OSMAN OSMANI: KRIJIMI I LËVIZJES PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS (PKMLSHJ-LRSSHJ, 1975 – 1982) Pjesa e parë

Pashtriku, 1 prill 2021: «Në vitin 1981 u shtrua kërkesa për konstituimin e Kosovës në Republikë. Në prapavijën e kërkesës qëndronte besimi se problemi shqiptar në Jugosllavi esencialisht reduktohej në të drejtën për t’u konstituuar si plotësisht i barabartë me të tjerët, si shtet me të gjitha të drejtat idividuale dhe kolektive që i gëzonin republikat (shtetet) në bashkësinë e republikave (shteteve) Jugosllave. Besohej se e drejta e konstituimit të Kosovës në Republikë, logjikisht do të duhej t’i paraprinte bashkimit të kombit dhe njëherit do të ishte në funksion të stabilitetit politik të Jugosllavisë dhe të Ballkanit në përgjithësi.»
Ukshin Hoti, FILOZOFA POLITIKE E ÇËSHTJES SHQIPTARE, Tiranë, 1995


“Vlen të thuhej se në këtë periudhë u formua organizata e parë shqiptare PKMLSHJ, që theu shabllonet e më hershme të ilegales duke kërkuar republikën shqiptare në kuadër të Jugosllavisë. Po ashtu, gjatë kësaj faze do të shtrohej si imperativ i kohës një çështje shumë e rëndësishme për ilegalen shqiptare, siç ishte ai i unifikimit të organizatave e grupeve ilegale në një lëvizje unike … “
Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha, PROGRAMET POLITIKE TE LEVIZJES KOMBETARE SHQIPTARE 1878-1990, Instituti i Historise, Prishtine, 2013


… nëse barazia dhe republika nuk arrihen në rrugë e me mjete paqësore dhe nëse gjendja përshkallëzohet deri tek lufta e armatosur, atëherë nuk ka kuptim bashkëjetesa në një shtet të tillë, siç është Jugosllavia, dhe në një rast të tillë ne shqiptarët do te angazhohemi për jetësimin e aspiratës së kamotshme shqiptare – bashkimit kombëtar!
Një nga vendimet e aprovuara në mbledhjen konstituive të Organizatës në vitit 1978


Osman Osmani, Zvicër, me 30 mars 2021
Disa kuadro shqiptare në Ushtri, Sigurim, Polici, në Politikë, në Universitet, në Shkolla, në Ekonomi etj., që i njihnin pikëpamjet e njëri-tjetrit, ngase i takonim kryesisht një gjenerate që demonstratat e vitit 1968 i përjetoi në rininë e hershme dhe që i kishin të freskëta kërkesat që vetëm pjesërisht u realizuan, nuk ishin të kënaqur me pozitën politike të popullit shqiptar në ish- RSFJ, andaj kërkonin rrugë për të shtyer më tej çështjen e avancimit të politik e shtetërorë-juridik të shqiptarëve në(n) ish Jugosllavi.

Përfundimisht ideja për krijimin e PKMLSHJ erdhi menjëherë pas Kongresit të 10 të LKJ ku pritej të shtrohet për zgjedhje edhe kërkesa e fundit e parealizuar e demonstratave të vitit 1968 për krijimin e Republikës së Kosovës.
Pasi populli shqiptar në ish- RSFJ nuk kishte një Organizatë Politike unike që këtë çështje të trajtonte si unike u pa si e domosdoshme se Kosovës i duhej një Parti Politike e pavarur dhe e barabartë me Partitë Politike të Popujve tjerë në ish- RSFJ dhe të pavarur e të barabartë edhe me Partinë e Punës së Shqipërisë (PPSH). PPSH e kufizonte aktivitetin e vet politik brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe çfarëdo angazhimi i saj rreth çështjes së Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare ishte përzierje në punët e brendshme të një shteti tjetër. Angazhimi i Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës kufizohej vetëm në të drejtat e minoriteteve që ishte tepër pak për të shëruar plagën e madhe të Kosovës, e cila ishte gjysma e Shqipërisë. Nuk durohej ndarja e dyfishtë e Kosovës: një herë e ndarë nga shteti amë dhe pastaj e ndarë dhe nën sundimin e Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi. Kjo jo vetëm që shkaktonte diskriminim nacional e politik, por kjo pozite e situatë mundësonte edhe shfrytëzimin dhe diskriminimin e vazhdueshëm ekonomik.
BËRTHAMA E PARË
Bërthama që i parapriu Organizatës së PKMLSHJ ishte e përbërë nga njerëz të pa kënaqur me pozitën politike të popullit shqiptar në ish-RSFJ. Populli shqiptar në ish-RSFJ edhe pse paraqiste një tërësi kompakte kombëtare e që jetonte po ashtu në një territor kompakt etnik në një numër i cili përkah madhësia ishte i treti në ish-RSFJ, ai gjendej i ndarë dhe nën sundimin e tri republikave sllave. Sundim ky, i cili edhe në aspektin ekonomik edhe atë politik ishte i përcjellë me tërë karakteristikat që e përbëjnë një okupim klasik kolonialist, i cili ushtrohej përmes të autonomistëve të korruptuar e të mbuluar me demagogjinë e internacionalizmit proletar.
Ata që duhej të vepronin në këtë drejtim: LK e Kosovës, Akademia e Shkencave e Kosovës, institucionet dhe përfaqësuesit e Kosovës në Federatë nuk vepronin, prandaj u vendosë që të veprohet në këtë drejtim me mundësitë ekzistuese dhe në formë dhe me mjete që do të i caktoheshin vet.
Ky rrymim mësojë nga përvoja e hidhur grupeve ilegale të gjeneratave të mëparme se si nuk duhet vepruar, dhe si duhet vepruar. Besojmë se nga gabimet e kësaj gjenerate do të mësojnë gjeneratat e më pasme dhe çdo gjeneratë do të bëjë një hapë përpara dhe do të arrijë një sukses më shumë se gjenerata e më parme.
MËSIMET NGA PËRVOJA E ILEGALES
Edhe themeluesit e bërthamës së parë organizative të PKMLSHJ rrjedhin nga familjet që i takonin rretheve të përafërta me qarqet patriotike të Kosovës. Kjo mundësoi që para se të bëhen hapat e publikimit të Organizatës dhe të qëllimeve të saja, të: analizohen veprimet e grupeve ilegale; arsyet pse ato zbuloheshin aq shpejtë?; pse nuk ishin në gjendje që të ruajnë kontiunitetin e veprimit për kohë ma të gjatë?; pse vazhdimisht krijoheshin grupe ilegale me emra të ri e me program të njëjtë?; e pikëpyetje të tjera.
Së pari këto analiza vërtetuan se grupet ilegale shqiptare udhëhiqeshin nga patriot e atdhetarë të mirë, por profesionalisht të papërgatitur për të hyrë në konflikt me një shtet, i cili deri në perfeksion i kishte arsimuar profesionalisht njerëzit e shtetit që do të luftonin ilegalen. Mekanizmat profesional të policisë publike, të shërbimeve sekrete, të shërbimeve të propagandës speciale dhe asaj publike, organet politike, organet gjyqësore, perfeksionimi i metodës, taktikës dhe të teknikës së zbulimit, etj. Pushtuesi me këto përparësi e kishte të lehtë të hidhte njerëzit e vet brenda organizatave ilegale dhe të godiste ilegalen edhe nga brenda edhe nga jashtë. Pra grupet amatore ilegale të Kosovës po ndesheshin vazhdimisht me mekanizma profesional shtetëror dhe ishte e logjikshme pse ato beteja ishin të humbura akoma pa filluar.
Pra përfundimi se puna e organizatës PKMLSHJ duhet të ketë sa më shumë profesionalist dhe ata të veprojnë në prapavijë të armikut, duke i përdorur kundër tij, gjegjësisht duke përdorur metodat që armiku përdorte kundër ilegales. Qëllimet nuk mendohej të arriheshin shpejtë, por synohej që të veprohet vite me radhë në ilegale dhe që brenda organeve shtetërore të krijohen pozicione të fuqishme. Në këtë drejtim orientimi ishte, depërtimi i kuadrove të organizuara ose indoktrinimin e kuadrove që veç ishin duke punuar në kuadër të organeve shtetërore e politike, e që kishin sjellje të mira njerëzore dhe patriotike.
Si kriter i angazhimit në PKMLSHJ ishte edhe kushti i konspiracionit total. Për t’u arritur kjo organizata e PKMLSHJ u përcaktua të zgjerohej vetëm me njerëz që mes veti njiheshim ma shumë se 10 vite ose që ishin në mes veti në lidhje familjare, farefisnore e miqësore. Bie fjala nga familja e Maqedoncëve, 4 veta ishin anëtar të PKMLSHJ, ndërsa e tërë familja e mbështeste dhe e përkrahte PKMLSHJ me të gjitha mjetet. Kështu ishte me familjen e Bahtir Ahmetit, me familjen e Abdullah Prapashticës, Faton Topallit, Vahedin Azemit e të shumë aktivistëve të tjerë. Pos tjerash kjo metodë e punës mundësonte krijimin e kushteve për të marr apo për të rrënuar kalanë nga brenda.
Pasi që ndërtimi i një organizate masovike në kushte të ilegalitetit nuk ishte i mundshëm, PKMLSHJ fillimisht arriti t‘i plotësonte vetëm kushtet minimale për veprim. Bërthama e saj u krijua në vitin 1975. Nga ky organizim u kalua nëpër rrugën normale të krijimit të organizatave politike që nga bërthama e parë organizative, përmes krijimit të degëve dhe resorëve deri në nivel që ajo të mund të filloi të veproi si organizatë.
Kështu pas vuarjes së themeleve organizative, Partia Komuniste marksiste – leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ) u themelua në vitin 1978 në Prishtinë. PKMLSHJ nxori Dokumentet e Partisë në një përmbledhje e cila titullohej TEORIA DHE PRAKTIKA E REVOLUCIONIT. Në përmbajtje të këtij materiali ishte edhe Programi, Statuti dhe Instruksionet për punë praktike. Ato si tërësi përbënin Platformën Politike për Republikën e Kosovës, sepse qëllimi kryesor i ekzistimit të PKMLSHJ ishte krijimi i kushteve për arritjen e pavarësisë të popullit shqiptar në RSFJ-në e atëhershme. Pra pavarësinë nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, si dhe krijimi i Republikës Shqiptare, të barabartë me Republikat tjera në RSFJ. Dalja publikisht me Programin e PKMLSHJ-së, përgatiti popullit që të mobilizohet rreth kërkesës për Republikë, kurorëzoi përpjekjet për bashkimin e rrymave politike rreth kësaj kërkese dhe fillojë ushtrimit të presionit politikë ndaj federatës dhe të njësive që e përbënin atë me qëllim të nisjes së procesit në drejtim të realizimit të statutit të Republikës për popullin shqiptar në ish-RSFJ.
BARTËSIT KRYESORË TË AKTIVITETIT
Ndër bartësit kryesor të aktivitetit të PKMLSHJ-ës, ishin: Abdullah Prapashtica, Rexhep Maqedonci, Osman Osmani, Faton Topalli, Fatmir Bajrami, Osman Maqedonci, Mr. Halil Alidema, Fatmir Grajqevci, Adem Prapashtica, Skender Ibishi, Nysret Ahmeti, Ramush Topalli, Lumnije Azemi, Kadri Cakiqi, Lutfi Maqedonci, Martin Quni, Bahtir Ahmeti, Adem Dërvisholli, Vahedin Azemi, Shyqeri Gjinolli, Kadrije Gashi, Afrim Abazi (dëshmor), Fatime Gjinolli, Skender Hajdari, Nazim Azemi, Fahrije Osmani, Zyrafete Krasniqi, Nazmije Syla, Fehmi Hajrullahu, Rafiz Halili, Sejdi Sejdiu e shumë të tjerë .
PKMLSHJ ishte e organizuar në sistemin e dhjetësheve. PKMLSHJ angazhohej për ngritjen e statusit të shqiptarëve nga pakica kombëtare në komb, bashkimin e krahinave shqiptare në RSFJ dhe krijimin e republikës në kuadër të kësaj federate. Sistemi i brendshëm shtetërorë, do të rregullohej përmes kombinimit të kushtetutë së RSFJ dhe RPSSH-ës. Realizimi i këtij qëllimi parashihej përmes tri fazave:
1. Përmes kërkesave drejtuar udhëheqjes legale të Kosovës, dhe udhëheqjes federale të kërkohej në rrugë paqësore arritja e pavarësisë dhe barazisë ekonomike, politike dhe territoriale përmes krijimit të republikës shqiptare në kuadër të federatës;
2 me presion publik si demonstratat, grevat, e tubimet e ndryshme;
3. Përmes luftës së armatosur e cila nuk do ta kishte më për qëllim republikën në kuadër të federatës.
PKMLSHJ në periudhën prej 01.03.1979 deri me 5 mai 1980, kërkoi disa herë me shkrim para organeve krahinore dhe atyre federale realizimin e kërkesës demokratike për republikë.
Me 10.12.1980 organet e Kosovës dhe ato federale u paralajmëruan se nëse nuk do zgjidhnin çështjen e Republikës së Kosovës, PKMLSHJ brenda 6 muajve do të organizonte demonstrata. Njëkohësisht, përmes dekretit u dha urdhri që brenda vitit 1981 të kryheshin detyrat programore në drejtim të organizimit të demonstratave.
TRI FAZAT E AKTIVITETIT
Në parashikimet dhe përpjekjet e saja, PKMLSHJ mendonte që ngjarjet ti zhvillojë në formë të shkallëzuar të tri fazave:
1. Faza e parë përbëhej nga veprimtaria politike e shtruarjes teorike të kërkesës për Republikën e Kosovës përpara organeve federative dhe përpara LKJ me theks që të bëhet presion që LK e Kosovës të shtrojë këtë kërkesë në rrugë zyrtare dhe në rrugë legale;
2. Faza e dytë përbëhej nga organizimi i kombinuar i presionit politikë për mes të peticioneve, memorandumeve, shkresave nga meset e ndryshme dhe organizmi i marshimeve, grevave dhe demonstratave me kërkesën për Republikën e Kosovës në suaza kombëtare, federative dhe ndërkombëtare dhe së fundi;
3. Faza e tretë në të cilën parashihej shtruarja e ultimatumeve që të njihet Republika e Kosovës në kuadër të federatës jugosllave dhe nëse edhe atëherë nuk vjen përgjigjja pozitive atëherë të shpallet pavarësia e Kosovës nga ish-RSFJ dhe të shpallet bashkimi me Shqipërinë, me paramendimin që kjo të bëhet edhe me përdorimin e mjeteve përkatëse.
Mosrespektimi i këtyre fazave u bë për shkak se pushteti e kishte parasysh programin e PKMLSHJ dhe se ai donte konfliktin menjëherë, sepse e dinte se kur ishte fjala për përdorimin e dhunës raporti i forcave ishte në anën e tij, ndërsa në rrafshin politik do të pësonte disfatë deri në kapitullim.
PKMLSHJ – ORGANIZATORE E KËRKESËS PËR REPUBLIKË
Në demonstratat 11 dhe 26 marsit, si dhe ato të 1,2 e 3 prillit të vitit 1981 pjesëtarët e PKMLSH morën pjesë aktive në organizimin e tyre dhe plasimin e platformës dhe kërkesave të PKMLSHJ-ës. PKMLSHJ ishte e vetmja organizatë politike që përmes programit të saj shtronte çështjen e republikës. Programi i saj partiak u përkrah nga populli dhe u shndërrua në kërkesë gjithëpopullore. Me 14 prill 1981 PKMLSHJ i dërgon një Notë KQ të LKJ-ës dhe qeverisë jugosllave me ç‘rastë morri përsipër përgjegjësinë për organizimin e demonstratave. Me 14 gusht 1981 PKMLSHJ i dërgoi një letër KQ LKJ-ës dhe qeverisë jugosllave duke ftuar LKJ-ën për bisedime si partner dhe parti të barabarta. Ajo publikoi shumë materiale propagandistike si „Teoria dhe praktika e revolucionit“, „Instruksione për veprim praktik“, Revistat “Revolucioni” dhe “Zëri i Atdheut”, etj.
MAJTIZMI I PKMLSHJ
Përcaktimi për konceptim e majtë ideologjik u bë për disa arsye. Së pari Kosova gjendej brenda zonës gjeografike ku të gjitha shtetet për rreth saj ishin me sistem socialist, duke e përfshirë edhe RSFJ, brenda së cilës ajo ishte dhe edhe shteti amë kishte rendin socialist. Pos kësaj në disa vende të Evropës perëndimore partitë socialiste ishin ose në pozitë ose ishin opozita me e fuqishme në ato vende. Edhe sikur shqiptarët dhe organizatat e tyre kombëtare të ishin me orientime të djathta dhe të provonin që të veprojnë nga ato pozita, nuk do të hasnin në mirëkuptim e përkrahje te populli në Kosovë dhe shteti shqiptar. Këtë e vërteton fakti se shteti shqiptar nuk mbështeste organizatat e djathta. Mirëpo, përcaktimi për të vepruar nga pozitat politike të majta nuk ishte vetëm çështje taktike, por edhe rezultat i bindjeve politike të krijuara në ato rrethana që u rritën dhe u shkolluan protagonistët dhe aktorët e këtij organizimi. PKMLSHJ e ndjente veten si një parti e cila nuk identifikohet me Partitë Komuniste të kohës për shkak të „modës„ e ku e „gjithë Partia dhe gjithë populli ishin vu në shërbim të marksizëm – leninizmit„ por përkundrazi PKMLSHJ synonte që marksizëm – leninizmin të vejë në shërbim të popullit punonjës sepse kështu e kuptonte idenë e lëvizjes punëtore, të njohur si majtizëm. Për PKMLSHJ ekzistonte një ligjshmëri e marrëdhënieve dhe të zhvillimit shoqëror, e cila duhej të kalonte pa tjetër nëpër faza e etapa të caktuara për të arritur qëllimi i caktuar.
FORMIMI I ORGANIZATËS SË RINISË SHQIPTARE NË KUADËR TË PKMLSHJ
Në vitin 1979 nga të rinjtë në radhët e PKMLSHJ në Prishtine nën drejtimin e Faton Topallit dhe Fatmir Bajramit bashkë me Fatmit Grajqevcin, Selatin Zenelin dhe Lutfi Maqedoncin u themelua Organizata e Rinisë Shqiptare të Kosovës, me qendrat në Prishtinë dhe Ferizaj e cila më pas ka vepruar intenzivisht në propagandimin e kërkesës për Republikë brenda radhëve të rinisë shkollore.
DËSHMI MBI AKSIONET, AKTIVITETET E VEPRIMTARINË KONKRETE
Fakte dokumentuese mbi aktivitetin e PKMLSHJ gjatë një periudhe të caktuar, pa përfshirë të gjitha aktivitetet tjera ilegale të aktiveve dhe qendrave tjera të veprimit të PKMLSHJ si dhe aksionin e parë qendror “Pyetja” dhe “Anketa” që shërbenin për sensibilizim dhe krijimin e opinionit mbi nevojën e arritjes së barazisë kombëtare e shoqërore, gjegjësisht avancimin e pozitës së shqiptarëve në(n) ish-RSFJ si kombësi në komb dhe të avancimit të pozitës së Krahinës Autonome të Kosovës në Republikë të shqiptarëve skur i kishin edhe të gjitha kombet tjera të federatës.
Aksionet konkrete të PKMLSHJ ishin: shpërndarja e trakteve dhe pamfleteve; shkrimin e parullave; dërgimin e letrave politike. Materialet e PKMLSHJ ishin: Programi dhe Platforma e PKMLSHJ; gazeta „Revolucioni“; gazeta „Zëri i Atdheut“; Teoria dhe Praktika e Revolucionit; Shtojca speciale; Lista e parullave revolucionare të nënshkruara nga Shtabi i demonstratave, që u shpërndanë më 28 mars, si dhe më 1, 2 dhe 3 prill 1981; Dekreti Nr. 1 dhe Nr. 2; NOTA e 14 prillit 1981; Vërejtja. Veprimet dhe aktivitetet tjera që PKMLSHJ ndër të tjera kreu përmes rrugës zyrtare postare që nga fillimi i vitit 1979: me 1 Mars 1979, Shkresën e përpiluar më herët „Informata e grupit nga Obiliqi“ ia dërgojë Kryetarit të Komitet Krahinorë të LK të Kosovës; më 27 mars 1979, „Informata mbi situatën politike dhe ekonomike“ drejtuar Kryesisë të KK të LKK; më 15. mars 1980, „Telegrami“ ia drejtojë Kryesisë së KQ të LKJ; më 1 nëntor 1980, Letra e KQ të PKMLSHJ drejtuar Kryetarit të Kryesisë së KSA të Kosovës; më 30 nëntor 1980, Letra e Komitetit Qarkor të PKMLSHJ për krahinën shqiptare nën pushtetin e Malit të Zi, drejtuar Kryetarit të Kryesisë së KSA të Kosovës; Në gjysmën e dytë të Nëntorit 1980, në formë Broshure u dërgua „Programi dhe Statuti PKMLSHJ“ në 147 faqe; Në dhjetor të vitit 1980, po e njëjta u dërgua në adresë të Kryesisë të KK të LK të Kosovës
VEÇANTIA NË PLATFORMËN PËR REPUBLIKË
Është për t’u theksuar dhe me këtë rast vërtetohet edhe njëherë se PKMLSHJ ishte e vetmja forcë politike në këtë kohë që vepronte në formë të organizuar për shtruarjen e kërkesës për Republikën e Kosovës, dhe se me 10 dhjetor 1980 në kuadër të Udhëheqjes së PKMLSHJ u morr vendim që të formohet Shtabi për Organizmin e Demonstratave gjatë vitit 1981. Me këtë rast u hartua një letër e cila iu drejtua Udhëheqjes së LK të Kosovës, në të cilën atyre ju bë me dije se po që se ata nuk marrin iniciativën që të shtrohet kërkesa për Republikën e Kosovës përpara organeve federale, PKMLSHJ do t‘i organizoi demonstratat me këtë kërkesë. Pos kësaj në këtë shkresë u tha se PKMLSHJ nuk ka pretendime për pushtet dhe se për kryetar të përjetshëm në krye të Republikës propozoi Fadil Hoxhën.
Megjithatë, organizimi i demonstratave nga ana e PKMLSHJ parashihej të realizohej në fillim të vitit shkollor 1981/82 dhe që ato të mbahen nën kontroll të disiplinuar në një afat sa ma të gjatë, gjegjësisht deri sa të fillojë dialogu zyrtar mbi njohjen e Republikës së Kosovës. Kjo, si formë e ushtrimit të një presioni politikë në suaza ligjore, e që si e tillë, çështja e Republikës nuk vinte në kundërshtim me rendin kushtetues të ish-RSFJ. Por, për shkak të gjendjes së elektrizuar politike nga shpërthimet e vazhdueshme të pakënaqësisë gjatë vitit 1979 – 80 në disa ndërmarrje e xeherore nëpër Kosovë si dhe në disa fakultete, disa herë në Qendrën e Studentëve e në Konviktet e shkollave të mesme, në kreun e PKMLSHJ-së u parapa mundësia që po që se ndodhë ndonjë shpërthim masovik i pakënaqësisë para kohës që PKMLSHJ kishte planifikuar demonstratat, atëherë të veprohet që atyre mundësisht menjëherë t‘u epet kursi drejtë kërkesës për Republikën e Kosovës, dhe mundësisht situata të mbahet nën kontroll.
DISA NGA VEPRIMET E PKMLSHJ ME 11 DHE 26 MARS 1981
Fakti se PKMLSHJ në strukturat legale kishte njerëzit e vet, deri edhe në Shërbim të Sigurimit të Shtetit të ngarkuar edhe me Universitetin e Kosovës, krijojë një lehtësim të madh për PKMLSHJ për ta vu në zbatim strategjinë e vet të veprimit drejtë Republikës se Kosovës. Deri sa njerëzit e PKMLSHJ-së ishin aty, pushtuesi nuk kishte mundësi t‘i parandalonte ngjarjet që pasuan, sepse ajo nuk kishte informata as vlerësime reale të situatës.
PKMLSHJ më pas përmes drejtuesve, aktivistëve dhe anëtarëve të saj morri pjesë aktive në Protestën e 11 marsit 1981 dhe tentoje te plasoje kërkesën për Republikë, ndërsa në Demonstratat e 26 marsit, 1, 2 e 3 prillit 1981 në Prishtinë arriti me ua dhënë edhe rrjedhën atyre, si dhe morri pjesë aktive në organizimin e demonstratave tjera që pasuan edhe në qendrat tjera të Kosovës.
11. MARS 1981
Kuadrat e PKMLSHJ edhe me 11 mars 1981 kanë tentuar që protestën studentore ta orientojnë politikisht duke e provuar të e lansojnë kërkesën për Republikën e Kosovës. Pos meje me 11 mars 1981 në mesin e studentëve ishin edhe dy anëtarë tjerë (Adem e Zeqir Prapashtica) të Udhëheqjes së PKMLSHJ që njëkohësisht ishin edhe anëtarë të Shtabit Organizativ për Demonstrata të caktuar me 10 dhjetor 1980 në mbledhjen e udhëheqësisë ma të ngushtë të PKMLSHJ në Prishtinë. Pranë tyre prezent ishte edhe Fatmir Grajqevci me një grup simpatizuesish nga Prishtina.
Në mes 11 e 26 marsit 1981 nga ana e drejtuesve dhe aktivistëve të PKMLSHJ-së është bërë fare pak gjumë. Ditën duhej vazhdimisht të vizitoheshin tërë fakultetet, qendra e studentëve dhe shkollat e mesme. Të bëhej vlerësimi i gjendjes me drejtuesit dhe të mbaheshin kontaktet me Shtabin për Demonstrata dhe shkëmbeheshin informatat me gjendjen në teren. Në ndërkohë duhej kryer veprimet e zakonshme, që të lihej përshtypje normale, ndërsa në orët e vona të natës një pjesë e Udhëheqjes së PKMLSHJ takohej vazhdimisht në bazën e saj ku ishte e vendosur edhe shtypshkronja e partisë. Çdo ditë përsëritej gati i njëjti ritëm.
25/26 MARS 1981
Me 25 mars 1981 në qendrën e studentëve në Prishtinë nga studentët e rrezikuar për t’u burgosur për shkak të protestës së 11 marsit u vendos që të nesërmen të organizohet një Miting ku kërkesë kryesore s‘do të ishte dhënia e garancive për mos arrestim të mëtejmë të pjesëmarrësve në protestën e 11 marsit. Kështu me 26 mars 1981 u dha rasti i volitshëm dhe ai duhej të shfrytëzohej mirë. Në mëngjes anëtari i Shtabit Organizativ për Demonstrata me një ekip të aktivistëve hyri në mesin e studentëve. Ata (Osman Osmani bashkë me shokët e tij që nga shkolla e mesme Adem Krasniqi e Osman Bytyqi, pastaj Adem Prapashtica, Nazmije Syla e Fahrije Osmani me shokë e shoqe të tyre, etj.) shumica aktivistë e simpatizantë të Organizatës edhe vet ishin studentë, për një kohë të caktuar krijuan atmosferën e duhur edhe e realizuan detyrën e vet me sukses. Ata ishin konspirativ dhe aq sa mundën pa u eksponuar personalisht lansuan kërkesën për Republikën e Kosovës dhe qëndruan në mesin e studentëve derisa demonstrata u sulmua dhe u shpërnda nga Njësia Speciale e Beogradit. Në ditët që pasuan në rrugët e Prishtinës po zhvilloheshin demonstratat nga ma të mëdhatë deri atëherë, tani me qytetarë kryesisht prishtinas, sepse studentët dhe shkollarët e shkollave të mesme ishin tërhequr në shumicë nga kryeqyteti për në provincat nga vinin.
Ngjarjet e natës së 25 dhe të mëngjesit të 26 marsit 1981 nuk u shkëputën fare as në Qendrën e Studentëve e as në strukturën e institucioneve Komunale të LK të Kosovës, në krye me Asllan Fazlin, që po e përpunonte strategjinë politike për mëngjesin e 26 marsit 1981. SKPB i Kosovës dhe SPB të Prishtinës ishin angazhuar menjëherë me forcat e veta të armatosura rreth Qendrës së Studentëve. Milicia e postëkomandave nga të gjitha qendrat e Kosovës në diskrecion u bashkëngjitë atyre të kryeqendrës dhe ashtu të strukturuar në rrugët anësore rreth Qendrës së Studentëve po pritnin mëngjesin.
Gjatë 26 marsit 1981 angazhimi konkret rreth dhënies kahe atyre dhe shkruarja e parullave nëpër çarçafë (shtretërish) që shërbyen si transparente.
Më 1 prill 1981 shpërndarja e „Lista e parullave revolucionare“ , të cilat duhej brohoritur gjatë demonstratave, si dhe nëpër rrugët dhe në qendër të Prishtinës u shkruan parulla për Adem Demaçin.
Deri më 14 prill 1981, në nëntë raste shpërndarja e pamfleteve, trakteve revistave dhe shkresave dhe letrave të ndryshme edhe përmes postës (Në mes tjerash edhe SHKRESA drejtuar Sekretariateve Komunale dhe atyre Krahinore).
Letrat e PKMLSHJ janë adresuar në adresë të Titos, Fadil Hoxhës, Mahmut Bakallit, Xhevdet Hamzës, Ali Shukriut etj., si dhe në emër të institucioneve, varësisht nga kompetencat e instancave. PKMLSHJ ka biseduar edhe me kuadro tjera të LK për angazhimin e tyre në PKMLSHJ dhe në shumë raste është hasur në mirëkuptim. Ka pasur raste që nuk kanë pasur guxim që të angazhohen, por megjithatë e kanë ruajtur konspiracionin rreth PKMLSHJ dhe kanë mbetur vetëm simpatizues ose dhe këshilltarë për çështje të ndryshme. Por, ka pasur edhe intelektual të tillë që na kanë dëshpëruar fare duke u bërë vegla të Azem Vllasit e Rrahman Morinës dhe që kanë marrë pjesë aktive në diferecimin e kolegëve të tyre dhe janë angazhuar kundër kërkesës për Republikën e Kosovës.
Në nivel udhëheqësish të PKMLSHJ, pavarësisht se nga kush ka ardhur propozimi apo projekti i ndonjë letre a dokumenti, ato dokumente janë konsideruar si të përbashkëta, Nganjëherë i ka shkruar Abdullah Prapashtica, Osman Osmani me Nysret Ahmetin, Martin Quni, apo ndonjë tjetër. Instancat e ndryshme të PKMLSHJ kanë pasur të drejtë të trajtojnë probleme të ndryshme në suaza të programit të saj, dhe nuk kanë pasur nevojë të konsultojnë udhëheqjen e PKMLSHJ, sepse e kanë pasur pëlqimin programor për punë me vetiniciativë, prandaj nuk dihet gjithmonë saktësisht se kush janë autorë të të gjitha dokumenteve. Edhe pse PKMLSHJ ka pasur vetëm një arkiv, ato dokumente gjenden së paku në pesë arkiva të Beogradit, kështu që ato dokumente herët a vonë mund dhe duhet t‘i vihen opinionit në dispozicion.
– VIJON –

_____________________

OSMAN OSMANI: KRIJIMI I LËVIZJES PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS (PKMLSHJ-LRSSHJ, 1975 – 1982) Pjesa e parë
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11091
***
OSMAN OSMANI: KRIJIMI I LËVIZJES PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS (PKMLSHJ-LRSSHJ, 1975 – 1982) Pjesa e dytë
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11094

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura