boletini e Bacë Bajrami me shokë, në mbrojtjen e Atdheut tonë të dashur, përkrah vëllezërve e motrave tona në Shqipëri. Grupi ynë do të luftojë edhe përpjekjet e armiqve tanë që nga Kosova ta dëmtojnë Shqipërinë. “ Një pritje tjetër, kësaj radhe shumë të ngrohtë, Mehmet Hajrizi pati po në Ambasadën shqiptare në Vjenë, nga i njëjti diplomat, më 29 prill 1979.
Në letrën e tij thuhej:
“I dashur shoku Enver
Të dashur shokë
Me dhembje të thellë në zemër mësuam për pasojat e dëmet e rënda që shkaktoi tërmeti i 15 prillit në disa rrethe të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ne, komunistët kosovarë, në emër të popullit shqiptar të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi dhe në emrin tonë, ju shprehim juve dhe vëllezërve tanë të goditur nga tërmeti, si dhe gjithë popullit shqiptar në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, ndjenjat e solidaritetit tonë vëllazëror”. Kurse në një letër të shkruar nga Kadri Zeka thuhej: “Ne i sigurojmë motrat dhe vëllezërit tanë në Shqipëri se kur të jetë nevoja kurrë nuk do ta kursejmë as djersën e as gjakun për mëmën tonë të dashur Shqipëri, dhe këtë ne e konsiderojmë si detyrën dhe nderin tonë më të lartë”.
Takime me diplomatë shqiptarë patën gjithashtu edhe Kadri Zeka, Hydajet Hyseni etj. Kadri Zeka kishte takime me diplomatë shqiptarë edhe në Turqi. Takimet janë bërë me ambasadorë ose me diplomatë të tjerë shqiptarë në këto ambasada. Ambasada Shqiptare në Vjenë sikur ishte e ngarkuar për lidhje të tilla, prandaj takimet u orientuan kryesisht atje.
Në këto takime, diplomatët informoheshin për Organizatën, programin e saj dhe format e luftës e planet e ardhshme për peticione, greva, protesta, demonstrata dhe deri në luftën e armatosur çlirimtare. Tirana zyrtare është informuar gjerësisht, me gojë dhe me shkrim që nga viti 1976 për këto plane dhe për veprimet që ndërmerreshin. Për demonstrata është biseduar në maj të vitit 1979 dhe në fillim të vitit 1981, kur për herë të parë, në një nga numrat e “Liria“-s Organizata përkrahte idenë e Republikës së Kosovës, si një etapë të strategjisë së saj të bashkimit kombëtar.
Gjatë shqyrtimit me diplomatë shqiptarë të ideve dhe politikës që ndiqte Organizata, ka pasur edhe raste mosmarrëveshjesh të vogla me ndonjërin prej bashkëbiseduesve, por në përgjithësi ata janë solidarizuar me veprimet e Organizatës, duke e mbështetur moralisht dhe me literaturë, megjithëse jo në ndonjë formë tjetër, sepse as ishte kërkuar. Më 29 prill 1979, në takimin që kishte Mehmet Hajrizi në Ambasadën e Vjenës, diplomati Simon Qirizi, pasi i kishte thënë se ishin pritur mirë letrat që ai i kishte dërguar më herët në emër të Organizatës Enver Hoxhës, i konfirmonte mbështetjen e Shqipërisë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e kombit, duke thënë se nuk ka më “ne” dhe “ju”, por të gjithë jemi “ne” për të drejtën historike të Kosovës. Ai thoshte se “… çështja e Kosovës është çështje e Shqipërisë dhe bashkë do të luftojmë e bashkë do të fitojmë”. Kishte ndryshuar shumëçka pozitivisht dhe dukej se po mbaronte faza fillestare e përcjellë me dyshime e pikëpyetje të ndërsjella. Disa keqkuptime me këtë diplomat i përkasin fillimit, kur kishte shumë të panjohura e nuk përjashtoheshin dyshimet dhe konsistonin kryesisht në përmendjen e Shqipërisë në disa nga traktet e Organizatës. Ndoshta kjo bëhej nga kujdesi për të mos lënë të kuptohej se pas këtyre veprimeve qëndronte Tirana zyrtare. Megjithatë, udhëheqja e Organizatës nuk kishte rënë asnjëherë në gabime të tilla, madje edhe lidhjet me Shqipërinë, ata pak anëtarë të Komitetit Drejtues që i dinin, i kanë ruajtur të fshehta edhe kur u janë kërkuar më vonë me tortura barbare nga hetuesit jugosllavë.
Përveç kësaj Organizate, diplomatët shqiptarë mbanin kontakte edhe me të tjerë, madje edhe me individë që shkonin atje për të kërkuar literaturë etj. Shqipëria i përmbahej politikës së mospërzierjes në punët e brendshme të shteteve të tjera, pra edhe Jugosllavisë, por përkrahte luftën çlirimtare të popujve, dhe në radhë të parë të popullit shqiptar nën robëri. Në këto takime konfirmohej kjo politikë, por edhe u sugjerohej përfaqësuesve të Lëvizjes t’ia ruanin asaj karakterin popullor e çlirimtar dhe të mos shkisnin në format e luftës anarkiste e terroriste.
Tirana ka qenë në përgjithësi mirë e informuar nga këta përfaqësues për të gjitha proceset që zhvilloheshin në Kosovë.
3.11 Burgu i madh i një populli të vogël
Në vitet vijuese, sërish arrestohen veprimtarë të shquar, për të vazhduar kështu me dhjetëra e dhjetëra aktivistë të cilët dënoheshin me shumë vite burg por pa arritur që të zbulohej organizmi. Ata arrestoheshin, dënoheshin dhe mbanin burgun e iu ktheheshin radhëve të organizuara, por me autoritet dhe respekt të shtuar në popull.
Jo vetëm këtë Organizatë, por shteti policor jugosllav ndiqte gjithë popullin shqiptar, duke ia degdisur nëpër burgjet e Federatës bijat dhe bijtë më të mirë të tij. Në zyrat e policisë sekrete jugosllave mbaheshin aktive mbi pesëdhjetë mijë dosje për intelektualët, veprimtarët dhe patriotët shqiptarë. Gjatë gjithë periudhës së pas LDB, asnjë çast burgjet jugosllave nuk kanë qenë pa të burgosur politikë shqiptarë, të cilët bënin 80 për qind e të burgosurve të kësaj kategorie të të gjithë popujve jugosllavë.
Nga viti 1945 dhe deri më 1990, sipas shënimeve jo të plota që ka përpunuar studiuesja Sabile Keçmezi-Basha, gjyqet jugosllave, të dirigjuara nga politika i kanë dënuar 7684 veprimtarë të Lëvizjes Shqiptare për çlirim kombëtar me plot 666 shekuj burg të rëndë. Përplasja në burg në kohëzgjatje më të vogla, ishte e zakonshme, sa mund të thuhet se shqiptari dhe burgu ishin bërë sinonime. E vërteta është që shumë jetë shqiptarësh u shkatërruan në burgjet jugosllave, por jo edhe ideali i veprimtarëve të vërtetë të çështjes së Kosovës. Ata midis dilemës demaçiane “Nëse do trupin, harroje shpirtin, nëse do shpirtin, harroje trupin” , zgjidhnin më me dëshirë këtë të dytën.
Nën tortura mizore të OZNA, UDB dhe MUP jugosllav janë mbytur në burgje, intelektuali llapjan, Shaban Shala më 1963 në Prishtinë, poeti dhe veprimtari, Fazli Greiçevci më 1964 në Prishtinë, Afrim Abazi më 1982 në Ferizaj, Ibrahim Krasniqi, Zija Shemsiu më 1985 në Beograd, Xhemail Blakaj, Xhemaili Berisha në Prizren, Besnik Restelica më 1996 në Prishtinë, ushtari i UÇK-së, Rexhep Bislimi më 1998 në Ferizaj etj.
Sistemi i drejtësisë dhe gjyqësisë jugosllave i ka trajtuar gjithë kundërshtarët politikë në mënyrë johumane dhe degraduese, por veçanërisht ndaj të burgosurve politikë shqiptarë është vepruar në format më të vrazhda dhe kriminale, jo vetëm për t’ua ndërruar dhunshëm bindjet politike, por edhe për t’i dëmtuar fizikisht dhe për t’ua shkatërruar familjet e të ardhmen e tyre.
Ata mbaheshin në izolim në qeli, pa vendim e procedura gjyqi dhe pa kufizim, duke mos u dhënë asnjë informatë familjeve të tyre, me qëllim të zhvillimit të hetimeve nën tortura çnjerëzore të organeve të sigurimit shtetëror. Kjo formë e hetuesisë, që aplikohej për shumicën e veprimtarëve të arrestuar shqiptarë, përjashtonte mundësinë e udhëheqjes së saj nga organet e gjyqit dhe të drejtën e mbrojtjes juridike. Të gjitha raportet e hetuesisë dhe aktakuzat, të burgosurit politikë shqiptarë i kanë nënshkruar nën kushtet e torturave fizike dhe të kërcënimit psikologjik.
Në procedurat hetimore, gjyqtari hetues ua besonte zhvillimin e hetimeve organeve të sigurimit, të cilat kishin trajnuar njerëz pa ndjenja dhe sadistë për të ushtruar dhunë dhe terror mbi viktimat. Ata fillonin nga poshtërimi, duke i sharë e fyer të arrestuarit, duke i mbajtur me orë të tëra lakuriq në këmbë, ose në gjunjë mbi kokrra misri a guralecë, duke i kërcënuar deri në shkatërrim të familjes, shantazhuar e frikësuar, sidomos të rinjtë, duke i mbajtur në presion dhe torturë psikologjike, në pagjumësi disaditëshe dhe në rraskapitje fizike e morale, me qëllim që të rrëzonin përdhe personalitetin dhe krenarinë e tyre. Torturat fizike, që si racion i rregullt përgatiteshin çdo mbrëmje fillonin me rrahje të duarve me kërbaçë, derisa gishtërinjtë të hapeshin nga ënjtja e shuplakat e duarve të përgjakeshin nga pëlcitjet e lëkurës, për të vazhduar njësoj me shputat e këmbëve të zbathura, me shkuljen e flokëve dhe me goditje grushtesh e shqelmash në kokë e trup, me ç’rast thyheshin dhëmbë e nofulla, shurdhoheshin veshët me goditje mbi të dy përnjëherë, përgjakeshin hundët e dëgjoheshin klithma viktimash korridoreve me dyer të hapura e britma xhelatësh, për të krijuar një atmosferë tmerri e ankthi psikologjik te të burgosurit dhe dehje shfrenuese te torturuesit e droguar që garonin me njëri-tjetrin. Punonjës të sigurimit bartnin ujë tërë natën për t’ua hedhur fytyrës të torturuarve të alivanosur, që nuk kishin mundur të përballonin goditjet mbi plagët e mëhershme, futjen me dhunë të ujit për goje ose hunde, apo qëndrimin me kokë poshtë e më këmbë të lidhura si berr i rrjepur.
Sipas dëshmive të të dënuarve, si torturues të pashpirt janë shquar sidomos Muharrem Dana, Asllan Sllamniku, Drago Dragoviq, Hasan Mehmeti, Ibush Kllokoqi, Selim Brosha, Nazmi Musliu, Istref Sadiku etj.
Mbajtja e të burgosurve shqiptarë në kushtet e rënda të burgut hetues, vazhdonte edhe pas dënimit të formës së prerë, madje edhe në vuajtjen e dënimit mbi dhjetë vjet, duke i detyruar të qëndronin të mbyllur në kthina me kriminelë ordinerë, të sëmurë mendërisht dhe me provokatorë të porositur, të cilët krijonin situata konflikti dhe i rrihnin shqiptarët më keq se në hetuesi.
Shumë të dënuar shqiptarë mbaheshin anekënd burgjeve hetuese jugosllave, në të ashtuquajturin “trajtim intensiv riedukues”, në të cilat nuk vinin për vizitë përfaqësues të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, kurse familjet e të burgosurve dënoheshin financiarisht dhe fizikisht, duke udhëtuar me ditë e me net, për të vizituar të afërmit e tyre dhe për t’u dërguar ndërresa e rroba që nuk i siguronte burgu, apo edhe ndonjë ushqim të thatë për plotësim ushqimit të dobët që jepej në këto tipa burgjesh. Më 1980 organi “Liria” shkruante: “Të burgosurit e republikave të Jugosllavisë dhe ata të Krahinës së Vojvodinës nuk dërgohen kështu nëpër burgjet e republikave të tjera, por e mbajnë burgun në republikën a krahinën e vet. Vetëm krerët tradhtarë të Kosovës janë kaq “bujarë” e ‘zemërgjerë’ sa t’u dërgojnë xhelatëve të burgjeve jugosllave me mijëra shqiptarë që t’ua thithin, siç dinë ata, edhe pikën e fundit të djersës e të gjakut.
Me mijëra të burgosur kosovarë po derdhin sot djersën nëpër punishtet e shumta të burgjeve jugosllave…
…Kërkesa për të mbajtur burgun në vendin e tyre… është kërkesë e familjeve të tyre, është kërkesë e të gjithë popullit. Luftës heroike të bijve, vëllezërve e shokëve tanë që po treten nëpër burgjet e errëta jugosllave duhet t’i bashkohet çdo kosovar i ndershëm, duke kërkuar me këmbëngulje që të burgosurit kosovarë të kthehen në Kosovë…
…Për t’i shkuar njeriut të tyre në vizitë, familjeve të shumta të burgosurve kosovarë u duhet të kalojnë qindra kilometra rrugë e të harxhojnë shuma të mëdha parash. E ku t’i marrin paratë familjet tona, në këtë gjendje të rëndë që kanë krijuar revizionistët? Nuk janë të pakta familjet, të cilat në mungesë të parave, me gjithë mallin e madh që kanë, detyrohen t’i vizitojnë shumë rrallë ose fare njerëzit e tyre të dashur. Nëna e baballarë vdesin pa i parë edhe një herë djemtë e tyre të burgosur….
…Mbi ta ushtrohen masa të tilla çnjerëzore, çfarë nuk kanë ushtruar as nazistët hitlerianë ndaj të burgosurve dhe robërve të luftës. Nuk janë të pakta rastet kur policia jugosllave ka bërë masakra të vërteta mbi të burgosurit shqiptarë. Nuk janë të paktë as të burgosurit shqiptarë që kanë mbetur të plagosur, të gjymtuar a të vrarë mizorisht në këto kasaphana kriminale…
…Janë vetë revizionistët dhe organet e burgjeve jugosllave ata që nxisin, përgatisin e organizojnë përleshje të përgjakshme në mes të burgosurve shqiptarë dhe atyre jugosllavë. Këto ata i bëjnë me qëllim që të ‘arsyetojnë’ masakrat masive që bëjnë pastaj mbi të burgosurit shqiptarë dhe, njëkohësisht t’i armiqësojnë, në këtë mënyrë, të burgosurit dhe nëpërmjet tyre edhe popujt në Jugosllavi.“
Shqiptarët ishin të diskriminuar me të burgosurit e tjerë, sepse i mbanin në një mbikëqyrje të sforcuar, i ndëshkonin për hiçgjë, ua ndalonin veprimtarinë intelektuale, madje edhe literaturën dhe komunikimin shqip etj. Shumë prej të burgosurve, herë pas here janë detyruar të insistojnë edhe me grevë urie të realizojnë të drejtën e tyre për t’u larguar nga burgjet hetuese që dënimin ta vuanin në shtëpitë ndëshkuese korrektuese, ose për ta realizuar të drejtën që të flisnin shqip me familjarët në vizitë. Në solidarizim me të burgosurit, një nga parullat e demonstratave të vitit 1981 ka qenë “Ktheni në Kosovë të burgosurit shqiptarë”!
Një formë tjetër e dënimit të familjeve të të burgosurve, ishte e ashtuquajtura lëçitje e tyre, si formë kolektive e dënimit, që do të thoshte izolim dhe ndërprerje e marrëdhënieve e komunikimit të fqinjëve dhe farefisit me to!
Të dënuarve politikë shqiptarë u ndalohej për disa vite rresht të ushtronin veprimtari shoqërore edhe pas mbajtjes së burgut. Më 1972, duke u mbështetur në të ashtuquajturën “Letër e Titos” edhe ata ish të dënuar që kishin arritur të punësoheshin në këto veprimtari, u përjashtuan të gjithë nga puna. Në të shumtën e rasteve atyre u ndalohej të vazhdonin shkollimin dhe survejoheshin nga spiunët e merreshin shpesh në burg për t’u testuar bindjet politike, ose për preventivë.
Si pasojë e mostrajtimit mjekësor, shumë të dënuar politikë shqiptarë kanë vdekur në burg, ose kanë dalë prej tij më shëndet të shkatërruar. Jeta pas burgut, duke qenë të papunë e të paardhura, të braktisur e të injoruar, për shumë ish të dënuar ishte dhe vazhdon të jetë një skëterrë e dytë, që rrezikon t’i thyejë moralisht e shpirtërisht. Ëndrrat e burgut, si ëndrrat më të bukura të lirisë, siç thotë Shiler, i shoqëruan deri në varr shumë të dënuar shqiptarë.
Të burgosurit politikë shqiptarë u nënshtroheshin veprimeve kriminale të hetuesve të sigurimit jugosllav dhe trajtimit çnjerëzor që nga dita e arrestimit dhe deri në përfundim të vuajtjes së dënimit. Ndonëse Jugosllavia ishte nënshkruese e shumë instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, si Karta e Kombeve të Bashkuara (1945), Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (1948), Konventa Evropiane e Mbrojtjes së të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut me protokollet e saj (1950), Marrëveshja Ndërkombëtare për të Drejtat Qytetare dhe Politike me protokollet e saj (1966), Konventa kundër Torturës, keqtrajtimit çnjerëzor, poshtërimit, degradimit dhe ndëshkimit (1984) Kodi i sjelljes për përgjegjësit e zbatimit të ligjeve i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (1979) etj., autoritetet e saj gjatë trajtimit të burgosurve politikë shqiptarë i shkelnin ato dhe parimet e tyre me të dyja këmbët, pa pasur as më të voglën konsideratë.
Për t’u pamundësuar veprimtarinë intelektuale, të burgosurve u ndalohej madje edhe lapsi, fletorja e shënimeve e shpeshherë edhe librat e shtypi. Në disa burgje ofroheshin libra të seleksionuar, sipas “shijes” së regjimit. Shumë të burgosur me afinitet krijues, detyroheshin që p.sh. poezitë e tyre të burgut t’i mbanin mend për t’i shkruar në ditë më të mira, ose të gjenin forma plot rreziqe për t’i shënuar dhe nxjerrë nga burgu. Duke shfrytëzuar korrespondencën e rrallë me familjen, ata shpeshherë përpiqeshin ta thoshin ndonjë ide mes rreshtash dhe me gjuhën e Ezopit, por censura e rreptë i zbulonte dhe në rastin më të mirë i hidhte në koshin e plehrave.
Rexhep Malaj, është nga ata të burgosur të rrallë që ka arritur të nxjerrë jashtë burgut shënime për trajtimin që i është bërë në hetime dhe gjatë mbajtjes së dënimit.
Në shënimet dhe kujtimet e tij nga burgu me titull “Qëndresa”, pjesë të të cilave botohen në shtojcë, Rexhep Malaj paraqet jo vetëm figurën e vet morale, politike e kombëtare, që sintetizon virtytet më të çmuara të traditës së Lëvizjes Kombëtare, por edhe të shumicës së veprimtarëve patriotë që edhe në burg i shërbenin lirisë dhe atdheut.
Rexhepi vuajti dënimin e armikut të popullit të tij në mbi dhjetë burgje jugosllave. Ai ishte torturuar për vdekje, por falë konstruktit të tij fizik, ushtrimeve që kishte bërë dhe qëndresës shpirtërore, i mbijetoi. “Në bazë të edukatës, njeriu bëhet shpirtërisht i fortë dhe i qëndrueshëm”, shkruante Platoni. Qëndresa e Rexhepit dhe e shokëve të tij në burg, e përshkruar nga dora e tij, përbën një shembull Prometeu dhe heroizmi të viganit triumfues mbi fuqinë e errësirës e terrorit. Sikur t’i referohej pikërisht asaj qëndrese, Shiler dikur shkruante: “Fuqia e tiranit mund të t’i lidhë duart, por kurrë zemrën dhe dinjitetin”.
Nën kushte të shtypjes e të terrorit, të dënuarit politikë shqiptarë përpiqeshin t’i shndërronin kazamatet e tipit mesjetar të Jugosllavisë, në vatra të kontinuitetit të veprimit, të edukimit e të kalitjes, duke u organizuar në rrethe bashkëvuajtësish, duke studiuar kolektivisht apo veç e veç, duke komentuar e shqyrtuar lëndën e lexuar, duke u marrë me krijimtari artistike dhe duke organizuar greva, protesta etj.
3.12 OMLK, shprehje e rritjes dhe e zhvillimit
Në fillim të vitit 1978, policia kishte rënë në disa gjurmë të Organizatës, prandaj në prill e ndaloi për një natë sekretarin organizativ, Hydajet Hysenin, për ta pyetur për disa pista hetimi, por duke e lënë të lirë. Kjo ngjarje la të kuptohet që hetimet po shkonin në drejtim të rrezikshëm për Organizatën, prandaj u vendos që ai dhe Kadri Zeka, sekretar për lidhje dhe punë me masat i Komitetit Drejtues, që rezultonte se ishin drejtpërdrejt të rrezikuar dhe mund të arrestoheshin, të kalonin në ilegalitet të thellë. Për të siguruar jetën në ilegalitet të thellë të veprimtarëve, Organizata kishte baza të veçanta për këtë qëllim. Veprimtarët në ilegalitet të thellë jetonin në këto baza, larg familjes. Ata pajiseshin me mjete maskuese, për të ndërruar pamjen kur lëviznin në rrugë.
Hydajeti mbeti brenda në Kosovë, kurse Kadriu më 11 prill udhëtoi në Zvicër, ku vazhdoi të qëndronte gjithashtu ilegalisht. Lidhjet me Kadriun mbaheshin kryesisht nëpërmjet Hasan Malajt, një veprimtar i palodhshëm në mërgim.
Kjo goditje e re, me gjithë dëmin që i shkaktoi Organizatës, nuk ia ndali ritmet e zhvillimit, sepse po rritej e fuqizohej në vazhdimësi. Ajo vazhdonte të ruante emërtimin e saj si “Grup” edhe pse radhët e saj ishin me qindra anëtarë dhe përbënte organizimin më të madh ilegal deri atëherë në Kosovë, por edhe me përvojën më të gjatë. Këtë emërtim e ruante jo vetëm për të mos qenë megalomane dhe joreale në emër, por edhe për të lehtësuar gjendjen në hetuesi të veprimtarëve të arrestuar me materiale eventuale konspirative.
Sidoqoftë, ajo zyrtarisht e mori emrin “Organizatë”, duke u quajtur Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës (OMLK).
Me zgjerimin e Lëvizjes, nëpërmjet krijimit edhe të disa organizatave të tjera dhe të ngritjes së ndërgjegjes kombëtare, por edhe të revoltës së popullit shqiptar të shtypur e të robëruar, Organizata veprimtarinë e saj e orientoi në dy drejtime shumë të rëndësishme, por mjaft delikate dhe të rrezikshme: Hulumtimi, gjetja dhe vënia e bazave të bashkëpunimit e të bashkimit me organizatat simotra dhe përgatitja intensive për demonstrata masive.
VIJON …
______________________
Fusnotat:
1 Parathënie “Këngët e Lirisë” Botim i “Lirisë”, dhjetor 1980, Prishtinë
2 Mehmet Hajrizi: Letër Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, shokut Enver Hoxha, Tiranë, më 29 maj 1978, Sofje. Botuar te “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”, Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë dhe Shoqata e të burosurve Politikë e Kosovës, Prishtinë, 2014, f. 96
3 Mehmet Hajrizi: Letër Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, shokut Enver Hoxha, Tiranë, më 16 gusht 1978, Vjenë. Botuar te “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”, Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë dhe Shoqata e të burosurve Politikë e Kosovës, Prishtinë, 2014, f. 101
4 Mehmet Hajrizi: Letër Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, shokut Enver Hoxha, Tiranë, më 29 prill 1979, Vjenë. Botuar te “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”, Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë dhe Shoqata e të burosurve Politikë e Kosovës, Prishtinë, 2014, f. 104
5 Kadri Zeka: Letër Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, shkruar në emër të një grupi mërgimtarësh në Evropën Perëndimore. Botuar për herë të parë në librin, Kadri Zeka, Vepra, korrik 1986.
6 Dr. Sabile keçmezi-Basha: Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë (1945-1990), Prishtinë, 2005 (Dorëshkrim)
7 Adem Demaçi: Dashuria Kuantike e Filanit, Buzuku Interpress, Prishtinë, 2007, f. 103
8 “Të burgosurit kosovarë të kthehen në Kosovë”, Liria 2 dhjetor 1980
______________
MEHMET HAJRIZI: TRAKTET E OMLK-së (15)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9016
Thanks a lot for sharing this with all people you really recognise what you’re talking about!
Bookmarked. Please also talk over with my website =). We may have a link exchange contract between us