Vlorë, 19 korrik 2020: Rrapo Çelo Beqiraj i Sevasterit, si kontribut në Luftën e Vlorës
Treva e Kudhësit në Luftën Kombëtare të Vlorës
Në fillimshekullin e Njëzetë, që aq stuhishëm ndezi zjarrin kombëtar, sikurse në gjithë Shqipërinë, edhe në trevat e Vlorës dhe Labërisë, ndër bujarët e përzemërt u shquan edhe Hysni Shehu e Rrapo Çelo në krahinën e Kudhësi, që përfshinte fshatrat Sevaster, Golimbas, Shkozë, Ploçë e të gjitha fshatart e Gorishtit (Hajdaraj, Rexhepaj e Mërtiraj). Nëse sevasterioti Hysni Shehu qe anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, apo i Komisionit të Luftës së Vlorës, si quhej në popull, edhe sevasterioti tjetër Rrapo Çelo qe anëtar i këshillit të këtij komisioni dhe komandant i njërës nga pesë çetat e madhe, i asaj të Kudhësit dhe të Sevasterit me nënkomandant Hamit Mahilin. Në nderim të 100- vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës kujtojmë edhe 130-vjetorin e lindjes të patriotit fisnik Rrapo Çelo Sevasteri. Ky bir i Sevasterit lindi më vitin 1890, u rrit dhe jetoi në periudha të ndryshme, kur Atdheu kishte nevojë për burra të mirë e trima dhe ai tregoi trimëritë dhe mirësitë e tij. Në çaste më kritike të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, mbërriti në Vlorë me 300 burra të Sevasterit. Kështu, u rreshtua në mbrojtje të qeverisë së Vlorës. Shtatë vjet më pas, më 1920 Atdheu kishte nevojë për komandantë të zot dhe Rrapo Çelo, tashmë më i pjekur dhe me përvojë, përqafoi me gjithë shpirt thirrjen në luftë për çlirimin e vendit. Pjesëmarrës në Kuvendin e Barçallasë në Beun, ai hodhi firmën e besës së madhe dhe pranoi të komandojë çetën krahinore të Kudhësit, e cila bashkoi burrat më trima të disa fshatrave të Kudhësit dhe Sevasterit. I kalitur në luftërat për për liri dhe pavarësi, ai arriti të përballojë detyrën e vështirë që iu besua. “Kudhës, në atë krahinë,/ Komandant Rrapo Çelua,/ Që shkon si ezhdërha,/ U bë vendi lakëra”. Çeta e tyre me famë luftoi burrërisht në çlirimin e Kotës e më pas në Qishbardhë, Kallafet, Babicë, e deri në kalanë e Kaninës, ku lufta u ndez më e ashpër.
Rrapo Çelo Beqiraj i Sevasterit, komandant i kalasë së Kaninës
Me këtë lidhet edhe fakti që pas Luftës së Vlorës, atij iu besua detyra e komandantit të Kalasë së Kaninës dhe më pas komandant i batalionit të Matit. Viti 1924 e gjen në radhët e Revolucionit Demokratik të Fan Nolit. Shquhet si demokrat dhe fanolist i paepur, gjë që vinte nga drejtësia dhe shpirti i tij demokratik. Në shtëpinë e Rrapos gjente strehë demokrati i shquar Halim Xhelo Tërbaçi, ku bisedohej për hallet e popullit, për lirinë, pavarësinë dhe përparimin e vendit. Bashkëkohësit kujtojnë se ai, vazhdimisht mbante të ngulitur në mendje porosinë e Halimit: “Rrapo, mos u merr me rryma politike që luftojnë për kolltuqe, por si të bëjmë më të mirë jetën e popullit tonë”. Më parë se të hidhte hapin e fillimit të çdo veprimi, ai llogariste me përgjegjësinë e madhe që kishte për fshatin dhe zonën që përfaqësonte, sespe të gjithë i përgjigjeshin me sinjalin e parë. Pushtimit fashist, më 7 prill 1939, Rrapoja iu përgjigj duke u dhënë kushtrim burrave që t’i dilnin zot fateve të vendit, atje ku Atdheu i thërriste, në Skelë. Deri në fund të jetës, më 10 mars 1941, Rrapoja mbeti patriot i shquar për çështjen kombëtare. Ago Agaj, pjesëmarrës në Luftën Kombëtare të Vlorës, në librin e tij me kronika, histori e dokumente, portrete, dialogë e folkor kushtuar kësaj ngjarje me rëndësi historike për fatet e vendit, si të ishte një antropolog kulturor, e përshkruan portretin e Rrapo Çelos saktë dhe bukur: “I gjatë, i hollë, fytyrëmprehtë, hundëshkabë, sykaltërt e leshraverdhë, të jepte që në pamjen e parë, përshtypjen e një burri trim, të vendosur dhe bujar. I vetmi njeri nga gjithë shokët e tij, që kishte vënë në harmoni të plotë, mundësiht dhe ambicionet e tij dhe prandaj shkonte një jetë të qetë e plot gaz. Ishte i vetmi lab, që admironte muzikën shumë dhe i binte violinës dhe gërnetës vetë, duke zbukuruar kështu më shumë jetën e tij. Nga ky mjedis i ëmbël e nxirrte vetëm ndonjë rrezik a ngjarje e madhe si lufta kundër grekëve, kundër rebelëve, ajo e Vlorës dhe kryengritja e 1924. Në të gjitha këto përpjekje kishte marrë pjesë me trimëri të shquar, të vrullshme, sikuir donte t’i mbaronte shpejt e shpejt për t’u kthyer në jetën plot harmoni, në shtëpi të tij sa më parë…”1. Emri i Rrapo Çelo Sevasterit përmendet si luftëtar i shquar në luftimet ku mori pjesë. Ja si e ka përjetësuar kënga: “Natën e hyxhymit fundit/ Rrapo Çelua sokëllin,/ I thërret Bajram Qamilit,/ Ku të kam, o vetëtimë?!/ Jam mbërthyer keq me ta,/ Mbahu, mbahu, lelekuq,/ Do t’i hamë ca nga ca,/ S’të lë unë të veç vuq./ Jemi vllezër me hajmali/ E me gjak të italianit/ Ja do bënet Shqipëri/ Ja do t’ja japim Shejtanit./ Shqipërinë s’e merr Shejtani,/ Qafën do thyej taliani”.
Kontributi i Kudhësit dhe Sevasterit në Luftën e Vlorës
Pra, kur flasim për kontributin e Kudhësit dhe Sevasterit në Luftën e Vlorës, është i dukshmë roli dhe vendi që zë Rrapo Çelo në histori. Është e njohur demonstrata që u organizua në Vlorë më 28 nëntor 1919 kundër pushtuesve italianë. Me këtë rast, edhe djalëria e Sevasterit me Rrapo Çelon në krye, zbritën në qytet dhe morën pjesë në demonstratë, ku me parrulla e thirrje kërkonin largimin e imperialistëve italainë nga Vlora jonë. Vërtet që demonstrata u shtyp me egërsi nga pushtuesit, por pjesëmarrësit u bindën dhe më shumë, se vetëm me luftë të armatosur mund t’i jepej fund sundimit të huaj. Sipas historikut lokal, “Sevasteri në vite”, më 11 maj 1920, paria e Kudhësit, e përbërë nga Rrapo Çelo, Birçe Reshiti, Pasho Karafili e Kanan Maze, me porosi të Komitetit të Mbrojtjes, takohen në shtëpinë e Rexhep Sulejmanit në Vajzë me Halim Xhelon dhe Murat Tërbaçin 2, ku u njohën me situatën dhe ranë dakord për të bërë një takim më të gjerë me përfaqësuesit e krahinës së Mesaplikut. Në kuvendin e Mesaplikut, që u bë tek Rrapi i Gurrave, në Karvavel të Smokthinës, pas tri ditëve u lidh besa e burrave për të luftuar deri në fund pushtuesin. Në këtë mbledhje u vendos që të njoftohej Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare për gatishmërinë e plotë të dy krahinave, Mesaplikut e Kudhësit, për luftë dhe vënien e tyre në dispozicion. Më 29 maj 1929, në Barçalla u mblodhën përfaqësuesit e qytetit dhe të fshatarave. Pas udhëzimeve të Barçallasë, nëpër fshatra filluan të ngrihen çetat. Rrapo Çelo me shokë, me t’u kthyer nga Barçallaja, mblodhi burrat e djemtë e Sevasterit dhe kërkoi se kush do të dilte vullnetar për të shkuar në luftën kundër pushtuesve italianë për të çliruar Vlorën. Të gjithë iu përgjigjën kësaj thirrjeje luftarake, duke formuar çetën e fshatit me 200-250 burra e djem trima dhe më 2 qershor 1920, me komandantin në krye, u nisën për në Beun, ku u mblodhën luftëtarët vullnetarë nga të gjitha krhainat e Vlorës. Në Beun, Komiteti i Mbrojtes caktoi dhe objektet e sulmit për çdo çetë, fshat e krahinë. Për krahinën e Kudhësit, si objekt sulmi u caktua garnizoni i Kotës dhe komandant Rrapo Çelo. Kota ishte një garnizon i tepër i fortifikuar, që mbrohej nga një regjiment fanterie me 1500-2000 trupa. “Ultimatumi” e kishte kryer misionin e tij, kështu që më datën 4 qershor, pasi kishte mbaruar organizimi i forcave të krahinës së Kudhësit, ku përfshiheshin djemtë trima të Sevasterit, Shkozës, Golimbasit, Mazharit, Dushkarakut e Ploçës, të gjithë këta nën komandën e Rrapo Çelos e të Kanan Mazes nga Shkoza, u grumbulluan në qafën e Ploçës e, pa humbur kohë, nisën marshimin në itinerarin maja e Dobrit, Amonicë, përroi i Harvalasë, Brusnje, me vijë hapje Belik-Hysoverdh, me detyrë që në orët e para të mëngjesit, në bashkëpunim me çetën e Smokthinës e Mavrovës të sulmonin garnizonin e Kotës. Në orën 03:00 pas mesnatës e para agut, trimat e Kudhësit, nën drejtimin e Rrapo Çelos e Kanan Mazes, u hodhën në sulm. Në këtë betejë, nga mungesa e armëve dhe municionit, u përdorën edhe sopata, kosa, sfurqe, deri dhe përleshje trup me trup. Në pasditen e 5 qershorit forcat e krahinës së Kudhësit, ato të Mesaplikut dhe të fshatrave përreth shpartalluan dhe garnizonin e Kotës. Për trimërinë, guximin dhe shpejtësinë e veprimeve të forcave luftarake të Kudhësit Epika Historike jehon me vargjet: “Kudhësjotë me sokëllima,/ mbi armiqtë si ezhdërha,/ Se printe kudo në ballë/ Komandant Rrapua…”. për merita e treguara në luftën e Vlorës Rrapo Çelo u gradua toger.
Një atdhetar i përkushtuar i Çështjes Kombëtare
Edhe pas Luftës së Vlorës, ai nuk e ndërpreu veprimtarinë atdhetare. Në kushtet kur jeta ekonomike e popullit e sidomos gjendja e shtresave të varfëra sa vinte e keqësohej, një rrymë e re përparimi e shprese po ndihej në këto vise. Edhe patrioti Rrapo Çelo, në krye të dhjetra djemve e burrave sevasteriotë e kudhësjotë marshoi drejt Tiranës, në krah të lëvizjes demokratike të Fan Nolit, që ishte vijim thellësisht i ngushtë i revolucionit kombëtar të vitit 1920-ës. Më 10 qershor 1924, pas një lufte të ashpër, atdhetarët fanolistë, ku u shqua dhe Rrapo Çelo, përmbysën regjimin mercenar të Ahmet Zogut. Në vitin 1933, në shtëpinë e bukëbardhit Rrapo Çelo, erdhi ilegalisht demokrati i shquar revolucionar Halim Xhelo Tërbaçi, i kthyer në fshehtësi nga mërgimi. Halimi i pati bazë të veprimtarisë së tij atdhetare konakët e burrit autoritar të Sevasterit. Me mbështetjen e plotë të Rrapos, ai takonte njerëz, bisedonte me ta e qante hallet e popullit fukara, organizonte kuvende burrash, ku flitej për politikën kapitulluese të Zogut para Italisë, kuvendonte për të ardhmen e vendit dhe ndizte zemrat e banorëve të krahinës. Njihej dhe tej Vlorës pesha e fjalës dhe autoriteti i Rrapo Çelos. Në maj-qershor 1937 plasi kryemngritja antiziogiste e Hetem Totos nga Progonati. Hetemi e kishte mik të vjetër Rrapon dhe i kërkoi mbështetje sevasteriotit me vulë. Burri i matur i Kudhësit e kishte zbërthyer qëllimin e “të famshmes” kryengritje për interesa të vogla personale, që, nëpërmjet hapjes së burgjeve dhe ngritjes spontane të popullit, vërtet kërkonte rrëzimin e Zogut, por fatkeqësisht synonte prurjen e Italisë fashiste, gjë që ishte në kundërshtim të plotë me moralin, karakterin dhe shpirtin atdhetar të Rrapo Çelos dhe banorëve të zonës. Deri sa dha frymë Rrapo Çelo mbeti bash i burrave të Kudhësit, një atdhetar i devotshëm, spaletë morale e shqiptarit me vlera.
___________
Referenca:
1) Agaj, Ago: “Lufta e Vlorës”, Tiranë, Toena, 2002, f. 347-348.
2) Binaj, Manxhar, “Sevasteri në vite”, Vlorë, Pavarësia, 2007, f. 50.