NË SHTATOR TË VITIT 1985, LRSSHJ U EMËRTUA „LËVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS” (LPRK)

NJOFTIM INTERN PËR ANËTARËT DHE AKTIVISTËT E LËVIZJES MBI DISA NDRYSHIME QË DO TË BËHEN NË ORGANIZATËN E MASAVE LRSSHJ SI DHE NË ORGANIN E SAJ “ZËRIN E KOSOVËS”

Shokë dhe shoqe!

Duke pasur parasysh se më 17 shkurt 1982, gjatë bashkimit të organzatave, u bënë gabime si në emërimin e organizatës së re ashtu dhe në fizonominë e saj:

Duke pasur parasysh, veçanërisht se duhet të përcaktohet qartë karakteri i organizatës, punë që nuk u bë më 17 shkurt e as më 15 maj, 1982;

Duke pasur parasysh oshilimet që u bënë në karakterin, vijën dhe fizionominë e organizatës dhe të organit të saj “Zëri i Kosovës”, që nga 17 shkurti e gjer më sot, si dhe rrymimet ideologjike, politike dhe organizative brenda dhe jashtë;

Duke pasur parasysh se pasojat e këtyre lëshimeve dhe gabimeve në të kaluarën do të frenojnë ecjen përpara drejt Republikës së Kosovës;

Duke pasur parasysh edhe situatën që u krijua në ndërkohë nga veprimtaria e regjimit serbomadh të Beogradit kundër Lëvizjes: Patriotët, komunistët dhe të gjithë liridashësit që veprojnë jashtë Kosove, vlerësuan drejt gjendjen jo të mirë të unitetit dhe të bashkimit, të kurbetçinjve dhe të të arratisurve dhe, përgjithësisht të Lëvizjes; vlerësuan drejt nevojën e bashkimit të të gjitha forcave të shëndosha patriotike e komuniste dhe që janë për Republikën e Kosovës, si dhe në anën tjetër, dëshirën e flaktë dhe kërkesat e parreshtura që të kapërcehen të gjitha vështirësitë në luftën tonë të drejtë për Republikë në kuadër të RSFJ-së.

Në konsultime të dobishme sqaruese dhe parimore me të gjithë ata që donin bashkimin e vërtetë rreth parullës famëmadhe “KOSOVA REPUBLIKË” si dhe orientimet e shokëve nga Kosova, u arrit një bashkim dhe unitet mendimi dhe veprimi. Kështu, pjesa më e vetëdijshme e patriotëve dhe e komunistëve të Kosovës që veprojnë jashtë, në muajin shtator të këtij viti, mbajtën MBLEDHJËN E PARË RIORGANIZUESE TË KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM, në të cilën morën pjesë edhe shokë të rinj në përbërjen e udhëheqësisë së organizatës dhe u vendos:

I

Organizata “Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi” tash e tutje të emërtohet “LEVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS”.

Termi LËVIZJE POPULLORE shpreh më së miri karakterin e organizatës sonë të të gjitha masave popullore, formën e organizmit të tyre. Ky emërtim përban emërtimin e drejtë politik e organizativ në luftën për Republikën e Kosovës, ku duhet të përfshihen të gjitha masat popullore pa dallim klase, bindjeje politike, feje e krahine, ndërsa më parë lihej vend për shumë interpretime.

Të hiqet termi SOCIALISTE, sepse vetë fakti se detyrë e drejtëpërdrejtë kërkesë e jona është Konstituimi i Republikës në kuadrin e RSFJ-së, pra në të njëjtin sistem ekonomiko-shoqëror, e përjashton këtë term në emërtimin e organizatës gjithëpopullore. Në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës, do të bëjnë pjesë të gjitha organizatat dhe grupet ilegale komuniste, patriotike e revolucionare, pavarësisht nëse është Republika qëllimi i tyre i fundit ose jo, pavarësisht nëse janë ose jo për socializmin e vërtetë.

Në vend të SHQIPTARE duhet të thuhet e KOSOVËS, pasi termi SHQIPTAR nuk është i saktë, për emërtimin politik e administrativ të Republikës së Kosovës dhe si emërtim nuk paraqet drejt ekskluzivitetin e përbërjes nacionale të republikës së ardhshme të Kosovës, njëkohësisht i jep material armikut të akuzojë se populli shqiptar në Jugosllavi po kërkon të shpërngulen të gjitha pakicat kombëtare nga trojet e banuara me shqiptarë. Përkundrazi, Republika e Kosovës do të jetë edhe e pakicave kombëtare që jetojnë në të dhe nga e cila do të kenë dobi. Pra, për emërtim më të saktë politik, administrativ e gjeografik të trojeve shqiptare të coptuara e të sunduara nga tri republikat: e Serbisë, e Maqedonisë dhe e Malit të Zi, duhet të përdorim termin REPUBLIKA E KOSOVËS.

Të hiqet termi NË JUGOSLLAVI, sepse kuptohet qartë se Republika e Kosoves kërkohet në kuadrin e RSFJ-së.

II

Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës ta udhëheqë KËSHILLI I PËRGJITHSHËM, KRYESIA E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM,

sepse:

Emërtimet për udhëheqjen e LRSSHJ-së: KOMITET DREJTUES, KOMITET QËNDOR, nuk ishin adekuat për një organizatë me tipare të organizatës së masave. Kështu, këto emërtime për udhëheqjen e LRSSHJ-së nuk shprehnin rolin e njëmendshëm për një organizatë të masave.

Termi KËSHILLI I PËRGJITHSHËM, për përbërjen e gjërë të udhëheqësisë së LEVIZJËS POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS (LPRK) është adekuat me rolin që do të luajë në drejtimin e organizatës, ndërsa përbërja e ngushtë e kësaj udhëheqësie, KRYESIA E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM, do të kryejë detyrat praktike për orientimin, zbatimin dhe kontrollimin e punëve dhe rrjedhës së tyre në organizatë.

LRSSHJ, pavarësisht oshilimeve politike dhe organizatave, megjithatë luajti rol të rëndësishëm në mobilizimin e masave, i bëri ato edhe më të vetëdijshëm për rolin e tyre në bashkimin e forcave për t’i dalë krah për të luftuar për Republikën e Kosovës. Ajo dha kontribut sidomos në organizimin e demonstratave anekënd Evropës Perëndimore, edhe më gjërë si dhe në organizimin e tubimeve përkujtimore për shokët e rënë e të burgosur nga terrori shovinist serbo-maqedona-malazez. Prandaj, në këtë drejtim roli i LRSSHJ-së ishte i madh.

Këto ndryshime që po bëhen, Lëvizjen do ta ngrejnë edhe më lartë në aspektin e vijës politike e organizative.

III

Gazeta “ZËRI I KOSOVËS”, organ i organizatës së masave të vazhdojë të dalë me të njëjtin titull,

sepse:

Si emërtim të një organizate të tillë shpreh më së miri, edhe me titullin e vet, zërin e vërtetë të popullit shqiptar në Jugosllavi.

IV

Parulla “PROLETARË TË TË GJITHA VENDEVE DHE POPUJ TË SHTYPUR, BASHKOHUNI” të hiqet nga ballina e gazetës dhe të mos vihet kurrfarë parulle,

sepse:

Heqja e saj do të shkonte në dobi të përfshirjes dhe të bashkimit të të gjitha klasave e individëve me bindje të ndryshme politike e fetare, dhe nga ana tjetër nuk ka nevojë të vihet kurrfarë parulle, sepse vetë emërtimi i organizatës “Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës” shpreh më së miri qëllimin e kërkesës së popullit tonë.

V

Gjithashtu, nga ballina e gazetës të hiqet pushka-shtizë në Flamurin Kombëtar dhe ky të vihet në një shtizë të zakonshme, mbajtur në dorë,

sepse:

Kërkesa e popullit tonë KOSOVA REPUBLIKË nuk e nënkupton në vete dhe nuk është një kërkesë për ndërrimin rrënjësor revolucionar me armë në dorë. Konstituimi i Republikës së Kosovës, edhe pse është një hap përpara, progresiv, një hap revolucionar (në mënyrë revolucionare e kërkoi populli), por nuk është edhe vetë revolucioni. Ajo mbetet si qëllim, detyrë dhe si kërkesë demokratike e kombëtare që hap perspektivën e zhvillimit kombëtar dhe shoqëror të popullit shqiptar në Jugosllavi.

VI

Gazeta “ZËRI I KOSOVËS” të dalë si organ i organizatës “LËVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS”.

Organi i LRSSHJ-së “Zëri i Kosovës” si gazetë që dalëngadalë mori tiparet e një gazete politike-informative për masat e gjëra është bërë një tribunë ku masat e gjëra popullore gjejnë veten, ku ato informohen për situatën aktuale, një tribunë ku qartë del domosdoshmëria e formimit të Republikës së Kosovës në kuadër të RSFJ-së.

Oshilimet që kishte, sidomos në formën e tij, ishin përpjekje për të gjetur me këmbëngulje vijën e drejtë e të qartë të detyrës që kishte mbi vete si organ për informim e mobilizim të të gjitha masave. Të metat që kishte në këtë drejtim, nuk mund ta zbusin rolin e madh që luajti deri tash “Zëri i Kosovës”.

Me ndryshimet që po bëhen “Zëri i Kosovës” edhe më mirë do ta kryejë detyrën në propagandimin e drejtë e të qartë të vijës politike e organizative të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës.

* * *

Këto ndryshime janë rezultat logjik i fazës më të pjekur të luftës sonë dhe i kërkesës këmbëngulëse të popullit tonë që Kosovës t’i njihet statusi i Republikës në kuadër të RSFJ-së.

Të gjitha këto ndryshime që po bëhen në organizatën tonë dhe organin e saj “Zërin e Kosovës”, shprehin realisht si asnjëherë më parë thelbin dhe karakterin e vërtetë të luftës sonë, të kërkesave të drejta gjithëpopullore të popullit shqiptar në Jugosllavi për Republikën e Kosovës në kuadrin e RSFJ-së.

Është e qartë se vetëm bashkimi, uniteti i popullit rreth parullës “KOSOVA REPUBLIKË”, vetëm fryma vëllazërore e organizimit rreth saj janë vendimtare në realizimin e statutit të Republikës në kuadrin e Federatës.

Thirren të gjithë ata, të cilët vërtet duan të luftojnë për të mirën e Kosovës, për lirinë e saj, që të lënë mëritë, t’i flakin mënjanë urrejtjet e hasmëritë e tjera dhe pa dallim bindjeje politike, feje e krahine, t’i bashkohen luftës për Republikën e Kosovës.

RROFTË LEVIZJA POPULLORE

PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS!

RROFTË “ZËRI I KOSOVËS”!

KOSOVA REPUBLIKË!

KËSHILLI I PËRGJITHSHËM I LEVIZJËS POPULLORE

PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS

Shtator, 1985)

(Burimi: Faridin Tafallari – Terror, dhimbje, qëndresë, 1997, faqe 272 – 275)


Ilustrimet nga arkivi © Pashtriku.org, Sheradin Berisha, prill 2024

XHAFER SHATRI LARGOHET NGA REDAKSIA E „ZËRIT TË KOSOVËS“ DHE NGA POZITA E ANËTARIT TË KQ TË LRSHJ-së, MË 31 JANAR 1985

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura