PASHTRIKU: JAVA E UKSHIN HOTIT (UKSHIN HOTI – NUK I PËRKET HARRESËS!)

(Pashtriku.org, 11 maj 2012) – Duke pasur parasysh injorimin dhe mohimin e Ukshin Hotit, (të këtij pesonaliteti të shquar të lëvizjes sonë kombëtare), për 13 vjet rresht nga institucionet e Kosovës, në këtë përvjetor – portali pashtriku.org, ditët nga 11 – 16 maj 2012 i ka shpallur si: ‘JAVA E UKSHIN HOTIT’ me moton ‘UKSHIN HOTI – NUK I PËRKET HARRESËS!’. Qeveria e Kosoves dhe institucionet tjera vendore, për 13 vjet rresht heshtën, bën shumë pak (për të mos thënë asgjë), në ndriçimin e fatit të këtij personalitetit LAPIDAR të kombit tonë, ashtu sikurse nuk u interesuan seriozisht, për zbardhjen e fatit të rreth 2000 shqiptarëve tjerë të pagjetur, trupat e të cilëve edhe sot e kësaj dite ndodhen diku në varrezat masive në Serbi. Andaj Pashtriku.org, gjatë kësaj jave do t’ia kushtoj Ukshin Hotit (me shkrime, studime, kujtime etj), dhe ky veprim yni le të shërbej si THIRRJE e POROSI për institucionet e Kosovës, se UKSHIN HOTI vërtet nuk i përket HARRESËS, ai është i GJALLË në mesin e të gjallëvet, duke e sfiduar PËRJETËSISHT VDEKJEN!
     Më 16 maj, bëhen 13 vjet që nuk dihet asgjë për fatin dhe vendndodhjen e Ukshin Hotit, të këtij kolosi të madh të mendimit politikë shqiptar. 13 vjet më parë, (më 16 maj 1999), Ukshin Hoti, derisa ishte në Burgun e Dubravës, papritmas pranon një vendim “Reshenje” në çirilicë, nr. 24/2241/05 të nënshkruar nga drejtori i burgut, Aleksandër Rakoçeviq. Në këtë vendim thuhet se “….i denuar Ukshin Hoti….lëshohet me kusht…” !!! nga burgu, pas mbajtjes së dënimit prej pesë vjetësh, që ia kishte shqiptuar gjykata serbe në Prizren në shtator të vitit 1994. (Shikoni VENDIMIN: https://pashtriku.org/ngarkimet/galeria/m/g_1336864149.jpgPas përfundimit të luftës, shokët e burgut që ishin ndarë për herë të fundit me Ukshin Hotin, kanë deklaruar se ishte ditë e diele (një ditë e pazakontë për t’u liruar nga burgu) kur baca Ukë (kështu e thërrisnin ata) ndërmjet orës 10 – 11 të paradites, i shoqëruar nga tre punëtorë të sigurimit serb, është nxjerrë nga ambientet e brendshme të burgut të Dubravës. Dhe, pas këtij momenti, sot e atë ditë, nuk dihet asgjë për vendndodhjen e këtij intelektuali, politologu e atdhetari të shquar.

___________________________________

__________________________________

     KU ËSHTË UKSHIN HOTI? A ËSHTË GJALLË APO I VDEKUR UKSHIN HOTI? – pyesin tashmë 13 vjet shqiptarët! Dhe deri më sot, askush s’ka dhënë një përgjigje të sakt për fatin e tij, ndërkohë që për këtë rast janë thurur parreshtur shumë spekulime, madje ka pasur edhe prononcime publike se Ukshin Hoti është gjallë, dhe se ai po mbahet në burg shtëpiak, për ‘kusuritje politike’ etj.etj. Pas përfundimit të luftës, familja e Ukshin Hotit, veçanërisht motra e tij Myrvetja ka trokitur në të gjitha dyertë e partive politike dhe të institucioneve të Kosovës, dhe ka kërkuar zëshëm ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit. Në të gjitha takimet (që ka pasur motra Myrvete me politikanët tanë), i është premtuar, se, çështjen e Ukshinit do ta ngrisin si temë në çdo takim zyrtar me faktorët e huaj, për ta detyruar Serbinë që të zbardhë fatin dhe vendnodhjen e tij. Por, për fat të keq, gjer më sot asnjë premtim i dhënë nga politikanët – në pozitë dhe opozitë, nuk është mbajtur.
Çuditërisht, për 13 vjet rresht, kjo kast politikanësh rrallë folën (jo se harruan të flasin) për Ukshin Hotin. Dhe, kjo heshtje për një personalitet si Ukshin Hoti, shpërfaq një indiferentizëm të pashembullt. Në qershor 1999 intelektuali i shquar Moikom Zeqo, në një apel drejtuar opinionit publik, jo rastësisht ka thënë, se: “indiferenca (për Ukshin Hotin) është kriminale. Indiferenca nuk është gjë tjetër veçse pajtim me torturuesit dhe ndoshta me vrasësit e tij”. Ukshin Hoti nuk i përket harresës. Ai është në vetë thelbin e kujtesës së kombit. Ukshin Hoti nuk mund të vdesë dhe në të vërtetë nuk ka për të vdekur kurrë. Qenia e tij intelektuale është e pashlyeshme dhe është prezent kudo. Kosova dhe kombi shqiptar kanë nevojë urgjente për mendimin e Ukshin Hotit. Ukshin Hoti sakrifikoi gjithçka dhe askush nuk ka të drejtë të jetë mosmirënjohës, të mos ketë respekt apo të mos përkulet me nderim përpara figurës së tij. Kjo indiferencë, heshtje apo mosmirënjohje e tyre ndaj Ukshin Hotit, gjithësesi i bën të papërgjegjshëm politiksht. Për më tepër përgjegjësia historike e kombëtare (që nga Konferenca e Rambujesë e gjer më sot) për rastin e Ukshin Hotit, bie: mbi Ibrahim Rugovën, si Kryetar i LDK-së dhe Kryetar i Kosovës; mbi Hashim Thaçin, si shef i Delegacionit të Kosovës në Rambuje, kryetar i PDK-së dhe Kryeministër i Kosovës; mbi Bajram Rexhepin, si Kryeministër i parë i pasluftës në Kosovë dhe aktualisht Ministër i Brendshëm; mbi Jakup Krasniqin, si zëdhënës i UÇK-së, dhe Kryetar i Kuvendit të Kosovës; mbi Fatmir Sejdiun, si Kryetar i LDK-së dhe Kryetar i Kosovës; mbi Nexhat Dacin, si Kryetar i Kuvendit të Kosovës; mbi Kadri Veselin, si Shef i Shërbimit Informativ të Kosovës si dhe mbi të gjithë politikanët tjerë me ndikim në skenën politike të Kosovës!…

(Kryeredaktori i pashtriku.org, 10 Maj 2012)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura