PASHTRIKU: UKSHIN HOTI, PROMOTOR I LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE 1981 – 1999(I)

(Pashtriku.org, 16. 05. 2012) – „Parimi i proklamuar gjatë fazës së krijimit të shteteve nacionale në Evropë – një komb/një shtet, sipas të cilit pjesa absolutisht më e madhe e një populli përfshihej brenda kufijve nacionalë të shtetit të vet (shtetit/komb), në rastin e shqiptarëve, përkundër vullnetit të tyre, u implementua pjesërisht: më tepër se gjysma e popullit shqiptar dhe më tepër se gjysma e trojeve shqiptare mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar…“ prandaj është i domosdoshëm „bashkimi i shqiptarëve dhe të trojeve të tyre në një shtet të vetëm.“ – shkruan Ukshin Hoti në pikën e parë të Deklaratës politike të UNIKOMB’it.
PËRMBAJTJA E LËNDËS
– Kush ëshët Ukshin Hoti?
– Pranvera e vitit 1981 dhe intelektualët e regjimit;
– Si e mbrojti Ukshin Hoti – kërkesën e studentëve «Kosova Republikë» ?!
– Burgosja dhe gjykimi i Ukshin Hotit;
– Mendimi filozofik i Ukshin Hotit;
– Homazhe për martirët dhe burgosja e dytë e Ukshin Hotit;
– Përgjakja e Ukshin Hotit te udhëkryqi i Komoranit!
– Organizimi politik i Ukshin Hotit, burgosja e tretë dhe gjykimi…,
– Si e mbrojti Ukshin Hoti në foltoren gjykatës serbe Kauzën e Bashkimit Kombëtar?
– Cili ishte shkaku i vërtet i mbajtjes së gjykimit kundër Ukshin Hotit ?!
– Ku është Ukshin Hoti?! A është gjallë apo i vdekur Ukshin Hoti?!
– Një apel për Ukshin Hotin;
Vlerësime për figurën e Ukshin Hotit
– Filozofia e Ukshin Hotit sot jeton në Kosovën e lirë dhe të pavarur;
– Hoti është një avokat i përkushtuar i demokracisë;
– Ukshin Hoti – tashmë është shndërruar në histori;
– Ukshin Hoti – është simbol i qëndresës së pamposhtur shqiptare;
– Njerëzit e zotë (si Ukshin Hoti) janë princat e vërtetë të një kombi;
– Unë nuk kam lexuar ndonjë të dytë që të jetë më i zoti se Ukshin Hoti;
– Ukshin Hoti është njeri që ka «Unin» e vet me «U» të madhe!
– Ukshin Hoti – intelektual që sugjeron guximin politik.

Autori: Sheradin Berisha

_________________

Kush është Ukshin Hoti?
Ukshin Hoti u lind më 17. 06. 1943 në Krushë të Madhe. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesmen në Prizren dhe në Prishtinë. Fakultetin e Shkencave Politike e mbaroi në Zagreb, ndërkaq studimet posdiplomike drejtimi i marrëdhënieve ndërkombëtare politike dhe ekonomike në Beograd. Që nga gjysma e dytë e viteve 70 gjer më 1981 ka punuar në detyra të ndryshme politike e arsimore në Kosovë; ka qenë ligjërues i vitit III dhe IV të Fakultetit Juridik, drejtimi Juridiko – Diplomatik, i vitit III të Fakultetit Filozofik, dega Filozofi-Sociologji, i shkollës politike të Qendrës Krahinore për Arsimimin Marksist “Edvard Kardel”. Gjatë periudhës 1971 – 1977 ka qenë Sekretar i Sekretariatit për Marrëdhënie me Botën e Jashtme të KE dhe të Kuvendit të KSA të Kosovës, ka qenë anëtar pothuajse i të gjitha forumeve federale që merreshin me politikën ndërkombëtare. Në vitet 1977 – 1978, specializoi në Universitetin e Çikagos, Harvardit, Bostonit, Uashingtonit dhe të Kembrixhit, ndërsa në vitin 1979 u kthye në Kosovë. Ukshin Hoti gjatë qëndrimit në specializim në SHBA ka gëzuar një trajtim jashtëzakonisht të lartë. Ka qenë i emëruar nga ana e rektorit të Universitetit të Harvardit si hulumtues shkencor i pavarur. Në një takim me Zonjën Rosalyn Carter (bashkëshortja e ish’presidentit amerikan Jimmy Carter) në Washington DC, u zgjodh si i vetmi intelektual që do të përfaqësonte të gjithë specializantët dhe postdiplomistët e Evropës në SHBA. Në këtë cilësi, ai ka marrë pjesë aktivisht nëpër simpoziume të ndryshme shkencore dhe ligjërime të intelektualëve autoritativ, por edhe në shumë takime që i organizonin senatorë, kongresmenë dhe përfaqësues tjerë të administratës amerikane. Ukshin Hoti gjer në vitin 1981 ka qenë kreatori kryesorë i politikës kombëtare dhe pjesëmarrjes së Kosovës në bashkëpunimin ndërkombëtar. Ukshin Hoti për herë të parë u burgos në Nëntor 1981. Ai do të burgoset edhe në nëntor të vitit 1968, në kohën kur u organizuan demonstratat studentore në Prishtinë…, por për fat të mirë, atëkohë ai studionte në Kroaci dhe ishte në krye të demonstratave studentore të Zagrebit…

UKSHIN HOTI

_____________________________________

Pranvera e vitit 1981 dhe intelektualët e regjimit
Dihet mirëfilli se politika zyrtare jugosllave, demonstratat e pranverës 1981 i shpalli si «Kundërrevolucionare» dhe për disa muaj rresht të gjitha nivelet e pushtetit federativ, republikan dhe krahinor me qëllim të ‘sanimit’ të gjendjes në Kosovë, finalizuan një dokument me titull »Platforma Politike për aksionin e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, të vëllazërim-bashkimit dhe të bashkëjetesës në Kosovë» që shkurtimisht njihet si «Platforma për Kosovën». Ky dokument u miratua në Mbledhjen e XXII të Komitetit Qendror të LKJ’së në Beograd, më 17 nëntor 1981, duke u bërë udhëzuesi praktik i politikës antishqiptare në planin afatgjatë. (Hajrizi, fq.198 – 99)
Në këtë platformë antishqiptare ndër të tjera analizohet gjithashëm përmbajtja «reaksionare dhe kundërrevolucionare» e parullës ‘Kosova Republik’ duke u definuar qartë edhe masat për «qërimin e hesapeve» me forcat e «errëta të nacionalizmit shqiptaromadh…», përmes gjykimit dhe diferencimit të shqiptarëve në çdo segment të jetës politike e shoqërore.
Dhe në këtë drejtim strukturat e regjimit, me kohë ndërmorën një fushatë të gjerë arrestimesh e burgosjesh kundër organizatorëve të demonstratave, ndërsa në institucionet publike, e veçanërisht në institucionet shkencore – akademike të Kosovës, kishte nisur diferencimin ideo – politik ndaj të gjithë atyre që në forma të ndryshme përkrahën kërkesat e studentëve.
Në shënjestër të këtij diferencimi gjithëpërfshirës ishin padyshim tri institucionet më të rëndësishme akademike: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), Instituti Albanologjik dhe Universiteti i Prishtinës. Prandaj, jo rastësisht KQ i LKJ’së dhe strukturat tjera pushtetore të këtij regjimi në Kosovë, këto institucione, e veçanërisht Universitetin e Prishtinës e patën cilësuar si“Bastion të nacionalizmit dhe seperatizmit shqiptar”.
Akademik Rexhep Qosja, në një intervistë për «Epokën e Re» (4 Maj 2006), kujton bashkëpunimin e intelektualëve të shumtë me regjimin e kohës dhe vënien e tyre në shërbim të diferencimit. Qosja me këtë rast thotë: «Me përjashtim të Ukshin Hotit, nuk ka kuadër tjetër universitar që ka mbrojtuar demonstratat… Ishte i madh numri i atyre veprimtarëve politikë dhe intelektual që ishin vënë në shërbim të diferencimit, d.m.th në shërbim të atij procesi në të cilin njerëzit duhej të dënonin demonstratat. Mes këtyre profesorë fakulteti, akademikë, shkrimtarë, krijues të arteve të tjera. Disa prej këtyre intelektualëve që merreshin me ndjekjen e «shtrigjve» janë autoritete në kulturën tonë: të rehabilituar dhe të favorizuar!… Një numër i intelektualëve ishte kundër demonstratave, kurse një numër tjetër i shikonte me simpati… Në bisedat me njëri tjetrin disa intelektualë i përkrahnin demonstratat, por në mbledhjet e partisë apo në mbledhjet e bashkësive punuese kjo nuk ngjante. Kam marrë pjesë në mbledhje në institut (Institutin Albanologjik – Sh.B) në Fakultetin Filozofik, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve. Janë mbajtur jo një a dy, por më shumë mbledhje në të cilat flitej: në fillim për demonstratat pastaj për kinse për pasojat e demonstratave, pastaj për detyrat në lidhje me këto pasoja, etj. Kam parë shumë intelektualë që çoheshin në këmbë dhe lëshonin breshëri dënimesh për demonstratat duke i quajtur armiqësore, nacionaliste dhe irredentiste, të drejtuara kundër bashkim-vëllazërimit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë! Disa prej këtyre, më vonë, janë bërë patriotë të mëdhenj dhe kanë përparuar në punën profesionale dhe në punën politike! Disa e bënin këtë me gojë e ndonjëri, besoni apo mos besoni, me shkrim ishin përgatitur përpara! Në dënimin e demonstratave në mënyrë të veçantë janë shquar anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve. Në këtë institucion janë dënuar demonstrata shumë herë, por njëra prej mbledhjeve të Akademisë, në të cilën janë dënuar demonstratat është dhënë në tërësi në televizion, si mësim për popullin se si duhet të sillet ndaj armikut të bashkim’vëllazërimit, të socializmit vetëqeverisës dhe të integritetit territorial të Jugosllavisë Socialiste Federative! Ishte kjo mbledhje e turpit në nivel më të «lartë» të shkencës sonë». (Qosja, fq.10)
Madje, në vazhdën e procesit të diferencimit është botuar edhe një libër (Shqip – serbisht) me fjalimet dënuese të «akademikëve» kundër demonstratave të pranverës 1981. «Për shkak se nuk jam diferencuar, më kanë qitur para komisionit të Universitetit bashkë me Ali Hadrin dhe Fehmi Aganin dhe na kanë shqiptuar dënimin…» – ka thënë në fund akademik Qosja. (Po aty )

UKSHIN HOTI

_________________________________

Ka dëshimi arkivore që faktojnë se në procesin e diferencimit ideo’politik është përfshirë edhe ish’kryetari i LDK’së – Ibrahim Rugova. Ibrahim Rugova, ndonëse prej kohësh ishte anëtar i LKJ’së, me vendim të KK të LK të Kosovës emërohet sekretar i LKJ’së në Institutin Albanologjik të Prishtinës, dhe pas demonstratave gjithëpopullore të pranverës së vitit 1981, duke qenë në krye të kësaj organizate partiake, pa hezitim është përfshirë edhe në realizimin e “Platformës për Kosovën”. Në këtë situatë të jashtëzakonshme nëpër të cilën po kalonte populli shqiptar në Kosovë, Rugova do të vihet në krye të komisionit për diferencimin dhe luftimin e “nacionalizmit dhe separatizmit” shqiptar në institut, pra të të gjithë atyre që në një mënyrë a tjetër u solidarizuan me kërkesën studentore “Kosova Republikë!” dhe për këtë aktivitet ka shkruar edhe shtypi i kohës: “Rilindja”, ”Jedinstvo”, „Politika“ etj. Kështu, ta zëmë, në gazetën „Rilindja“ të datës 30 shtator 1982 në artikullin me titull „Akademikut dr.Rexhep Qosja iu shqiptua vërejtja partiake“, Kryetari i komisionit për diferencim Ibrahim Rugova në diskutimin e vetë theksoi se „procesi i diferencimit duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i gjithanshëm, kurse sa i përket masës së propozuar, si anëtar i sekretariatit të OTH të LK propozoj që Rexhep Qosjes t’i shqiptohet masa – vërejtja partiake, sipas propozimit të grupit të punës të të dy kryesive, të cilin e kemi miratuar edhe ne“. (Berisha, Pashtriku.org)
Si e mbrojti Ukshin Hoti – kërkesën e studentëve «Kosova Republikë» ?!
Derisa në Institutin Albanologjik në krye të komisionit për diferencim, ishte emruar Sekretari i OTH të LKJ’së Ibrahim Rugova, Komiteti Krahinor i LKK’së, për mbikëqyrjen dhe diferencimin e profesorëve në Universitetin e Prishtinës kishte autorizuar: Azem Vllasin, Agim Zatriqin dhe Hajredin Hoxhën. Në UP, fillimisht kërkesat e studentëve janë përkrahur, nga profesorët e tyre, por me kalimin e kohës, shumica prej profesorëve e kanë ndryshuar qëndrimin, për shkak të presioneve të mëdha, nga inspektorët e UDB’së dhe aktivistët e KK të LKJ’së që vizitonin shpesh këtë vatër të dijes, dhe në fund kanë mbetur vetëm një grushtë profesorësh të Fakultetit Filozofik, të cilët s’i pranuan vlerësimet e KQ të LKJ’së, se demonstratat kanë qenë armiqësore, nacionaliste – separatise, kundërrevolucionare etj., dhe i pari prej tyre shquhet Ukshin Hoti.
Nga shumë mbledhje maratonike që mbajtën strukturat e pushtetit komunist në UP, vlen të veçohet mbledhja e OB të LK’së e mbajtur më 19 nëntor 1981 në Fakultetin Filozofik, Dega Filozofi – Sociologji, në të cilën Ukshin Hoti si i vetmi politikan i specializuar i Kosovës në fushën e marrëdhënieve politike ndërkombëtare bëri elaborimin shkencor të statusit Kosova Republikë të shtruar nga studentët, në demonstratat e pranverës së atij viti. Madje Ukshin Hoti kërkesën për republikë e shpjegoi edhe me kërkesën për zhvillim më të shpejtuar, sepse të gjitha parametrat ekonomik, social etj., tregonin se hendeku midis Kosovës dhe republikave më të zhvilluara jo vetëm nuk ishte zbutur, por përkundrazi ishte thelluar edhe më shumë. Për më tepër, Ukshin Hoti argumenton në mënyrë bindëse se, përpjekjet për barazi më të madhe nacionale shkojnë krahas me avancimin e proceseve demokratike nëpër vende të ndryshme në botë, duke nënvizuar se ato janë të ligjshme dhe të pandalshme.
Shemsi Reçica, ish’ligjerues në Katedrën e Filozofisë dhe të Sociologjisë pranë Fakultetit Filozofik të UP’së, ka marrë pjesë në mbledhjen e 19 nëntorit 1981, dhe në një intervistë dhënë të përditshmes “Epoka e Re” (Mars 2006) ka deklaruar se në këtë mbledhje“kanë qenë të pranishëm Azem Vllasi, Agim Zatriqi, Hajredin Hoxha, etj.” dhe se nga ata ish’funksionarë “ka pasur edhe kërcënime, sharje, edhe me nanë… duke thënë se “këtu e kanë çerdhen demonstratat”. „Pasi i gjykuan demonstratat, – kujton Prof.Reçica, ata (Vllasi, Zatriqi, Hoxha – Sh.B) kërkuan fjalën e profesorëve, por rreth 20 minuta askush nga profesorët nuk e merrte fjalën. Ishin para një dileme të madhe. Kishin frikë, sepse diheshin pasojat. Pas atyre që i dënuan demonstratat fjalën e mori Ukshin Hoti, i cili tha: “Ne duhet të diskutojmë hapur për kërkesat e studentëve tanë” dhe vazhdoi diskutimin e tij. Midis të tjerave tha tekstualisht, fjalë për fjalë: “ Sa e di unë, në Jugosllavi, jo vetëm që nuk është zgjidhur në praktikë çështja shqiptare, por as teorikisht nuk është zgjidhur kjo çështje si duhet”, dhe filloi që këtë konstatim ta argumentojë nga pikëpamja e tij, nga shkencat politike. “Të gjitha shkrimet që janë botuar për çështjen kombëtare, tha ai, edhe ato nga pikëpamja juridike, edhe kushtetuta nuk e kanë zgjidhur as teorikisht çështjen shqiptare në Jugosllavi” dhe vazhdoi: “Unë mendoj që kjo është kërkesë e arsyeshme, e drejtë…”, dhe me një tonë të lartë përfundoi: “Kosova duhet të jetë Republikë dhe ne duhet ta përkrahim Republikën”. (Reçica, fq. 9 – 10.)
Ukshin Hoti në këtë mbledhje (të OB të LK’së), ka pasur një ballafaqim të ashpër me “Akademik” Hajredin Hoxhën. Hoti, duke i shpjeguar zhvillimet e brendshme (veçanërisht ato në Kosovë) me disa zhvillime demokratike në rrafshin ndërkombëtar (mori shembullin e skocezëve në Angli dhe francezëve të Kuebekut) ka theksuar, se: “…kërkesa për Kosovën Republikë në esencë nuk është asgjë tjetër veçse kërkesë për zhvillim të shpejtuar dhe të gjithanshëm ekonomik të Kosovës.” Me këtë rast ka reaguar Hajredin Hoxha, i cili ka thënë “se ne e kemi zgjidhur çështjen nacionale më së miri në botë.” Për ta argumentuar këtë pohim Hoxha betohet se është ashtu.
Ndërkaq Ukshin Hoti pasi ia ka tërhequr vërejtjen H.Hoxhës, se “betimi nuk është argument shkencor”, ka thelluar argumentin e tij, si vijon: ”…do ta plotësoja diskutimin tim edhe me ca shembuj të tjerë. Më duket se kushtetuta belge poashtu u aprovua në fillim të viteve ’70, apo më sakt, më 1972. Kjo kushtetutë i vë në pozitë të barabartë valonët dhe flamanët në Belgjikë, bile flamanëve u jep të drejtën e raporteve specifike me Holandën. Mendoj se flamanët industrialisht janë më të zhvilluar se valonët, por megjithatë, siç tregojnë ngjarjet e fundit atje, një pjesë e mirë e tyre i akuzojnë valonët se e mbajnë “lidhjen franceze” në planin ekonomik dhe atë kadrovik, d.m.th. mendojnë se ndodhen në pozitë të pabarabartë dhe se ekonomikisht janë të eksploatuar nga valonët, pa marrë parasysh kushtetutën demokratike të Belgjikës.“ (Hoti, 1995)
Në mbledhjen e 19 nëntorit, Ukshin Hoti fuqishëm ka kundërshtuar edhe ndërprerjen e bashkëpunimit midis Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës. ”Unë jam kundër suspendimit të këtyre marrëdhënieve. Nuk e besoj se na kanë indoktrinuar. Kam qenë njëri nga bartësit kryesorë të këtyre marrëdhënieve.“ ka thënë Ukshin Hoti. Diskutimin e Prof. Hotit e kundërshtuan edhe Azem Vllasi e Agim Zatriqi. Lidhur me këtë rast Shemsi Reçica thotë (po citoi): “Më kujtohet sidomos Agim Zatriqi, të cilit, në atë qetësi të hekurt që u krijua pas fjalës së Ukshin Hotit, i kërcitnin dhëmbët nga shtrëngimi i nofullave. Pas përfundimit të mbledhjes, neve na arrestuan.” (Reçica, 9-10)
Burgosja dhe gjykimi i Ukshin Hotit
Dhe vërtet, më 21 nëntor 1981 ndodhi arrestimi dhe burgosja e Ukshin Hotit, Halil Alidemajt, Shemsi Reçicës, Ekrem Kryeziut etj., të cilët u denuan si “Grup i intelektualëve”, me akuzën për “veprimtari armiqësore kundër shtetit jugosllav.” Ja si e përshkruan Ukshin Hoti arrestimin e tij në Prishtinë: „ …më 21 nëntor të njëjtit vit, u arrestova nga jo më pak se 40 policë të armatosur, gjysma e të cilëve u futën në banesën time me armë të gatitura automatike e gjysmëautomatike. Më vonë mora vesh se edhe shtëpia e prindërve të mi në fshat, që ndodhet afro 100 km larg Prishtinës, po atë natë ishte rrethuar dhe ishte kontrolluar nga ana e një numri jo më të vogël të personave të armatosur… Në momentin e arrestimit e kisha të veshur pixhamën dhe qetësisht po e lexoja një libër.”

GJYKIMI I UKSHIN HOTIT…

_______________________________________

Pas tetë muajve sa zgjati procesi i hetuesisë, Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë ngriti aktakuzën PP. nr. 281/81, dt. 31 maj 1982, ndërsa Gjykata e Qarkut në Prishtinë, formoj një trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët: Isak Nishevci, Ismet Emra e të tjerë, dhe në procesin gjyqësor të mbajtur më 21 korrik 1982 „në emër të popullit“ u denuan këta intelektualë:
1. Halil Alidema (1936), Pozharan, mr.i historiesë – 11 vjet burg;
2. Ukshin Hoti (1943) Krushë e Madhe, mr. i shk.politike – 9 vjet burg;
3. Ekrem Kryeziu (1943), Pejë, regjisor – 8 vjet burg;
4. Mentor Kaçi (1952), Gjakovë, momtazher në TVP – 7 vjet burg;
5. Hilmi Ratkoceri(1955), Llugaxhi, absolvent – 3 vjet burg;
6. Ali Kryeziu (1950), Pejë, jurist – 5 vjet burg;
7. Nezir Haliti (1948), Firajë, professor – 2 vjet burg;
8. Shemsi Reçica (1952), Gllavicë, professor – 7 vjet burg;
9. Muharrem Fetiu (1945), Peçan (Suharek), mr. i historiesë – 6 muaj burg.
(Dr.Keçmezi-Basha, f.179/180)
Trupi gjykues, (duke u bazuar paraprakisht në gjykimin politikë që ia kishte bërë këtij grupi intelektualësh, soji i Azem Vllasit, Agim Zatriqit, Hajredin Hoxhës etj.), në aktgjykim ka konstatuar se ata kanë kryer “… vepra penale të drejtuar në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore dhe të punonjësve, thyerjen e “vëllazërim – bashkimit”, prishjen e barazisë së kombeve e të kombësive dhe ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të RSFJ’së…” (po aty) sllogane këto që përsëriteshin në të gjitha aktakuzat dhe aktgjykimet e grupeve, që dënoheshin në vitet 80’ta në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Ukshin Hoti u dënua me 9 vjet burg, por duke qenë se aktgjykimi i shkallës së parë s’kishte asnjë bazë juridike për një denim kaq të lartë, gjykata supreme më 11 qershor 1984, u detyrua t’ia zbriste dënimin në 3,5 vjet burg.
Mendimi filozofik i Ukshin Hotit
Pas daljes nga burgu, Ukshin Hoti kthehet në fshatin e tij të lindjes në Krushë të Madhe dhe rrethanat e kohës, atë e detyrojnë të izolohet në atë mënyrë që të mos mund të ndikojë në rrjedhat politike në Kosovë… Për nëntë vjet rresht (1985-1994) ndaj tij, “është përdorur një ostracizëm… nga “Mentaliteti i kopesë” i quajtur “elita intelektuale” shqiptare pro-titiste, e cila decenie me radhë ishte në shërbim të regjimit komunist dhe kundër intelektualëve atdhetarë që përpiqeshin të çliroheshin nga thundra e egër jugo(serbo) sllave. (Hoti: 1995)
Në kapërcyellin e viteve të 90’të Ukshin Hoti ishte aktiv në sensibilizimin e çështjes Kombëtare në përgjithësi dhe atë të Kosovës në veçanti, përmes analizave, eseve e fejtoneve politike e shkencorë të cilat më pastaj do t’i ligjeronte në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në degën filozofi – sociologji dhe të njejtat do t’i botonte (gjatë kohës sa ishte në Lubjanë) në revistat ”Alternativa”, “Republika”, dhe “Demokracia Autentike” (DEA) të cilën e drejtonte vetë si ideator politik dhe si kryeredaktor.
Ukshin Hoti në analizën filozofike-politike: “Viti 81 dhe proceset e demokracisë”, bindshëm argumenton se demonstratat e vitit 1981 nuk ishin manipulim i asnjë qendre politike e ideologjike të huaj, as nga Lindja, as nga Perëndimi dhe as nga Shqipëria, por tregonin pjekurinë politike të një populli për të cilin rrobat autonomiste ishin tashmë tepër të ngushta dhe nuk i mundësonin zhvillim normal në asnjë fushë. Për bartësit e atyre ngjarjeve, të akuzuar në fillim për kundërevolucion, ndërsa më vonë për ekstremizëm të majtë, Ukshin Hoti, duke u shërbyer me metodën e zbulimit “të rrjedhave ujore nën akullin politik”, dmth të esencës politike nën plafin e parullave ideologjike, zbulon se të rinjtë e vitit 1981 s’kishin të bënin fare as me marksizëm as me komunizëm, sepse as që kishin lexuar ndonjë libër marksiste për ta njohur në thelb këtë doktrinë, e cila në ambientet rurale të Kosovës më së paku ishte e zbatueshme. (Hoti dhe çështja shqiptare, fq.10)
Ukshin Hoti – për studentët e degës filozofi – sociologji një kohë ka mbajtur një cikël ligjeratash me titull “Individi dhe proceset politike”, në të cilat shpërfaq rolin e vaçantë që kanë individë të caktuar në periudha të kthesave të mëdha politike me rëndësi kombëtare. Ndërkaq në analizën“Republika dhe lufta në kontekst të Evropës”, ai ua tërheq seriozisht vërejtjen jo vetëm faktorëve politikë shqiptarë mbi ushtrimin serioz dhe me përgjegjësi të politikës, por edhe faktorëve jugosllavë e të huaj që të mos pajtoheshin me zgjidhje gjysmake për Kosovën e cila do t’u kthehej si bumerang në të ardhmen dhe do të ishte një faktor i përhershëm frenimi për zhvilimin e dy kombeve të Ballkanit, atij serb e shqiptar. (Po aty, 11).
Kur jemi te analiza “Republika dhe lufta…”, Ukshin Hoti i ka dhënë një trajtim të vaçantë nëpër tubime të ndryshme edhe formimit të Ushtrisë së Republikës së Kosovës. Në një tubim për dëshmorët e kombit më 7 korrik 1991 ai ka kërkuar në mënyrë urgjente formimin e ushtrisë sonë. Këtë çështje me rëndësi kombëtare e argumentojë gjithanshëm edhe në Tribunën politike “Kosova dje, sot dhe nesër” që u mbajt më 12 Shtator 1991 në fshatin Kushtrim (ish’Billushë) të Prizrenit. Këto analiza politike, së bashku me ciklin prej pesë pjesëve me titull të përbashkët “Shqiptarët dhe Evropa”, ku janë shkoqitur shumëanshëm interesat politike – strategjike të Lindjes e të Perëndimit në botë, e veçanërisht në Ballkan, përbëjnë substancën e mendimit filozofik të Ukshin Hotit, që do të cilësohet si “Filozofi Politike e Çështjes Shqiptare”.

Ukshin Hoti në Tribunën politike “Kosova dje, sot dhe nesër” që u mbajt më
12 shtator 1991 në fshatin Kushtrim (ish’Billushë) të Prizrenit.

____________________________________________

Homazhe për martirët dhe burgosja e dytë e Ukshin Hotit
Dihet mirëfilli se Ukshin Hoti ishte banorë i një treve, e cila në fillim të vitit 1990 u bë vatër rrezatimi për gjithë Kosovën, sepse pikërisht në afërsi të Rahovecit e Krushës së Madhe, në Brestovc, u bënë lëvizjet e para për demokraci, ku në një demonstratë të mbajtur në këtë fshatë (më 27 janar 90) u vranë katër të rinjë: Nesimi Elshani nga fshati Nagavc, Agron Fetahu nga fshati Celinë, Hilmi Krasniqi nga fshati Hoçë e Vogël dhe Halim Hoti nga fshti Krushë e Madhe, si dhe u plagosën 19 të tjerë. Ukshin Hoti, në shkurt të vitit 1992 (në dy vjetorin e vrasjes) duke u vu në krye të një mase banorësh të këtij rrethi niset për t’i nderuar me një homazhë martirët e vrarë, por, policia serbe, duke e trajtuar këtë veprim si provokacion, ua zë rrugën dhe kërkon që të tërhiqen, por të njëjtën gjë e kërkon edhe Ukshin Hoti, ndërkohë policia i vë në përdorim armët e zjarrit, dhe me këtë rast plagosin një student nga Krusha e Vogël. Për këtë akt të guximshëm, Ukshin Hoti do të dënohet me dy muaj burgim, të cilin do ta mbajë një vit më vonë, në mars – prill 1993.
Ukshin Hoti në shkrimin: “Bëje ose vdis, për ta vrarë vdekjen!” kushtuar martirëve të Brestovcit, shkruan: “Në mëngjezin e 27 janarit të vitit 1990, nga Krusha e Madhe, një fshat ku degëzohen tri rrugë, ato që të shpien në Prizren, Gjakovë dhe Rahovec, një grup i madh njerëzish, burra e djelmosha, ishte nisur për në Rahovec. Rrugës iu kishin bashkuar edhe të tjerë nga fshatrat e afërta, nga Celina (të cilët ngulnin këmbë se janë nisur nga Celina), Nagavci, Hoça e Vogël, Randobrava, Pirana dhe Brestovci. Kërkonin Liri dhe Demokraci, dhe e kishin menduar Republikën. Një numër policësh u kishin vajtur mbrapa. Kishin qenë të armatosur dhe të hipur nëpër makina, të cilat nuk i kishin ngarë shpejt, po vetëm sa për t’u qëndruar afër. Dhe sa më shumë që kolona e demonstruesve ishte zgjatur, ata kishin mbetur gjithnjë e më mbrapa. Në fshatin Brestovc, aty ku rruga fillon të gjarpërojë mengadalë përpjetë për të arritur në Rahovec, ua kishte zënë pritën një togë e policisë speciale, me automjete të blinduara, me rroba speciale anti-plumb, të pajisur me armatim të lehtë këmbësorie.

Ukshin Hoti – gjatë homazheve te varrezat e dëshmorëve në Brestovc – 1992.

_________________________________

Nga pikëpamja taktike, pozita e tyre kishte qenë më e favorshme. Ndodheshin më lart se demonstruesit, të cilëve, për të bërë përpara në drejtim të tyre, u duhej të ngjiteshin përpjetë. Nga ajo pozitë e lartë ata i kishin vënë re demonstruesit që kërkonin Liri e Demokraci dhe që e kishin menduar Republikën. I kishin pasur si në pëllëmbë të dorës. Atje lart ndodheshin edhe skeletet e disa shtëpive private në ndërtim e sipër që mund t’u shërbenin për zënien e pozitave të shkëlqyera në rast lufte me demonstruesit. Por këta të fundit kishin qenë të paarmatosur. Dhe ashtu të paarmatosur, duarthatë e gjysmëzbathur, kishin kërkuar Liri e Demokraci, dhe e kishin menduar Republikën. Akoma pa arritur lart, afërsisht kah gjysma e përpjetëzës, përmes megafonit, policia speciale u kishte bërtitur: “Stoj!” Mirëpo këta nuk kishin dashur ta kuptonin “Stojin”, sepse kishin qenë në vendin e tyre, ndërsa urdhërin shqip “Ndalu!” nuk e kishin dëgjuar. Kishin bërtitur gjer në kupë të qiellit: “Liri dhe Demokraci”, – dhe gjer në thellësitë e shpirtit e të tokës e kishin gjakuar Republikën. Qielli nuk i kishte dalluar, se tokën ndërkaq e kishte mbuluar tymi i zi i gazit lotsjellës. Gumëzhima e krismave të pushkëve dhe të automatikëve e kishte çarë ajrin. Ky i kishte kthyer në jehonë. Fishkëllima e plumbave dhe zhurmërima e autoblindave e kishin shkatuar një zallahi të përgjithshme nga e cila nuk ishin ndjerë dot as dhembjet prej goditjeve të rënda të çizmeve policore. Policia ishte depersonalizuar, ishte shndërruar në pushtet. Ndërsa pushteti në shënjestër.” (Hoti: Krushë e Madhe, janar 1992)
Përgjakja e Ukshin Hotit te udhëkryqi i Komoranit!
Në Maj të vitit 1993 Ukshin Hoti u përgjak nga forcat e policisë serbe, te udhëkryqi i Komoranit gjersa po kthehej në vendlindje, pas punëve të kryera në Universitetin e Prishtinës dhe vizitës që ia kishte bërë grupit grevistë në krye me Adem Demaçin, në pallatin e shtypit në Prishtinë. Ndonëse kisha kontakte të vazhdueshme me Ukshin Hotin, pas këtij rasti e vizitova në shtëpinë e tij në Krushë të Madhe dhe e mësova se si ka ndodhur ngjarja. Atë ditë Ukshin Hoti, pasi ka marrë pjesë në një takim pune në Universitetin e Prishtinës e ka vizituar Adem Demaçin (në pallatin e shtypit), i cili bashkë me disa gazetarë dhe punëtorë të „Rilindjes“ prej disa ditësh ishin futur në grevë urie, dhe në mbrëmje dikur pas orës 21:00 derisa po ktheheshin nga Prishtina për në Krushë të Madhe (bashkë me Agron Limanin), te udhëkryqi i Komoranit i ka ndalur policia serbe. Pasi janë legjitimuar dhe kanë mësuar se kush janë, duke u sjellur me vrazhdësi i kanë dërguar në stacionin policor në Gllogovc. Derisa Ukshin Hoti është provokuar e keqtrajtuar psikikisht, disa policë të tjerë Agronit – ia kishin lidhur duart dhe e kanë rrahur mizorisht! Pas këtij keqtrajtimi Ukshin Hoti dhe Agron Limani janë liruar, dhe gjatë rrugëtimit me makinë, në dalje të Gllogovcit sërish i ka ndalur një patrullë e policisë serbe dhe pa pritur në mënyrë të rrufeshme kanë vazhduar t’i rrahin barbarisht deri në alivanosje. Me këtë rast Ukshin Hoti ka marrë lendime të rënda trupore, në kokë, në fytyrë, në këmbë si dhe i janë thyer disa brinjë! Mbaj mend se, për këtë rast Ukshin Hotin, e kanë vizituar shumë veprimtarë të çështjes kombëtare, por, edhe një delegacion i misionit vëzhgues të OSBE’së me seli në Prizren.

Maj 1993: Përgjakja e Ukshin Hotit te udhëkryqi i Komoranit!

_________________________________

Organizimi politik i Ukshin Hotit, burgosja e tretë dhe gjykimi…
Ukshin Hoti në aspektin politik, fillimisht do të angazhohet në Degën e LDK’së në Rahovec, mirëpo për shkaqe të panjohura, ai vendosi të tërhiqet nga kjo parti për të gjetur forma tjera të arganizimit politik. Në një intervistë për revistën “Gurra”, që kam bërë me Ukshin Hotin në fillim të majit 1992 (në prag të zgjedhjeve të 24 majit të atij viti), në pyetjen: “Si e shpjegoni dorëheqjen tuaj nga LDK’ja?” Ukshin Hoti përgjigjet: “Do të doja që LDK’ja të jap shpjegime të duhura e jo unë. Meqenëse ata po e konsiderojnë të arsyeshme që të mos jepen shpjegime, edhe unë do të heshti deri në momentin, kur do të jetë e domosdoshme t´i sqarojmë gjërat.” (Hoti, “Gurra” f.7-9.) Në fakt, më vonë kuptohet se Ukshin Hoti largohet nga LDK për shkak të injorimit që i bëhesh atij nga Dega qëndrore e LDK’së, veçanërisht nga Kryetari Ibrahim Rugova dhe sekretari i Përgjishëm i partisë – Jusuf Buxhovi.
Në vitet 1991 – ’94 Ukshin Hoti merrë pjesë në shumë takime e tryeza të mbajtura në qytete, fshatra, në UP, në disa simpoziume me karakter gjithëkombëtarë që u mbajtën në Shkup, Tetovë e gjetiu, dhe në mënyrë shkencore i argumenton tezat e tij tashmë të njohura politike, duke shtuar edhe një fakt me rëndësi, se në rrethanat e reja ballkanike, kur nuk ekzistonte tashmë shteti federativ siç ishte Jugosllavia, opcioni i vetëm rreth të cilit do të duhej të koncentroheshin Shqiptarët ishte bashkimi i gjithë kombit Shqiptar në Ballkan në një shtet të vetëm. Ky bashkim sipas Ukshin Hotit, do të duhej bërë në mënyrë demokratike dhe paqësore, sepse do të ishte në interes të gjithë rajonit.

Maj 1994: Deklarata Politike e UNIKOMB’it – e shkruar nga Ukshin Hoti.

_______________________________

Meqenëse atëkohë këto teza të Ukshinit, i përfaqësonte edhe një parti legale në Kosovë, Partia e Unitetit Kombëtar të Shqiptarëve (UNIKOMB’i) atëherë me propozimin e kreut të kësaj partie ai pranon të bëhet Kryetar i saj. Pa humbur kohë harton një deklaratë politike të UNIKOMB’it, me të cilën do t´i bëhej me dije opinionit Shqiptar dhe atij ndërkombëtar, për aktivizimin, freskimin, rigjallërimin dhe luftën politike të kësaj partie për bashkimin e kombit në një shtet të vetëm në Ballkan. „Parimi i proklamuar gjatë fazës së krijimit të shteteve nacionale në Evropë – një komb/një shtet, sipas të cilit pjesa absolutisht më e madhe e një populli përfshihej brenda kufijve nacionalë të shtetit të vet (shtetit/komb), në rastin e shqiptarëve, përkundër vullnetit të tyre, u implementua pjesërisht: më tepër se gjysma e popullit shqiptar dhe më tepër se gjysma e trojeve shqiptare mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar…“ prandaj është i domosdoshëm „bashkimi i shqiptarëve dhe të trojeve të tyre në një shtet të vetëm.“ – kështu e ka definuar Ukshin Hoti pikën e parë të Deklaratës politike të UNIKOMB’it (Deklarata politike – Maj 1994).
Mirëpo, çka ndodhi?
Pikërisht, në kohën kur politikani dhe filozofi i shquar Ukshin Hoti po bëhej gati që ta merrte në dorë timonin e kësaj partie, më 17 maj 1994 gjatë rrugëtimit nga Prizreni për në Prishtinë arrestohet nga policia serbe, e cila, siç do të merret vesh më vonë, kishte qenë në dijeni të plotë për aktivitetin e tij gjatë atyre ditëve.
Më 30 Maj 1994, Prokurori Publik i Gjykatës Serbe të Qarkut në Prizren Dobrivoje Periç, ngriti Aktakuzën Kt.br.107/ 94 kundër Ukshin Hotit, ndërsa pas katër muaj e gjysëm hetimesh, saktësisht më 28 shtator 1994, po në Gjykatën e Qarkut në Prizren, Trupi Gjykues i përbërë nga: Nada Haxhi – Periç, kryetare dhe Xhafer Ajvazi e Jovana Denimanoviç, anëtarë të këtij trupi, me procesmbajtësen Zorica Kovaçeviç, shpallë aktgjykimin K.br.28/94 datë 28.IX.1994, ku Ukshin Hoti „U ime Naroda – Në emër të Popullit“!!! dënohet me 5 vjet burgim të rëndë. Po të lexohet me kujdes ky aktgjykim, duket qartë, se gjyqtarja Nada Haxhi – Periç këtë dënim e ka mbështetur kryesisht në pohimet e fjalës mbrojtëse (prej 21 faqesh në dorëshkrim) të Ukshin Hotit, se sa në provat materiale që i ka përdorur trupi gjykues gjatë këtij procesi të montuar politik., siç ishin: “Anëtarësimi i tij në “Partinë e Unitetit Kombëtar – UNIKOMB”, dhe në atë të “Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK” si dhe pesë numrat e revistës “Demokracia Autentike – DeA”…!!! Prej gjashtë faqesh e gjysëm sa ka aktgjykimi, tri faqe i ka vetëm nga fjala mbrojtëse e Ukshin Hotit. (Aktakuza Kt.br.107/94 dt.30.05.1994 dhe Aktgjykimi K.br.28/94 dt. 28. IX. 1994)
VIJON…

______________

AKTAKUZA Kt. br. 107 / 94 dt. 30. 05. 1994 …

__________________________________

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura