Msc:ALBERT HABAZAJ: GRUAJA SHQIPTARE NË LIBRIN ANTOLOGJIK “ELITAT E MOHUARA…, KRENARI KOMBËTARE” TË VILHLEME VRANARI HAXHIRAJT

Vlorë, 21 Maj 2020: Në kumtesën e tij poeti, studiuesi dhe bibliografi Albert Habazaj, drejtor i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe kryetar i Shoqatës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, pasi bëri një përnjohje për studimin “Elitat e Mohuara …, Krenari kombëtare” të autores Vilhleme Vranari Haxhiraj, u ndal në vendin që zënë 20 ndër gratë e shquara shqiptare, me rrënjë apo degë shqiptare, qysh nga Mbretëresha ilire Teuta deri tek Laura Nexhat Mersini Houghton, emblema e shkencës bashkëkohore botërore, pretedente për çmimin “Nobël”. Oratori u ndal gjithashtu në misionin fisnik dhe mesazhet me dritë që jep shkrimtarja e mirënjohur në portretet që ajo thur me mjalt shpirti e flori mendimi. Habazaj tha; “Pasi ke lexuar librin voluminoz ” Elitat e Mohuara …, Krenari kombëtare” të studiueses dhe shkrimtares së përkushtuar vlonjate Vilhleme Vranari Haxhiraj, të duket se ke takuar gjithë dijetarët dhe kapedanët e botës, jo vetëm emërbërësit e Shqipërizës sonë nëpër rrjedhat e historisë, dinitoze në kohë me dielll e me furtunë. Në zbërthimin konceptual të profilit të studiueses Vranari Haxhiraj, kritiku Albert Habazaj nënvizoi: “Misioni i studiueses dhe shkrimtares sonë është i tejdukshëm dhe shprehet në trininë: 1. Brumosja gjenetike e ndjenjës së lartë të atdhedashurisë; 2. Vijimi i devotshëm ndër brezat shqiptarë i stafetës fisnike të të parëve tanë, që në shpirt kishin të rrënjosur shqiptarizmin; 3. Emancipimi qytetar i femës shqiptare, si forcë e barabartë me burrin, që në harmoni me njeri-tjetrin e besim reciprok çojnë përpara familjen e vogël dhe familjen e madhe me dashuri për përparim, zhvillim e lumturi, si konkretizim i fjalës së urtë: Njëra dorë lan tjetën, të dyja fytyrën”. Ky libër është edhe një tekst emancipues, theksoi Habazaj, sepse natyrshëm zënë vendin e tyre të merituar shkrimor zonjushate zonjat shqiptare, të cilat përgjatë shekujve kanë treguar vitalitetin e tyre, forcën, mençurinë, besnikërinë, përpjekjet për lirinë dhe të drejtat që u takojnë, për të qenë vetvetja. Ajo na ka sjellë modele zonjash që kanë bërë emër në histori, të cilat janë elitare. Vetë Vivra është një model i zonjës që po bën emër në historinë e kulturës kombëtare.

1. Përnjohje me studimin

Së pari, jam falënderues për pinjollët e dinastisë atdhetyare-kulturore Vranari-Haxhiraj për vlerësimin që kanë ndaj Shoqatës së Artistëve dhe Shkrimtarëve ‘Petro Marko”, Vlorë, si dhe ndaj meje si kryetar i kësaj shoqërie elitare në qytet.

Pasi ke lexuar librin voluminoz “Elitat e Mohuara …, Krenari kombëtare” të studiueses dhe shkrimtares së përkushtuar vlonjate Vilhleme Vranari Haxhiraj, të duket se ke takuar gjithë dijetarët dhe kapedanët e botës, jo vetëm emërbërësit e Shqipërizës sonë nëpër rrjedhat e historisë, dinjitoze në kohë me diell e me furtunë. Për këtë ndjesi që të shkaktohet, merita është e autores sonë të palodhur dhe mjeshtre e fjalës. Patjetër që ia ka fisnikëruar hijeshinë librit redaktimi i të talentuarës mësuese letrësie të Vlorës, të urtës Lejla Gorishti, me aq sqimë e kulturë qytetare.
Fatmirësisht, m’u dha në kohë mundësia të njihem me një faqe, sa krenare aq të dhimbshme të Qytetërimit shqiptar, ardhur në formë biografike, që autorja na e sjell në harmoni me publicistikën letrare.
Për 75 vjetorin e lindjes, shkrimtarja e njohur shqiptare Vilhelme Vranari Haxhiraj, “Mjeshtre e Madhe” vjen e plotësuar me një prurje të rëndësishme në fushën e botimeve enciklopedike. Është detyra jonë që ta studiojmë në planin shterues autoren dhe të japim mendimet tona, mundësisht sa më objektive.
Duke patur mundësinë dhe dëshirën e njohjes së opusit shkrimor (letrar, publicistik e studimor) të Vivrës, shprehem se Princesha e Letrave Shqipe, pinjolle e famëmadhit epokal Gjergj Arianiti, në të 50 titujt që i ka dhuruar lexuesit në më pak se 25 vjet liri krijimtarie e botimi, çdo shkronjë, çdo fjalë, çdo fjali e ka ngjyer në mirësi, që buron nga shpirti human i shkrimtares, që të frymëzon e të mbush me energji pozitive për të bërë punë të mira e vepra të larta.
Në këtë perceptim, nuk do të merrem me strukturën dhe përmbajtjen e librit, sepse në të tre krerët (kapitujt) për të 90 figurat gjurmëlënëse për kombin, na i paraqet autorja mjeshtërisht e me jë gjuhë të thjeshtë, lakonike, të pastër, të qartë e të bukur shqipe, por do të përpiqem të ravijëzoj në mënyrë përmbledhëse misionin e studiueses sonë me këtë punim, sidomos mesazhet që ajo përçon ndër ne tek portretet e 20 bijave shqiptare, të cilat ia kanë zbukuruar ballin kombit tonë dhe ia kanë lartësuar dinjitetin, kur e shanin, e përbuznin, e shtynin, e shtypnin, e pështynin, e mplaknin, e mpaknin, për ta shfarosur, por s’mundën kurrë, se “kishin pjellë ato nëna,/ kishin pjellë e bërë drëra,/ dragonj, zana e sorkadhe/ lindi nëna hallemadhe”.

2. Misioni i studiueses Vranari – Haxhiraj
Misioni i studiueses dhe shkrimtares sonë është i tejdukshëm dhe shprehet në trininë: 1. Brumosja gjenetike e ndjenjës së lartë të atdhedashurisë; 2. Vijimi i devotshëm ndër brezat shqiptarë i stafetës fisnike të të parëve tanë, që në shpirt kishin të rrënjosur shqiptarizmin; 3. Emancipimi qytetar i femrës shqiptare, si forcë e barabartë me burrin, që në harmoni me njeri-tjetrin e besim reciprok çojnë përpara familjen e vogël dhe familjen e madhe me dashuri për përparim, zhvillim e lumturi, si konkretizim i fjalës së urtë: Njëra dorë lan tjetën, të dyja fytyrën. Mendoj se libri “Elitat e Mohuara …, Krenari kombëtare” përbën themelet e forta e të qëndrueshme të projektit të madh që autorja, tej thjeshtësisë që ka, synon të realizojë: “Enciklopedia e Elitave të të mohuara”, për të cilin unë, shpreh besimin se Vivra do ta shkruajë me shkronja të arta e të mjalta vërtetësie.
Ndërkohë, libri “Elitat e Mohuara …,” është edhe një tekst emancipues, sepse natyrshëm zënë vendin e tyre të merituar shkrimor zonjushat e zonjat shqiptare, të cilat përgjatë shekujve kanë treguar vitalitetin e tyre, forcën, mençurinë, besnikërinë, përpjekjet për lirinë dhe të drejtat që u takojnë, për të qenë vetvetja, siç shprehet autorjs në libër. Ajo na ka sjellë modele zonjash që kanë bërë emër në histori, të cilat janë elitare. Vetë Vivra është një model i zonjës që po bën emër në historinë e kulturës kombëtare.virtyti i thjeshtësisë karakteristike ia rrit më tepër vlerat si intelektuale bashkëkohore e mirëfilltë zonjës Vilhelme, që është ngritur me meritë në piedestalin e nderimit si elitare e sotmërisë. Emri dhe firma e saj prodhojnë dhe shpërndajnë edukim qytetar me mirësi dhe fatmirësisht e shtrirë në kohë e në hapësirë, vështruar në rrafshin lokal: si bijë, nuse, nënë e gjyshe Vlore, Labërie e Shqiptarie; si një luftëtare fillimtare e paepur për demokraci e për të drejtat e gruas; veçmas një mjeshtre e madhe e fjalës së bukur shqipe, dashurisë për Atdhe, vlerësimit dhe nderimit të atdhetarëve.
Përveç se në lokalitetin shqiptar, kjo kaniniote e madhe, e katërta kronologjikisht ndër gratë e shquara të Kaninës, feks edhe në rrafshin universal (Nuk mund të flasim për multiverse, sepse ende nuk i kemi njohuritë e duhura). Në rrafshin ndërkombëtar, Vilhelme Vranari – Haxhiraj njihet në Itali, Mal të Zi, Kosovë, Suedi dhe kulmon me zenitin si akademike në SHBA, si anëtare e ASHASHA (New York) – Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, fakt që edhe ne, miqve të saj dhe të familjes Haxhiraj na bën krenarë e më të përkushtuar në përgjegjësinë e misionit human që kemi.
3. Gra të shquara shqiptare, elitaret e përndjekura të kombit në librin e Vivrës
… Në këtë libër, autorja nderon Teutën ilire, që i tregoi botës së vjetër dhe Perandorisë Romake, më të fuqishmes së kohës, se gruaja ilirike di të sfidojë jo më pak fuqishëm, se është e aftë të drejtojë porsi një burrë. Ajo admiron amazonat shqiptare trimëresha, virgjneshat, zanat e malit që “prenë çepënë si djalë” e shndërroheshin në legjenda me histori dhe këngë. Autorja di të nderojë çlirimtaret dhe kujton 6000 gra e vasha që dolën malit për çlirimin e Shqipërisë, e cila u përfshi në Luftën e Dytë Botërore. Në çastet vendimtare për Atdheun, vajzat shqiptare i dhanë emër vetes, kanë mbijetuar me armë në dorë ose kanë rënë me nder për liri.
Konceptet e autores mund të trajtohen edhe si teza apo leksione filozofie. Ajo është një luftëtare lirie, por jo e lirisë pa kufi, që shtrembëron e përdhos nocionin e bukur të kësaj fjale të bukur, fisnike, të vyer, shumëdimensionale, të pazëvendësueshme dhe të shenjtë. Vivra është për atë liri që individit (burrit dhe gruas/ mashkullit dhe femrës) i jep mundësinë për të qenë vetvjeta në këmbë dhe, si i tillë apo e tillë, është vlerë kombëtare. Vetë ajo, si model elitar sotmërie, përveçse është bijë e denjë, bashkëshort e besnike, nënën e gjyshe shembullore, ka arritur statusin e zonjës që sjell progres në shoqëri në ato fusha ku shquan për kontributin e saj ndaj kombit tonë, sepse është korrekte në raportin liri-kulturë.
Në funksion të këndvështrimit të Vivrës, po ilustroj me një pasazh jetësor. Renzo Falaschi e donte aq shumë Nerminin, saqë për hir të virtyteve morale e shpirtërore të saj, hijeshisë e bukurisë fizike, vlerave intelektuale e humaniste, që bartëte Princesha e Yjësuar, ai e admironte dhe kontribuonte aq shumë për Shqipërinë, vendlindjen e bashkëshortes së tij, Nermin Vlorës dhe të të parëve ët saj. Aq shumë… Aq shumë!… Saqë … të dy… prehen përjetësisht bashkë në Kaninë. Dhe mos të harrojmë, që Renzo Falaschi s’ishte shqiptar. Ai ishte i huaj, italian, ambasador karriere, në 12 shtete të botës, diplomat klasi, ambasador i përjetshëm i Italisë, sëra e parë, më e larta e aristokracisë së Gadishullit Apenin. Po sa e donte vendin tonë! Sa e vlerësonte Ismail Qemal Vlorën, Babain e Kombit tonë, Arkitektin e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. (Gjithsesi, edhe Plaku i Bardhë i Flamurit, nga ne – elitë e mohuar, ndër 90 elitat e mohuara, të harruara, të lëna në hije).
Po ne, shqiptarët përse s’e kemi dashur njëri-tjetrin?! Përse ende s’e duam?! As Atdheun! As vlerat! As veten!… Ka shumë të drejtë kritiku i njohur Kadri Tarelli që shpreh shqetësimin inelektual në parathënien që i ka bërë librit me aq profesionalizëm, mbushur me duf të natyrshëm e të vetvetishëm qytetar. Edhe pse, ende me bijtë e bijat e Shqipërisë mburren vende e kombe të tjerë, Harrimi e Balta ndaj fisnikëve të ditur, bujarë e atdhetarë nuk u ngrit dot në institucion, sepse nuk qëndronte dot në këmbë karakatina e ndryshkur morale, sepse nuk i rezistonte dot kohës, sepse …, ja, sot kemi edhe këtë Përmendore kolektive shkrimore nëpërmjet këtij Libri Kujtese e Nderimi për Elitat e Mohuara, të Cunguara, të Tjetërsuara, të Shpërdoruara, të Denigruara deri me shfarosje, me zhdukjen fizike në skena nga më makabret, pa kursyer as vajzat e gratë e dyerve të mëdha që çfarë nuk dhanë për të shtrenjtin Atdhe të Vogël, këtë Shqipërizë të xhevahirtë.
Misioni i Vilhelme Vranari – Haxhirajt është t’i kërkojë, t’i gjejë, t’i pastrojë nga pluhuri i harresës apo njollat e turpit të pa bërë, t’i ngrejë në këmbë e me dinjitet zonjushat e zonjat shqiptare e të na thotë: – Ja, këto janë bukuria e kombit tonë, këto janë krenaria jonë kombëtare! T’i nderojmë e të mësojmë prej tyre, që të përparojë Atdheu i vogël – familja dhe Atdheu i madh – Shqiptarìa. Dhe ne ndjejmë nderim e vlerësim për gruan shqiptare të legjendës e të historisë, për Doruntinën e Rozafën, për Argjironë e Rugjina Balshën, për Maro Kondën e Donika Aranit Kastriotit, Elena Lukrecia Peshkëpia e Norën e Kelmendit, Elena Gjikën e Laskarina Bubulinën, Miro Tërbaçen e Shote Galicën, Tringën e Malësisë (ose Tringë Smailjen) dhe Sado Koshenën, Lejla Rasih Dinon dhe për Parashqevi e Sevasti Qiriazin…,; për gratë e shquara shqiptare të kohës moderne: Sabiha Kasimati e Musine Kokalari, Tefta Tashko Koço e Nermin Vlora Falaschi, Drita Kripa Pelinku e Laura Mersini – emra që shndritën në fushat ku shkëlqyen.
Kuptohet që në këtë libër nuk janë përfshirë gjithë elitat kombëtare, sepse nuk kanë qenë objekti i studimit të gjithë lartësorët dhe meritorët e kombit, por vetëm elitat e mohuara. Edhe elitat e mohuara nuk janë përfshirë në mënyrë shteruese, sepse është e pamundur në kohë, në hapësirë, linguistikë e mundësitë financiare për të gjurmuar në arkivat e Vatikanit, Stambollit, Londrës, Athinës, Beogradit etj., por me këmbënguljen shkencore, studiesja do t’i plotësojë në të ardhmen me vëllimet e kolanës “Elitat e Mohuara …, Krenari kombëtare”, sidomos për rolin e grave dhe vendin e tyre në histori.
Pse mohohen elitat? Së pari, janë të lartë dhe nuk rrinë dot në kornizë, në rresht me “revolucionarët e shpellave”, që bien era llagëm. Së dyti, diktatorët e çdo ngjyre, vertikalët që kemi kanë një princip të pashkruar që i përmbahen me fanatizëm: I duan elitat nën supin e tyre, por elitat kanë përmasa të larta!…
Ndodh që e fiton respektin e merituar nga bota mashkullore, falë vlerave, virtyteve, luftës titanike me paragjykimet maskiliste, të kohës apo të politikës, por,…, por si t’ia bësh xhelozisë verbuese e të veremtë brenda llojit, kur vetë bota femërore është e përçarë, pa një besëlidhje burrneshash kreshnike e i vihet gurë të thepisur nën rrota makinës së përparimit, e i vihet gjemba nën këmbë udhëtimit dinjitoz të progresit shoqëror, ku në rol parësor shfaqet edhe gruaja?! …
Shtroj një pyetje. Përse autorja është e lexueshme dhe e pëlqyeshme në letërsinë që prodhon? Mendoj se e ka fituar këtë status për arsye se është një shkrimtare e ditur dhe qytetare, që diturinë e saj di ta japë në masën e duhur, të pranueshme, që lexuesi mund ta mbajë. Ajo është një shkrimtare mësuese, që e njeh mirë pedagogjinë, socilogjinë, filozofinë, edukimin si fushë dhe e trajton lexuesin me respekt dhe është me përgjegjësi në shërbim të tij, sikur ende ta ketë një nxënës të mirësjellshëm e të etur për dije, dhënë në formë letrare e gjuhë funksionale.
Nga sistemi i kaluar vërehet se ka patur trajtim sipërfaqësor apo vlerësim minor, jo të plotë e të merituar edhe për figura dukshmërisht të larta. Fjala vjen, për Donikën denim që ishte gruaja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe kaq. Studiuesja jonë realizon një operim të saktë me bisturinë e hollë e të mprehtë të kërkuesit shkencor mbi virtytet, hijeshinë dhe inteligjencën e Princeshës së Kaninës dhe Mbretëreshës së shtetit të parë arbëror-shqiptar, që kishte bërë emër në oborret e Europës së asaj kohe. Autorja nënvizon se atë kohë Arbëria ishte e përçarë dhe principatat ishin në luftë me njëra-tjetrën për të rrëmbyer sa më shumë toka, duke u verbuar nga pasuria e duke nënvlerësuar që mosmarrëveshjet e princërve arbër ishin në favor të perandorisë osmane. Urtësia e Gjergj Arianit Madhështorit, nëpërmjet martesës së vajzës së tij të madhe, Donikës me Gjergj Kastriotin, që ishte në sukses i diplomacisë politike, realizoi bashkimin e arbërve nën drejtimin e Skënderbeut, të cilët, të bashkuar, realizuan atë epokë lavdimbukuar që njohim nga historia.
Vivra nuk është thjeshtë një shkrimtare mësuese, një studiuese serioze; ajo është një intelektuale e vëmendëshme, sepse hedh për diskutim teza, ide e shtron pyetjen përse. Ajo bën analiza dhe sinteza dhe, sikurse Elena Gjika (Dora D’Istria, edhe i Vilhelme Vranari – Haxhiraj (Vivra) kërkon me forcë trajtimin e barabartë të grave me burrat dhe të qenit në krahë të njeri-tjetrit në jetë e në breza. Ndërkohë, Vivra ka një stil ë shkruari të dallueshëm nga të tjerët, një stilt ë qartë, të rrjedhshëm, dinamik, të figurshëm e të lartë, jo vetëm në letrësinë artistike, që lëvron natyrshëm, por edhe në letërsinë dokumentare, sikurse edhe në këtë punim antologjik, saqë shpesh herë të prek, të bën ta përjetosh personin historik që përshkruan, saqë, mua, personalisht, jo pak herë më kanë shkarë faqeve lotë të nxehtë, të rëndë, që më peshonin sa një glob dhembjeje. Dhe më peshojnë keq, sa ndjej një sëmbim në kraharor. Kujtoj prekjen e thellë që kam ndjerë në shpirt, në rastin e leximit të portretit të Shote Galicës, Musine Kokalarit, Sabihà Kasimatit, Nënë Terezës, kur kam përjetuar caste të ligështueshme trishtimi … Një veçori shkrimore e autores është vëmendja dhe kujdesi për të mos shkruar ato të dhëna që lexuesi i njeh, i di, si psh., rasti i portretizimit të Divës shqiptare, sopranos brilante Tefta Tashko Koço, aq e magjepsur dhe pas këngës polifonike himarioçe. Ajo la Parisin dhe New Yorkun për Shqipërinë dhe emancipimin kulturor të shoqërisë shqiptare të kohës.
Në çdo shkrim portret të Vivrës, sidomos në shkrimet për femërn shqiptare ndihet dhembje motre, dhembje nëne, që vezullon po aq me krenari në dhënien e mesazheve me dritë.
Nga natyra, intelektualët, sidomos gratë elitare nuk rendin kurrë pas karrierës dhe lavdisë, por drejt shëndetit moral dhe edukimit qytetar për emancipimn përparues të vendorigjinës, Shqipërisë, që të gjithë e duam të jetë Nuse Bregdeti. I ofruan një vend të shkëlqyer pune në Amerikë shkencëtares së parë shqiptare, por ajo nuk iku, sepse donte të kontribuonte për përparimin e vendit të saj, sepse kishte mundësi e dëshirë, sepse ishte atdhetare dijeplotë, që si shpërblim…, e poshtëruan, i vodhën dhe studimin, me të cilin kishte mbrojtur doktoraturën në Universitetin e Torinos, …, e akuzuan për një vepër (për të ashtuquajturin “Incident” i bombës që u hodh në Ambasadën Sovjetike në Tiranë, më 19 shkurt 1951), që shkencëtarja s’e kishte shkuar ndërmend kurrë, jo më ta bënte. E toturuan 39 vjeçaren idealiste, e lidhën me tela, e qëlluan me plumb për ta pushkatuar, por as plumbi nuk e zuri, sepse plumbi nuk e zë do dritën! … E fali plumbi Sabihanë, xhelatët s’e falën. Me kondakë të pushkës e goditën pa mëshirë e ajo s’binte. E mbytën me thonj e duar në fyt… derisa dha frymën e fundit… Edhe njeriu më pa ndjenja ndjen pesimizëm tronditës nga ky realitet i hidhur e tragjik.
Krenohemi deri në kupë të qiellit për Laura Nexhat Mersinin, vlonjaten e madhe, që u bë një Mari Kyri shqiptare në botë për kozmologjinë, që po trondit qarqet akademike ndërkombëtare të shekullit XXI, mjekëroshët me kollare të rëndë. Trishtohemi deri në fund të dheut për heshtjen e shurdhërinë e tanëve vertikalë. Kur je vlerë elitare, nuk mund të mohohesh veç të pohohesh lartësisht. Me Laurën, mohimi u thellua keqas, deri në brezin e katërt.
More miq! Përse nuk e bëjnë akademike fizikanen gjeniale të multiverseve këta “të mëdhenjtë” tanë?! Përse mos të propozohej për t’u zgjedhur Kryetare e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Emblema e shkencës bashkëkohore botërore Laura Mersin Houghton, pretedente për çmimin “Nobel”, që bazuar në matematikën kuantike po provon shkencërisht se teoria e Big-Bang-ut dhe ajo e ekzistencës së “Vrimës së zezë” është e pamundur?!
Mikesha dhe miq të nderuar! Vivra e jep mesazhin fisnik në çdo portretizim të kësaj antologjie historike-kulturore-etnologjike, libër që është kontribut shkencor dhe manual albanologjik. Sidomos te Nusja e Maleve, heroina pa dekoratë duket shumë i qartë mesazhi i autores, kur shkruan: “Shota si personazh apo si grua nuk mund të kuptohej pa Azemin. Ata plotësonin njeri-tjetrin”. Ky mesazh është synimi i veprës së autores. Unë do ta përditësoja që tek atdheu i vogël i çdo shqiptari deri tek atdheu ynë i madh. Dhe modelin na e japin çifti i devotshëm Vranari-Haxhiraj. Vilhelmja, si personalitet apo si grua, nuk mund të kuptohet pa Fitimin. Ata plotësojnë njëri-tjetrin, (tej krahasimeve epike) dhe, me thjeshtësi qytetare, na japin leksione dashurie për emrin, për familjen, për Atdheun e përparimin e vendit tonë.
Si përfundim, më lejoni të shpreh se jeta qytetare është marrëdhënie e shkëmbim vlerash, cilësish e virtytesh. Në këtë kuptim, autorja Vilhelme Vranari – Haxhiraj ka dhënë e ka marrë me figurat antologjike të antologjisë, me personazhet e saj, veçmas me ato femra, sepse siç shkruan Vivra: “S’është kombi që nderon njerëzit e shquar, por janë ATA që ia rrisin vlerat dhe e nderojnë KOMBIN”
Jetë të gjatë e të shëndetshme në krahë të Fitimit dhe pena flori, e nderuar mikeshë e madhe, Vilhelme!
Faleminderit!
Albert Habazaj – Shkrimtar, studiues, bibliograf
Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë. Kryetar i Shoqatës së së Artistëve dhe Shkrimtarëve ‘Petro Marko”, Vlorë

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura