(Pashtriku.org, 20. 11. 2012) – MËNYRA E ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES SË PAKICAVE KOMBËTARE NË JUGOSLLAVINË E RE
Pasiqë kemi ardhur në përfundim se zgjidhja e vetme dhe e drejtë e çështjes së pakicave është shpërngulja, neve na dalin përpara një varg detyrash që para se të fillojmë, patjetër duhet t‘i zgjidhim.
T‘i shpërngulim të gjitha pakicat apo vetëm disa prej tyre; nga cilat krahina duhet shpërngulur më parë këto pakica; si të organizohet shpërngulja, dhe, mbi të gjitha, më e rëndësishmja si t‘i kolonizojmë fshatrat dhe qytete që janë të zbrazëta. Për këtë po jap disa vërejtje:
Për nga rëndësia e çështjes, popujt që duhet t‘i shpërngulim, mendoj se duhet t‘i marrim me këtë radhë: gjermanët, hungarezët, shqiptarët, italianët dhe rumunët. Ne veç kemi theksuar më lartë se çfarë kanë bërë gjatë luftës pakicat kombëtare te ne, pakica hungareze dhe shqiptarët. Duhet të theksojmë se të gjithë këta e kanë humbur të drejtën për të qenë qytetarë të këtij shteti. Megjithatë, arsyet politike marrin parasysh përjashtimet. Pas atyre tmerreve, që shkaktuan gjermanët nëpër disa vende dhe gjithë Evropën, ata kanë humbur të gjitha të drejtat pa marrë parasysh asnjë arsye. Pikërisht për këtë ata duhet t‘i ndjekim në mënyrë të pamëshirshme. Populli hungarez, te ne, poashtu edhe në Hungari, karshi kasaphanës në Baçkë dhe shërbimeve që u bënë gjermanëve në Rusi, megjithatë meritojnë pak kujdes. Mbi ta nuk duhet t‘i zbatojmë të gjitha masat, ashtu siç do t‘i zbatonim kundërgjermanëve. Gjithashtu kjo vlenë edhe për shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni. Megjithatë, gjatë zgjidhjes së problemit të pakicave, ne, patjetër, me çdo çmim, duhet ta pastrojmë etnikisht Baçkën, Kosovën, duke flakur me këtë rast qindra mijëra hungarezë dhe shqiptarë nga shtyti ynë. Regjimi fashist italian është sjellur tmerrësisht me popullin tonë në Istër, Goricë e Gradishkë. Kur t‘i marrim sërish ato toka, patjetër ne duhet të përpiqemi që përsëri t‘i pastrojmë etnikisht, duke i shpërngulur nga ato të gjithë italianët që janë vendosur si kolonë pas 1 dhjetorit 1918. Vetëm me rumunët kjo punë do të jetë më lehtë. Dhejtëra mijëra rumunë jetojnë në Banatin tonë dhe diçka më pak sllavë ka në banatin rumunë. Me një marrëveshje politike me qeverinë e Bukureshtit do të arrihet rezultati për të kryer këmbimin e popullsive.
………………………………
……………………………………………….
Një çështje e dytë, dhe shumë e rëndësishme, është se cila krahinë në radhë të parë duhet të pastrohet nga pakicat kombëtare. Unë arsyetova më lart se përse për ne nuk është kryesorja si t‘i largojmë pakicat, por prej cilës krahinë duhet të fillojmë t‘i largojmë. Ato pakica që janë shtrirë në disa vende si familje të veçanta për ne nuk janë të rrezikshme. Për ne paraqesin rrezik bloqet e mëdha të pakicave kombëtare në vendet strategjike dhe ekonomike – në krahinat e rëndësishme kufitare. Veçanërisht janë të rrezikshëme atëherë kur këto blloqe kufizohen me vendet amë të popujve fqinj. Duke u nisur nga kjo, për ne është e rëndësishme që t‘i pastrojmë gjermanët, hungarezët nga Vojvodina e shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia. Gjithashtu duhet të ndrydhim gjermanët nga Koçeva, Maribori dhe regjione të tjera kufitare në Slloveni. Me këtë çështje do të merremi më poshtë.
Po fillojmë me Vojvodinën. Po ta shikojë njeriu hartën etnografike të vendit tonë, do të shoh që është aq e larmishme si një qilim i bukur Piroti. Por, vëzhguesi i kujdeshëm shpejt do të hetojë edhe ndonjë bllok të veçantë etnik, që këtij qilimi i japin vulën e veçantë. Do të dallojmë për shembull, se masat kryesore të vendbanimeve etnike hungareze janë të vendosura në verilindje dhe në mes të Baçkës. Aty shtrihen duke filluar prej Hergoshit në veri përtej Sentës, Baçka Topollës, Kulit dhe Novi Sadit – blloku kryesor i etnisë hungareze në vendin tonë. Prej gjysmë milioni hungarezësh, përafërsisht sa ishin në Jugosllavi në vitin 1942, pothuajse 300 mijë jetojnë në Baçkë. 200 mijë janë shpërndarë nëpër Banatë, Srem, Kroaci dhe Sllovani si pakicë e parëndësishme. Po t‘i largojmë 200 mijë hungarezë nga Baçka, do të thotë se ne zgjidhim problemin e pakicës hungareze në vendin tonë.
Problemi i pakicës gjermane nuk është dosido. Gjermanët jetojnë të shpërndarë në gjithë shtetin tonë, por edhe ata janë të ngulitur nëpër fushat e begata të Baçkës, Banatit dhe Sremit. Nëse hungarezët marrin mesin e verilindjen e Baçkës (shih hartën e bashkangjitur)*), gjermanët marrin jugperëndimin.
Rrethet: Apatin, Novi Verbas, Odzhaci, Stara Pallanka dhe një pjesë e mirë e Novi Sadit si dhe e Somborit janë të banorëve gjermanë. Nëse dëshirojmë të dërgojmë shumicën absolute të popullsisë sonë në Baçkë, këto rrethe ne, medoemos, së pari duhet t‘i pastrojmë nga gjermanët. Në përgjithësi Baçka është çelsi për pozitën tonë në Vojvodinë. Diku në gjysmë milioni hungarezë dhe gjermanë në këtë regjion, vijnë përafërsisht më shumë se 300 mijë të të gjithë sllovenëve përnjëherë: serbëve, kroatëve dhe sllovakëve. Për këtë arsye me rastin e zgjidhjes së problemit të pakicave në këtë regjion, duhet të kemi kujdes në mënyrë të veçantë.
Në Banatë kushtet janë shumë të përshtatshme. Ky regjion nuk është shkretëruar aq shumë sa Baçka. Ne aty kemi shumicën absolute, e si pakicë kombëtare të një rëndësie më të madhe janë vetëm gjermanët. Ata janë të vendosur në rrethet: Pançevë, Bella Cërkvë, Vërshacë, Beçkerecë, Iteboj, prej nga duhet t‘i largojmë. Në Srem gjermanët janë të vendosur në rrethet: Zemunë, Stara Pazovë, Rum, Shid. Ata kanë tokat më të mira e më të plleshme. Edhe këto rrethe duhet pastruar prej tyre. Në Slloveni vendet rreth Koçevës dhe Mariborit duhet medoemos të jenë të lira nga gjermanët. Në krahinat tjera sipas mundësive duhet që t‘i thyejmë dhe t‘i shpërngulim vendbanimet me gjermanë dhe hungarezë. Ndërsa një numër rrethesh duhet që pa asnjë kusht të pastrohen nga gjermanët. Nëse ne do të kemi sukses që nga Baçka, Banati dhe Sremi t‘i shpërngulim 500-600 mijë gjermanë dhe hungarezë e në vend të tyre të ngulim aty popullin tonë, Vojvodina do të jetë njëherë e përgjithmonë jona.
Kur kemi parasysh çështjen e shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni duhet t‘i bëjmë dy gjëra: patjetër duhet ta mposhtim etnikisht Kosovën dhe t‘u ikim fërkimeve me popullin shqiptar fqinj. Duhet shumë më mirë që për këtu të mendojmë dhe ta përpunojmë një taktikë se sa taktikën për Vojvodinën. Për këtë edhe më mirë duhet t‘i studjojmë kushtet se cilat vende më parë t‘i pastrojmë nga shqiptarët dhe ato vende t‘i popullzojmë me popullin tonë, duke mos prekur asnjë fshat, asnjë shtëpi shqiptare më shumë se sa është e nevojshme. Nëse dëshirohet që të arrihet qëllimi i ndërlidhjes në mes Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë, Kosova patjetër duhet të ndërrojë përbërjen e vetë etnike. Para se gjithash duhet pastruar Metohinë, si regjion kufitar dhe fqinj me Malin e Zi. Për këtë arsye janë më të përshtatshëm për kolonizim malazezët. Karshi kësaj shqiptarët e Metohisë dhe të Drenicës janë shërbimtarët më besnikë të gjermanëve, ashtu siç ishin dje të Italisë fashiste. Mbi fshatrat maqedone në Vardarin e Epërm, shqiptarët kanë bërë kasaphanë dhe një mijë çudira. Me rastin e përpilimit të planit detal, duhet saktësisht të përcaktojmë cilat fshatra, cilat rrethe në Kosovë dhe në Maqedoni duhet pastruar, dhe sipas atij plani duhet të veprojmë.
Kryesisht për të gjitha këto, askush nuk do të kishte diçka kundër. Por për këtë duhet punuar. Këto që po i themi për Vojvodinën, Slloveninë, Kosovën dhe Maqedoninë janë minimumi i asaj çka duhet arritur, nëse vërtetë dëshirojmë që në ardhmëri, vetes t‘ia sigurojmë vizitat nëpër këto vende.
Nëse jemi në unitet të mendimit që çështja e problemit të pakicave te ne mund të zgjidhet vetëm përmes rrugës së shpërnguljes dhe në mënyrën që e paraqitëm këtu, na del problemi se si ta realizojmë këtë çështje në praktikë.
Në radhë të parë, ajo që patjetër, duhet ta përsërisë për këtë çështje, është se luftërat janë më të volitshme për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ato si ndonjë stuhi shkulin nga rrënjët dhe shfarosin popuj. Ajo që gjatë periudhave të paqes duhet të zgjidhet me decenie e shekuj, gjatë kohërave të luftërave shtetërore zgjidhet për pak muaj dhe pak vite. Nuk duhet të gënjehemi se këtë çështje duhet ta zgjidhim vetëm tash derisa ende është luftë. Njerëzit që pas vitit 1918 udhëhoqën Jugosllavinë e Vjetër, menduan që përmes rrugës së kolonizimit mund t‘i thyejnë bloqet etnike të pakicave në vendin tonë. Ne kemi shpenzuar miliarda dinarë që të vendosim vullnetarë dhe të tjerë kolonistë nëpër Vojvodinë dhe Kosovë. Në Vojvodinë, në afat prej 20 ditësh në të mirën tonë, ndryshuam gjendjen vetëm për disa përqindje, por karshi kësaj në Baçkë mbetën megjithatë shumica gjermane dhe hungareze. Shqiptarët në Kosovë nga viti 1918 deri në vitin 1943 rritën natalitetin natyror më shumë se ne që dërguam kolonistë. Për këtë shkak, hungarezët dhe shqiptarët, pa mundim të madh edhe ato pak rezultate arritën të na i shkatërrojnë duke na i përzënë kolonistët tanë nga Baçka dhe Kosova. Që të mos na ndodhë kështu edhe herën e dytë, ushtria, menjëherë, gjatë operacioneve luftarake, patjetër, me plan, dhe në mënyrë të pamëshirshme, të pastrojë ato anë të cilat duam t‘i popullojmë me elementin tonë kombëtar. Në detaje nuk dua të hyjë se si duhet të kryhet e gjithë kjo punë. Nëse këto qëndrime përvetësohen, nga thellësia e zemrës sime e me dëshirën më të madhe ia vë në dispozicion njohuritë e mia dhe përvojën time, Komandës së UNÇJ-së dhe aradhave partizane për të punuar detajisht Planin mbi këtë çështje. Por, tash po e theksoj se, pa asnjë kusht, duhet pastruar gjermanët dhe hungarezët nga rrethet e Vojvodinës, poashtu si edhe shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia.
Krahas spastrimeve nga ana e ushtrisë gjatë operacioneve duhet përdorur edhe mjete të tjera që pakicat kombëtare do t‘i detyrojmë të shpërngulen. Para së gjithash, për shkak të qëndrimeve të tyre në këtë luftë, duhet t‘u merremn të gjitha të drejtat e pakicave. Pamëshirshëm duhet që të nxirren para gjyqit ushtarak të gjithë ata pjesëtarë të pakicave kombëtare që në një mënyrë a një tjetër u vunë në shërbime të okupatorit. Për ta duhet të ndërtojmë llogore, pasuritë e tyre duhet t‘i djegim. Gjithashtu, familjet e tyre duhet t‘ua dërgojmë në llogore dhe në rastet e para duhet t‘i shpërngulim në shtetet e tyre amë. Në këtë pikë, në lidhje me hungarezët dhe gjermanët, do të na ndihmojë shumë ushtria motër e Bashkimit Sovjetik. Me rastin e pastrimit të pakicave kombëtare, duhet të kemi vemendje për intelegjencën dhe shtresat e pasura shoqërore. Ata, ndaj nesh, kanë qenë më të këqinjtë. Besnikërisht i kanë shërbyer okupatorit dhe për këtë janë më të rrezikshmit po të qëndrojnë në këto vende. Punëtorët dhe fshatarësia e varfër nuk e kanë simpatizuar aq shumë fashizmin gjerman dhe hungarez, për këtë arsye edhe nuk duhet t‘i ndjekim. Kjo vlenë edhe për bejlerët shqiptarë. Ata janë të njëjtit njerëz të cilët u shërbyen të gjitha regjimeve gjatë kohës së Jugosllavisë së Vjetër, u pasuruan duke kryer punët më të ndyra, dhe ishin fajtorët më të mëdhenj pas vitit 1941.
Ka edhe shumë çështje në lidhje me shpërnguljet e pakicave kombëtare nëse për këtë pajtoheni. Por do të flasim edhe tjetër herë.
KOLONIZIMI I TOKAVE TË BRAKTISURA
Rëndësi të posaçme ka që t‘i popullojmë me njerëzit tanë fshatrat dhe qytet e braktisura. Ja përse. Interesi i shtetit tonë e do që tokat e braktisura nga ana e pakicave kombëtare të popullohen sa më shpejt, që ata, dhe gjithë Evropën, t‘i qesim para aktit të kryer. Interesat e ekonomisë shtetërore janë që këto ndërrime etnike të kryhen sa më me pak dëme për fushën e ekonomisë. Fabrikat edhe më tutje duhet të punojnë, ndërsa punëtoritë e zantaçinjve të mos mbyllen. E gjithë kjo nuk është e lehtë të realizohet. Pavarësisht dëshirës sonë që gjatë organizimit të kryerjes së gjithë këtyre punëve, nuk do të mundemi për t‘iu ikur dëmeve të përkohshme ekonomike që do të shkaktojë shpërngulja e pakicave. Kjo nuk guxon të na zbrapsë nga qëllimi kryesor, por, pikërisht për këtë, patjetër, me të gjitha forcat njerëzore, të përpiqemi që këto dëme të bëhen në një masë sa më të vogël. Kjo çështje ka peshën dhe rëndësinë e vetë, aq më shumë që pakicat tona janë të vendosura në rajonet më të pasura bujqësore: Vojvodinë, Kosovë dhe Maqedoni. Gjermanët veçanërisht mbajnë në duar prodhimtarinë e bimëve industriale. Nëse dëshirojmë që të kemi industrinë e sheqerit, linit dhe konopit, patjetër duhet të brengosemi që sa më shpejt t‘i zëvendësojmë prodhuesit gjermanë me prodhuesit tanë. I njëjti rast vlenë edhe për industrinë dhe për zanatçinjtë. Mbi 80 përqind të të gjitha zanateve në Vojvodinë, gjenden në duart e gjermanëve, përqindje më e vogël e zanateve, por shumë e rëndësishme që gjendet në Kroaci e Slloveni, poashtu gjendet në duart e gjermanëve. Gjemanët në Vojvodinë zotërojnë mullinjtë, birraritë dhe prodhimtarinë e konopit, ndërsa hungarezët prodhimtarinë e sheqerit. Të gjitha këto, patjetër duhet t‘i kemi parasysh dhe që më parpara të përgatisim aparatin i cili do t‘i marrë në konsideratë dhe sigurojë funksionimin e drejtë të jetës ekonomike si dhe punën rreth shkuarjes së gjermanëve dhe hungarezve nga vendi ynë. Tokat e braktisura nga pakicat, për t‘u bërë sa më të plleshme duhet menjëherë t‘i popullojmë me njerëzit tanë. Pas vitit 1918, kolonizimi te ne, është bërë me vullnetarë dhe kolonistë vendas. U është dhënë në dispozicion nga 5 hektarë tokë, pak mjete dhe diku shtëpi të ndërtuara. Pasuria ishte shumë e paktë, mjetet e dobëta, u kanë munguar kafshët dhe për këto arsye, kolonët tanë shumë ngadalë kanë përparuar. Veç kësaj malazezët e Malit të Zi, Hercegovinës, Krajinës dhe Likës, të vendosur në fushat e dhuruara të Vojvodinës, vështirë i janë adaptuar klimës së re, mënyrës së re të punëve, dhe kështu, shumë prej tyre filluan t‘i shesin pronat. Kishte rrezik, që përsëri, përmes shitblerejes, këto toka të bien në duartë e pakicave kombëtare. Tash, pas kolonizimit duhet që me këtë problem të merremi shumë më thellësisht, më me shumë seriozitet dhe metodologji shkencore.
Me rastin e kolonizimit, Lëvizja Nacionalçlirimtare sot të gjendet para të njëjtave detyra ashtu siç u gjet edhe Jugosllavia e Vjetër pas vitit 1918. Luftëtarët më të mirë të Lëvizjes janë regrutuar nga rajone më pasive, si rajonet jugore të Savës dhe Danubit. Ata luftëtarë janë nga shtresat e varfëra të krahinave veriore të këtyre lumenjve. Fshatarët e mijëra katundeve të djegura të Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Dalmacisë, Likës, Banjinës, Kroacisë dhe Serbisë do të kërkojnë shpërblime nga udhëheqësit e tyre të luftës për vuajtjet e tyre, dëmshpërblimin për pasuritë e tyre të djegura. Dhe atyre,, patjetër, duhet t‘u jipet diçka. Kolonizimi i tyre nëpër tokat e braktisura nëpër fshatrat gjermane, hungareze dhe shqiptare për ta do të jetë dhurata më e mirë. Por, para se të bëhet kështu nuk guxohet më, të përsëriten gabimet e para vitit 1918. Fillimisht tokat dhe pasurit e braktisura nga pakicat kombëtare, duhet t‘u jipen në përgjegjësi sëpari luftëtarëve partizanë dhe anëtarëve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Megjithatë, para kësaj është e domosdoshme të fillohet prej ndonjë qëndrimi që tokën ta marrë vetëm ai që vetë e punon. Toka është mjet, me te nuk guxohet të sillet askush si ndosnjë spahi as i vogël as i madh, do të thotë se me të nuk guxohet të spekulohet.
Me rastin e kolonizimit të Vojvodinës dhe të Kosovës duhet të fillohet nga ndonjë qëndrim i drejtë: nuk zgjidhet problemi agrar i proletariatit në Jugosllavi në këtë mënyrë, gjë që një përqindje e vogël e tyre do të shndërrohen në pronarë të imtë.
Çështja e industrisë dhe e zanateve, gjithashtu është e rëndësishme po aq sa edhe çështje e bujqësisë, vetëmse ato dy të parat rregullohen shumë më lehtë. Bujqësia industriale në Vojvodinë duhet të shtetëzohet.
Kështu të veprohet edhe me të gjitha ndërmarrjet e armiqve në të gjithë shtetin. Me zanatet nuk do të na shkoj aq lehtë, por edhe këtu mund të bëhet diçka më shumë: do t‘u ndihmojmë zanatçinjve vendas dhe ndihmësve të tyre, që t‘i marrin punëtoritë e braktisura.
E pazakonshme dhe e rëndësishme është çështja në lidhje me kolonizimin e tokave të braktisura nga ana e pakicave kombëtare, sepse është e udhës që kolonizimi të bëhet në kuadrin e të gjitha rregullave dhe ligjeve mbi të drejtat e popujve. Për këtë arsye sa më parë duhet të kërkohet nga përgjegjësit tanë që të na japin leje për konfiskimin e tokave prej këtyre pakicave kombëtare armike.
Komisioni shtetëror për krime të luftës, doemos duhet të na jap në dispozicion material, me të cilin opinionit botëror dhe aleatëve do të kemi se ç‘do t‘u tregojmë: se ç‘kanë bërë pakicat kombëtare nëpër tokat tona gjatë kësaj lufte. Këtë propozim ka qenë dashur ta jipja më heret, por e pata lënë hë për hë. Tash po e jap këtu të plotë.
ORGANIZIMI I PUNËS
Tash e dimë rëndësinë e pastrimit të pakicave kombëtare që nga operacionet e luftës. Në këtë punë rëndësi vendimtare ka roli i ushtrisë. Ajo është në gjendje të përgatitë dhe ta ketë në gatishmëri forcën ushtarake gjatë largimit të pakicave kombëtare nga shteti ynë. Për këtë arsye, rëndësi e dorës së parë, është ajo që komandantët tanë të ushtrisë, gjatë largimit të hungarezve do të marrin udhëzime precize çka dhe si do të punojnë.
Për të lehtësuar punën rreth shpërnguljes së miliona vetave të pakicave kombëtare të shtetit tonë dhe kolonizimin e tokave të braktisura me njerëzit tanë, duhet përpiluar ligje nga Ministria ose Drejtoria, dhe sa më parë të nxirren nga ato. Ne, para vitit 1918, kemi pasur ligjet e Ministrisë së Politikës Agrare.
Çështja e organizimit të të gjitha punëve rreth shpërnguljes së pakicave kombëtare dhe kolonizimit të ri, këtu u dha vetëm në pika kryesore. Ka edhe shumë gjëra për të cilat duhet menduar, por kjo do të ishte shumë më mirë të bisedohet sa më me pak vetë.
Këtë do ta bëjmë atëherë kur të studiohet detajisht i gjithë ky problem.
Po them disa fjalë për disa detyra të rendit të dytë të kësaj çështjeje, të cilat që tash na preokupojnë të gjithëve. Deri sa ne po diskutojmë e po merremi vesh, duhet apo nuk duhet t‘i shpërngulim pakicat kombëtare si dhe në ç‘mënyrë t‘i kolonizojmë vendet e tyre, stihia, lufta, ulurinë nëpër vendin tonë. Në këto lufta zhvillohen operacione luftarake, lajmet vijnë se masat tona popullore në mënyrë të pamëshirshme i çërojnë hesapet me ato pakica kombëtare, të cilat në këtë luftë qenë kundër neshë. Këtë vrull popullor sa më parë duhet kanalizuar. Më e rëndësishmja që duhet bërë menjëherë në këto momente është:
1) T‘i jipen udhëzime ushtrisë, këshillave nacionalçlirimtare çka duhet të punojnë,
2) Të merren hapa që ushtria motër e Bashkimit Sovjetik të na ndihmojë t‘i pastrojmë gjermanët dhe hungarezët,
3) Të ndërmerren masa që tokat e braktisura gjatë kësaj vjeshte të punohen ndërsa fabrikat dhe punëtoritë të ruhen,
4) Të fillohet menjëherë të kolonizohen fshatrat dhe qytetet e braktisura me popullsi tonën dhe të ndalohet çdo plaçkitje dhe abuzim të pasurisë së pakicave kombëtare armike si dhe të dënohet secili keqpërdorues me vdekje.
Përfundim
Referati im mbi problemin e pakicave kombëtare ndoshta mund të ketë qenë më shumë se sa duhet i zgjeruar. Megjithatë, çështja është e asaj rëndësie të madhe për jetën e shtetit tonë dhe po frikësohem se mos këtu kam lëshuar ndonjë çështje. Mund të ndodhë që kurrë të mos na afrohet një rast i tillë si sot, që shtetin tonë ta bëjmë plotësisht të pastër etnikisht.
3 nëntor 1944 Beograd
Vaso Çubrilloviç, d.v
Profesor universiteti
Plani i Vaso Çubrilloviçit i vitit 1944 mbi shpërnguljen e popujve josllavë – Dorëshkrim që gjendet në Institutin Ushtarako-Historik XI, Arkivi i Ushtrisë jugosllave-Beograd)
_______________
*) Shënim plotësues 1
Pjesa më e madhe e librave, përkthimeve dhe parathënieve të ndryshme gjatë viteve 80-ta, që ka publikuar „Zëri i Kosovës“, janë botuar pa emrat e autorëve ose me pseudonime. Libri „Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e Re“ për herë të parë në gjuhën shqipe është botuar në tetor të vitit 1987.
Librin e kam përkthyer nga serbokroatishtja dhe e kam shkruar Parathënien, ndërsa përgatitjen teknike dhe ballinën e ka bërë piktori Muhamer Shabani. Formati i librit është A6, ka 39 faqe, dhe është shtypur në tirazh 1000 copë, në qytetin Biel-Bienne – Zvicër.
**) Shënim plotësues 2
Ky referat është i shkruar nga Vaso Çubrilloviç në vitin 1944 dhe i lexuar prej tij më 3 nëntor të po atij viti në Beograd. Materiali është i daktilografuar në 15 faqe makinë A4 në serbokroatishte me germa latine. Siç duket ky material është përshkruar nga materiali ekzistues origjinal i dëmtuar, sepse faqja e parë, e tretë dhe e katërt, ka në fillim të faqes (në kllapa) të shënuar (necitliva strana- faqe e palexuar). Kështu mungon titulli i kapittullit të parë bashkë me tri faqe teksti. Të gjitha materialet sekrete të përpiluara nga Vaso Çubrilloviçi, referatete, elaboratete si ai „Shpërngulja e shqiptarëve“, gjenden në Institutin Ushtarako-Historik XI, Arkivi i Ushtrisë jugosllave. Referati me titull „Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e re“ është i ndarë në kapituj. Titulli i kapitullit të parë (ndoshta edhe të dytë) mungon. Vetëm në faqen 6 të tekstit të daktilografuar fillon kapitulli me titull „Shkaqet përse duhet të zgjidhim çështjen e pakicave në Jugosllavi“; në faqen 9 kapitulli me titull „Mënyra e zgjidhjes së çështjes së pakicave kombëtare në Jugosllavinë e Re“; në faqen 12 kapitulli „Kolonizimi i tokave të braktisura“; në faqen 14 kapitulli „Organizimi i punës“ dhe po në faqen 14 „Përfundimi“.
*) «Arnautët» – Çubrilloviçi me përbuzje i quan shqiptarët.
**) Çubrilloviçi në referatin e tij nuk e shkruan askund Kosovë por «Stara Serbi».
***) Këtu janë tri faqe tekst format A4 që i mungojnë referatit të Çubrilloviçit
*) Harta që përmend Çubrilloviçi nuk ka qenë në tekstin e daktilografuar.
Numri i shqiptarëve *)
Në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, nëpër qytete,
sipas regjistrimit të datës 31 mars të vitit 1931
Rrethet Numri i banorëve Shqiptarë Përqindja
Llap 34797 26986 77.3
Vuçiternë 32248 20565 63.7
Andrijevicë 27221 373 1.4
Tivar 32926 12504 38.0
Manastir 65164 55108 78.5
Pollogu i Poshtëm 70983 37647 53.0
Drenicë 23811 21347 88.6
Galiçniku 12051 1902 15.3
Gjilani 91037 53083 58.3
Gjakova 45378 36339 80.2
Istogu 25918 12872 49.7
Krusheva 23570 1335 5.7
Dibra e Epërme 16295 4181 25.7
Pollogu i Epërm 32658 14848 45.4
Graçanica 57858 23845 41.2
Jabllanica 58322 3195 5.5
Kaçaniku 12466 11624 93.4
Kërçova 32191 10064 31.4
Ohri 32066 841 2.6
Mitrovica e Kosovës 30788 5788 18.8
Podguri 16920 13868 83.6
Poreçi 16749 1581 8.4
Prespa 21631 1841 8.5
Presheva 44405 17305 39.0
Prilepi 54480 1114 8.0
Shkupi 128952 25138 19.6
Struga 28058 8219 29.3
Mali i Sharrit 46154 19500 42.3
Peja 44688 27259 61.1
Podgorica 42904 5005 11.7
Podrica 31191 27768 76.7
Çagllavica 16602 410 2.5
Velesi 42239 1644 3.9
Seçlikova 66591 13485 29.3
Gasri 14127 6608 46.9
*) Këtë statistikë, Çubrilloviçi ia ka bashkangjitur referatit të tij. Edhe nga lexuesi i thjeshtë shihet nga larg manipulimi me emra vendesh dhe shifra për banorët shqiptarë nëpër vendbanime. Madje ai nuk përmend fare qytete si Prishtina, Ferizaj, Tetova, Prizreni etj., dhe as numrin e banorëve në të tyre. Ai përmend disa emra vendesh fare të parëndësishëm ose të panjohur si Gasri, Seçlikova, Galiçniku.
(Përktheu nga serbokroatishtja: Mustafë Xhemaili, tetor 1987)