Pashtriku, 29 shtator 2020:
8.1.17 Pjesë nga artikulli “Jemi patriotë, s’jemi shovinistë” (“Liria”)
Në mbrojtje të vlerave shqiptare, që regjimi po i sulmonte frontalisht, “Liria” shkruante: “…po sulmohet me egërsi jo vetëm populli shqiptar në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, por edhe i gjithë populli ynë kudo që të ndodhet, po sulmohet kultura dhe historia e tij e lavdishme, po sulmohen traditat, zakonet dhe virtytet e tij më të larta, po sulmohen librat, këngët dhe simbolet e tij kombëtare, po sulmohet, me një fjalë, gjithçka që është shqiptare…
Në historinë tonë revizionistët do të gjejnë Skënderbenë, vëllezërit Frashëri e Mic Sokolin, Ismail Qemalin e Isa Buletinin, Çerçiz Topullin e Bajram Currin, Azem Bejtën e Shotë Galicën, Qemal Stafën e Emin Durakun, do të gjejnë shumë trima shqiptarë, që luftuan për lirinë e popujve të tjerë, do të gjejnë shumë luftëtarë të Spanjës republikane, do të gjejnë mijëra partizanë, komisarë e komandant të lavdishëm, që derdhën gjakun e tyre në Sanxhak e Vishegrad…, por ata nuk do të gjejnë atje Karagjorgjeviqët e Obrenoviqët, Mark Milanë e Veshoviqë, Kërstë Peçanër, e Kërstë Miliqë, nuk do të gjejnë Nikolla Pashiqë e Drazha Mihajlloviqë, Jovan Cvijiqë e Çubrilloviqë dhe as satrapë Tito e Rankoviqë.
Për shovinistët rankoviqistë, gjithçka që është shqiptare, gjithë ç’është patriotike e revolucionare, gjithçka që nuk u pëlqen atyre ose që ua prish planet e tyre të përbindshme, është “nacionalist” e ”shovinist” dhe “irredentist”, “reaksionar” e “kundërrevolucionar”. Dhe, meqenëse gjithë populli ynë, kudo që të jetë, është shqiptar (jo jugosllav, siç u pëlqen shovinistëve serbomëdhenj ), meqenëse gjithë populli shqiptar është patriot (pikërisht patriot shqiptar e jo “patriot jugosllav “, siç dëshirojnë ata) dhe meqenëse si i tillë populli ynë po ua prish atyre planet e çmendura, atëherë, për ta, me përjashtim të ndonjë zagari, gjithë populli shqiptar është “nacionalist”, “shovinist “, ”irredentist“, i “egër “ “injorant”, “i trashë“ ,“reaksionar”, “kundërrevolucionar e gjithçka tjetër .
Kundër zaptuesve shovinistë serbo-malazezë, populli shqiptar ka luftuar pa mëshirë, por lufta e tij nuk ka qenë e drejtuar kurrë kundër popujve të Serbisë e të Malit të Zi. Luftërat tij çlirimtare, populli ynë gjithmonë i ka bërë në tokën e vet dhe kurrë në tokë të huaj. Ai ka qenë gjithmonë i pushtuar, po kurrë pushtues. Luftërat e tij jo vetëm nuk drejtoheshin kundër popujve të tjerë jashtë trojeve shqiptare, po as kundër pakicave joshqiptare që jetonin në tokat e tij, qofshin këta kolonë të hershëm apo të mëvonshëm. Është fakti njohur dhe i pranuar se gjatë periudhës së Luftës antifashiste nacionalçlirimtare, edhe më parë popullsia serbe e malazeze në Kosovë është dëmtuar shumë më pak sesa popullsitë e tyre motra në Serbi e Mal të Zi. Lufta që populli shqiptar ka bërë në shekuj për lirinë e tij jo vetëm që nuk i ka dëmtuar popujt fqinjë, po përkundrazi, ajo ka qenë kurdoherë edhe në interes të lirisë së tyre të vërtetë…
Gjatë grevave dhe demonstratave të tij heroike, populli ynë kërkoi kushte më të mira të jetesës, kërkoi punë, kthimin e kurbetçinjve e ndalimin e ngritjes së çmimeve, kërkoi që bijtë e tij të burgosur të kthehen në Kosovë, kurse të pafajshmit të lirohen, kërkoi që pasuritë e shumta të Kosovës të shfrytëzohen nga vetë kosovarët, kërkoi që t’i jepet fund trajtimit të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare si koloni e thjeshtë e republikave jugosllave, që popullit shqiptar në Jugosllavi t’i njihet e drejta e tij e ligjshme për vetëvendosje (të cilën kushtetuta jugosllave ua njeh popujve të tjerë edhe më të vegjël se yni), që Kosova të fitojë statusin e Republikës së federuar…
Populli ynë gjatë demonstratave të tij, s’kërkoi dëbimin e serbëve, malazezëve e maqedonasve nga tokat shqiptare, nuk kërkoi kurrfarë kufijsh të pastër etnikë, siç po shpifin revizionistët. Ai kërkoi vetëm që të çlirohet nga robëria kolonialiste dhe të bëhet zot i vetvetes, kërkoi Republikën e tij ku do të jetonte i lirë e i pavarur, në barazi, harmoni e bashkëjetesë të vërtetë me pakicat jo shqiptare dhe njëkohësisht në marrëdhënie të sinqerta vëllazërore me popujt e Jugosllavisë dhe ata të Ballkanit, prandaj kërkesa për Republikën e Kosovës, ashtu si dhe kërkesat e tjera nuk ka asgjë shoviniste.
Republika e Kosovës jo vetëm që nuk do të ishte robërim për popullsinë joshqiptare në Kosovë, siç po çirren revizionistët, por përkundrazi, ajo do të jetë fitore e madhe edhe e për ta…
Heronj të ditës janë bërë kriminelët çetnikë, që kishin lyer duart me gjak shqiptari, para e gjatë luftës, ata këlyshë të Rankoviçit, që kishin gjakosur popullin tonë gjatë aksionit famëkeq të armëve, ata gjakatarë që tani, ashtu si edhe më 1968, qëllonin tinëzisht me armë zjarri mbi turmat e paarmatosura të demonstruesve shqiptarë, të cilat nga ana tjetër qëlloheshin nga milicia serbe me bomba e mitraloza…
Shkaqet e vërteta të shpërnguljes së serbëve e malazezve nga Kosova, ashtu si edhe të shqiptarëve, janë kushtet e vështira të jetesës, skamja, papunësia e mjerimi i madh, që janë rrjedhim i drejtpërdrejtë i marrëdhënieve kapitaliste në prodhim dhe i shfrytëzimit kolonial të Kosovës…
Për të justifikuar masat e papara, që po ndërmarrin kundër ndërgjegjes kombëtare të popullit tonë, shovinistët serbomëdhenj po sulmojnë të gjithë kulturën, arsimin, shkencën, artin dhe letërsinë shqiptare, e deri edhe simbolet e veshjet tona kombëtare. Sipas tyre, gjithë kjo kulturë shqiptare qenka e ngarkuar me ‘historicizëm’, ‘romantizëm nacional’, me ‘mite’, ‘shpirtra të vdekur’, e me ‘ideale të tejkaluara’, dhe si e tillë ajo paska bërë që rinia të edukohet ‘keq’, të hutohet e të mashtrohet aq shumë sa të ngrihet ne greva e demonstrata aq të mëdha.
Që të mos përsëritet ajo që ndodhi, shovinistët e Beogradit i kanë hyrë punës për ta ‘shkarkuar’ kulturën kosovare nga fryma kombëtare ‘e tejkaluar’ dhe për ta shndërruar atë në një kulturë “vetadministruese“, në një kulturë që kultivon jo ‘nacionalizmin shqiptar’ por të ashtuquajturin patriotizëm jugosllav! Për t’i a arritur këtij qëllimi, shovinistet kanë vënë në shënjestër të gjitha institucionet e arsimit e të kulturës si Universiteti, Akademia e Shkencave dhe e Arteve, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, shoqatat e shkrimtarëve, kompozitorëve, artistëve figurativë e të gazetarëve, shkollat, shoqëritë kulturo-artistike e deri te ato çerdhe të pakta të fëmijëve që ekzistojnë në Kosovë. Të gjitha këto po cilësohen si ‘vatra të nacionalizmit e të kundërrevolucionit’ dhe po sulmohen nga të gjitha anët e me të gjitha mjetet…
Kështu po veprojnë shovinistët edhe me letërsinë, artin dhe muzikën tonë. Çdo vlerë e vërtetë me sadopak frymë kombëtare po kualifikohet si ‘nacionaliste’ e ‘armiqësore’ dhe inkuizitorët revizionistë po i heqin nga vitrinat e librave dhe bibliotekave, nga programet shkollave e të televizionit kurse autorët e shumtë kosovarë janë jo vetëm objekt kritike e presioni, por edhe janë përplasur burgjeve.
Aq hapur kanë dalë shovinistët rankoviqistë sa të kërkojnë edhe mbylljen e Universitetit tonë, mbylljen e shkollave dhe shoqërive të ndryshme, të kërkojnë ndërprerjen e çdo lloj komunikimi dhe kontakti me vëllezërit në Shqipërinë socialiste, të kërkojnë që veprat e shkrimtarëve tanë, që po ndalohen, të zëvendësohen me ‘vepra’ të antishqiptarëve të tërbuar si Qosiqi, Andriqi, Dedijeri, Tempo e Laliqi…
Shovinistë janë ata që e kanë robëruar, e kanë ndarë e copëtuar me bajoneta popullin tonë liridashës, ata që nën parullën e “Serbisë së madhe“ të Car Dushanit e të ‘pastërtisë së saj etnike’, i kanë dëbuar me dhunë nga trojet tona qindra mijëra shqiptarë, ata që kanë vrarë, prerë, djegur e masakruar me dhjetëra mijëra burra, gra, pleq, e fëmijë të pafajshëm shqiptarë para, gjatë dhe pas luftë, ata që bënë masakrat e tmerrshme të Drenicës, Gjilanit e Tivarit, janë ata që rrahën e poshtëruan gati të gjithë burrat kosovarë gjatë aksionit famëkeq të armëve, ata që sollën në tokën tonë gjysmën e ushtrisë dhe të policisë jugosllave, gjysmën e tankeve, avionëve e mitralozave, për të na mbytur në gjak popullin tonë të paarmatosur, që kërkonte të drejtat e veta të ligjshme, ata që na i vranë na i plagosën e gjymtuan qindra motra e vëllezër nga më të mirët, vetëm e vetëm pse kërkonin bukë e liri për popullin, ata që na e burgosën dhe po vazhdojnë të na e burgosin, rrahin e torturojnë ajkën e popullit tonë, ata që po mundohen të na frikësojnë fëmijët me tanke, avionë e me topa. Shovinistët janë ata që po na i plaçkitin pasuritë tona të mëdha, ata që na e mbyllën para kohe Universitetin dhe shkollat tona, ata që po mundohen të na ndajnë, izolojnë me vëllezërit tanë të një gjuhe e të një gjaku, me Shqipërinë socialiste, ata që po botojnë libra ‘të bardhë’, ‘të kaltër’ e lloj –lloj librash të tjerë të zinj, antishqiptarë, ata që po na i sulmojnë e mohojnë heronjtë tanë të pavdekshëm, historinë, kulturën dhe gjithë trashëgiminë tonë, ata që po na sulmojnë këngët, librat, veshjet, e simbolet tona kombëtare, janë ata që po bëjnë çmos për ta penguar shtimin e popullit tonë, ata që duan ta ‘lërojnë tokën tonë me plug e me pushkë.’ Shovinistë janë ata që godasin e rrëzojnë shtëpitë tona edhe me helikopterë e artileri, ata që nuk ua japin familjeve tona bijat e bijtë e tyre të vrarë, ata që vrasin edhe të plagosurit e zhvarrosin edhe të varrosurit. Shovinistë janë ata që kanë hapur dosje për të gjithë popullin tonë, ata që i urdhërojnë njerëzit për t’i mbajtur të hapura dyert me qëllim që të bastisin e kontrollojnë më lehtë, ata që po burgosin, ndjekin e maltretojnë njerëzit e ndershëm, vetëm pse u kanë dhënë ndihmë mjekësore demonstruesve të plagosur, pse kanë kërkuar shkollë në gjuhën shqipe, pse nuk u kanë duartrokitur fjalimeve të tradhtarëve, pse para dhjetë vjetësh kanë shkruar ndonjë reagim a artikull, apo pse e kanë përmendur fjalën masakër në ndonjë fjalëkryq të gazetës !!!
Këta janë shovinistë dhe jo populli ynë i shumëvuajtur që lufton për liri dhe të drejtat e tij të ligjshme, pa u rënë më qafë popujve të tjerë dhe pa u bërë atyre asnjë të keqe. Ky është shovinizmi i vërtetë në Kosovë, dhe kundër tij mund të mos jetë vetëm ndonjë bastard ‘shqiptar’, ndonjë sahanlëpirës i rrallë, që është zhytur aq thellë në lumin e ndyrë të tradhtisë, sa të mos i vijë ndot e trishtim që të gëlltisë gjithë atë vrer të neveritshëm antishqiptar, që po vjellin patronët e tyre rankoviqianë.
Kundër këtij shovinizmi është ngritur sot populli ynë liridashës dhe jo aspak kundër njerëzve të pafajshëm të popujve të tjerë.
Ne shqiptaret e Kosovës, Maqedonisë, Serbisë, e Malit të Zi, kemi luftuar e do të luftojmë me vetëmohim e heroizëm deri në fitore kundër armiqve tanë shovinistë, por ne nuk kemi qenë dhe nuk do të lejojmë kurrë që të biem në ujërat e ndyta të shovinizmit. Ne jemi patriotë, e s’jemi shovinistë. Qëndrimi ynë ka qenë e është: Ndaj popujve asnjë dem – ndaj shovinistëve asnjë mëshirë ! Prandaj, ne i bëjmë përsëri thirrje popullit tonë që, krahas intensifikimit të mëtejshëm të luftës së gjithanshme kundër regjimit robërues të shovinistëve jugosllavë, ashtu si edhe deri tash, të mos lejojë asnjë dëm, asnjë presion e zullum ndaj njerëzve të pafajshëm serbë e malazezë. Veprime të tilla jo vetëm që janë në kundërshtim me karakterin e luftës sonë, por janë edhe shërbim i madh për shovinistët serbomëdhenj, të cilët po bëjnë çmos me qëllim që ta njollosin e diskreditojnë luftën tonë të drejtë. Shovinizmit të armiqve tanë ne nuk i kundërvëmë shovinizmin…”. (31)
***
31. Jemi patriotë, s’jemi shovinistë “Liria” nr 4-5, gusht 1981
VIJON …
_____________
MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (75)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10561
Postime të Lidhura
Halil Alidema – Meteorë Lirie (17)
Halil Alidema – Meteorë Lirie (17) Nga Sabit Alidema – Pashtriku 13 Korrik 2021 TË TJERËT PËR HALIL…
MBROJTJA E UKSHIN HOTIT PARA TRUPIT GJYKUES SERBË NË PRIZREN – SHTATOR 1994 (I)
Pashtriku.org, 15. 05. 2012 – “Më ka arrestuar policia e Republikës së Serbisë, ndoshta me kërkesën e një…
SAIMIR LOLJA: NIKOLA TESLA, NDERI I KOMBIT SHQIPTAR
Pashtriku, 29 prill 2020: Nikola Tesla, nderi i kombit shqiptar Nisur nga emri i tij, Nikolla Tesla nuk…
PROF.DR.AGIM ZOGAJ: GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZË, DRITË E ZOTIT (III)
Prishtinë, 8 shtator 2020: Fëmijëria Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë u lind më 27 gusht 1910 në një…