PASHTRIKU: SI I ZBULOJ ARKEOLOGU FRANCEZ LEON REY – SKULPTURAT DHE OBJEKTET E TJERA ANTIKE NË APOLONINË E ILIRISË

(Pashtriku.org, 01. 03. 2013) – Leon Rey lindi më 27 gusht 1887, në Faremoutiers, Seine et Marne. Pasi përfundoi liceun Fénelon, filloi të studionte Drejtësi, të cilën e braktisi për shkak të pasionin të tij: historisë dhe qytetërimeve të vjetra. Hyri në L’Ecole de Chartres dhe e kurorëzoi përfundimin e studimeve duke mbrojtur temën “Essai de la conquête et de la perte du royaume de Naples par Louis XII (1500-1504)”. Fillimisht u angazhua në kërkimet arkeologjike në zonën e Maqedonisë, për t’iu përkushtuar më pas, 1923-1938, misioneve të përvitshme arkeologjike në Apoloninë e Fierit, ku zbuloi një sërë objektesh skulpturale, mbishkrime dhe varre të shekullit VI para erës sonë. Gjatë kësaj periudhe propagandon me pasion kulturën shqiptare në Francë, përmes konferencash në Sorbonë dhe mjedise të tjera të Parisit. Me pushtimin fashist të Shqipërisë, 1939, nuk u lejua të vazhdonte kërkimet në Apoloni. Udhëtoi sërish drejt Shqipërisë në vitin 1945 me shpresë se do të mund të vazhdonte kërkimet në Apoloni, por regjimi i ri komunist nuk pranoi që ky mision arkeologjik të vazhdonte. Vdiq në vitin 1954 dhe disa vjet më vonë, më 15 maj 2004, vendosen në Apoloni busti i Rey-t, si dhe një pllakë përkujtimore kushtuar veprës së tij.

Arkeologu francez Léon Rey (1887 – 1954)

(“… Ju e dini se në Shqipëri ka vende magjepsëse si këto kopshte të “Trianonit” të cilat ju i njihni aq mirë, vende të përzgjedhura që, për nga historia dhe atmosfera që krijojnë, prekin apo nxisin imagjinatën e njerëzve, duke ngulitur në zemrat e tyre një kujtim të bukur. Dhe kjo mund të lidhet me bukurinë e një vendi… por unë nuk njoh tjetër vend që të ketë një atmosferë kaq të hirshme në kuptimin e plotë të fjalës, kaq të gëzueshme dhe delikate sa Apolonia. … Hiret e saj qëndrojnë në ato pjerrësi të ëmbla, që nga njëra anë zbresin e shuhen në fushat “elizeane” dhe nga ana tjetër qarkojnë luginën e vogël, në fund të së cilës një vijë uji gjarpëron midis shelgjeve dhe dushqeve, apo që duken tutje në thellësi të maleve ku pleksen majat e tyre ajrore me pamjen që shtrihet deri në det, ku tutje ngrihet ishulli i Sazanit, me po aq hire sa dhe Venusi kur del nga vala e detit në atmosferën me avuj, duke i dhënë gjithçkaje një larushi dhe konture të harmonishme.” – kështu ka shkruar arkeologu francez Léon Rey në librin me kujtimet e tij “Hyjnitë kishin të drejtë, të botuar nga ShB “Dituria”, 2013, që e përktheu nga frëngjishtja Luan Rama. Në këtë libër janë kujtimet e arkeologut Léon Rey, i cili për 16 vjetë rresht, nga viti 1923 e deri në vitin 1939 bëri gërmimet arkeologjike dhe zbuloi një mori skulpturash e objektesh të tjera antike në Apoloninë e Ilirisë.

Kopertina e librit: “Hyjnitë kishin të drejtë” i Leon Rey’t…

*  *  *

Në vijim për lexuesit e portalit pashtriku.org, sjellim një pjesë të kujtimeve të arkeologut Léon Rey.

NJË ZBULIM
Kur po kalonte korridorin, sandalet e saj kërcisnin mbi mermer me një zhurmë të thatë, gjersa ajo ndaloi dhe trokiti në portën e zyrës së konsullatës së Francës në Durrës, ku po qëndroja i ulur.
– Hyni! – thirri konsulli, miku im.
Porta u hap ngadalë, si të ishte shtyrë nga një vizitor që hezitonte të hynte. Më së fundi u duk Tonia, një grua që dukej rreth të pesëdhjetave. Mbante një shami me ngjyra, të lidhur në kokë, një këmishë blu dhe në vend të fustanit, një palë pantallona të zeza e të fryra prej pambuku, të shtrënguara te kaviljet. Kishte një fytyrë ezmere me ca gjurmë që me sa dukej duhej t’ia kishte lënë variola. Në rini duhej të kishte qenë simpatike dhe sytë e saj të mëdhenj e të zinj ishin gjithnjë të bukur.
– Po hyrë Tonia, hyrë! Padroni yt i ri ja ku është, mos ki frikë.
Ajo ishte zbathur, pasi i kishte hequr sandalet dhe i kishte lënë te porta.
– Tonia flet pak frëngjisht, gjermanisht dhe italisht,- vazhdoi miku im.
– Është e ndershme dhe e sjellshme. Prej shumë kohësh e kam patur në shërbim në shtëpinë time dhe gjithnjë ka qenë e përsosur. Pse të mos jetë kështu dhe me ju? Apo jo Tonia?…
Duke vendosur dorën në ballë e mbi gjoks, cigania mërmëriti disa fjalë në shqip që donin të thoshte: “Jam e tëra në urdhrat tuaja”, apo diçka e përafërt që ajo e përsëriti, kur unë i caktova si rrogë një “napoleon” në muaj, çka ishte një pagesë e mirë. I thashë se do duhej të vinte çdo mëngjes, ndërkohë që unë ende nuk e kisha fiksuar se kur do ta lija Durrësin për të shkuar në Apoloni.
Pas ekspeditës së parë, dimrin e kalova në Paris, duke kërkuar në biblioteka maksimumin e dokumentacionit që kishte të bënte me historinë e Apolonisë. Por në fakt dokumentacioni ishte i pakët dhe kjo mungesë informacioni e kishte ngacmuar akoma më shumë dëshirën time për të zbuluar të fshehtat e qytezës antike. Në Francë kisha blerë tri çadra të mëdha dhe materiale të rëndësishme për të krijuar kampingun tonë si dhe pajisje të tjera që do më vinin më pas përmes rrugës detare. Këto bagazhe erdhën në fakt dy apo tri javë pasi e kisha marrë Tonian në shërbimin tonë.
Në këtë periudhë, Shqipëria ishte një vend që nuk ishte transformuar ende nga kohët moderne dhe transportet e rënda bëheshin ende me buaj. Distanca mes Durrësit e Apolonisë, ishte afërsisht tetëdhjetë kilometra, pra do të duheshin katër ditë rrugë. Tonia më kërkoi t’i blija duhan, pasi ajo e pinte gjithë ditën, si dhe bukë e djathë, çka ishte ushqimi i saj i përditshëm. Ajo më tha se nëse do të kisha nevojë për një kryepunëtor, ajo njihte një mysliman të moshuar që quhej Ibrahim, të cilit mund t’i besoja. Dhe unë e angazhova menjëherë.

Gërmimet arkeologjike në Apoloni – nga arkeologu Leon Rey.

*  *  *

Një mëngjes, me karvanin e tyre plot zhurmë, ata lanë Durrësin. Para buajve ecte një djalosh i ri që u printe rrugën. Bagazhet dhe materialet e tjera ishin ngjeshur mbi qerre, mbi të cilën në krye ishte ulur Ibrahimi, i mbuluar nga një çadër e madhe dielli me ngjyrë të kuqe, bashkë me Tonian, që e shtrirë pas tij pinte një cigare. Në mesditë, ata u ndalën të pushonin pranë një burimi apo lumi e po kështu dhe gjatë natës, ku Ibrahimi kërkonte të bënte lutjet e tij, ndërkohë që Tonia flinte duke ëndërruar ndoshta për kohën kur në rininë e saj, ajo kërcente në tingujt e dajres në ndonjë kafene të varfër.
Meqë në Shqipëri s’kishte udhë treni, m’u desh të merrja linjën ajrore që sapo kishte filluar dhe kështu munda t’i arrij miqtë e mi me një avion një motorësh prej katër vendesh. Tonian e gjeta në oborrin e manastirit, pranë pusit të vjetër tek pinte cigaren e saj, ulur në gjunjë, nën hije, ndërkohë që Ibrahimi përgjumej nën harkun e gurtë të hajatit. Nën nxehtësinë mbytëse, gëmushat e fierit shpërndanin një aromë të ëmbël e të hidhur dhe veç ca gurgullima pëllumbash e prishnin qetësinë e thellë të atij vendi. Na u desh një punë e vazhdueshme dhe e lodhshme për të ngritur çadrat dhe për t’i çuar materialet deri në majë të kodrinës, pesë minuta larg manastirit. Atje lart kisha gjetur një lloj sheshi të rrethuar nga një qiparis i lartë dhe hijet e ullinjve të vjetër. Që andej, pamja shtrihej drejt veriut dhe vija që shkëlqente tutje në horizont ishte vetë deti. Nga jugu, para nesh hapej lugina e bleruar dhe idilike e Kryegjatës dhe më afër, nën majën e kodrinës, midis degëve shquhej kupola bizantine e kishës. Vendi më dukej aq i mirë për vendosjen tonë atje saqë nuk i mora parasysh fjalët e priftit të moshuar që e shikonte atë vend me rrezik, pasi ishte larg manastirit.
Tri çadrat u ngritën: e para për mua dhe dy të tjerat, për shërbimin dhe vendosjen e materialeve, por kjo nuk ishte e mjaftueshme sepse duhej ndërtuar dhe një lloj kasolle me mure balte dhe çati kashte për kuzhinën, ku do të vendoseshin Tonia e ndihmësi i saj. Për transportimin e ujit kisha blerë një gomar, i cili na furnizonte dy-tri herë në ditë, apo dhe më shumë dhe gjithçka shkonte për mrekulli. Veç të tjerave u kisha shpërndarë lopata e kazma nja njëzet punëtorëve ditorë që i kisha angazhuar shumë lehtë dhe aty-këtu, nën drejtimin e Ibrahimit ne bëmë sondazhet e para, ndërkohë që Ibrahimi, duke mbajtur gjithnjë çadrën e diellit, përkulej mbi gropat e hapura, me detyrën që të më njoftonte për çdo objekt që do të zbulohej dhe njëkohësisht të kontrollonte me imtësi dheun e hequr. Dhe këtë ai e bënte me ndërgjegje. Ditën e parë të kërkimeve tona, ndërkohë që e kisha lënë kantierin për pak çaste, e pashë atë të vinte drejt çadrave tona duke vrapuar aq shpejt sa kishte mbetur pa frymë.
– Ç’ka ndodhur?- e pyeta.
– Padron! Padron! Ka ar! Ka ar!- thërriste ai.
– Si the? Ar? Vërtet keni gjetur ar?
– Po… ar padron, por jo shumë.
– Pa hë ma trego!
Ai mbylli çadrën e diellit, kërkoi në xhepat e tij dhe më dha një copë metali të verdhë, i cili nga një anë ishte i sheshtë dhe nga ana tjetër në formë konvekse.
– A je i sigurt që është ar?
– Sigurisht që është ar, padron. Madje e gërvishta me thikën time.
Në fakt ishte një kopsë bakri që vinte nga uniforma e ndonjë ushtari të luftës së fundit që ishte zhvilluar atje.

E mbajta të qeshurën dhe duke e lënë në iluzionet e tij për këtë zbulim kaq të madh e dërgova sërish në vendin e tij të punës. Por sapo ai ktheu rrugën, kopsën e hodha drejt gëmushave.
Zbulimet e mia të para ishin zhgënjyese, pasi në dy tri vende, gurët e sheshtë që dukeshin në sipërfaqe ishin veçse ajo çfarë kishte mbetur nga dyshemeja e gurtë e ndërtesave të vjetra, gurët e të cilave ishin shpërndarë dhe vetëm disa tulla të thjeshta e copëza qeramike të periudhës romake dolën në dritë. Fillova të dyshoj për shansin tim dhe të humbas shpresën për të zbuluar të fshehtat e qytezës antike, kur papritur, një ngjarje e rastit më nxori nga ajo gjendje dëshpëruese ku po bija nga dita në ditë. Pasi ndërtova vendin ku do të vendoseshim, të cilën unë e quaj “Vendi i Shenjtë” i Apolonisë, Petro, biri i priftit të moçëm, nuk vonoi të kthehej. Ndërkohë ishte bërë prift. Në pritje që ta çonin për të shërbyer në ndonjë nga fshatrat aty rrotull, ai e kalonte kohën duke bredhur nëpër manastir apo duke gjuajtur lepuj, të cilët gjenin strehë në pyjet e vegjël të kodrinës apo në fushat me misër që vazhdonin përgjatë kishës së Pojanit. Një mëngjes isha ende në shtrat duke medituar për “Magna urb et gravis”, siç e cilësonte Apoloninë Ciceroni në një nga fjalimet e tij, kur Tonia hyri papritmas në çadrën time, duke më thënë se Petro më priste jashtë sa më parë. Shpejt u vesha dhe e gjeta atë të ulur në këmbët e qiparisit, me pushkën midis këmbëve.
– Mirëdita Petro. Ke vrarë gjë sot në mëngjes?
– Jo zotëri, por më shpëtoi një dhelpër. Doja ta tërhiqja por m’u zhduk papritur në një vrimë. Duhet të vini me mua, pasi kam diçka për t’ju treguar.
– Mirë Petro, shkojmë!
Duke kaluar nga manastiri, ku ai la pushkën, Petro mori një shat dhe një lopatë. Ecëm gjatë çerek ore, kohë gjatë së cilës ai u përpoq më kot të më shpjegonte arsyet se përse po shkonim. Arritëm në këmbët e një skarpati tepër të ashpër. Shumë i vendosur dhe duke hapur rrugën, ai ecte përpara duke larguar degët dhe pasi ndaloi më tha:
– Kjo është!
Duke lënë shatin dhe duke marrë lopatën, ai largoi fierin që ishte shumë i lartë dhe duke u ulur në gjunjë hapi dheun me duar rrotull një vrime rreth gjashtëdhjetë centimetra, e qarkuar nga katër gurë katrorë të ruajtur mirë.
– Është strofka e një dhelpre, – më tha ai. – Vështroje vetë!
E vëzhgova vendin me vëmendje dhe arrita në konkluzionin se ishte streha e një kafshe dhe se duhej të ishte gjithashtu një kanal për largimin e ujërave të ndërtesave të vjetra: pra një llagëm. Në fakt, hyrja gjendej në një pjerrësi prej dy metrash, nën cepin e një platforme prej gjashtëdhjetë metrash të gjerë dhe dyqind të gjatë.
– Petro, a ke një thikë?- e pyeta.
Një shqiptar, edhe po qe se është prift, e ka gjithnjë një thikë në xhepin e tij. Këtë do?
– Po Petro, kjo është shumë e mirë.
Duke marrë atë teh të gjatë, e futa thellë në llagëm pa ndjerë as rezistencën më të vogël.
– Tani jam i bindur se kemi të bëjmë me një kanalizim. Thuaj Ibrahimit të vijë shpejt bashkë me punëtorët që ka.

Mora pesë punëtorë të pajisur me kazma dhe u kërkova që të gërmonin një transhe, duke ndjekur linjën që u kisha bërë me shkop. Ata punuan gjithë pasditen dhe në fund të ditës, në thellësitë e dy metrave zbuluan një radhë gurësh të sheshtë që mbulonin kanalizimin. Në një mënyrë apo në tjetrën, duke parë rëndësinë e tij, ky kanalizim që sapo u zbulua, duhej të të çonte patjetër drejt ndonjë ndërtese. Ditët e mëpasshme gërmimet vazhduan dhe siç kisha parashikuar, ajo na çoi në një dysheme të gurtë përtej së cilës ne gjetëm në të njëjtën thellësi një kamare të madhe me një hark të lartë prej tri metrash e po aq të gjerë, duke nisur nga niveli fillestar i poshtëm.
Një zbulim i tillë më kishte ngacmuar së tepërmi, por mjerisht buxheti që më ishte caktuar nga Institut de France ishte harxhuar tashmë dhe më duhej të prisja vitin tjetër që të vazhdoja kërkimet.
Kur u ktheva në Paris shkova të takoj profesor Pottier, një arkeolog me famë të madhe, i cili më la të kuptoja se Instituti mund të më ndihmonte akoma për vazhdimin e kërkimeve në sitin e Apolonisë me kusht që t’u referoja atyre mbi rezultatet e kërkimeve të fundit.
Anëtarët e Akademisë së Mbishkrimeve dhe të Letërsisë mblidhen çdo të premte në orën tre pasdite dhe ne fiksuam një datë për konferencën time, por unë i thashë profesorit se për momentin, zbulimet e mia ishin relativisht modeste. Ai më vështroi me një pamje të qeshur, duke thënë: “S’ka rëndësi se çdo të thoni atje. Sido që të jetë, ata do të jenë të interesuar për Shqipërinë, pasi ajo është e panjohur për shumë prej tyre, madje shumica as kanë dëgjuar për të”.
Atëherë, me ndihmën e një specialisti, retushova dhe zmadhova disa nga fotografitë që kisha bërë. Një nga miqtë e mi arkitektë, më bëri planin e sitit të Apolonisë, sipas një plani të bërë gjatë Luftës së Parë Botërore nga një ushtarak austriak, si dhe nisur nga vizatimet e mia. Në një shkallë të zvogëluar dhe në mënyrë të veçantë ai vizatoi shtrirjen e kanalizimit dhe të kamares me hark. Sa për mua, unë i shtypa nja njëzet faqe daktilografike me konkluzione optimiste që parashikonin një të ardhme të frytshme për më vonë.
Në prag të konferencës, ambasadori i Francës në Shqipëri, i cili ishte me leje në Paris, më ftoi në restorantin “Chez Prunier”, ku ne u gjendëm rreth një pjatance me guaska “huitres” dhe guaska të tjera. Meqë ai e njihte prej kohësh padronin e restorantit, i kërkoi një shishe të mirë vere “Macon”. Në këtë kohë qeveria shqiptare i kishte marrë një hua shumë të madhe në të holla Italisë dhe marrëdhëniet midis mbretit Zog, Musolinit dhe kontit Çiano nuk shkonin aq mirë. Miku im, që gjatë bisedës politike fliste pak si shumë, i ngacmuar dhe nga vera, dukej tepër i lënduar nga qëndrimi i vëllezërve tanë latinë ndaj Shqipërisë. Biseda vazhdonte e shtruar, kur i habitur vura re se më kishin mbetur dhe vetëm 20 minuta për të referuar për konferencën time në Institut de France, i cili gjendej në Quais Malaquais. Dola me nxitim dhe duke kapur një taksi nxitova me shpresë se do të arrija në kohë. Por meqë kisha pirë verë dhe po ëndërroja për Apoloninë, çantën me dokumentet për Apoloninë i harrova në taksi. Vrapova menjëherë që ta arrij, por pikërisht në çastin që po i afrohesha, taksisti mori një grua në makinë dhe iku. Po pyesja veten se çdo të bëja tani, kur aty pranë pashë një kafene ku ishte shkruar: “Sandviçë në çdo kohë. Verë dhe likere. Telefon”. Kjo fjalë e fundit m’u duk si një “gomë shpëtimi”. I telefonova sekretares së Institutit, të cilën pata fat ta gjeja menjëherë dhe i thashë se jam në shtrat nga një krizë e menjëhershme e malaries, nga e cila isha prekur në Shqipëri.
– Mos u shqetësoni,- m’u përgjigj ajo. – Nuk ka problem. Referimin tuaj do ta shtyjmë për më vonë.
Dhe konferenca u zhvillua të premten e mëpasshme, por kësaj radhe pa pirë verë “Macon”. Sëmundja ime “diplomatike” bëri që me një ndjesi simpatie, anëtarët e Akademisë të dëgjonin me vëmendje, përveç disave që filluan të flenë që në fillim, për t’u zgjuar në fund të saj. Edhe pse ishte një konferencë e hapur për vizitorët, në sallë ishin veçse anëtarët e shquar të Akademisë dhe disa gazetarë.
Kur mbarova referimin tim, kryetari i seancës ia dha fjalën profesorit Pottier, i cili më falënderoi me ngrohtësi, duke nënvizuar se edhe pse me vështirësi, kërkimet e para dhe zbulimi i kanalizimeve dhe i kamares, në sajë të një gjykimi të mprehtë, linin të parashikoje në të ardhmen, zbulimin e monumenteve të rëndësishme.
Në konferencë fola me modesti, duke menduar njëkohësisht dhe për historinë e dhelprës. Disa ditë më vonë, zyra e Institutit miratoi disa mijëra franga të nevojshme për vazhdimin e punimeve të mia.

(Fragment nga libri: Léon Rey “Hyjnitë kishin të drejtë”.)

ZBULIMET E ARKEOLOGUT LEON REY NË APOLONI

Figura e arkeologut Léon Rey është dhënë gjerësisht nga Luan Rama jo vetëm në shkrimet e shumta gjatë këtyre dhjetë vjetëve por dhe në librin kushtuar Léon Rey të titulluar “Léon Rey – dhe gurët filluan të flasin”, një libër biografik por dhe mbi veprimtarinë e tij si arkeolog. Po kështu në Paris është botuar dhe libri tjetër në frëngjisht, kushtuar Léon Rey me titull “Léon Rey à la découverte d’Apollonie” (Léon Rey në zbulimin e Apolonisë”, i cili ka gjetur një interes të veçantë në lexuesin francez, veçanërisht ai shkencor.

 

Luan Rama

“Léon Rey à la découverte d’Apollonie” (Léon Rey në zbulimin e Apolonisë”)

*  *  *

Duke e pyetur Luan Ramën se cilat janë disa nga zbulimet interesante të Léon Rey në Shqipëri, midis të tjerash ai thotë: “Zbulimet e Rey-t janë të shumta. Por le të ndalemi në vitin 1927, ku ai relaton në revistën e tij ALBANIA: 1926-1927. Vitet 1926-1927, ishin vite të mbara për misionin arkeologjik francez. Një numër i madh skulpturash u zbuluan në kamaren pranë portikut: statuja të larta, koka në mermer të bardhë, figura grash të veshura me tunikë, etj. “Gërmimet e viteve 1926 dhe 1927, – shkruan Rey në Albania nr.3, – nxorrën në dritë statuja të tjera si Djaloshi i veshur me toge, Vajza në këmbë, statuja e një gruaje, Gruaja në këmbë veshur me pelerinë dhe tunik, Kokë burri me mjekër e mustaqe, etj.” Ishin ditët e mesit të gushtit të vitit 1926, kur në mesin e vapës së madhe, Rey ndodhej mes punëtorëve shqiptarë në kamaren nr.8, ndërkohë që dikush njoftoi për një masë të madhe mermeri. Shpejt dheu u largua dhe Rey zbuloi se ishte një statujë e një gruaje, me dorën e djathtë të gjymtuar. Por statuja nuk kishte kokë dhe ai shpresoi se ndoshta duhej të ishte diku rrotull, e shkëputur mesa dukej gjatë shembjes së saj. Nga veshja e saj, kjo skulpturë i dukej e njohur, pasi figura të këtij stili skulpturimi ai kishte parë në muzeun e Vatikanit, apo siç shkruante më pas, dhe në muzeumin e Napolit, në muzeun Kombëtar të Athinës, në muzeun e Dresde-s si dhe në Louvre. Ndërkohë Rey fotografon. Madje i pëlqen të fotografojë punëtorët, duke nxjerrë dhe tërhequr statujën. Por pak kohë më pas, një kokë tjetër u zbulua, të cilën ai e quajti Kokë gruaje me flokë të kreshpëruara. Portreti ishte punuar në mermer të bardhë: kishte sy bajame, hundë të drejtë dhe në majë të thyer, kokën të përkulur pak lehtë nga e djathta. Pas pak dhe një kokë tjetër u shfaq: koka e një burri. Sigurisht, trupi i kësaj koke duhej të ishte diku aty pranë. Por ku?… Përpiqem të imagjinoj gëzimin e veçantë të arkeologut francez, kur ndërkohë, në mbrëmje, ka perënduar. Punëtorët janë larguar dhe Rey kthehet në tendën e tij. Është i gëzuar. Shpreson të gjejë statuja të tjera në vendin e portikut. Dhe jo më kot, pasi e nesërmja do të sjellë të reja nga nëntoka e lashtë. Në 17 gusht, kërkimet vazhdojnë në të njëjtin vend. Rey është si në ethe. Ai e parandjen se të tjera statuja duhet të jenë në atë zonë. Dhe ja, pas dy orësh, shfaqet cepi i mermertë i një mase të madhe. Është pjesa e një veshje, pra një statuje. Dhe vërtet, shpejt, para tyre shfaqet statuja e madhe e një djaloshi të ri, në një gjatësi prej 2 metrash. I skalitur në mermer të bardhë, djaloshi është veshur me një “toge” dhe duket se mban në duar një volumen. Fytyra e tij është ovale, flokët i ka të shkurtra, por i mungon gjysma e krahut të djathtë dhe hunda ndërkohë i është thyer, siç duket nga shembja. Rey u tha punëtorëve ta tërhiqnin me kujdes dhe ta transportonin në oborrin e manastirit. Nuk ngopej duke e parë. Skulptura ishte vërtet e mahnitshme. Dhe ashtu u bë. Skulptura u çua në oborrin e manastirit dhe u ngrit në këmbë bashkë me bazamentin e tij të trashë. Ashtu, në mes të ullinjve, pamja ishte akoma më bukur. Ishte e epokës augustiniane. Në buzëmbrëmje, para tendës së tij, Rey shkruante në fletoret e tij të punës: Megjithë vapën e madhe, punëtorët punonin në mënyrë energjike dhe pak nga pak toka po i nxirrte sekretet e veta. Papritur, nën kazmën e një punëtori që hapte tarracat, shpejt u zbulua fragmenti i një mermeri. Presim pak dhe ja ku u duk pala e një veshje. Statuja e madhe është atje, e shtrirë në ije, në të njëjtin pozicion siç ka rënë gjatë tërmetit që ka shkatërruar ndërtesën…”. Dhe më poshtë ai vazhdon shënimet e tij të po asaj dite, të shkruajtura atë natë aq të lumtur për zbulimet e mëdha: “Një punëtor përkulet mbi të dhe e çliron nga dheu që e ka fiksuar në tokë. Statujën mezi e nxorëm nga fundi i transhesë. Peshon disa qindra kilogram. Me shumë përkujdesje ne e vendosëm atë mbi një qerre me buaj. Kur e çuam në majë të kodrinës, ajo duhej vendosur në tokë. Atje, ajo do të jetë mirë, nën ullinjtë, ku tendat tona janë fare pranë dhe ku ne mund ta gëzojmë gjer në fundin e qëndrimit tonë… E ngrejmë dhe e vendosim në bazamentin e vet. Në këmbë, statuja e këtij njeriu vështron fushat, lisat dhe pemët e të gjitha llojeve që dendësohen atje ku dikur ngriheshin ndërtesat e bardha të Apollonisë. Shumë vizitorë të dashur kanë ardhur ta shikojnë. Ai është i veshur me një petk me pala të komplikuara hedhur sipër trupit, të krijuar me aq art dhe përpikmëri. Në dorën e majtë mban një libër, ose më mirë një parshemin të rrotulluar, një «volumen»… Kush është ky i panjohur, qëndrimi i të cilit është njëherësh i paqtë dhe impozant? Meqë nuk ka një epitaf, ne s’mund t’i atribuojmë atij ndonjë emër. Pamja e flokëve, qëndrimi, veshja, na çojnë në shekullin e I-rë të erës sonë të epokës së Augustit. Edhe e parë nga shpina, statuja është e bukur. Artisti s’ka neglizhuar asgjë për t’i dhënë kësaj vepre artistike ngjashmërinë e jetës. Gjurmë të dukshme boje duken në flokët e tij, çka na provon se mermeri ka qënë i lyer. Në gjuhën e arkeologëve, pala e madhe e veshjes në shpinë quhet “la cinia”. Pikërisht tek ajo palë në shpinë, klientët e perandorit Claude, i cili ishte një njeri shumë… e pengonin atë të largohej nga “prétoire”, duke e tërhequr nga pala pas shpine, në mënyrë që të ulej përsëri në stolin e tij, kur ata kishin ende nevojë për të.” Në vitin 1938, Rey kishte përfunduar pastrimet dhe kërkimet në qendrën monumentale të qytezës antike dhe vazhdonte tashmë në zbulimin e rrugës që kalonte midis Odeonit dhe monumentit të Agonoteteve. Diku më tutje, në lindje të Odeonit, kishin filluar dhe punimet për zbulimin e murit të temenos. Nisma ishte tepër interesante dhe premtonte për zbulime të reja për të konfiguruar gjithnjë e më mirë urbanizmin e këtij qyteti antik. Rey nuk mund ta mendonte se numri 6 i revistës që ai kishte në duar, do të ishte numri i fundit. Në qëndër të këtij numri ai kishte vendosur vëzhgimet e Misionit Arkeologjik Francez dhe studimet e tij lidhur me Odeonin dhe Sanktuarin. Materiali padyshim ishte i veçantë… ”Odeoni i zbuluar në vitin 1932, – shkruante ai, – u pastrua vitin e mëpasëm. Megjithatë muri tutje, cepi verior i murit anësor dhe dy shkallët e fundit, janë pjesërisht të mbuluara nga dheu…”. Tashmë ishte shtuar dhe ndërtimi me tulla i periudhës romake, të cilën ai e quajti “Biblioteka”. Revista mbyllej në fund me një paraqitje të shkurtër të Muzeut arkeologjik të Vlorës. Tashmë në të ishin grumbulluar shumë gjetje arkeologjike si statuja, kapitele, bazorelieve apo qeramika të mrekullueshme. Siç shkruan dhe ai, “Në një të ardhme të afërt, duhet shpresuar, që koleksioneve të rëndësishme të grumbulluara tashmë (rreth njëmijë objekte), tu shtohen objekte të tjera nga kërkimet shkencore që bëhen në jug të Shqipërisë”. Kështu, më 1939, u botua në Paris numri i gjashtë i revistës Albania. Por ndërkohë, në proces të përgatitjes për botimin e saj, ngjarje të rënda po ndodhnin në Shqipëri. Në fund të revistës, ai ka shtuar: “Që nga koha që janë shkruar këto rreshta, muzeu arkeologjik është shkatërruar nga trupat italiane. Më 8 prill, një gjyle shpërtheu në sallën e katit të parë dhe ushtarët nisën plaçkitjen. Veçse disa mermerë mbetën në sallën e poshtme…”.

………………………………………..

– APOLONIA – 

 

(Kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha – në Apoloni, gusht 2012.)

…………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura