NJË APOLOGJI GREKE MBI GENOCIDIN GREK NDAJ POPULLSISË SHQIPTARE TË ÇAMËRISË
Nga Besnik Imeri, Vlorë 22 maj 2022
Në vitin 2015 një ent botues në Shqipëri i dha hapësirë dhe e publikoi një libër të një grekeje, Eleftheria Manda, ku ajo përpiqet të na tregojë ne shqiptarëve, një histori ndryshe të Çamërisë, të paktën për vitet 1923-1945. Si gjithmonë, ne shqiptarët jemi më tolerant, dhe në këtë rast i jepet e drejta një goje greke të flasë si e mendon dhe kupton ajo këtë histori. Ndërkohë, që në Greqi, një libër i botuar në Shqipëri për Epirin, ose Çamërinë, në asnjë rast nuk do t’i jepej drita jeshile e publikimit. Por ajo që është interesante në këtë histori, megjithëse enti botues është një ent serioz, ata nuk ja kanë besuar përkthimin në shqip atij. Por e kanë përkthyer vet.
Po kush është ky libër, apo ky studim? Ai emërtohet “Çamët myslymanë të Epirit”. Që në fillim duhet të themi se autorja ka bërë një punë voluminoze në kërkimin e materialeve dhe dokumenteve, në mjaft raste edhe autentike. Është treguar serioze në referimin e saktë të tyre. Përveҫ burimeve greke, u referohet edhe burimeve shqiptare, si dhe ato që nuk janë greke apo shqiptare. Pavarësisht faktit se përzgjedhja e tyre, objektivitetit dhe saktësia e tyre (bëhet fjalë kryesisht për burimet greke) le për të dëshiruar dhe është bërë në përshtatje me qëllimin e autores. Pavarësisht këtyre, autorja sjell informacione interesante kur na thotë:
Se në vitet 1930 “Qeveria Shqiptare, me një promemorje të saj pretendonte një sipërfaqe prej 1.817.233 dynym tokë që u takonin 242 personave shtetas shqiptarë”, tokë e cila ishte shpronësuar nga Qeveria Greke. Zaptim të 3.419 shtëpive të shqiptarëve të Çamërisë dhe vendosje në to të refugjatëve të ardhur nga Azia e Vogël.
Për zbrazjen e fshatrave të Çamërisë nga shteti grek, spastrimin etnik dhe largimin e popullsisë shqiptare nga Çamëria për në Turqi; “theks të veҫantë pala shqiptare vinte tek rastet e disa fshatrave: në Gardhiki, ndërsa në të kaluarën numëroheshin 400 familje ҫamësh, tani kishin mbetur 10-15 familje; në fshatin Dragumi, nga 80 familje kishin mbetur 30; në Margariti, nga 700 familje kishin mbetur 300; në Karbunarë, nga 300 familje kishin mbetur 70-80 dhe në Paramithi nga 600 familje kishin mbetur 400. I njëjti fenomen vërehej edhe në fshatra të tjerë të Thesprotisë.
“Perspektiva e rrallimit të popullsisë myslymane të Epirit, sigurisht që ishte mikluese për pothuaj të gjitha Qeveritë Greke”.
“sot duhet të pranojmë faktin se në veprimtarinë aktive kriminale që u shënua gjatë gjithë periudhës së pushtimit në Epir, sigurisht që nuk mori pjesë e gjithë popullsia shqipfolëse e Thesprotisë”.(f,154
Partia Komuniste Greke dhe EAM-I e konsideronte popullsinë ҫame të Epirit si minoritet shqiptar që kishte të drejtën e vetvendosjes, ashtu sikundër ҫdo minoritet tjetër etnik në botë. (f,152-153).
EDES-i ishte kundër deklaratës së EAM-it, që i konsideronte shqiptarët në Epir si minoritet dhe nga ana tjetër sepse u njihte të drejtën e vetvendosjes, duke i vendosur në të njëjtin nivel me grekët e Epirit të Veriut, ku në të njëjtën kohë i jepte palës shqiptare mjete diplomatike për të kërkuar që pas Lufte, fatet e këtyre dy popullsive të ndërvareshin nga njeri tjetri. (f,162)
Deklarat e konferencës së parë të Frontit Nacional-Çlirimtar të Qarkut Gjirokastër, që u mbajt në dhjetor të vitit 1943: “Çështja e minoritetit grek që ndodhet brenda kufijve shqiptarë do të zgjidhet në bazë të Kartës së Atllantikut dhe të parimit mbi vetvendosjen e popujve…Në të njëjtën mënyrë do të zgjidhet edhe ҫështja e Çamërisë dhe e gjithë shqiptarëve që ndodhen matanë kufijve shqiptarë”.(f,161)
Zerva u kërkoi me ngulm Aleatëve që ta lejonin të kalonte vijën e kufirit dhe të vazhdonte operacionet brenda territorit shqiptar, me qëllim të kontrollit të Epirit të Veriut, në mënyrë që pas lufte të rivendikonte bashkimin e atij rajoni sëbashku me popullsinë greke, me shtetin grek.(f,196)
Enver Hoxha në një deklaratë të tij të datës 4 tetor 1944 informonte Aleatët, se do të luftonte forcat e Zervës, madje edhe brenda territorit grek. (f,197)
Ngjarjet që kishin paraprirë pak muaj më parë në Paramithi, u përsëritën me po atë intesitet edhe në Filat, dhe përgjegjës ekskluzivë për to ishin grupet e EDES-it…Fajtorët e ngjarjeve në Paramithi dhe në Filat nuk u dënuan asnjëherë. (f,197)
Cris Ëoodhouse pranoi më vonë se Misioni Aleat, nën direktivat e atij vetë, dha urdhër për spastrimin e Epirit nga shqiptarët ҫamë… “ҫamët morën atë që meritonin”. (f,198)
Cris Ëoodhouse ndërmori në korrik të vitit 1945 një turne në zonat e Thesprotisë dhe arriti në konkluzionin se popullata vendase nuk dëshironte rikthimin e ҫamëve. (f,210)
Greqia do të kundërshtonte me ҫdo mjet largimin e grekëve nga Shqipëria, ngaqë veҫ gjithë të tjerave, diҫka e tillë do të rrëzonte argumentin e saj bazë mbi të cilin ajo mbështeste rivendikimet mbi pjesën jugore të Shqipërisë. (f,211)
Greqia, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, i kishte riformuluar pretendimet e saj (për Vorio-Epirin), duke u bazuar kryesisht tek sukseset e ushtrisë greke gjatë Luftës Italo-Greke.
Prekëm disa nga këto momente interesante që tregon libri, por ato nuk arrijnë dot që kësaj vepre t’i japin një karakter shkencor serioz dhe objektiv ndaj të vërtetës historike. Autorja, si dhe shumë autorë të tjerë grekë, nuk arrin dot të shkëputet nga kufizime të rënda. Kush janë ato?
Ato, dukshëm, shfaqen që në emërtimin, ose titullin e librit: “Çamët myslymanë të Epirit”. Identiteti fetar këtu merr përparësi kundrejt identitetit etnik. Jo pa qëllim vendoset besimi fetar, para etnisë së kësaj popullsie. Ndonëse nuk thuhet shprehimisht, por nënkuptohet: diskriminimi, cinizmi dhe përbuzja ndaj kësaj popullsie. Emërtimi myslyman, do të tregojë publikisht, se këta myslymanë; ashtu si dhe myslymanë të tjerë në botë, janë problem i qytetërimit perëndimor. Kuptohet, edhe atij grek.
Marrja e këtij pozicioni nga autorja e ҫvesh atë nga veshja dinjitoze e një studiuseje, dhe dashje pa dashje, e shfaq më shumë veten si një klerike të krishterë, ku për të qënë e tillë i mungon vetëm veladoni, kamillafi dhe kryqi. Vetë libri, dashje pa dashje, duket si një predikim fetar.
Kjo të kujton kohën e shekullit të XIX kur ortodoksët shqiptarë quheshin grekë, ndërsa myslymanët turq. Me të tillë mentalitet autorja na thotë: “E vërteta është se në atë periudhë (vitet1923-1924) ҫamët e Epirit, duket se nuk kishin krijuar akoma një ndërgjegje kombëtare. Më shumë se shqiptarë apo turq, ata ishin dhe ndiheshin myslymanë”.(f,34) Të tillë thagmë nuk kishim dëgjuar. Zonjë e nderuar, shqiptarët nuk janë si grekët tuaj, që mund të jenë arixhinj, jevgj, hebrenj, afrikanë, apo aziatikë dhe mjafton që të jenë të krishterë dhe të flasin greqisht, e ndiejnë veten grekë 24 karatë. Shqiptarët nuk e kanë me të ndier, e kanë me të qënë.
Zonja Manda! Ju keni bërë një gafë të rëndë si studiuese, kur ҫamët myslymanë i ndani nga ҫamët e krishterë, duke nënkuptuar që të krishterët janë grekë; ndërsa myslymanët janë shqiptarë. Që të krishterët janë të mirët, ndërsa myslymanët janë të këqinjtë. Ju zonja Manda, nëqoftëse nuk e dini duhet ta mësoni: Shqiptarët para se të jenë të krishterë, apo myslymanë, në rradhë të parë, ata janë shqiptarë dhe flasin shqip, një gjuhë që është shumë, e më shumë e vjetër, se sa greqishtja juaj.
Por kjo nga autorja është bërë me qëllimin e keq për t’i nxjerrë ҫamët myslymanë të Çamërisë si delja e zezë e Greqisë. Ne shqiptarët zotërinj grekë, nuk kemi për ta pranuar këtë, kurrë! Për ne ҫamët janë shqiptarë, pavarësisht fesë që kanë.
Më të rëndë këtë pozicion e bën fakti, që ky studim nuk është thjesht i një autorje, e cila, në fund të fundit, mund edhe t’i thotë gjërat ashtu si i mendon. Por ky studim është ‘kolauduar’ dhe ‘formatuar’ nga një institucion shkencor serioz në Greqi – Instituti i Studimeve Ballkanike i Selanikut.
Që të jem më i kuptueshëm, kjo është njësoj sikur një institut shkencor, i Historisë, apo Albanologjisë në Shqipëri; të bëjë një studim për minoritetin etnik grek në Shqipëri dhe ta emërtojë: “Ortodoksët e Dropullit dhe të Vurgut”. A nuk do të ishte qesharake?!!
Formatin shkencor librit ja zbeh shumë, cektësia e trajtimit të problemeve. Kështu p.sh bëhet një ‘goxha’ libër, flitet për një popullsi, e cila banon në një sipërfaqe toke rreth 17.000 km2 dhe në libër nuk flitet për disa të dhëna gjeografike, por edhe etnografike. Bëhet një studim për një popullsi mjaft identitare, siҫ është popullsia shqiptare e Çamërisë, dhe nuk thuhet asnjë fjalë për historinë e kësaj popullsie. Nga erdhën këta, nga Marsi, janë jashtëtokësorë dhe u vendosen në Greqinë tuaj të dashur si të paftuar të padëshiruar. Asnjë rresht, asnjë paragraf. Madje, madje, as në hyrjen që bën autorja nuk përmendet historia e këtij populli.
Zotërinj grekë! Ata nuk janë majmunë me bisht, siҫ duan ti quajnë sllavët shqiptarët. As të ardhur në kohën e Turqisë në ato territore. Të tillë janë, sa për dijeni, ‘grekët’ tuaj të dashur, që banojnë në territorin shqiptar, të cilët nuk kanë më shumë se 300 vjet që kanë ardhur aty nga Thesalija. Ku edhe për më tepër, që nuk janë grekë safi, pasi janë vllehë të Thesalisë të greqizuar në gjuhë.
Popullsia e Çamërisë ka të paktën 12.000 vjet që banon në ato territore të stërlashta. Ju ishit miq të paftuar të vitit 1913 në këto territore. Ju erdhët si pushtues në Çamëri me ndihmën e Europës Plakë. Thesprotasit e lashtë, sipas autorëve tuaj të lashtë, ishin sunduesit e Dodonës, dhe më pas, me fuqizimin e Mollosëve, e morën këta të fundit nën juridiksion atë. Mbreti i tyre, Aidoneu, që ka sunduar para Luftës së Trojës në Thesproti, po të lexosh historianët tuaj të lashtësisë, tregojnë se si ai bëri zap Tezeun dhe Herkulin, dy heronjtë mitologjikë, më të mëdhenjtë e lashtësisë suaj. Në Thesproti, dhe pikërisht, në Paramithi, ka qënë orakulli i vdekjes. Persefona, ose Persefasa, ishte bila e Aidoneut, njëkohësisht një vashë e bukur ҫame. Hadi dhe Poseidoni kanë banuar në Çamëri. Çamëria është vendi ku kanë banuar perënditë. Prandaj është edhe kaq e bukur dhe e lulëzuar. Prandaj ju e pushtuat në vitin 1913.
Nga pikëpamja etnografike, veshjet femërore të Çamërisë, janë nga më të bukurat. Ato janë veshjet e Persefonës dhe të perëndive të tjera pellazge. Këngët dhe vallet ҫame janë nga më të bukurat. Të gjitha këto vërtetojnë se kemi të bëjmë me një popullsi me një kulturë dhe qytetërim mijëravjeҫar. Jo një popullsi, siҫ thoni ju, që nuk di se ҫ’është.
Ajo që përshkruan, nga fillimi në fund, librin është ideja e “Thesprotisë Greke” (f,160). Nuk do të lodhemi që t’i mbushim mëndjen kësaj studiuseje, se atëhere kur ekzistonte Thesprotia, nuk ekzistonte Hellada. Nuk e dimë në se kjo studiuse dhe instituti i saj që studion gjithë Ballkanin, por që nuk njohin historinë e territoreve që janë sot nën sundimin grek. Nuk e dimë, në se ata i kanë lexuar autorët e tyre të lashtësisë, Tuqididin dhe Strabonin, të cilët të gjithë Epirin, përfshirë edhe Thesprotinë, e quanin barbar, pra jogreqishtfolës. Dhe për mbushje mendje nuk duam të bëjmë rolin e mësuesit të fillores për këtë studiuse.
Por siҫ i thonë një fjale të urtë shqipe “topi bum, e Muҫua tutje”, edhe studiusja jonë nuk e ndal vrullin dhe me një guxim prej të marre arrin të akuzojë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për “Platformën e zgjidhjes të ҫështjes kombëtare shqiptare” hartuar në vitin 1998, se Akademia në këtë platformë “përpiqej që ta vinte në dyshim karakterin grek të Epirit” (f,245)
Një mangësi serioze e këtij studimi është fakti, se pavarësisht se flet për një periudhë të nxehtë të viteve 1940-1945, ajo qëllimisht anashkalon dhe nuk përmend genocidin e forcave të EDES-it ndaj popullsisë të pafajshme të Çamërisë. Ndërkohë, që raste sporadike të krimeve të kryera nga persona të veҫantë të popullsisë ҫame, t’i përgjithësoj dhe me to të krijojë alibinë greke të Genocidit, si një hakmarrje të krishterëve grekë ndaj krimeve të myslymanëve ҫamë.
Për të justifikuar veten, lidhur me mospërmendjen e genocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, autorja krijon alibinë se “nuk janë shifrat ato që kanë rëndësinë më të madhe, por kërkimi i së vërtetës…si dhe ruajtja e kujtesës historike.”(f,137) Por në studimin tuaj zonja Manda, fatkeqësisht mungojnë, si “kërkimi i së vërtetës”, ashtu dhe “ruajtja e kujtesës historike”.
Si mund t’i pretendoni këto që thuhen më lartë, kur ju deklaroni se “Ndoshta është e tepërt të vemë në dukje se në Greqi (bëhet fjalë për vitin 1946) nuk kishte “minoritet shqiptar”” (f,224). Ndërkohë që kryeministri juaj në vitin 1925, Theodhoros Pangallos, deklaron se në Greqi ka një minoritet të fuqishëm shqiptar në të gjithë Epirin, dhe se myslymanët e Epirit dhe të Çamërisë nuk janë turq, por janë shqiptarë. Po 70.000 ҫamët e krishterë të Çamërisë (sipas rregjistrimit të vitit 1940), ku do t’i fusni zonja Manda?!!! Kështu kërkohet “e vërteta historike”?!!!
Dhe për mbushje mendje, fjalë që duhet të na i thoshte që në hyrje, autorja na i thotë në mes të librit “Në përpjekjen që po bëjmë, dhe duke pasur gjithmonë si udhërrëfyes aksiomën se “e vërteta ndodhet diku në mes” do të tentojmë t’i rindërtojmë ngjarjet e asaj periudhe, mundësisht sa më të besueshme dhe të arësyeshme sipas mendimit tonë…”. (f,138) Jo zonja Manda. Ju nuk jeni “në mes”. Ju jeni në anë, madje në anën më të keqe. Në anën e vrasësve të popullsisë së pafajshme. Ju jeni në anën e “Megalidhesë” dhe të krimeve 140 vjeҫare të kishës greke ndaj popullsisë shqiptare.
Dhe në fund, për ta ëmbëlsuar këtë genocid, qysh në hyrjen e vet të librit, deklaron se ҫamët “ikën në mënyrë masive nga vendi (Çamëria) pas tërheqjes se Gjermanëve në vitin 1944”.(f,23) Me këtë gur të hedhur djallëzisht zonja Manda do të vrasë dy zogj. Së pari, të na tregojë se ҫamët ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve dhe ikën bashkë me ta; dhe, së dyti, që nuk ka pasur genocid, masakra ndaj një popullsie të tërë të pafajshme; por ata kanë ikur vetë, madje me qejf të madh, si në një shëtitje turistike.
Po kush ishin bashkëpunëtorët e vërtetë të gjermanëve; grekët apo shqiptarët. I vendosim në kandar. Dinejt apo Napoleon Zerva. Dinejt me disa ҫeta; apo EDESI-i i Napoleon Zervës me rregjimente, brigada dhe divizione prej dhjetra mijëra vetë. Që të jemi më bindës po u referohemi vetë të dhënave të zonjës Manda:
“Ditët e para të korrikut 1944, Shtabi i Përgjithshëm i EDES-it,komanda e divizionit të 10-të dhe mitropoliti i Janinës Dorotheu (ҫfarë do mitropoliti sëbashku me forcat e Zervës?!!! …”(f,184).
Mirë që e thoni vet dhe me gojën tuaj zonja Manda, që dhespoti i Janinës, Dorotheos Naskari, me kryq në dorë, i bashkohet divizioneve të Zervës për të drejtuar masakrat kundër ҫamëve myslymanë të Çamërisë. Ja edhe fotoja e siguruar nga studiusi Arben Llalla që e vërteton këtë bashkëpunim. Dhespoti i veshur ushtarak në krah të Zervës.
Zonja Manda ne kemi një fjalë të urtë: “Nuk mbulohet dielli me shoshë”. Arben Llalla në librin e vet “Kolaboracionistët grekë projektuesit dhe udhëheqësit e genocidit në Çamëri” na thotë:
“Në fillim të nëntorit të vitit 1943, Mitropoliti Dhoroseos ishte në zyrat e gjermanëve në Paramithi dhe më tej e braktisi Mitropolinë dhe jubashkua forcave guerile të Napoleon Zervës, EDES, duke veshur rrobat ushtarake të këtij grupacioni. Mitropoliti Dhorotheos u bë krahu i djathtë i Zervës dhe u përfshi në bisedimet e EDES me gjermanët gjatë periudhës dhjetor 1943- tetor 1944…Në tetor 1944, Mitropoliti Dhorotheos, përfaqësoj delegacionin e EDES në marrëveshjen me gjermanët për tërheqjen nga ishulli i Korfuzit…”[1].
Kështu është edhe e vërteta e bashkëpunimit me gjermanët zonja Manda. Por vazhdojmë më tej. Ju që kini 80 vjet që flisni për bashkëpunimin e popullsisë së Çamërisë me gjermanët, haroni të përmendni bashkëpunimin e grekëve me gjermanët. Ju që shikoni qimen në syrin e tjetrit, haroni të shikoni traun në syrin tuaj.
Arben Llalla në veprën e sipërpërmendur na tregon fakte interesante të këtij bashkëpunimi:
“…Shqiptarët e Çamërisë ishin të vetmit që u masakruan, u përdhunuan, ju rrëmbye pasuria, u përzunë nga shtëpitë e tyre nën akuzën se ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve. Kjo akuzë kolektive për herë të parë në historinë e re të botës i ndodh një populli që të përbuzet kaq rëndë…Më poshtë do të sjellim fakte që bashkëpunëtorë të gjermanëve u bënë deputet, ministra dhe kryeministra dhe kryetar shteti të Greqisë të pas viteve 1945:
-Gjorgjio Mërkuri, kryetar i Partisë Nacional-Socialiste Greke, gjyshi i ish ministres Merlina Mërkuri.
-Gjeorgjio Simitis, babai i ish kryeministrit Kosta Simitis (1996-2004).
-Kostandin G.Karamanlis ka qënë bashkëpunëtor i gjermanëve në Selanik në vitet 1941-1945. Në dokumentin e CIA-s, 16 shtator 1962 thuhet se emrii tij ishte në listat e bashkëpunëtorëve të gjermanëve për përzënien e hebrenjve me pseudonimin ‘kryepeshkopi’. Kostandin Karamanlis ka qënë katër herë kryeministër i Greqisë 1955-1963, 1974-1980; në vitet 1980-1985 Kryetar i Greqisë dhe 1990-1995 president i Greqisë.
-Joanis Rrallis bp i gjermanëve dhe vdiq në burg. Djali i tij, Gjorgjios Rallis në vitet 1980 ishte kryeministër i Greqisë.
-Kostandin Micotaqis, kryeministër i Greqisë në vitet 1990-1993 ka bashkëpunuar me gjermanët. Është babai i Dora Bakojanisit dhe Qirjako Micotaqisit.
-Kosta A.Karamanlis në vitet 2004-2009 ka qënë kryeministër i Greqisë. Është nipi i Kostandin G.Karamanlis, bashkëpunëtor i gjermanëve…””[2].
Dhe si përfundim: “Genocidin grek kundër popullsisë shqiptare myslymane të Çamërisë e projektoi dhe e udhëhoqi Kisha Autoqefale e Greqisë””[3].
Pas gjithë këtyre fakteve, për ҫfarë i merrni shqiptarët zonja Manda, për budallenj, që të hanë këto turshitë tuaja të rregjura në kripë të servirura nga Kisha Ortodokse Greke. Keni bërë gabim që keni pranuar botimin në Shqipëri të veprës tuaj shtatanike. Gabim kanë bërë edhe botuesit në Shqipëri, që i kanë dhënë dritë jeshile kësaj vepre të infektuar me virusin e helenizimit, ku sharlatanizmat ‘shkencore’ adhamudhjane nuk i ha njeri. / 10 dhjetor 2018
——–
Fotografia është siguruar nga studiusi Arben Llalla, është bërë më 28 qershor 1944 në Paramithi, një ditë pas masakrës.
___________
SHQIPTARËT: ME ORIGJINË PELLAZGJIKE APO ME ORIGJINË HEBRAIKE
[1] Arben Llalla, “Kolaboracionistët grekë projektuesit dhe udhëheqësit e genocidit në Çamëri”, f, 116
[2] Arben Llalla, “Kolaboracionistët grekë projektuesit dhe udhëheqësit e genocidit në Çamëri”, f, 143-150
[3] Arben Llalla, “Kolaboracionistët grekë projektuesit dhe udhëheqësit e genocidit në Çamëri”, f, 121