MEHMET HAJRIZI: NJË ROMAN PËR NJË HERO

Pashtriku.org, 22. 06. 2013 – (Fjalë e mbajtur me rastin e promovimit të romanit “Rrugëtimi i një vigani”, të autorit Agim Sylejmani. Prishtinë, më 21 qershor 2013) –  E nderuar familje Malaj, E dashur Fitore, Të nderuar miq dhe dashamirës të librit, Zonja dhe zotërinj
Kam kënaqësinë të dalë para jush me një fjalë rasti në promovim të veprës së vëllait tonë, Agim Sylejmani. Ky manifestim është më shumë se një promovim i zakonshëm, sepse, sikur edhe vetë romani “Rrugëtimi i një vigani”, na jep përjetim të dyfishtë të ndjenjave, artistike e estetike në njërën anë dhe të përkujtimit, nderimit e krenarisë, në anën tjetër. Protagonisti i romanit që po promovojmë nuk është një figurë imagjinare dhe thjeshtë artistike, por një hero i vërtetë dhe i gjallë, një vigan i Lëvizjes së re Kombëtare të Kosovës, biri besnik dhe sypatrembur i saj, Rexhep Malaj.
Për Rexhep Malajn janë shkruar monografi, artikuj studiues e përkujtimorë, poezi e këngë, janë hedhur ngjyra në pëlhurë e janë bërë vepra skulpture në bronz, por Agim Sylejmani, mori guximin që figurën e tij ta skalisë për herë të parë në roman historik.

Autori është njohës i mirë i Rexhep Malajt. Duke qenë edhe vetë veprimtar vite me radhë, si dhe bashkëvuajtës me Rexhepin në kazamatet jugosllave, ai ka bashkëpunuar me të, e ka njohur për së afërmi, ka përjetuar çaste të vështira bashkë me të në burg, kanë ndjerë orë pas ore ndjenja të përbashkëta dhe janë solidarizuar me njëri-tjetrin, ashtu siç mund të bëjnë vetëm idealistët e vërtetë.
Të shkruash për Rexhep Malajn nuk është aspak e lehtë, sepse përmasat e figurës së tij shpërthejnë çdo kornizë romani a monografie… Bollëku i materialeve përbën kënaqësi për çdo autorë, por njëkohësisht edhe vuajtje, mbase më shumë se mangësia e tyre.
Karakteri dhe gjithë personaliteti i Rexhep Malajt burimin e kanë te tradita e familjes dhe e popullit që e lindi. Jeta e shkurtër e Rexhepit, është jetë e militantit të paepur të çështjes kombëtare, e veprimtarit të pandalshëm, të përkushtimit të pashoq dhe e guximit e trimërisë epike, e atdhedashësit deri në vetëmohim dhe e burrit të madh të kombit.
Subjekti i romanit nuk është vetëm jeta personale e Rexhep Malajt, por realiteti kompleks dhe shumë i hidhur i Kosovës së robëruar, janë varfëria dhe vuajtjet e popullit shqiptar, por edhe rezistenca e pashuar kundër pushtuesit, shpirti kryengritës i djalërisë kosovare, prototip i së cilës ishte dhe mbetet Rexhep Malaj.
Të pasqyrosh, në cilëndo formë e në cilin do zhanër të shkrimit jetën dhe veprën e Rexhep Malajt, detyrimisht duhet të hysh thellë në jetën e Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, të paktën gjatë dy dekadave të tëra në shekullin e gjatë të robërisë së shqiptarëve nën Jugosllavi. Agimi e njeh këtë periudhë të Lëvizjes sonë dhe ka shfrytëzuar materiale e dokumente të shumta.
Shtrati i rritjes dhe i formimit intelektual e revolucionar i Rexhepit ishte Lëvizja Kombëtare e Kosovës, veprimtar i së cilës ishte që nga rinia e tij e hershme. Në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, Lëvizja Kombëtare e Kosovës po hynte në një stad të ri dhe më cilësor organizativ. Përballë sistemit të sofistikuar agjenturor serb e jugosllav, organizatat çlirimtare shqiptare, nuk arrinin të vazhdonin veprimtarinë më shumë se rreth një vit dhe zbuloheshin e kapeshin nga policia, duke ndërprerë kështu vazhdimësinë organizative dhe formimin e veprimtarëve profesionistë.
Grupi Revolucionar i Kosovës, i formuar në këtë kohë, provoi të bënte kthesë, duke zhvilluar veprimtarinë me disiplinë ushtarake dhe në konspiracion të thellë. Këto dy premisa mundësuan ndërtimin e strukturave të qëndrueshme organizative, formimin teorik dhe edukimin sistematik revolucionar të militantëve profesionistë, ngritjen e një shtypi të tërë klandestin, veprimin e pandërprerë dymbëdhjetë vjet rresht dhe sigurimin e kontinuitetit organizativ të Lëvizjes Kombëtare deri në çlirimin e Kosovës.
Kjo organizatë i ka dhënë Kosovës shumë veprimtarë e luftëtarë, shumë komandantë e dëshmorë. Njëri nga përfaqësuesit e spikatur dhe markant të saj është veprimtari i shquar dhe heroi i Kosovës, Rexhep Malaj.
Në kohën kur i duhej aq shumë Lëvizjes, Rexhepi më 1975 burgoset dhe dënohet me nëntë vjet burg, prej të cilave pesë i mbajti në vetmi. Rrallë në historinë e burgjeve mund të gjendet shembulli i qëndresës së Rexhep Malajt. Fjala e vjetër “Të lirët janë në burgje e të burgosurit në liri” mbase merr kuptimin më të mirëfilltë te Rexhep Malaj.
Një hetues gjakësor me shpirt të shitur e paralajmëronte Rexhepin e sapo burgosur me fjalët: “Në shtëpi, nëna nga mielli e bën bukën, kurse ne këtu, nga buka bëjmë miellin”. Dhe me të vërtetë, mbi trupin e Rexhep Malajt u ushtruan tortura sistematike dhe çnjerëzore, siç përshkruhen në roman, por ai nuk u përkul as u ligështua. Qëndresa e Rexhepit mund të shpjegohet me karakterin e tij të fortë, me virtytet e larta që kishte, me besnikërinë e optimizmin, me bindjen për fitoren e sigurt, me vendosmërinë, guximin e vetëmohimin, por edhe me konstruktin fizik, të përgatitur për përballje me çdo situatë.
Syzheu i romanit nis në Hogosht të Dardanës, ku Rexhepi, si pinjoll i një familjeje me traditë patriotike, bëri fëmijërinë, pastaj përshkon jetën e rëndë, por të lumtur të organizimit të Lëvizjes Çlirimtare, qëndresën e militantëve në burgje dhe përfundon në agun e përflakur të 11 janarit të vitit 1984, kur ai bashkë me Nuhi Berishën, ranë në altarin e lirisë së Atdheut.
Autorit nuk i është dashur shumë imagjinata, e fantazia artistike, sepse përtej tyre shkon vetë jeta reale e Rexhepit. Lloji historik i romanit, përveç situatave, e ka determinuar pashmangshëm relevancën e fakteve, të cilat autori i ka mbledhur me kujdes e përkushtim, duke u qëndruar besnik, deri në saktësi.
Agimi nuk kishte nevojë ta glorifikonte e zbukuronte figurën e Rexhep Malajt, sepse është e mjaftueshme, nëse arrihet të përshkruhet përmasa e saj reale. Të gjitha publikimet e deritanishme për Rexhepin, marrë së bashku, nuk kanë arritur ta paraqesin veprimtarinë e plotë të Rexhepit, gjithë shpirtin e tij të madh, gjithë virtytet e tij morale, politike e kombëtare. Ai përbën një thesar të tërë vlerash kombëtare, të cilat do studiuar e pasqyruar në detaje. Në libër heroi ynë nuk pikturohet si një shenjtor hyjnor, si figurë mitike, por me pamje të natyrshme e tokësore. Heroi Rexhep Malaj është një fëmijë fshatari, i rritur në skamje e varfëri, një djalë i thjeshtë, i dashur, i dhembshëm që dashuron me shpirt vajzën nga Pogragja, që e do aq shumë familjen, që i digjet shpirti për bijën e tij të vetme dhe që i urren me zjarr armiqtë e atdheut, për të cilin ishte gati të flijohej. Ai bëhet çelik i fortë ndaj torturave barbare, por derdhë çurg lotësh kur i lë bashkëveprimtarët e tij në burg. Kujdesi i Rexhepit për shokët i kalonte kufijtë e dashurisë dhe përkujdesjes së nënës për fëmijën, por ndaj gabimeve të tyre ndërkaq, ai bëhej shumë i rreptë dhe i pamëshirshëm.
Lexuesi i këtij romani rrëmbehet nga përmbajtja kaq e pasur jetësore, e cila duket e paarritshme për një jetë njeriu, për më tepër për një jetë të shkurtër, vetëm 33 vjet.
Agimi e ka skalitur portretin fizik e moral të Rexhepit, me trupin prej atleti, me shikimin e tij të drejtë e zhbirues, me sytë plot gjallëri e vrull, me optimizmin që i shprehet në gjithë fytyrën e tij si prej bronzi, me nofullat e shtrënguara të vendosmërisë e me gjoksin e nxjerrë jashtë, me vullnetin e pathyeshëm, me urrejtjen e dashurinë e shpirtit, me guximin epik dhe krenarinë, me nderin e besnikërinë, me sinqeritetin dhe bujarinë shqiptare…
Emri i Rexhepit natyrshëm na ngjall asociacione për Nuhi Berishën, shokun e tij të jetës e të veprimit revolucionar, të idealit të përbashkët dhe të rënies heroike, sikur që përmendja e Nuhiut na kujton Rexhepin, sepse të dy bënin vetëm një emër: Liri. Ata nuk zëvendësonin njëri-tjetrin por e përplotësonin njëri-tjetrin në mënyrë të shkëlqyer dhe të përsosur… Rexhepi kishte lënë në burgje shumë shokë të përgatitur e të vendosur, por me t’u kthyer në Kosovë ai gjeti të tjerë, si Nuhi Berishën, i cili ishte kalitur e burrëruar në barrikada, ishte formuar si intelektual e teoricien revolucionar, si drejtues i shkathët e poet i talentuar. Ideali i revolucionit nacional-çlirimtar i bashkoi të dy, por të mos u ndarë kurrë, në luftë as në amshim. Po të kishte Lëvizja jonë më shumë veprimtarë e luftëtarë aq të vendosur, aq të guximshëm, aq të përkushtuar dhe aq të pandarë, fitorja e Kosovës mbi robërinë do të ishte shumë më e afërt, shumë më e lehtë dhe shumë më e sigurt.
Zonja dhe zotërinj
Me librin që po promovojmë, autori i ka dhënë memories sonë kombëtare edhe një material të çmuar historik e letrar, kurse në mënyrë të veçantë brezit të ri, një vepër edukimi të atdhedashurisë, sipas shëmbëlltyrës së të madhit Rexhep Malaj. Në qoftë se Kosova do të lindë e do të rritë më shumë Hasan Prishtina e Isë Boletina, Bajram Curra e Idriz Sefera, Azem e Shotë Galica, Adem Jashara e Zahir Pajazita, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, Kadri Zeka e Jusuf Gërvalla, Fehmi e Xhevë Lladrovca, Shaban Shala e Fazli Graiçefca, Afrim Zhitia e Fahri Fazlia, Naser Hajriza e Asllan Pireva…, në qoftë se do të rritë bija e bij të brumosur me atdhedashurinë e dëshmorëve, e ardhmja e saj është krenare, e sigurt dhe e ndritur.
Së fundi, dua ta përgëzoj autorin për veprën e tij, kurse juve t’ju falënderoj për durimin që patët të më dëgjoni.
I përjetshëm qoftë kujtimi për dëshmorët!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura