MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (66)

Pashtriku, 18 gusht 2020:
8.1.3 Letër Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë
Tiranë
Të dashur shokë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë!
I dashur shoku Enver!
Këto ditë u njohëm me Letrën e hapur të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, dërguar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe Qeverisë kineze, në përgjigje të Notës zyrtare me të cilën udhëheqja kineze njoftonte për ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha ndihmave e kredive për Shqipërinë, si dhe për tërheqjen e të gjithë specialistëve kinezë që ndodheshin në Shqipëri gjer më 9 korrik 1978.

P
ërkundër “fakteve” e “argumenteve” që ka përdorur si pretekst udhëheqja kineze për të ndërmarrë aktin e njëanshëm dhe armiqësor kundër Shqipërisë, letra e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, hedh dritë dhe sqaron para gjithë opinionit botëror shkaqet e vërteta me karakter të thellë ideologjik e politik, të cilat e çuan udhëheqjen kineze në një veprim të tillë kundërrevolucionar dhe në kundërshtim të plotë me parimet e marksizëm-leninizmit e internacionalizmit proletar. Letra historike e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë i bëri një vështrim marksist-leninist marrëdhënieve shqiptare-kineze, ku shihet qëndrimi parimor, korrekt dhe shoqëror i Partisë së Punës të Shqipërisë gjatë gjithë zhvillimit të tyre. Kjo letër ka një rëndësi të madhe edhe për faktin se nxori në shesh rrënjët e politikës së adoptuar sot nga udhëheqja kineze. Letra e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe e Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë shpreh edhe njëherë vendosmërinë e patundur të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe guximin e saj heroik për t’u qëndruar gjithmonë besnik parimeve të marksizëm-leninizmit e për t’i mbrojtur ato, pa marrë parasysh asnjë sakrificë. Për gjithë përmbajtjen e saj, Letra e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe e Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, dërguar udhëheqjes kineze, është një dokument shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Partinë e Punës të Shqipërisë, Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë e popullin shqiptar, por edhe për marksistë-leninistët në gjithë botën, proletariatin ndërkombëtar dhe popujt revolucionarë.
Ashtu si në të kaluarën edhe kësaj here, ky veprim i ri armiqësor kundër Shqipërisë, e gjeti popullin shqiptar të bashkuar në një unitet të çeliktë rreth Partisë së Punës, Komitetit të saj Qendror dhe udhëheqësit tonë të madh, shokut Enver Hoxha. Akti armiqësor i udhëheqjes kineze ndaj Shqipërisë dhe Letra Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, krijuan në gjithë popullin shqiptar dy ndjenja të ligjshme: të indinjatës e urrejtjes së thellë ndaj udhëheqjes kineze dhe të krenarisë për qëndrimin heroik të Partisë së Punës të Shqipërisë ndaj këtij veprimi tradhtar e të poshtër. Dënimi i njëzëshëm i aktit të udhëheqjes kineze ndaj Shqipërisë nga klasa punëtore, fshatarësia kooperativiste, inteligjenca revolucionare, gjithë masat punonjëse të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë si dhe mobilizimi i tyre revolucionar për të kapërcyer të gjitha vështirësitë e krijuara nga ky akt, flet më së miri për atë unitet të fuqishëm të popullit shqiptar rreth Partisë së tij të lavdishme.
Janë emocionuese dhe na e shtojnë kurajën e guximin, letrat e telegramet e shumta që i vijnë çdo ditë Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe personalisht shokut Enver Hoxha, nga partitë marksiste-leniniste, njerëz revolucionarë e përparimtarë dhe miq të shumtë të Shqipërisë, në të cilat dënohet rreptë veprimi armiqësor i udhëheqjes kineze ndaj Shqipërisë dhe shprehet fuqishëm solidariteti e përkrahja e tyre Partisë së Punës të Shqipërisë e popullit shqiptar. Proletariati ndërkombëtar dhe popujt revolucionarë të botës e duan dhe e përkrahin Shqipërinë dhe jo armiqtë e saj, të cilët luftojnë jo vetëm kundër Shqipërisë, por edhe kundër proletariatit e popujve të të gjithë botës. Shqipëria është kështjellë e fuqishme e socializmit në gjithë botën, ajo mbështet me guxim luftën revolucionare e çlirimtare të proletariatit e të popujve të botës, prandaj s’ka si të mos ketë fituar simpatinë, dashurinë, respektin dhe përkrahjen e tyre. Në këtë kuptim, jo Shqipëria, por armiqtë e saj janë e do të jenë të izoluar.
Grupi ynë Marksist-Leninist, i indinjuar thellë nga veprimi arrogant prej fuqie të madhe, kundërrevolucionar e antishqiptar i udhëheqjes kineze, e dënon rreptë atë dhe shpreh solidaritetin e përkrahjen e plotë qëndrimit parimor marksist-leninist të Partisë së Punës të Shqipërisë. Dëshirojmë të theksojmë këtu se ndjenja e urrejtjes ndaj udhëheqjes kineze ka përshkuar edhe masat punonjëse të popullit tonë në Kosovë, kurse dashuria e tyre ndaj Shqipërisë, Partisë së Punës dhe shokut Enver është shtuar akoma më shumë. Ne jemi krenarë për Partinë tonë të lavdishme të Punës, për rolin e madh që luan ajo sot në lëvizjen marksiste-leniniste ndërkombëtare, për udhëheqësin tonë dhe mësuesin e madh të proletariatit, shokun Enver dhe për prestigjin që ka sot Shqipëria në botë. Grupi ynë ka mësuar vazhdimisht dhe do të mësojë akoma më shumë në të ardhmen nga historia e Partisë së Punës të Shqipërisë se si duhet të mbrohen me vendosmëri marksizëm-leninizmi e interesat e popullit në çdo rrethanë, pa përfillur asnjë vështirësi. Dashurinë tonë për Shqipërinë, ne komunistët e Kosovës e kemi dashuri ndaj Atdheut tonë të pandashëm, pjesë e të cilit është edhe Kosova. Mbrojtjen e Shqipërisë socialiste e konsiderojmë detyrë të lartë nderi dhe të shenjtë. Ne do të luftojmë deri në fund për çlirimin e Kosovës, por edhe për mbrojtjen e Shqipërisë socialiste. Ne do të veprojmë vazhdimisht e pa u lodhur në frymëzimin, edukimin, mobilizimin e organizimin e klasës punëtore të shtypur e të shfrytëzuar në Kosovë, fshatarësisë sonë të varfër, inteligjencës patriotike dhe revolucionare, rinisë e grave trimëresha, në luftë për çlirim kombëtar e shoqëror dhe për bashkim me Shqipërinë socialiste. Por, në rast të ndonjë sulmi eventual agresiv ushtarak mbi Shqipërinë, nga do që të vijë ai, Grupi ynë do të marrë të gjitha masat për organizimin e forcave nga masat popullore që të sulen si dikur Isa Boletini e Bacë Bajrami me shokë, në mbrojtjen e Atdheut tonë të dashur, përkrah vëllezërve e motrave tona në Shqipëri. Grupi ynë do të luftojë edhe përpjekjet e armiqve tanë që nga Kosova ta dëmtojnë Shqipërinë. Ne mendojmë se vetëm kështu mund dhe duhet t’i përgjigjemi borxhit të madh që kemi karshi Atdheut dhe Partisë së Punës të Shqipërisë, e cila me guxim e në rrugë marksiste-leniniste mbrojti kurdoherë dhe mbron edhe interesat e popullit tonë në Kosovë.
Grupi ynë Marksist-Leninist po rritet dhe fuqizohet çdo ditë. Ndërtimi organizativ i tij është i bazuar në parimet leniniste. Kjo ka bërë që brenda Grupit të krijohet një raport i drejtë në mes të udhëheqjes së tij, Komitetit Drejtues dhe celulave të Grupit, që të ketë i gjithë Grupi një unitet monolit organizativ e ideologjik, demokraci komuniste të brendshme, kritikë e autokritikë të shëndoshë e parimore, disiplinë të çeliktë e të ndërgjegjshme komuniste, si dhe konspiracion të thellë e të detyrueshëm për çdo anëtar të Grupit. Në gjithë Grupin po bëhet një punë e vazhdueshme dhe e planifikuar në ngritjen teorike, ideologjike e politike, edukimin komunist të çdo anëtari të tij. Kalitja e ndërgjegjes luftarake të pjesëtarëve të Grupit tonë dhe formimi komunist i tyre po bëhet edhe në luftën e përditshme për forcimin e Grupit si dhe në aksionet praktike revolucionare. Një kujdes të veçantë Grupi ynë i kushton zbatimit të drejtë të kritereve të shëndosha komuniste në zgjerimin e radhëve të tij.
Grupi ynë bën përpjekje të vazhdueshme që të lidhet sa më mirë e më shumë me masat e shtypura e të shfrytëzuara dhe në radhë të parë me klasën punëtore dhe fshatarësinë. Çlirimin e masave popullore e konsiderojmë vepër të vetë masave, nën udhëheqjen e avangardës së klasës punëtore dhe mbështetjen në forcat e veta, si forcë vendimtare në revolucion. Por, veprimtarinë e Grupit tonë e përcjellin edhe të meta e dobësi, të cilat me luftë të pandërprerë me siguri do t’i zhdukim.
Grupi ynë Marksist-Leninist lufton dhe do të luftojë kundër borgjezisë e reaksionit ndërkombëtar, kundër revizionizmit modern të të gjitha varianteve dhe kundër oportunizmit të së ashtuquajturës “Teori i tri botëve”.
Shokë
Vitet e fundit marksizëm-leninizmi u ndesh edhe me një armik të ri, shumë të rrezikshëm, oportunist e tradhtar, “Terinë e tri botëve”. Lavdi Partisë së Punës të Shqipërisë, e cila edhe kësaj radhe doli në ballë të luftës për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit! Elementë të ndryshëm borgjezë e kundërrevolucionarë brenda Partisë Komuniste të Kinës, pasi arritën në krye të saj, shkelën me të dyja këmbët parimet e marksizëm-leninizmit e të internacionalizmit proletar, grumbulluan tezat kundërrevolucionare, antimarksiste-leniniste të përfaqësuesve të Internacionales së Dytë e të revizionistëve të vjetër e të rinj, të cilat i sanksionuan në të ashtuquajturën “Teri i tri botëve” me qëllim që të luftojnë marksizëm-leninizmin dhe Kinën ta kthejnë në një superfuqi socialimperialiste që edhe kjo të hyjë në aventurën imperialiste të sundimit të botës. Udhëheqja kineze dhe ata pak partizanë që mundi t’i bëjë për vete në gjirin e lëvizjes marksiste-leniniste, mohojnë kontradiktat themelore të botës së sotme, mohojnë luftën e proletariatit kundër borgjezisë dhe luftën revolucionare të popujve për çlirim e pavarësi.
Udhëheqja kineze, me parullën e luftës kundër socialimperializmit sovjetik don t’i mashtrojë popujt e botës, e në veçanti ata të “Botës së tretë”, për të cilët ka synime hegjemoniste e sunduese. Politika kundërrevolucionare që adoptoi udhëheqja kineze e çoi deri atje sa të puthet edhe me tradhtarët me damkë të marksizëm-leninizmit, si Tito e Karilo, të marrë në mbrojtje mbretër e diktatorë, fashistë e xhelatë më gjakatarë të popujve në botë. Këtu e ka burimin veprimtaria komplotuese, minuese e përçarëse e udhëheqjes kineze në gjirin e lëvizjes marksiste-leniniste si dhe presioni e shantazhi i saj socialimperialist mbi partitë e vërteta marksiste-leniniste, të cilat i rezistuan asaj me heroizëm. Këtu e ka burimin edhe akti i fundit antishqiptar i udhëheqjes kineze, e cila përdori edhe këtë veprim të shëmtuar të natyrës së atyre të Titos e Hrushqovit mbi Partinë e Punës të Shqipërisë, me qëllim që të hakmerret kundër saj, se ajo nuk adoptoi tezat kundërrevolucionare të “Teorisë së tri botëve”. Udhëheqja kineze në veprimtarinë e saj antimarksiste-leniniste u ndesh në unitetin e fuqishëm të partive të vërteta marksiste-leniniste të botës, prandaj llogaritë i dolën krejt ndryshe nga ato që kishte menduar.
Grupi ynë Marksist-Leninist e ka dënuar me kohë dhe e ka hedhur poshtë me përbuzje “Teorinë” kundërrevolucionare “të tri botëve”.
Marksizëm-Leninizmi edhe në të kaluarën është ndeshur në beteja të ashpra me armiq të shumtë të tij, por gjithmonë ka fituar. Edhe sot e në të ardhmen, ai gjithmonë do të triumfojë mbi çdo armik të tij, të çdo kallëpi e ngjyre.
Shokë
Udhëheqja kineze, me veprimin e saj reaksionar kundër Shqipërisë, u mundua ta dëmtojë atë, por dëmtoi veten, sepse nxori vetë para opinionit botëror, fytyrën e saj të vërtetë antisocialiste, kundërrevolucionare dhe socialimperialiste. Ky veprim mund t’i shkaktojë ndonjë vështirësi të pjesshme e të përkohshme Shqipërisë, por që me siguri do të kapërcehen me sukses. Udhëheqësit kinezë nuk e njohin, ose e kanë harruar historinë e lavdishme të Partisë së Punës të Shqipërisë, e cila në rrethana shumë më të vështira e ka mbrojtur me guxim marksizëm-leninizmin, ata nuk e njohin gjithashtu as historinë e popullit shqiptar, i cili kurrë në jetën e tij nuk i është përkulur e nënshtruar askujt. E mbështetur në forcat e veta, Shqipëria edhe në të ardhmen do ta ndërtojë socializmin, duke e çarë me sukses bllokadën e egër imperialiste-revizioniste. Armiqtë e Shqipërisë do të dështojnë me siguri edhe në të ardhmen në të gjitha synimet në Shqipëri. Flamuri i marksizëm-leninizmit do të valojë triumfues dhe i papërlyer gjithmonë në Shqipërinë e udhëhequr nga Partia e saj e lavdishme e Punës.
Rroftë Shqipëria Socialiste, fanar i socializmit në botë!
Rroftë Partia e Punës e Shqipërisë dhe udhëheqësi ynë i madh, shoku Enver Hoxha!
Rroftë internacionalizmi proletar!
Rroftë lëvizja marksiste-leniniste në botë!
Lavdi marksizëm-leninizmit ngadhënjimtar!
Vjenë, më 16.VIII.1978
Për Komitetin Drejtues të GrupitMarksist-Leninist të Kosovës
Sekretari
Mehmet Hajrizi
VIJON …
_______________
MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (65)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10398

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura