Vlorë, 11 Korrik 2019: “Roja i Vilës së Madhe”, një prozë sociopsikologjike tërmetike që të trondit e të shkund. Prozatori Fatmir Terziu është bërë i dashur dhe i kërkuar për lexuesin e sotëm. Ndoshta e ka ndihmuar të jetë në këtë kuotë fakti se profesioni i parë i tij është mësuesia, gjuhësia dhe letërsia, mësimdhënia dhe edukimi shkollor. Ai është njohës i mirë i dialektologjisë e sociolektit dhe e vë atë në funskion të misionit letrar dhe kulturimit shoqëror. Si vëzhgues i hollë dhe i tejpërtejshëm i fenomeneve qytetërimfrenuese nga bartësit kukudhë, Terziu operon thellë deri në dhembje për ta shëruar trupin e shoqërisë shqiptare se nuk e meriton këtë trajtim shumë të të ulët se tufa e qenëve të zonjkëzave, qafëderrave të tyre apo zonjushkëzave të varakta. Si mësues dhe shkrimtar, F. Terziu na shfaqet si sinomim i gjallë i edukimit, ndërkohë që e njeh mirë botën shqiptare, se e sheh në sy, deri në kthina, gjer në kapilarë. Nuk do të merrem me gjithë veprën e tij, që përbën një opus të pasur letrar e studimor, dhe për fat zbukuron tash e 4 vjet Bibliotekën Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë. Doktor Terziu 15 tituj ia dhuroi Bibliotekës së Universitetit të Vlorës. Si shkrimtar vlonjat e kryetar i shoqërisë Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, por sidomos si drejtor i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, plotësova për shkrimtarin dhe studiuesin e njohur elbasanas që na nderon në botë Falënderimin e meritueshëm me motivacionin: Ju shprehim falënderimet tona më të përzemërta për librat që i dhuruat bibliotekës sonë për pasurimin e fondit të saj. Veprimi juaj është një akt fisnik, human dhe qytetar. 15 titujt e monografive tuaja që na dhuruat: monografi shkencore: Kritika ndryshe, vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare, pjesa e parë (2009); Elbasani në arkivat britanike, studim (2015); krijimtari letrare: Mos hesht, poezi (2000, 2013); Djalli i Argadasit, tregime (2002); Misteriozja, tregime (2009); Lumenjtë e ëndrrave, poezi (2012); Grykës, roman (2010); Bunari, roman (2012); Borxh ajrit, poezi (2013); Miriapodë, poezi (2013); Kojrillat, roman (2013); Blirët e Pejës, roman (2014); Xhungël mendimesh, poezi (2014); Fijet e barit të thatë, roman, (2015) dhe Era nuk jepet me qera, poezi (2015) janë kontribut konkret, që ne e vlerësojmë. Edhe një herë faleminderit! Krijimtaria letrare – studimore e Dr. Fatmir Terziut u bë pronë e Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, në funksion të studentëve dhe të pedagogëve tanë. Pena dritë, mik i nderuar! Edhe opinioni qytetar bëhet më i ndjeshëm pozitivisht nga veprime të tilla që shpërndajnë kulturë e qytetari ndër njerëz. Ai nuk resht së shkruari, së studiuari dhe së botuari. Vetëm brenda vitit 2016 boton librin me poezi Pas shiut dhe vëllimin me tregime Zjarri është blu. Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, nga ky autor numri i regjistrimeve të gjetura është 45 dhe numri i regjistrimeve të shfaqura është po aq, 45 tituj.
Me vërtetësi dhe dashuri, vlerësojmë kontributin e Fatmir Terziut në publicistikë, në eseistikë, në poezi dhe në prozë. Studimtaria e tij e vyer ravijëzohet në dy vepra të botuara për dy dashuritë e tij të mëdha: Elbasanin dhe Letërsinë. E nderon Elbasanin autori, sepse ai qytet u bë udhejeta e tij e familjes së tij, e prindërve të dashur, e njerëzve të zemrës, sepse Elbasani u bë vendi ku u forcua personaliteti dhe përkushtimi i tij intelektual. Nga vepra e Terziut mësojmë se Elbasani në arkivat britanike është qysh herët. Emri i tij përmendet i ndërlidhur me mjaft faktorë ballkanikë, shqiptarë e më gjerë. Është emër që pason qytetërimin mes Rrugës Egnatia, është vetë ardhja e tillë e shenjtë që në udhëtimet e Shën Paul. Por emri i tij është një referencë qëndrese, identiteti dhe force. E hasim në mjaft korrespodenca, letra, shkëmbime diplomatike, gazeta e materiale të tjera arkivore. Emri i tij fatmirësisht në pak raste është deformuar, ndërsa qëndron i pastër dhe mjaft konkret në gjetje. Me të lidhen mjaft emra të huaj, emra shqiptarë të fushave të ndryshme që në kohë të hershme e deri në ditët tona. Për këtë është dhe ky studim, që ka plotësuar një mangësi të dukshme në gjetjen e gjërave të sakta që lidhen me fatin e kësaj treve me kontribute për historinë dhe qytetërimin shqiptar, emërdëgjuar dhe etnologjikisht. Sipas Dr. Terziut, në arkivat britanike është edhe ekzemplari me titullin origjinal: Elbasani dhe me skicimet bardhë e zi në kopertinën e tij kryesore nga autori çek Stanislav Kostka Neumann (1875- 1947), gazetar, përkthyes, skicues dhe poet. Me monografinë “Kritika ndryshe, vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare”, autori nuk e shikon krijimtarinë të përhershme dhe as kohëpakët, por të përqendruar historikisht, në mënyrë sociale, intelektuale, shkruar dhe lexuar në kohë të caktuar, me një synim të caktuar, nën kondita të njohura historike, me synim historik, kulturor, personal, racor, seksor, klasor dhe në gjithfarë perspektivash. Nëpërmjet krijimtarisë ne shohim ideologjinë në operim, nënvizon studiuesi dhe kritiku Terziu.
Vlerësimi dhe mendimi kritik i Dr. Terziut është si ajo bisturia e mjekut, vërtet e mprehtë, por që të krijon besim të plotë në shërim dhe në shëndet letrar të veprës që Terziu ka në dorë. Poezia e Terziut është së pari poezi e shpirtit, e ndjenjës së madhe, poezi e thëllimave dhe e gjerësive. Vargjet e Fatmirit janë drithëruese e drithëmojnë. Në betejat e përditshme të jetës, poezia e Fatmir Terziut dallon si poezi e pjekur, kuptimplote. Për prozën letrare të F. Terziut kritika letrare ka vlerësime pozitive. Me prurjet e tij në gjininë e prozës së shkurtër (tregimit) dhe të prozës së gjatë (romanit) Terziu shfaqet tashmë si një figurë e lartë letrare e ndërgjegjes estetike. Spikat roli i tij letrar, dituror e didaktik në ringritjet nga harresat historike dhe kujtesës sociale etnike, duke rimbjellë në letrat e sotme shqipe romanin etnologjik, si dikur Petro Marko me romanin Ultimatumi (1972, 2002), etj.
Megjithatë, nuk ishte ky shkaku i këtij shkrimi të thjeshtë, por qe magjia tronditëse e fjalës që më ndikoi të hedh në qelqin digjital universal dy fjalë të vogla për një tregim të madh të autorit Fatmir Terziu.
“Roja i Vilës së Madhe” është një tregim – tërmet jo vetëm i autorit, por gjykoj se në Prozën e Sotme Shqiptare e ka vendin sipër. Nuk të lodh autori. Qysh në fillim të njeh me personazhet e tij të paktë, njerëz, kafshë, sende. Terziu e ka të shtrenjtë fjalën, nuk e harxhon kot atë, e menaxhon mjeshtërisht ekonominë e fjalës letraro-jetësore. Lexojmë tregimin dhe me frymëmarrjen tonë thithim simbolikën e tij groteske, fatkeqësisht shumë aktuale ndër këto viset tona. Me “Rojen e Vilës së Madhe” ku nuk na shkon mendja? Nga gjiri i Lalëzit, në perlat e Palasës e Dhërmiut, Ksamilit apo Kakomesë, ku zhgërruhen derrat kokërruar, me qafat e dhjamosura palë-palë me kollaro të rënda e të demoduara lloj-lloj, që i mbajnë si për modë, por s’dinë t’i lidhin estetikisht, veçmas litarët për fyti të popullit dinë t’i lidhin fort…
Do të më shoqërojë gjatë ky tregim i Terziut, sepse është dhembja e realitetit që jetojmë këtu, përditshmëria jonë rutinë, që na ka hashashuar ndjenjat e na helmon dhe gjakun. Autori ka gdhendur me frymë jete e gërma arti këtë prozë rrëqethëse, që të drithëton në përshkrimin artistik të realitetit, parë në sy të së vërtetës. “Roja i Vilës së Madhe” vjen në një prozë lakonike që është keqardhje artistike dhe jetësore. Këtë mund të bëjë shkrimtari, por jo një, të gjithë, secili sipas stilit të vet, por ngjyer në bojën e realitetit të sotëm shqetësues.
Një tregim sociopsikologji, ku duken dy personazhe dhe ne, në vatrën e leximit, regjistrojmë pothuaj monologun, nga njëri, dhe gjuhën e shqisave, të mimikës, intuitës nga tjetri, Roja, që po të lulëzonte Mbrothësia, mund të ishte, pse jo, një kërkues shkencor këmbëngulës.
Kemi dhe një Derr, personazh në distancë të largët, nuk na vjen drejtpërdrejt, por është i pranishëm edhe te qentë e tij.
Ç’më dha imazhin e jo pak derrave e dosave në vertikalitetin tonë, ky tregim i Fatmir Terziut!
Deri edhe sot “Bukuria që vret” e Migjenit ka qenë një margaritar i penës shkrimtare të mjerimit të shekullit XX. Sot i shtohet sivëllai “Roja i Vilës së Madhe” për shekullin XXI.
Tregimi nuk lexohet dot shpejt, sepse falë mjeshtërisë artistike që ka fituar, autori na fut në punë, ta zhvillojmë imagjinatën, të studiojmë tekstin, të lexojmë nëntekstin, të mos ndihemi lexues pasivë e dembelë, se të lexosh një Tregim nuk është si të luash spathi me letra.
Autori përmend vitin 1913 … Në të tjera mendime më fut!
“Roja i Vilës së Madhe”, një prozë sociopsikologjike tërmetike që të trondit e të shkund.
Faleminderit autorit Fatmir Terziu, meritueshëm “Mjeshtër i Madh”!
Vlorë, 08.07.2019
Thankfulness to my father who shared with me about this webpage, this blog is in fact awesome.
Take a look at my web site: https://Casinovavada.Blogspot.com/2021/12/blog-post.html