Një fushatë e paprecedentë apologjetike për Serbinë që ka disa dobësi në planin diplomatik
Nga Shaban Murati
Shënim nga blloku diplomatik
Në datën 14 shtator në një intervistë me gazetën austriake “Die Presse” kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i bëri një mbrojtje tjetër Serbisë, mbrojtje e cila ka lënë gojëhapur ambasadat perëndimore në Tiranë:
“Nuk duhet të ushtrohet më presion ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Sanksione të tilla nuk janë të mundshme, sepse pa Rusinë Serbia nuk mund të mbijetojë. Për më tepër, qeveria dhe presidenti Aleksandar Vuçiç nuk do t’i mbijetonin politikisht sanksioneve kundër Rusisë. Serbia tashmë ka mbajtur qëndrim. Nuk duhet të harrojmë se Beogradi tashmë ka votuar tre herë kundër Rusisë në OKB”.
Është në zhvillim e sipër një fushatë e pazakontë diplomatike personale e kryeministrit shqiptar në mbrojtje të politikës së Serbisë dhe të presidentit serb, e cila ka shpërthyer prej disa muajsh në të gjitha daljet e tij ndërkombëtare dhe në të gjithë ofensivën e tij të organizuar mediatike me intervistat në shtypin francez, gjerman, etj.
Kulmi i avokatisë personale diplomatike të kryeministrit të Shqipërisë u arrit, kur vetë presidenti serb Vuçiç, i befasuar nga proserbizmi fanatik i Tiranës, njoftoi publikisht se kryeministri Rama e ka mbrojtur Serbinë në samitin e NATO-s. Çfarë mund të bëjë më shumë vetë Serbia dhe presidenti serb në planin diplomatik?
Një ambasador perëndimor në Tiranë shprehet se ministria e tij e jashtme po analizon se cilat mund të jenë arsyet e vërteta të kësaj fushatë të paprecedentë apologjetike për Serbinë nga ana e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili po vepron si ambasador i vullnetit të mirë i Serbisë në Perëndim.
Mbrojtja e re në 14 shtator e kryeministrit shqiptar për Serbinë dhe për presidentin serb erdhi në një moment kur vetë Vuçiç deklaroi në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Serbisë se ai ndodhet në një gjendje të pashpresë nga kërkesa ultimative, që i paraqitën atij në 9 shtator në Beograd sëbashku këshilltari diplomatik i presidentit francez Makron dhe këshilltari diplomatik i kancelarit gjerman Sholc, të cilët kërkuan me urgjencë që Serbia të vendosë sanksionet ndaj Rusisë dhe të njohë Kosovën.
Dhe në kohën që presidenti serb e ka në fyt litarin diplomatik perëndimor, ngrihet kryeministri i Shqipërisë dhe në vend të bashkohet me kërkesën franko-gjermane që Serbia të njohë urgjent Kosovën, i kundërvihet Europës dhe i kërkon të mos i bëjë presion Serbisë për vendosjen e sanksioneve antiruse.
Mbrojtja e re nga Tirana i jep zemër presidentit serb dhe e inkurajon atë në intransigjencën e tij antiatlantike dhe antishqiptare.
Burime diplomatike bëjnë të ditur se qendrimi i Tiranës kundër vendosjes së sanksioneve serbe ndaj Rusisë është pritur ngrohtë në Kremlin. Menjëherë brenda ditës në 14 shtator media proqeveritare ruse “Balkanist.ru”, e njohur për antishqiptarizmin e saj, i bënte jehonë deklaratave të Ramës në gazetën austriake, duke shkruar me entusiazëm që në titull: “Kryeministri i Shqipërisë ngrihet për Serbinë”.
Apologjia frenetike e kryeministrit të Shqipërisë për Serbinë dhe për presidentin serb ka disa dobësi në planin diplomatik.
Së pari, bie në kundërshtim me qendrimin dhe me interesat e NATO-s, të BE, të Kosovës dhe me interesat e vetë Shqipërisë.
Së dyti, nuk ka as edhe një shtet anëtar të NATO-s dhe as edhe një shtet anëtar apo kandidat të BE që t’i ketë kërkuar NATO-s dhe BE-së të mos i bëjnë presion Serbisë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Së treti, vetë presidenti serb Vuçiç nuk është mburrur kurrrë se Serbia ka votuar tri herë në OKB kundër Rusisë, siç po e mburr Rama poshtë e përpjetë në korridoret diplomatike dhe mediatike europiane. Presidenti serb e din mirë se çfaqja teatrale serbe në OKB nuk është e vërteta e politikës proruse të Serbisë.
Që nga 24 shkurti i nisjes së agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës e deri më sot Vuçiç nuk e ka dënuar kurrë ai vetë personalisht agresionin rus dhe Rusinë. Ndërsa kryeministri i Shqipërisë lavdëron nëpër gjitha takimet dhe gazetat europiane Serbinë se paska votuar tri herë në OKB kundër Rusisë, ja me çfarë lavdërohet vetë presidenti serb:
“Presidenti Vuçiç deklaron se Serbia nuk është bashkuar me asnjë nga 23 deklaratat e Bashkimit Europian kundër Rusisë”. 3 përballë 23!
(Burimi serb:
Në Shqipëri as pozita dhe as opozita nuk shqetësohen dhe as e vrasin mendjen përse kryeministri i Shqipërisë po vepron në arenën ndërkombëtare si ambasador i vullnetit të mirë i Serbisë.
Kryeministri shqiptar po manifeston dashuri pasionante politike dhe personale ndaj Serbisë dhe presidentit serb, nga e cila nuk duhet të habitemi që nesër nga Tirana t’i bëhet kërkesë Beogradit për bashkimin e Shqipërisë me Serbinë në një federatë, njësoj siç ndodhi në marsin e viti 1948. Emri është gjetur tashmë: Federata e “Ballkanit të hapur”.