PASHTRIKU: MOMUMENTET E KULTURËS QË NUK MBROHEN NGA SHTETI!

(Pashtriku.org, 14. 11. 2012) – Në një Speciale “Shqipëria tjetër” të përgatitur nga Ekipi i Top-Channel (gazetar Marin Mema e operator B.Kryeziu), bëhet fjalë mbi gjendjen e monumenteve të kulturës në rrethin e Fierit. Monumente këto që janë shpallur si të mbrojtur nga shteti që në vitin 1963, por sot janë lënë në mëshirën e kohës.
“Kudo në Shqipëri, kultura e shkatërrimit është kthyer në një mënyrë jetese, e cila e bashkuar me neglizhencën, harresën dhe korrupsionin, po shuan në mënyrë të pakthyeshme simbolet më të rëndësishme historike në këtë vend.” kështu e nis rrëfimin gazetari Marin Mema.
“Edhe në Fier, si kudo, monumentet e kulturës të konsideruara si thesare të historisë së kombit kanë marrë rrugën e pakthyeshme drejtë zhdukjes. Me këtë ritëm, prej tyre shumë shpejt do të mbeten vetëm pak rreshta ndër libra e enciklopedi e asgjë më shumë.” – thotë z. Mema.

Gazetari Marin Mema

………………………………………………………

Ndalesa e parë e ekipit të Top-Channel’it ishte Kurjani, fshati në hyrje të të cilit gjendet kisha mesjetare e Shën Nikollës, e ngritur me një stil bizantin diku rreth fund shekullit të XIII dhe fillimit të shekullit të XIV. “Kisha e Kurjanit gëzon statusin monument kulture i kategorisë së parë që prej vitit 1963 dhe konsiderohet si një urë lidhëse mes qytetërimit mesjetar dhe atij bashkëkohor. Por, përtej historisë dhe vlerave shekullore që mbart mbi shpinë, kisha sot ofron një realitet të zymtë e të dërrmuar nga braktisja.” – thekson gazetari Mema në këtë emision.
“Nga afresket e punuara prej djalit të piktorit të madh Onufri, nuk ka mbetur thuajse asgjë. Gjithçka është dëmtuar dhe vazhdon të dëmtohet në mënyrë brutale. Pllakat e gdhendura janë thyer, ndërsa dyshemeja është gërmuar në çdo cep të saj nga njerëz të vënë në kërkim të thesareve të fshehur.” – ka nënvizuar ai. Gazetari Mema me ekipin i Top – Channel’it ka parë se gjatë “Udhëtimit nga kisha e Shën Nikollës në Kurjan drejt kishës së Shën e Premtes pranë fshatit Sop është sfidues, si pasojë e mungesës së tabelave orientuese. Në mbërritje, pamja që të ofrohet është veçanërisht zhgënjyese, me kishën e shekullit XIII që është shndërruar e gjitha në një rënojë.” – ka thënë ai.

Kisha e Shën Nikollës në Kurjan

…………………………………………..

Kisha Shën e Premtes pranë fshatit Sop.

……………………………………………….

Nga syri i kamerës duket, qartë se Objekti i ndërtuar 800 vjet më parë me gurë të Apollonisë antike është duke u shuar i gjithi. Muret e krrusur nga harresa po bien me shpejtësi në peshën e tyre. Një tjetër objekt unik është diga 2 mijë vjeçare e Krapsit, pranë fshatit me të njëjtin emër. Ajo mendohet të jetë ndërtuar mbi lumin Gjanicë gjatë dinastisë romake të antoninëve.
Sipas studiuesve dhe historianëve, në llojin e saj ajo është më e lashta në të gjithë territorin e vendit. Fatkeqësisht, nga diga dikur 90 metra e gjatë dhe 8 metra e lartë kanë mbetur vetëm një pirg gurësh të mbuluar nga bimësia dhe ferrat. Gurët e digës që dikur shërbente për vaditjen e tre qyteteve të lashta, Apolonisë, Margëlliçit dhe Gurëzezës, mund t’i gjesh sot të shpërndarë ndër themelet e shtëpive të reja të ndërtuara në vitet e tranzicionit. 20 shekuj u zhdukën në 20 vjet.
Pikërisht në këtë zonë, në fshatin Plyk, ndodheshin edhe themelet e një vile fshatare të kohës romake që me shumë gjasa, sipas studiuesve ka qenë një latifund, pra një pronë me përmasa toke shumë të mëdha, edhe kjo e zhdukur pa meshirë nga banoret e zonës.
Fshati Strum, diku në të djathtë të rrugës nacionale Fier-Berat, ka në të një perlë të rrallë, kishën e Shën Gjergjit, të ndërtuar në vitin 1782. Pavarësisht se ajo është shumë më e re, fati i saj nuk është i ndryshëm.
Kisha që ka më shumë se 50 vjet me statusin monument kulture është kthyer në një plevicë. Muret kanë nisur të çahen, ndërsa dritaret janë mbuluar nga ferrat, që tashmë kanë hedhur degë edhe brenda saj.
Muret e çjerr, shkarravitur, pllakat e shkulura, pluhuri e dheu që kanë mbuluar gjithçka i kanë dhënë kishës një pamje të shkalafitur e të mjeruar. Afresket e piktuara nga mjeshtërit e familjes ikonografike Çetiri, janë të gjitha të dëmtuara, ndërsa pjesa tjetër është kthyer në fole për merimangat e lakuriqet e natës.
E njëjtë është gjendja edhe në shtëpinë e Longarëve, një ndërtesë dy-katëshe, monument etnografik i rrallë në qytetin e Fierit, monument kulture që prej vitit 1963. Për të mos përmendur kalanë e Margëlliçit e dhjetëra e dhjetëra monumenteve të tjera që dergjen sot në grahmat e fundit të tyre.
Një histori që po zhduket, që po shpërbëhet duke u mbuluar me pluhurin e harresës e shpërfilljes. E me këtë ritëm, shumë shpejt rezultati i dhimbshëm do të jetë një komb që përveç premtimeve të politikës, inflacionit të deklaratave, fondeve që zhduken e projekteve që zënë pluhur në arkiva, për fat të keq s’do të ketë më asgjë tjetër për të kujtuar.” – përfundon gazetari Marin Mema.

…………………………………………….

Shikoni videomaterialin në vijim:

_____________________________

(Përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)
 ==============================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura