ORGJIA E FITORES

Skicë-ese

ORGJIA E FITORES

(Mbi zulutë në mesin tonë)

Nga Rexhep Kasumaj, Berlin 20 tetor 2021

Filozofisë larglindore i kthehem shpesh për shfletim ndër vite.

Një nga mësimet që lexoja ishte se, njerëzit ndahen dy grupesh të mëdha: në ata që mendojnë dhe në ata që shpresojnë.

E çmuar si ar, por sërish, urtinë nuk do t’a pranoja të fundme e të prerë. Sepse, veç tjerësh, ka dhe një midisgrup të përhënur që nuk mendojnë ose shpresojnë, por ushtrojnë një zejë të veçantë larg mirëmendimit dhe shpresës!

Ata, ndaj, thjeshtë, dhelpërojnë!

Nuk duan, e janë larg si thundrat e deleve nga mendimi, sikundër nuk vuajnë aspak dhe shpresën kotnare.

Mendimi i Epërm ngjan kaq i lodhshëm e, shpesh, i padobi për ta, kurse shpresa, gati përherë, s’është veçse pritja e të mundurëve!

Kanë zgjedhur, apo, mbase, vetë Qielli ua ka zbritur poshtë pikëzat e ballsamta të dhelpërisë.

E, nëse Hess thotë se të gjitha ndjesitë, si yjet (smira, poashtu), janë të nëvojshme për jetën e këndejme, aherë pse të tilla, përveç virtyteve, t’mos jenë dhe veset tokësore?!

Mes tyre, natyrisht, më e gjithështrirë se asnjë tjetër, është dhuntia e bukur e dhelpërisë.

Mirëpo në shoqëritë e organizuara mondane, janë gjetur e stërholluar ligjësi e vegëleri që, bashkë, sistemojnë kulturën e kufizimit të petaleve helmuese të saj.

Ajo do çapojë ndër hone, skuta e rrugica të rravgimit njerëzor. Tek jetët e mëdha, e tek jetët e vogla. Do rrëzojë fate e do prishë lumnira gjithandej. Ditë e natë.

Porse, atje lartë ku fillojnë kufijtë e interesit publik, shtetëror e kombëtar, ka një humnerë që do t’a kalojë tepër vështirë. Ose kurrë, pa ndëshkimin e  vdekshëm që i arrinë gjithmonë.

Në shoqëritë a demokracitë defekte, ndërkaq, Naltmadhnia e dhelpërisë bën një trajektore krejt të kundërt. Jashtë Kohës së Botës ku gjerbë fatkeqësinë e vet.

E pra, ngjizet në vetë rrathët e lartë tempullorë, për të shkitur ngadalë, e ditën për diell, andej poshtë ku pengorja humnerore nuk ekziston dhe, si rrjedhojë, vepra e saj lulëzon e bëhet totale. Kapërthyese. Mpakëse si fryma e fundit.

Një gjithësi e së Keqes që rrotullohet pa orar rreth vetes së vet.

Dhe ishin disa orgji fitimtarësh të epruvetës e figurantë kalimtarë si hijet e muzgut, që do t’ma kujtonin këtë ndarje njerëzie me një suplement të lig.

E pra, një Orë Saturnalesh që gëzonte e ngërdheshte kundërshtarin e fismë dhe, sa çudi, të vetmuar.

Armikun, madje, gjaku i të cilit ushqente damarët e tokës mbi të cilën ata, ngjashëm me zulutë e Konicës, hidhnin vallen e errët të mjerimit njerëzor!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura