MIFTA MEHANI: NYJA TË CILËN E PRET VEҪ KËPUTJA!

Prishtinë, 17. 01. 2017: (1. Na është nisur si ters viti 2017) – Hendeku mes palëve që drejtojnë shtetin, me sa duke, do të vazhdojë të thellohet. E kam të vështirë të dallojë, ndodhë kjo për shkak të pazotësisë së koalicionit të elefantëve, apo për shkak të paaftësisë së opozitës, e cila, me gjasë, siç më herët e ka dëshmuar, ka mbetur rob i ambicies se kush do e marrë primatin në kohën e pas rrëzimit të këtyre të parëve. E kemi nisur këtë vit me forma të reja, por jo edhe të panjohura, se kështu i kemi këta të votuarit tanë, pa as më të voglin kreativitet, pra me metoda inatçore, me iniciativa që janë interesante për karrierën personale të individëve dhe larg – larg atyre shtetërore. Thua se i kemi të gjitha punët në rregull, ata që janë përgjegjës për mbarëvajtjen e shoqërisë e shtetësisë, nuk kanë as idenë më të vogël se me çfarë platforme duhet vepruar për të dalë nga ky ‘në vend qëndro’ sa të dëmshëm aq edhe irritues.

2. Unë rri, baci rri, laroi n’kollomoq
Dikush është duke na përcjellë për bira të gardhit dhe këtë konfliktin e brendshëm që kemi, patjetër që di ta shfrytëzoj shumë më mirë se sa ne mund ta imagjinojmë. E kemi provuar shumë herë gjatë historisë që kur kemi qenë me lëndueshmërinë më të madhe, fqinjët tanë kanë vepruar me strategjitë e tyre paraprakisht të gatuara. E ne, nuk po jemi të zotë as ta shuajmë një të keqe e një përçarje aq të kushtueshme. Si për ironi, sillemi sikur jemi në ato raportet e natyrshme kundërshtuese demokratike. E vërteta është që kjo shkallë e përgjegjësisë së pushtetit është larg edhe përgjegjësisë morale, edhe asaj kushtetuese. E keni dëgjuar, sigurisht që e keni dëgjuar, kryeministri akuzon opozitën për mosliberalizim të vizave. Saktësisht dihet kush ka përgjegjësinë për ecjen para të detyrimeve të shtetësisë dhe nuk pinë ujë hedhja e përgjegjësisë te tjetri. Sikur të mos e dinin, ndoshta edhe nuk do ua shihnim për të madhe, porse ka një gjë tjetër këtu:disiplinimi i palës tjetër, madje me bekimin e faktorëve ndërkombëtarë që i mbajnë për masha deri në përmbarimin e punëve të veta. Sa duhet të presim që të bëhemi përgjegjës e të ulemi të bëjmë zgjidhje? Kë duhet të presim për të na zgjidhur telashet neve?
3. Lëmsh na janë bërë të këqijat
Rreth vicioz. Nuk ecën marrëveshjet dhe premtimet dhënë faktorit ndërkombëtar. Pa këto, ky faktor, nuk ka se si t’i lërë të ikin nga pushteti elefantët, se, hë-hë me kë të kryej punë (?) Shikuar nga aspekti i efektshmërisë, zgjedhjet duheshin shpallur që moti, çka e do një qeveri që nuk mund t’i kaloj në parlament as marrëveshjet obligative me ndërkombëtarët? Kur t’ia shtojmë kësaj edhe kërcënimet e gjykatës speciale, e cila edhe ajo ka do hesape për të bërë sa janë në karrige elefantët e mëdhenj, lëmshi sa vije e rritet. Nyja, tashmë veç këputje mund të pësojë se zgjidhje asesi. Urojë ta kenë forcën e duhur të dy palët që ajo të ndodh sa më parë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura