Pashtriku, 24 dhjetor 2020: Në veprën e tij të famshme, “Also Sprach Zarathustra” (Kështu foli Zarathustra), filozofi gjerman, Friedric Nitsch (Niçe), rrëfen për profetin persian Zarathustra, një mbinjeri që jetonte me kafshët e tij në male. Një ditë kishte zbrit nga malet, për ta shëtitur botën. Kur e pyetën Zarathustrën, që të tregojë për njerëzimin, se cili nga popujt ishte më primitivë, narcisoid, hipokrit dhe injorant, ai kishte thënë se tek asnjë popull nuk kishte hasur këso tiparesh. Unë pashë tek të gjithë popujt se vetëm një pjesë e vogël ishte me tipare që atribuojnë njerëzit e këqij, egoistë, hipokritë, injorantë, por jo i gjithë populli.
* * *
Unë duke punuar në Perëndim kam pasur fatin të takoj, të njoh dhe të kem miq e shokë nga shumë nacionalitete që vinin nga shtete dhe kontinente të ndryshme, pa dallim kombi, race dhe etnie, dhe kam parë se gjithë njerëzimi është i njëjtë, kanë të njëjtën ADN. Të gjithë njerëzit, qofshin aziatikë, afrikanë, zezak apo të bardhë, kishin të njëjtat tipare, atribute, ishin njerëz mes njerëzve. Unë isha si ata dhe ata ishin si unë.
Duke punuar me biznes në eksportin e veturave, njoftova shumë tregtarë nga Evropa lindore, Lindja e Mesme, Afrika dhe shtete të tjera të Evropës. Duke u njohur, komunikuar e bashkëpunuar me shumë njerëz nga këto vende, njeriu bëhet më tolerant, më human e më pacifist. Duke i pranuar të gjithë një lloj, njeriu bëhet më kozmopolit, inter-kulturor dhe, në fund, e njeh edhe vetveten.
Muajin e kaluar, një mik i vjetër më kishte shkruar një mesazh: “Selam, miku im Merxhan! Kur të keni kohë, ktheni tek restoranti në parcelën e makinave”. Shkaku që më kishte thërritur ky mik, i cili ishte palestinez, ishin bisedimet në Uashington dhe njohja e Kosovës nga shteti çifut, Izraeli. Aty ndodhi edhe një mik tjetër palestinez, me të cilin po ashtu kemi bashkëpunuar në biznes. Më kujtohej, gjatë viteve 2000, duke punuar vëreja tek palestinezët dhe kurdët, njësoj si tek ne, shqiptarët, që ishin shumë të politizuar dhe të polarizuar, dëgjonin lajmet duke mbajtur radion afër veshëve. Duke pirë kafe me miqtë palestinezë, si zakonisht, filloi biseda me temat aktuale, siç ishte njohja e Izraelit nga ana e Emirateve të Bashkuara, sikundër dhe njohja nga Izraeli i shtetit më të ri me shumicë myslimane në Evropë, ajo e Kosovës. Mustafa, një palestinez, një burrë zeshkan e tullac, moshatar, më pyeti nëse do të vendosë Kosova ambasadën në Jerusalem? Ne nuk jemi kundër njohjes, por vendosja e ambasadës në Jerusalem, për popullin palestinez do të jetë një shok, sepse vjen nga një popull mysliman, m’u drejtua ai. Unë i thashë se siç e kanë njohur shtetet arabe Izraelin, po ashtu dhe Kosova do të ketë marrëdhënie diplomatike me Izraelin. Akoma nuk dihet nëse këtë ambasadë Kosova do ta hapë në Tel-Aviv apo në Jerusalem. Por, në qoftë se vendoset që ambasada e Republikës së Kosovës të jetë në Jerusalem, kjo do të bëhet sepse Kosova si shtet i ri duhet të ruajë marrëdhëniet me aleatin e vet SHBA-në, pasi që në të kundërtën mund të ketë pasoja politike e diplomatike. Por po qe se nuk e vendos ambasadën në Jerusalem, Izraeli si shtet i rëndësishëm mund ta tërheq njohjen. Hyseini, një tregtar i makinave që më së shumti eksportonte në Lindjen e Mesme, një burrë shtatlartë dhe me sharmë e humor, më tha se po qe se Kosova do vendos ambasadën në Jerusalem, do ketë pasoja ndërkombëtare nga OKB-ja, sipas asaj që kishte lexuar në shtypin gjerman.
SHQIPTARËT DO TË PËSONIN SI PALESTINEZËT
Mustafa, me një zë të hollë e duke folur ngadalë, rrëfente se në gjuhën arabe ka një maksimë, kur lëshojnë nëmën për dikë thuhet: “Mbetsh pa atdhe dhe mos t’u gjetsh varri!”, që është një nëmë e mallkuar. Një popull pa atë dhe pa shtet është popull pa identitet, është tepricë, i përbuzur, i injoruar dhe i tjetërsuar. Unë, duke pasur paksa emocione, iu drejtova miqve të mi se edhe ne shqiptarët pas shpërbërjes së Perandorisë osmane, më shumë se gjysma e kombit mbetëm të ndarë në disa shtete. Pas Luftës së Parë Botërore, në Konferencën e Paqes në Versaj, shtetet fqinje donin ta copëtonin Shqipërinë. Në memoaret e Vinston Çerçillit, ai shkruan se presidenti i Mbretërisë së Bashkuar, David Lloyd Georg donte që Greqia të jetë një shtet i krishterë në Evropën lindore dhe Azinë e vogël. Sipas Çerçillit, Lloyd Georg kishte qenë një islamofob, andaj ai ishte për copëtimin e Shqipërisë. Për të, një shtet në Ballkan me shumicë myslimane, do të ishte një Turqi e vogël, pasi që ai mendonte se mund të rikthehen osmanët në Ballkan. Çerçilli atëbotë ka qenë ministër i luftës dhe i kishte thënë presidentit se edhe shqiptarët autoktonë janë evropianë e duhet ta kenë shtetin e tyre. Presidenti amerikan Woodrow Wilson kishte lëshuar konferencën dhe kishte porositur anije që të vinte Georg Washington. Presidenti amerikan Wilson kishte qenë kundër shpërbërjes së Shqipërisë, teza e tij ishte për vetëvendosjen e popujve.
Edhe pas një shekulli, SHBA ishte aktori kryesor dhe me ndihmën e saj Kosova fitoi pavarësinë. Vetëm pas një shekulli, shqiptarët u bënë të barabartë si fqinjët e saj, serbët, grekët dhe bullgarët. Sot shqiptarët kanë dy shtete, për ekzistimin e të cilëve ka kontribuar SHBA, po të mos ishte ajo, shqiptarët e Kosovës do të pësonin të njëjtën tragjedi sikurse palestinezët.
Dy miqtë palestinezë duke më shikuar drejt në sy, njëri prej tyre, Hyseini, tha se SHBA është mike, aleate dhe i ka ndihmuar të vetmit shqiptarët, si popull mysliman, kurse për popujt e tjerë ka qenë armik, sidomos i botës islame. Mustafa tha se në krahasim me popujt e tjerë të Lindjes dhe botës arabe, shqiptarët edhe pse janë shumica myslimanë, Evropa dhe SHBA i konsiderojnë si popull evropian, që kanë kulturë evropiane.
“JU SHQIPTARËT JENI SHUMË PRO-AMERIKANË”
Hyseini thërriti kamerierin që t’i sjellë edhe tri kafe arabe, që tek ne i quajmë kafe turke, dhe pastaj mori fjalën: Kam takuar shumë shqiptarë dhe boshnjakë, por kam vërejtur një dukuri dhe divergjencë. Ju shqiptarët jeni shumë pro-perëndimorë, ndërsa boshnjakët janë më shumë pro-lindorë. Këtë e them pasi që e kam vëllanë i cili në ish-Jugosllavi ka studiuar në Zagreb dhe pas luftës jeton dhe ka një firmë në Bosnjë, ku ka marrë edhe nënshtetësinë. Unë u thashë se shqiptarët si komb, ndonëse si religjion e kanë islamin, janë një shoqëri sekulare dhe tradicionale. Islami është pjesë integrale kulturore dhe etike, si tek gjithë popujt.
Është e vërtetë se boshnjakët kanë më shumë identitet islam. Ata si sllavë të konvertuar në islam mbeten pa identitet kombëtar. Kam qenë çdo herë nën presion të serbëve dhe kroatëve, pasi që ata i kanë konsideruar si tradhtarë, mercenarë dhe si serbë myslimanë dhe kroatë myslimanë. Në Jugosllavinë federale, Tito u dha epitetin fetar për kombin, që të jetë si popull i barabartë, mysliman, gjë që është një absurd, pasi që nocioni komb nuk njeh përkatësinë fetare qoftë myslimane, të krishtere ose hebre. Boshnjakëve, identiteti islam u ka ndihmuar që të mbrohen nga rreziku i asimilimit dhe shfarosjes.
Pas luftës së fundit, ata në federatën e Republikës së Bosnjës janë ndarë në tre etnitete; boshnjake, serbe dhe kroate. Po ashtu, një mik i im iranian më ka thënë të njëjtën gjë, se ne shqiptarët jemi shumë pro-amerikanë, edhe pse armiku më i egër dhe më i rrezikshëm për botën islame është SHBA-ja. Unë i thashë që po të kishin shtetet myslimane një lidership botëror, një super-fuqi ushtarake, me arsenal armësh, raketash, avionësh luftarakë, tankesh të sofistikuara, që të na mbronin ne myslimanëve të Ballkanit dhe shqiptarëve, sigurisht që shqiptarët myslimanë do të ishin aleatë. Por dihet mirë që po të mos ishte SHBA, krimineli dhe kasapi i Ballkanit, do t’i hidhte gjithë shqiptarët në det.
Postime të Lidhura
ENIS VELIU: PRIVATIZIMET MILIONËSHE NGA POLITIKA!
Prishtinë, 06. 05. 2014 – Kanë kaluar dy vjet prej që zëvendëskryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli, ka akuzuar…
GJOKË DABAJ: “PSE DUHEJ TË VININ PARAMILITARË NGA KOSOVA PËR TË DJEGUR PARLAMENTIN NË TIRANË”?!
Durrës, 20 shtator 2019: Tashmë nuk po përdoret përcaktuesi PARAMILITARË, por po thuhet thjeshtë KOSOVARËT. “Kosovarët kishin ardhur…
LEIN: ‘LIRIA E LËVIZJES NË KOSOVË – SFIDAT DHE KUFIZIMET E BRENDSHME DHE RAJONALE’
Pashtriku.org, 04. 02. 2015 – Këto ditë (më 27 janar 2015), në sallën e konferencave në hotelin “Sirius”…
Beqir Elshani: 21 dhjetori – datë historike
Suedi, 10 janar 2021: Jo, jo, qeverinë e Albin Kurtit nga pozita e kryeministrit të Kosovës nuk e…