PËRPARIM DEMI: MANIPULIMI I DITËS

Bukuresht, 14. 11. 2014 – Mos harrojmë! Jetojmë në Ballkan, në këtë tokë aq të pasur, me një popullsi aq të vjetër, me një histori aq të gjatë dhe të ashpër, plot me konflikte të përgjakshme. Ndjehemi të lodhur sot, ndonjëherë dhe pa shpresë. Të lodhur nga varfëria dhe të pashpresë nga padrejtësia. Këto njëzet vjetët e fundit i kemi hedhur sytë nga perëndimi i pasur, i nginjur, i veshur bukur, i cili na ofron iluzionin e një perspektive të ndritur prej kolonie. Hamë me dhëmbë krenarinë e trashëguar, e cila është e përzier me inferioritetin e përftuar gjatë shekullit të pavarësisë, duke na ndërruar AND-në, nga shqiptar me qeleshe në një europian amorf akoma i papranuar. Mirësjelljen e transformuam në servilizëm, ndershmërinë në plaçkë të vjetruar, dhe karakterin e hodhëm në pus. Vallë iu nënshtruam kushteve që na imponuan të huajt, apo kjo është pozita që vetë adoptuam ?
Unë them – janë të dyja bashkë!
Ballkani, kjo qoshe jugore e Europës, i ndodhur përherë mes dy botëve (perëndimit dhe orientit), gjithmonë i lakmuar, shpesh i tradhtuar, i përdorur , ndonjëherë i harruar, sot zgjoi interesin e botës së madhe. Ky gadishull i ndarë dhe përçarë në shtete të vegjël, të konsideruara plotësisht të korruptuara, me qeveri kukulla, të paafta të zgjidhin problemet e tyre, të mbërthyera nga kriza e thellë, të cilat përpiqen të eksportojnë konfliktet false, për tu shpëlarë trutë popujve të tyre, sot vazhdon të jetë i mbuluar nga mjegulla e propagandës. Kjo pengon opinionin botëror të shohë, por jo dhe agjencitë, emisarët, sekserët, diplomatët, spiunët, ruajtësit e ‘ekuilibrit’ ndëretnik, analistët dhe specialistët profesionist të cilët vazhdojnë të mbushin arkivat e kancelarive të mëdha. Dhe ne hedhim fall, besojmë se fati po na buzëqesh ne shqiptarëve, se zoti na zuri më në fund për flokësh për të na nxjerrë nga balta, nga gropa ku vetë jemi fshehur për një kohë të gjatë. Bëjmë hesape me gjysmë frazat që na hedhin perëndimorët sot. Besojmë se bota ndryshoi më në fund, se ata që na bënë copa-copa, ata që na shitën në tregun e madh, ata që na pushtuan dikur, ata që na vodhën atëherë dhe po na shfrytëzojnë prapë edhe sot, janë penduar dhe mezi presin që të na kompensojnë me bujarinë e tyre të paparë ndonjëherë më parë.

Hapat e integrimit për në bashkimin e perandorisë europiane!

Ndoshta është dhe ashtu !!!
Por mua që jetoj matanë, në Europën e madhe, tek e cila kanë vënë shpresat politikanët tanë, ku kriza ka vite që po ha frutat e vyshkura që bien nga degët e kalbura të ekonomisë, ku korrupsioni është plakur pa dal akoma në pension, ku qeveritë nuk po dinë kujt ti buzëqeshin më parë, Kinës apo Amerikës, ku Rusi është kthyer në gogol, kur dëgjoj këshillat e tyre që u japin lepurushave tanë të dëgjueshëm, më vjen të qesh dhe më vjen të qaj. Kjo Europë e pasur u ka ofruar vasalëve të vegjël ballkanik liri qarkullimi, ashtu është u ka dhënë ëhë. Kështu ajo zgjidhi përkohësisht një pjesë të deficitit të saj buxhetor, duke e kompletuar me kontributet e disa milionave emigrant të uritur ballkanik. Kjo Europë e mplakur, me popullsi të vjetruar, e cila po ndryshon ngjyrë, na jep shpresa për një perspektivë të ndritur, pa patur vetë një të ardhme të sigurt. Çfarë zhgënjimi, ata që mbyllën sytë dhe na lanë për vite me radhë ti furnizojmë me drogë dhe prostituta, të lajmë parat e zeza, të tyret dhe tonat bashkë, na lanë të ngremë hotelet luksoze dhe infrastrukturën për turistat e tyre në bregdetin e virgjër shqiptar, sot na kërkojnë të heqim dorë nga të gjitha pa krijuar asnjë kusht për vet-financim të zhvillimit. Me fjalë të tjera na kërkojnë të jetojmë vetëm me borxhet e tyre, pa na dhënë mundësinë të ngremë ekonominë që të jetojmë me paret tona. Që të krijojmë kushtet për ti kthyer mbrapsht atë pjesë të emigrantëve tanë, të cilëve s’u ka buzëqeshur fati perëndimor, por kanë ngecur në grackën e kohës, pasi në Shqipëri oportuniteti për të jetuar s’ka lindur akoma.
Kur, kur do vijë ajo ditë!
Nga ana tjetër, qeveritë shqiptare gjatë njëzet vjetëve të fundit kanë gëlltitur të ardhurat e pakta të ekonomisë tonë të cunguar, e cila përpëlitet të ngrihet, duke u bazuar vetëm në çmendurinë e “biznesmenëve” aventurierë, të cilët u hodhën me kokë pa e ditur se sa i thellë është vendi. Pa-rregulli u bë rregull, e paligjshmja u ligjërua, krimi lulëzoi. Një popull i pamësuar të paguaj taksa, e ka të vështirë të pranojë që një shtet i korruptuar të abuzojë me frytin e punës së tij. Qeveria mund të luaj me të huajt se gjoja po reformohet, se gjoja po lufton korrupsionin, mund të luaj komedira të tipit Lazarat, por populli e sheh nga poshtë, pa qenë nevoja t’ia ngrejë fundin era. Deficiti buxhetor i qëndron si kosa e xhebrahilit mbi kokë dhe borxhet i janë bërë litar në qafë, prandaj i duhet ndihma e fqinjëve “zemërgjerë”. Mbamë të të mbaj, i thonë kësaj pune.
Shkoi Rama në Beograd – urraaaa!
– E pat, ja tha qerratai…
Pash pozat në FB dhe mu kujtua gjeli që këndoi pa pupla, pasi i kishte lënë ato gjatë përleshjes për majën e plehut. Vloi apo s’vloi çorba, si një herë e një kohë, kur shkoi Enveri në Gjirokastër dhe ua bëri grekëve me gisht. Sa të lumtur e ndjemë veten atëherë, megjithëse ishim pa bukë! Me siguri që dhe serbët e uritur u kënaqën me dragoin e tyre, i cili se la pa ja kthyer kusurin. Luajtën teatër “burrat e shtetit”, të dy si profesionistë, pastaj e kishin hallall një darkë të pasur, ku vazhduan me barcaleta të thekura. Problemet që krijuan, jua lanë gazetarëve ti zgjidhin dhe secili e vuri në vend nderin dhe krenarin e popullit të vet. Kështu dhe me Merkelin e rregulluan, për pak kohë vërtet, pra me një gur vranë dy zogj. Ballkan hesapi, kujtuan se ja hodhën! Nesër ditë e re nafakë e re. Me kësmet.
Ballkani ynë ka ra në paqe – a thua?
***

Nëse e keni lexuar deri këtu, duroni dhe një ҫikë, lexoni ca rreshta interesante nga një njëri i mënҫur me të vërtet. Aty flitet se si veprojnë politikanët dhe qeveritë e tyre për të mbajtur pushtetin në dorë. Janë këshilla për ata, por janë dhe zbulime për ne të tjerët (për ata që si kanë ditur deri më sot).
DEKALOGU I CHOMSKY’t

1. Populli duhet ta ketë përherë mendjen e zënë me gjithçka veҫ jo me problemet e tij të vërteta;
Për të arritur këtë: tërhiqjani vëmendjen nga problemet shoqërore reale, duke e orientuar atë drejt subjekteve të vogla, por me impakt të madh emocional.
2. Populli duhet t’i perceptojë udhëheqësit e tij si shpëtimtarët e kombit;
Për të arritur këtë: shpifni kërcënime false, ose krijoni probleme të rënda, të cilat ta preokupojnë me të vërtet opinionin publik dhe pastaj ofroni zgjidhje.
Një shembull: favorizoni pasigurinë e qytetarëve, pastaj shteti vjen dhe shpëton kombin mbi bazën e ligjeve represive të vendosura me kërkesën e “vet popullit”, duke e paguar me çmimin e kufizimit të lirive të tij demokratike.
3. Populli duhet përgatitur përherë për më të keqen;
Për të arritur këtë: mekanizmat e propagandës “së bardhë” (zyrtare, e financuar plotësisht nga qeveria), “gri” (e financuar pjesërisht nga ajo) dhe “të zezë” (e pa financuar fare nga burime zyrtare), të promovojnë imazhin e një qeverie të preokupuar gjithmonë për të përmirësuar kushtet e një të ardhme, tashmë të deklaruar si e errët dhe e pashpresë. Për të parandaluar protestat shoqërore, kundër politikave antipopullore të dhimbshme që do vihen në jetë, këto duhen dozuar në mënyrë graduale. Kështu, nëse administrohen mirë, gradual si masa vjetore, mbi bazën e një programi shumëvjeçar të shpallur, bëhen të durueshme nga populli.
4. Populli duhet të besojë, që edhe kur qeveritë e shtrëngojnë atë të jetoj më keq, prapë e kanë në të mirën e tij.
Për të arritur këtë: duhet të sigurojnë mirëkuptimin, aprovimin e popullit për disa masa ekonomike shtrënguese që gjoja do sigurojnë të ardhmen. Njeriu mësohet me idenë dhe gëlltit gjithçka, po të jetë i paralajmëruar për situatën.
5. Populli duhet të ketë kapacitet të kufizuar të menduari, i cili mos e lejojë të kuptojë lidhjet egzistuese ndërmjet shkaqeve dhe efekteve.
Për të arritur këtë: duhet ti drejtohesh njerëzve sikur të kenë të gjithë mëndje fëmije. Kështu e orienton turmën drejt një mënyre të menduari sipërfaqësore, naive me predispozicion për helmim informacional.
6. Populli duhet të mësohet të shohë dhe të problematizojë realitetin ku jeton dhe të veprojë mbi bazën e impulsive emocionale.
Për të arritur këtë: duhet t’i prekësh ndjenjat dhe ti provokosh kundërveprime instiktive, jo racionale. Ti inkurajosh reagimet emocionale, meqenëse janë më lehtë për tu manipuluar.
7. Populli duhet të mësohet të kënaqet me pak, dhe kjo t’ia zejë komplet kohën dhe ta demoralizojë, ta demotivojë, për të arritur ideale të larta.
Për të arritur këtë: qeveritë vendosin një sistem edukimi të korruptuar dhe jo funksional, gjë që kthehet në një instrument ideal për ti mbajtur qytetarët në injorancë dhe për tu manipuluar opinioni kolektiv sipas qefit.
8. Populli nuk duhet të ketë mundësi qasjeje për informim të plot, të vërtet, korrekt dhe objektiv.
Për të arritur këtë: inkurajohen financiar për ato mjete komunikimi në masë, të cilat e budallepsin publikun dhe e mbajnë të lidhur me ca emisione apo seriale vulgare, të cilat ja bllokojnë intelektin dhe ja pastrojnë trurin.
9. Në popull duhet futur shpirti i turmës!
Për të arritur këtë: duhet simuluar ndjenja e vet-fajësimit, fatalitetit, pafuqishmërisë. Njerëzit që nuk e kanë më impulsin e revoltës, kthehen në turmë dhe kontrollohen shumë lehtë.
10. Populli nuk duhet të dijë dhe as të besojë në ekzistencën e strategjive dhe mjeteve zyrtare të manipulimit.
Për të arritur këtë: përdoren të gjitha realizimet shkencore lidhur me njohjen e pikave të dobëta të psikologjisë së individit dhe të bashkësive. Në të njëjtën kohë, duke i diskretituar ato njohuri nëpërmjet medias, populli nuk do besojë asnjëherë se janë mjete që përdoren nga shteti për manipulim.

Noam Chomsky – 10 Strategien der Medien Manipulation an uns!

___________
Noam Chomsky (lindur në 1924) është një gjuhëtar amerikan i njohur, profesor në Institutin e Teknologjisë (MIT) Massachusetts, aktualisht në pension. Chomsky është shumë i njohur në tërë botën për aktivitetin e tij politik, në mënyrë të veçantë lidhur me qëndrimin e tij kritik ndaj jo vetëm politikës së jashtme të SHBA-së, por dhe ndaj qeverive të fuqive të tjera të mëdha të botës. Prandaj konsiderohet si një personalitet i së majtës politike në SHBA. Noam Chomsky ka evidentuar dhe shpjeguar, për tu kuptuar nga kushdo, duke i shprehur thjeshtë regullat bazë të manipulimit, që përdorin politikanët dhe mbi të cilat mbështetet pushteti politik, i cili ndodhet tani në krizë ligjishmërie, dhe të cilën ai e quan strategjia e diversionit. Këto ai i ka përmbledhur në atë që njihet sot “Dekalogu Chomsky”, dhënë i përkthyer më sipër.
Përkthyer dhe përshtatur nga P.Demi
Bukuresht, 11 Nëntor 2014

…………………………………..

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura