Pashtriku, 25 Maj 2020: 7.26 Saime Isufi
E lindur më 20.8.1958 në Gjyrishec të Dardanës. Tani jeton në Zvicër. Ka mbaruar Fakultetin e Histori Filologjisë, dega Gjuhë e Letërsi Shqipe. Ka punuar si mësuese e mësimit plotësues në Zvicër dhe sekretare e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër. Pastaj përkthyese e drejtuese kursesh të gjuhës shqipe dhe të kurseve integruese për të huaj dhe migrantë shqiptarë në Zvicër etj.
E martuar, nënë e një fëmije.
Si gjimnaziste në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan ishte frymëzuar nga akti heroik i qëndresës së Rexhep Malajt në burgjet famëkëqija jugosllave, pas burgosjes së tij në vitin 1975. Ajo kishte filluar leximin e literaturës patriotike që vinte nga Shqipëria, e që e huazonte nga shokët e klasës dhe mësonte aspekte të gjendjes së rëndë në Kosovë…
Nga shtatori 1975 filloi të vepronte në një organizatë të emërtuar “Shqiponjat e arta” bashkë me Ismet Ramadanin, Hamdi Zymberin, Remzush Demin, Qamil Isufin, Sanije Osmanin, Ilmije Korçën, Bejtush Eminin dhe Njaziun, mbiemri i të cilit nuk i kujtohet.
Saime Isufi dhe Kadri Zeka
Kryetar i organizatës ishte Qamil Isufi. Grupi nxori edhe një fletushkë me përmbajtje patriotike, artikuj kundër regjimit dhe poezi. Veprimtaria e tyre ishte më tepër nga entuziazmi dhe dëshira për të bërë diç kundër armikut, sesa një veprimtari serioze dhe e menduar e studiuar mirë. Ajo veproi aty vetëm një vit, pasi veprimtaria dhe organizimi nuk i dukeshin serioze. Grupi u dekonspirua shumë shpejt. Në tërë Gjilanin ishte përhapur lajmi se kishin formuar grup. Pikërisht për këtë, Kadri Zeka kishte ftuar disa anëtarë nga grupi për t’u informuar se çfarë bënin dhe t’u thoshte se duhej të kishin kujdes. Ky veprim i hapur ra në sy të organeve udbeske dhe në tetor të vitin 1978 u burgosën e u dënuan Ismet Ramadani e Hamdi Zymberi. Në nëntor të po atij viti të gjithë anëtarët e grupit u morën në pyetje nga punonjësit e sigurimit. Saimja atëherë ishte studente në vitin e dytë. Ishte ftuar në organet e UDB-së, ku u mbajt vetëm një ditë, pa nxjerrë asnjë fakt. “Shqiponjat e arta”, kishte kontakt me grupin me po të njëjtin emër në Ferizaj, pikërisht me Hajdin Abazin.
Në gusht të vitit 1977 hyn në radhët e GMLK, ku vepronte në celulë me veprimtarët Kadri Zeka dhe Ismet Isufi, kurse një vit më vonë zgjidhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv.
Veprimtaria në këtë organizatë kërkonte angazhim intensiv dhe zbatim rigoroz të rregullave të konspiracionit, që për një femër nuk ishin aspak të lehta, si bie fjala mbajtja e mbledhjeve natën vonë, madje duke kaluar e vetme shtigjeve malore për t’iu shmangur spiunëve përcjellës. Por kjo mënyrë veprimi ishte më se e nevojshme për jetëgjatësinë e organizatës dhe të veprimtarisë së saj të zgjeruar në të gjitha territoret shqiptare në ish-Jugosllavi.
Në tetor të vitit 1980 merret përsëri në pyetje në polici. Në tetor të vitit 1981 shkon në Zvicër ku vazhdon veprimtarinë në radhët e Organizatës atje.
Pas rënies së Kadri Zekës (më 17 janar 1982), u bë bashkimi i organizatave ilegale dhe u formua “Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi”. Në Lëvizje ajo ishte aktive si në organet udhëheqëse të saj, po ashtu edhe në redaksinë botuese “Liria”, në të cilën janë botuar organi i Lëvizjes “Zëri i Kosovës” dhe botime të tjera publicistike e letrare.
VIJON …
_____________
MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARINË E ISMAIL SYLES (49)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10060